Kulturë
Murat Gecaj: Bisedë me Arta Zenelin
E shtune, 01.10.2016, 04:43 PM
ARTA
ZENELI: “NUK JAM KURRË PA LIBËR NË ÇANTË…”
(Bisedë, me punonjësen e librarisë “Art. kulturë, sport”, në kryeqytet)
Nga Prof. Murat Gecaj - publicist e studiues
1.Është kënaqësi, që po e bëjmë këtë bisedë edhe nga fakti se jemi
bashkëkrahinas, pra nga Malësia e Gjakovës (Tropoja)…Ti je nga fshati i bukur
Luzhë, i atij rrethi dhe punon e jeton famljarisht, në Tiranë. Çfarë kujtimesh
e mbresash ke nga vendlindja jote dhe si i ke mbajtur lidhjet me të?
-Kënaqesia është e imja…Fëmijërinë time e kam
kaluar në qytetin alpin “Bajram Curri”. Mendoj se të gjithë e duan fëmijërine e
tyre. Për mua ka qenë një nga periudhat më të shënuara të jetës sime. Kujtimet nga ajo kohë janë të bukura, si vetë mosha. Natyrisht,
qe mbaj lidhje me vendlindjen dhe shkoj atje, sa herë që kam mundësi. Sepse,
siç e dini, është edhe një krahinë me bukuri të rralla natyrore: me Valbonën ujëkaltër
e troftat pikaloshe të saj dhe me malin e Shkëlzenit të lartë e krenar, me
bjeshkët e gjelbrimit të përhershëm etj. Përpiqem
që të jem gjithmonë e informuar me zhvillimet dhe ndryshimet, që ndodhin atje.
2.Ti punon në librarinë
“Art-kulturë-sport”, pranë hyrjes kryesore të Bibliotekës sonë Kombëtare…Si e
përjeton këtë fakt, që është edhe domethënës?
-Ka qenë vetë zgjedhja ime. Per mua, është kënaqesi dhe
privilegj të jem mes librave. Përjetoj vërtetë kënaqësi të shumta shpirtërore,
ashtu si vetë libri na bën të ndihemi të tillë...Më duket, sikur jetoj shumë
jetë, njëkohësisht.
3.Në librarinë tënde sjellin botimet e tyre mjaft poetë,
shkrimtarë e studiues…A mund të më përmendësh emrat e disave prej tyre, që janë
më të rregullt, në marrëdhënien me këtë librari?
-Po, patjetër…Është kënaqësi që të bashkepunoj me poetë,shkrimtarë
dhe studiues të njohur... Mund të përmendi këtu disa, si psh: Nasho
Jorgaqi,Uran Butka,Flutura Açka,Behar Gjoka e Shefqet Hoxha; poete të reja, si
Albana Osmani,Lola Musliaj Agaj,Eli Kanina, Albana Ponari e shumë të tjera. Por
edhe ju keni lënë libra te ne…
4.Përsëri, lidhur me pyetjen e mësipërme…A i lenë këtu
librat e tyre autorët e rinj, sidomos femrat? Cilat janë disa nga këto?
-Sigurisht që ka shumë. Përmenda me lart disa, por edhe Elida Rrusta,Roza Hysuka,Sabina Elmazaj,Katjusha Pogaçi etj
5.Po vetë, a lexon dhe cilët janë autorët, që të pëlqejnë më shumë, si nga ata shqiptarë ose të huaj?
-Lexoj në librari,lexoj në kafe,lexoj në autobus (nëse udhëtoj
gjatë)...Nuk jam kurrë pa libër në çantë!... Mund të permendi disa autorë të
njohur, si: Stefan Cvajg, (Novelat),Remark,Paulo Coelhoe Drajzer; nga shqiptarët:Kadare,Kongoli,Brunilda
Zllami etj. Pra, kam shumë autorë të pëlqyer.
6.Librat e të
cilëve autorë, kanë qenë më të pëlqyer nga lexuesit, gjatë vitit në vazhdim?
-Si periudhë vere, që ishte, gjithë librat e rinj janë tërhequr
më shumë. Por nuk ngelen mbrapa as klasikët, si gjithmonë. Kështu, të tillë janë
autarë të vjetër dhe të rinj, si: Nikola Sparks,Daniel Still,Jojo Moyes,Silvia
Day,Khaled Hosseni etj
7.Po ti vetë, Arta, a ke provuar të shkruash, në poezi
ose prozë dhe ku i ke “fshehur” krijimet tua?(ha,ha)
-Ha, ha! Ndoshta, kur isha në gjimnaz, kam shkruar ndonjë
poezi të vogël. Por që ka mbetur, thjesht, mes gjërave e kujtimeve të mia…Gjithësesi,
nuk përjashtohet mundësia të provoj përsëri…
8.Së fundi, por
jo nga rëndësia: A mund të na tregosh diçka për jetën tënde familjare?
-Po, me kënaqësi…Jam e martuar dhe kemi një djalë 16 vjeç dhe
një vajzë 4 vjeçe.
Edhe bashkashorti im merret, gjithashtu, me
librin, në një kompani private.
Faleminderit dhe është nder e kënaqësi për mua,
që bashkëbisedova me ju, i respektuari prof.Murat Gecaj.