E merkure, 04.12.2024, 08:42 AM (GMT)

Kulturë

Tefik Selimi: Vargje lirike kushtuar mërgimit

E diele, 02.10.2016, 08:11 AM


Një vepër me vargje lirike kushtuar mërgimit dhe gjendjes aktuale në Kosovë…

Nga Tefik Selimi

Ditë më parë, Fetah M. Maliqi, krijues nga Dardana, botoi veprën me vargje lirike me titull “Flokët e vuajtjes”. Vepra në fjalë është një “tufë” me poezi lirike, të cilat, në vete ngërthejnë tema, motive më të ndryshme nga jeta e fëmijërore e poetit. Siç dihet, Fetah Maliqi, me kohë i është qasur të poezisë, e cila, për te është një vokacion shumë joshës në rrugëtimin e tij për hartimin e vargjeve poetike.

Autori,veprën në fjalë e ka ndarë në tri kaptina, si janë: “Jetë, a të shoh unë ty”, Mërgimi ka shumë plagë” dhe kaptina e fundit është “Gruaja në fshat”. Kjo vepër lirike, fillim e fund ka motive të përjetuara nga jeta e poetit si fëmijë. Është vepër simbolike. Flokët e vuajtjes janë hallet e rënda të jetës. Simbolikë e jetës së vështirë të njeriut tonë. Njerëzit thonë, më kanë rënë fokët nga vuajtja, nga skamja e nga “dertet” apo problemet e jetës. Pra, një vepër me një simbolikë poetike e artistike.

Në këtë “”tufë” poezish, lexuesi gjen vargje që poeti i këndon botës që e rrethon. Ai këndon për stinën e dimrit, e cila stinë, për fshtarët vjen dhe asaj fort i druajnë nga të ftoftit e acartë. Stina e dimrit është me borë, por fëmijët gëzohen, sepse ata dalin e rrëshqasin me ski, saja, por edhe “luftojnë” me toptha bore. Autori ia qan hallin edhe zogut, ai i cili në degë mërdhinë nga të ftoftit. Kjo skenë e paraqitjes së botës së autorit, sikur ta përkujton poemën e N. Mjedës, “Andrra e jetës”, ku familjet e varfëra pësojnë se nuk kanë kushte për jetë.

Fetah Maliqi e përkutojnë të kaluarën e tij si fëmijë, e cila jetë është me plot halle, ku mezi kalohet nga skamja. Në poezinë “Ngjarje të bardha”, autori e kthen gjendjen tek vetja. Ai shton: “Po të pyetem unë një ditë/ dimrin e heq, i bie vizë/ në shpirtin e njerëzve/ të ketë veç pranverë/ veç parqe këngësh...”(f.10). Kjo është bota optimiste e krijuesit për jetë, i cili nuk e adhuron jetën e rëndë, sepse edhe vetë e ka përjetuar. Ai, si shton, tash e do jetën e bukur me “parqe e me këngë” jete. Gati të gjitha poezitë e kaptinës së parë autori i ka me moto të dhimbjes për jetën e kaluar të tij, për atë jetë që i dhimbset dhe, shton: “Kalova dhembje, ditë e net/ së menduari për të tëra/ vatër e ngrohtë të forcon/ si pemë të rritë degë/ shpirtin ta bën si det” (f.16).

Apo, tek poezia: “Thënie të mençura”, autori, F. Maliqi ndalet te filozofia e jetës, se, dielli është “fenomen” i njëjtë për të gjithë. Ja si shton ai: “Dielli është për të gjithë/ futu nën rrezet e tij/ lerë dhe tjetrin të shijojë ato!/  Duaj shumë e mos urrej/ dhe mos përto të tregosh prore/ të vërtetën që është e shenjtë/ po nëse gabon/ kërko falje, pendohu” (f.17). Kjo është filozofia e mençur e njeriut, ai i cili, në çdo rast e moment, duhet ta dijë se ky rruzull tokësor është i të gjithëve. Por, nëse diku në jetë gabon, ai nuk duhet ta harrojë këtë të keqe, por duhet të kërkojë falje. Kjo është e vërteta e filozofisë së njeriut – NJERI.

Mandej, autori e zgjeron këtë filozofi, ku thotë se, ti njeri “mendo drejt, mendo lirisht/ çlirohu nga çdo ngarkesë/ se një ditë dhe do të ikësh/ nga kjo botë/ e Zoti sheh, dëgjon... por kurrë nuk harron” (f. 18). Auroti, nëpërmjet vargjeve e qan jetën e  tij s’e ka bërë mirë apo jo?! Ai na tregon me vargje se gjendet në spital. Ka pasur moment të dhimbshëm. Në poezinë “Përsëri në spital”, autori e përkujton gjendjen e vet në një qast kur e rikthen mendjen se a ka bërë mirë apo jo. Ai shton në vargje: “Sa herë më vjen në mendje/ u mundova dhe bëra mirë/ u dërmova, por ka dhe kënaqësi/ se bën të gjitha për jetë të mira/... eh, kurbet! (f.19).

Këtu spikatet dhembja personale. Ai, gjer sa është i shtrirë në spital, thotë se, “preki dritaret e mëdha, jasht rrugët, blerimi, veturat, por edhe këtu jeta është dhe mendët të vajnë ngado...nis, lëshohem me ndjenja çmallje e dhembja në trup nga sëmundja e tjera dhembje më rëndojnë, kjo më sjell mendime..., por duke qenë në duar mjekësh me vlerë, uroj shërim dhe besoj mirë do të tëhem, mirë do të jem” (f.20). Sikur kjo “pamje” poetike ta përkujton Migjenin të shtrirë në spitalin Torre Peliqe të Italisë. Ai e rrëfen jetën e tij të fundit.

Fetah Maliqi, duke kënduar për ndjenjat e holla të njeriut, kupto të tij si krijues, ai, pas një rasti jo të këndshëm, që e ka përjetuar, tash e thellon mendjen dhe e bën të filozofojë apo të mendojë përtej asaj që ia kap mendja. Ai shton: “Mos mbetem vetëm/ mos nuk më rrinë pranë koke/ sikur më kaplon mërzia e thellë/ nuk pata askend në jetë/ nuk din çka kam në shpirt/ sa i ndjej të gjitha!/ më ikën koha, sytë m’rëndojnë/ e lotët rrjedhin/ pa më parë askush”(f.21).

Kjo peoezi ta përkujton poetin e mjerimit, Migjenin, i cili, sa ishte i shtrirë në spital, e shkruan poezinë “Pak dritë”, ku poeti kërkon ndihmë nga gjeli t’ia tregojë mëngjezin a është afër apo jo. E poeti Fahmi, në këtë poezi të dhimshme e përmend nënën, e shton: “Nënë, ah, të ishe gjallë!/ t’më shihje, dergjem n’spital! (f.22).

Në pjesën e dytë të veprës me titull “Mërgimi ka shumë plagë”, Fetah Maliqi, më shumë se në të gjitha veprat tjera, kësaj here ai ka i kënduar jetës së mërgimtarit, e cila jetë është plot dhembje dhe mallë. Pra, kjo pjesë e veprës kryesisht bën fjalë për mërgimin si plagë e hershme dhe tejet e dhimshme për mërgimtarët tanë. Bie fjala, në poezinë “Dal në oborr spitali”, poeti e përshkruan mallin për ta parë ndonjë të afërm edhe atje ku vepron. Ai këndon: “Sillem, mbështillem, shikoj, kërkoj, mendje, kam mallë te kem dikë afër”(f.25). Ai me lotë në sy vajton dhe vaji i tij është plot dhembje trupi e shpirti. Ja si ia thotë këngës së tij: “Ah, kurbet, të rëntë pika/ më degdise, ku nuk e prita/ më ikin mendët, humb fare/ së menduar me lot pse, pse/ po të isha, ah po të isha/ tash në vendin tim” (f.25).

Edhe pozia “Mërgimi ka shumë plagë”, autori shton se plagë të shumta ka mërgimi, lodhja e madhe, malli për vend”. Ai shton më tutje se, “tërë njerëzia ndryshuan fare, s’të afrohet kush/ s’të prek për dore/ sheh si humbin çast vlere...” (f. 26). Në veprën “Flokët e vuajtjes” të Fetah Maliqit gjen tema e motive më të ndryshme. Bie  fjala, autori shkruan për qytetin, Prishtinën, qytetin që kudo shihet “tym e flakë, kërbaç, uniforma, kamera,vetura për emergjencë” (f.28).

Këto skena autori i ka parë dhe ato i duken si “sende” që janë të tepërta. Pra, si shton autori, “në Prishtinë dhe Kuvendi njëjtë/ flakë, tym, kollitje, kërkesa, bërtitje, jo fjalë rruge...” dhe pyet autori: “pse kjo gjendje, situatë? Pra, këto skena tronditëse, autorin e veprës e nevrikosin dhe pas kësaj zhurme, shëmtie, qarje, lotë...këtu kishte një luftë për çlirim, kishte njësoj lirie..., por mjerimi mbeti i paparë, dredhi, sëmundje, shkretirë.. dhe ky gaz” (f.28).

Poezia “Protesta” rrëfen jetën e rëndë të të gjithave kategorive njerëzore. Poeti shton se të gjithë i ka prekur jeta e rëndë, “të rinjë, të rejat, të moshuar, gra, pensionistë, gazetarë etj” dhe, sipas tij, “në këtë vend po përfundon në duar të një grushti/ të çmendurish, që s’kanë të ngopur...” Andaj, poeti proteston e reagon kundër kësaj “gjendjeje” dhe thotë se, këtu “gjuhen bomba lotsjellës/ pëlcasin, helmojnë”, ku kërkohen fajtorët që prapa grilave të drejtësisë dë dënohen me ligj, por “ sipas tij, “dhe ligjin e bënë këtu djajtë...”(f.29).

Kjo poezi ta përshkruan krejt gjendjen kaotike të disa momenteve që ngjarë në Prishtinë, ku pati “brohoritje, ngarendje, kapje në pranga, filmime, burgosje, kidnapime, plagosje, por dhe vrasje...” (f. 30). Ata që protestojnë se duan  jetë me mundësi të barabarta e ligj që vlen njësoj për të gjithë”...për një jetë “dinjitoze secili” (po aty). E tillë është edhe poezia plot pezm, e cila, pas këtij vandalizmi, poeti pyet tek poezia “Kush i paguan të gjitha?” Kjo poezi ta kthen gjendjen e vandalizuar dhe, tash ka thyerje, ndezje veturash, coptimet xhamash të parlamentit, demolime tjera, prishje të rendit, po kush i paguan, pyet autori Këto vandalizma i paguajnë taksapaguesit, populli, kush tjetër?!

Pra, në poezinë e F. Maliqit gjen dhembje, lot, largim nga familja, jetë në mërgim dhe shumë pse-he tjera. Edhe poeti shton  se, mërgimi ka shumë plagë. Ai thotë se, “plagë të shumta ka mërgimi/ lodhja e madhe, malli për vend/ sheh tmerrin e hapur/ me sytë e tu/ të merretja, uria të push ujë dhe ujë ke harruar” (f.26). Pas kësaj kaptine, në këtë vepër është kaptina e re me titull”Gruaja në fshat”. Në këtë pjesë autori ngre zërin e protestës për jetën e rëndë në fshat etj. Ai (poeti) në poezinë “Harresa në majë”, e përkujton nënën e lënë në skamje, e shton: “Eh, nëna e shkretë/ kah t’ia mbaj?/ lëmoshë kërkon e vuan/ vetëm shihni në kontanier/ çdo ditë, në çdo qytet/ gërmojnë sa njerëz/ për ushqime, metale, letra” f.40).

Në këtë kaptinë, F. Maliqi, krijues, një poezi lirike ia kushton kancelares gjermane A. Merkel. Këtë figurë të madhe të këtij populli, ai e  quan emër të madh, sepse “në krye të vendit/ qeveris një kohë – histori/ Angela Merkel, emër i madh/ e mençur, e fortë. Apo, “...e kemi një mike të parë/ me ndikim vendimtar/ i dha kahje të mençur/ dhe Evropës së tërë” (f.42). Tek kjo kaptinë, autori e ka një poezi me titull “Fluturoni, shqiponja! Është një krijim që “prek” tematikën e shkrimtarëve të Rilindjes, sidomos poetin, F. Shiroka. Kështu tingëllon kjo poezi, e cila në vete ka tone elegjiake dhe të dhimbshme.

Ja si këndon autori: “Fluturoni, fluturoni/ e mos pushoni një çast/ jeni ë larta me hire hyjnish/ ju kemi të shenjta në shpirt/ Të dëlira dhe të fuqishme/ e ju jeni.../ duheni për këtë vend! (f.52). Apo: “Dardaninë ma keni në mendje/ në qafë Kosovës ia varni/ gjithë mallin tim!/ Edhe i thuani, ne këtu , oh/ po mbarojmë në sa punë/ që të lind, po vërtet të lind/ E Madhja Ditë! (f.52). Po të tilla poezi të dhimbshme malli, autori ka kënduar edhe te krijimi tjetër poetik, si: “Te kroi i mixhës ujë të pini”, në të cilën poezi ai përmallet dhe vajton duke i porositur zogjtë e pyellit, se: “Fill te kroi shkoni shihni/ ndaluni dhe mos u ngopni/ duke parë e duke parë/ duke u fryrë nga malli i madh.

Ose te poezia tjetër e tij, shton: “Te Kroi i Mixhës ujë të pini, fije bari kapni.../ degë peme prekni/ edhe zogjtë, fluturat, qentë gjithçka shihni/ mos pushoni, veni larg/...nga do shkoni/ e me ju jam!” (f.56). Kjo poezi është plot vaj, dhembje dhe mall, ku autori e evokon të kaluarën e fëmijërisë së  tij në vendlinje. Në këtë vepër poetike gjejmë edhe poezi të “kënduara” në stilin e këngës popullore.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora