E merkure, 01.05.2024, 03:57 AM (GMT+1)

Kulturë

Peci: Ramadan Bozhlani - Klithma e Ndërgjegjës

E hene, 26.09.2016, 11:07 AM


RAMADAN BOZHLANI DHE ROMANI “KLITHJA E NDËRGJEGJËS”

SI ZEMËR-THIRRJE PËR NJË KATARSIS TË DOMOSDOSHËM

Nga Xhemail Peci

Në romanin e Ramadan Bozhlanit e veçanta shkrihet me të përgjithshmen, individualja me kolektiven, fati i djeshëm me ankthin për të sotmen dhe me shpresën për të nesërmen; ballafaqohen fate njerëzish, pikëpyetje dhe mëdyshje, shqetësime dhe preokupime që tejkalojnë vetëm një kohë, e që shtrihen në hapësira mijëvjeçarësh të shumtë, madje deri në ato përmasa sa historia përsëritet në ciklin e saj sa të pamëshirshëm po aq edhe shumë shpesh, të paspjegueshëm: “Nga vështrimi i njëqind e tetëdhjetë e nëntë palë syve u ndie i mbërthyer. E lëvizi shikimin ngadalë nga më i riu, deri te më i moshuari. Në fytyrat e tyre të ngjeshura gjeti lloj-lloj ndjesie. Ndijimin që nuk e hasi tek ata, i erdhi ta provonte vetë, por pa lot.”

Në simbolikën e emrit të kryepersonazhit të romanit (të Atdheut) dhe të torturës më të veçantë psikologjike që nënkupton sa ankthin po aq edhe makthin për mosgjetjen e të zhdukurve, Bozhlani ka konceptuar shtjellimin artistik të një romani që në procedimin e tij ka tablotë e një drame kolektive, të një tragjedie përmasash të papara.

Shumëçka shpaloset nën prizmin e narracionit për xhamat e zi (kryetari i komunës dhe veturat e zeza, eskorta e tij si një simbolikë që gjithsesi të përkujton atë të shpurës mbretërore) si dhe për rrezet ndriçuese të diellit, përmes një rrëfimi racional e në retrospektivë, ku rikujtohen figurat e të zhdukurve, si ajo e të vëllait Fisnikut (“ishte me të njëjtat rroba kur e rrëmbyen paramilitarët serbë nga gjiri i nënës”), e Besnikut, e një plaku me plis, dhe e gjitha kjo sërish në petkun e një simbolike tjetër: Komuna e Shpresanit!

Fjala vjen, xha Bardhi është një personazh protoptip përmes të cilit autori ka shpalosur mjaft bukur dashurinë e popullit për vlerat e luftës, për njerëzit e gjakut. Ndërkaq, përballë dhembshurisë që ndjenë kryepersonazhi për qentë (gjë që ata e ndjejnë fare mirë), autori ka vënë pashpirtësinë e një shtrese njerëzore të kalbur, të cilët nuk ndjejnë asgjë, madje as edhe ndaj vetë gjinisë së tyre! Një paradoks i tillë në konturet e romanit shpaloset herë si parodi e herë si ironi e kohës.

Në poetikën e ligjërimit gjithashtu janë ndërthur me mjeshtëri edhe pamjet e natyrës me gjuhën e nëntekstit e cila vete në funksion të zbërthimit të fateve të shumëfishta, individuale dhe kolektive.

Përballë pamjeve të ngrrysura të natyrës, qëndron simbolikisht edhe kryeppersonazhi Atdheu, portreti i të cilit shpaloset përmes një përshkrimi poetik: “Iu duk se retë e tjera ngjiteshin gëzueshëm nga skajet drejt kupës së qiellit, për të kremtuar triumfin. Errësira zhvendoste hareshëm ndriçimin dhe hapësira qiellore i ngjau si një ekspozitë me piktura lëvizëse që ia kallnin tmerrin tokës dhe banorëve të saj. Sytë e pikëlluar filluan të thithnin trishtimin e hapësirës, për ta zbritur në zemrën e vogël tërë peshën e saj.

Në një procedim të tillë narrativ, herë përmes monologut që bën Atdheu e herë përmes përshkrimeve poetike, shpaloset me një gjuhë të një stili të pjekur narrativ, tabloja tepër e veçantë e varrezave.

Në përvijim të këtij ligjërimi, Bozhlani ka paraqitur mjaft bindshëm figurën e avokatit (“të mallkuar”) që mashtron dhe merr para duke premtuar familjarët se do të ndihmojë për të gjetur të zhdukurit, pabesinë e dëgjuar të serbëve të shfaqur edhe përmes recepcionistes e cila dërdëlliset se “nuk ka qasje në numër”, por edhe zotimin e kryepersonazhit dhënë të ëmës: “Nënë, ndoshta tani të dukem i vogël për një premtim kaq të madh, por një ditë do të rritem dhe të ardhmen do ta vë në shërbim të gjetjes së Fisnikut.”

Një element tjetër që bie në sy është ai i detyrimit për ta shitur tokën me qëllim që të paguhet avokati për të gjetur të zhdukurit, pa dyshim një remenishencë me kohën e aksionit të armëve por me konotacione të reja, si rezultat i politikave të pushtuesve të tokave tona.

Nën simbolikën e shprehjes, autori ka shpalosur të vërtetat e kohës së tij: “Ora ishte e vendosur në gjoksin e shqiponjës së gdhendur me mjeshtëri”,  “Në mes të oborrit u pozicionua me kokën lart për të parë yjet, çdonjërin nga të cilët e kishte pagëzuar me emrat e të zhdukurve, ndërsa hënën e ndriçuar e kishte quajtur popull.” Me po kaq sukses ai e ka gdhendur edhe portretin e nënës së Atdheut, e cila do ta shikonte rrugën “derisa vdiq, se mos po i shfaqej djali.” Ndërkaq, në gërshetimin e motiveve të ndryshme, është kapur mjaft bukur një dukuri tepër shqetësuese, ajo e emërimit të rrugëve (adresave) dhe rrahagjokësve të shumtë: “Ato ndërroheshin sa herë vinin në krye të komunës dhe të drejtorive, njerëz të rinj. Emërimi që u përfol dhe ngjalli polemika të shumta, ishte ai i një njeriu që kishte vdekur në shtrat jashtë periudhës së luftës, por komuna insistonte se ai ishte dëshmor. Shpejt u verifikua motivi; ishte një politikan që donte të rriste lavdinë e emrit të familjes përmes vëllait të tij të vdekur, gjoja se kishte qenë pjesë e luftës.”

Kjo përmasë e llahtarshme shtrihet deri tek përfitimet me tenederat e shumtë, gjë që sërish paraqitet si një paradoks i llojit të vet: “Këta e kanë mendjen te paraja, kurse ne shpresojmë të na gjejnë të afërmit e zhdukur...”

Ballafaqohen kështu banorët e padjallëzuar dhe zyrtarët mashtrues e të dhjamur (si drejtori e kryetari). Në mes rri krypersonazhi, i cili në pasqyrë kujtimesh pyet: “Asfalti do ta tjetërsonte pamjen e kësaj rruge... “Por, nëse ndonjë ditë Fisniku do të kthehet, a do ta njohë këtë rrugë?”

Njëlloj ballafaqohen edhe dhembshuria e Atdheut dhe Teutës për qentë e lënduar në aksident, me talljen e drejtorit dhe të kryetarit (të komunës) të cilët qajnë hallin e makinës dhe jo të viktimës! E përmasave të tilla është sfida e shpalosur mes dy brezave: njëri brez (i përfaqësuar me drejtorin, kryetarin, apo edhe me profesorin i cili e godet me shuplakë Atdheun - madje në klasë, duke i shkaktuar gjakderdhje) nuk e ka për bezdi gjakderdhjen, ndërkaq brezi i ri (i përfaqësuar me Atdheun dhe shokët e klasës së tij) ngriten kundër gjakderdhjes, kundër një mendësie me shfaqje egërsie dhe pangopësie. Bozhlani shpalos kështu atë që ai e ka quajtur me të drejtë “ankth tragjik”. Pa dyshim, një ankth me dimensione të shumëfishta, ankth i cili megjithatë paraqitet edhe në linjën e një bashkëbisedimi që nën petkun e simbolikës ia del të mos e bjerri shpresën:

“Yllin polar e kishte emëruar me emrin e vëllait të tij, të cilin nuk e pa më, prej ditës që ia rrëmbyen policët serbë nga krahët e nënës. Që nga ajo kohë, kryeyllin e quajti Fisnik dhe komunikoi me të përmes heshtjes e herë-herë edhe përmes zërit.

Në romanin e Ramadan Bozhlanit, ka heshtje dhe errësirë, por gjithashtu ka edhe meditime të thella si reflektim  i një realiteti gjithë vija dhe vrragë: “Mos vallë zërat kanë fuqi të tillë ushtuese kur dalin nga nëntoka, apo kur formohen nga kockat trumbetojnë kështu?”, mendoi prapë.”

Në kapitullin e dytë, autori ka bërë thyrjen e narracionit, duke e bartur syzheun e romanit në sfondin e një ballafaqimi të ri, përmes paraqitjes së personazhit të profesor Vegimit (sërish nën simbolikën e shprehjes-pagëzimit), dhe të Azmiut. Vegimi paraqitet në gjirin e atmosferës familjare dhe duke medituar për misionin që duhet të ketë një shkrimtar: “Aftësia e shkrimtarëve qëndron në ngjeshjen e realitetit brenda kopertinave të romanit”, mendoi. Errësira sa vinte e bëhej mbizotëruese.”

Ndërkaq, Azmiu paraqitet nga një sfond krejtësisht tjetër, si një prototip i shokëve të tij të shumtë, një përfaqësues tipik i armatës së mediokriteteve: “Vegimi shfryu dhe e futi celularin në xhep. “Personazhet e tilla si Azmiu, e sfidojnë edhe imagjinatën e shkrimtarëve”, mendoi. Atyre kurrë nuk do t'u shkonte në mendje të sendërtonin një karakter të tillë njerëzor në veprat e tyre. Por, edhe sikur t'ua kishte pjellë imagjinata, lexuesit do t'i merrnin për trillanë të shfrenuar.”

Në procedimin narrativ të Ramadan Bozhlanit, ekspozita mortore e të dymbëdhjetë të gjeturve të kujton ekspozitat e kokave që kanë bërë pushtuesit shekullorë të tokave tona, në ndërkohë që autori ka ndërthurur rrëfimin me përshkrime të detajuara të tablove, të sfondeve, të pamjeve të natyrës, por edhe të personazheve, si fjala vjen: “Na jepni votat dhe rrugën do ta keni të shtruar me kalldrëm”.

Krahas personazhit të Vegimit, Bozhlani ka paraqitur me sukses edhe portretin tjetër, atë të Kushtrimit i cili sfidon me vendosmëri zyrtarët plangprishës: “Kot e keni, nuk më joshni sikur në presidencë të më punësoni, sikur ky asfalt prej floriri të ishte, le pastaj që do të prishet shumë shpejt!”

Në një prizëm të tillë të përfshirjes së ngjarjeve në rrjedhën e viteve të vështira, është paraqitur edhe ballafaqimi i brezave, e në mënyrë të veçantë është paraqitur Vegimi si personazh i cili dëshiron të ulet përballë shqiponjës, duke ditur se do ta ketë përpara një byrokrat si Azmiu. Ndërkaq, përmes evokimit të kujtimeve që bën personazhi tjetër (Fatosi - personazhi i cili flet për një “çlirim ndërgjegjeje”), Bozhlani ka shpalosur figurën e njërit prej profesorëve model dhe të respektuar nga breznitë orëmira, duke u shprehur për të në mënyrë superlative.

E një dimensioni të tillë ku skamja sociale shërben si një paraljamërim për tragjikën e robërisë, është edhe tabloja e rrëfimit për Lauretën, rrëfim të cilën romancieri e zbërthen edhe më shumë në detaje të tjera, nëpërmes personazhit të Fatosit. Nuk ka dyshim se një lidhje e tillë, një dashuri e përmasave të tilla dhe me një fund tragjik, flet për fatin e mijëra dashurive të tjera të këputura përgjysmë.

Në romanin e Ramadan Bozhlanit, fati i individit është fati i kolektivit. Megjithatë, përballë dhembjes dhe tragjikes, ky brez i ri ka një mentalitet të vjetër i cili është i zhveshur katërcipërisht nga çdo ndjenjë, paradoks ky që është paraqitur mjaft bukur: “Vegimit iu duk Fatosi si një pre e denjë për Azmiun. “Ai ka aftësinë e një njeriu mizor që t'i nuhasë fatkeqësitë e të tjerëve dhe pastaj me mjeshtëri t'i shfrytëzojë skajshmërisht. Kështu ka qenë përherë, edhe si nxënës”, tha me vete.”

Vegimi është profesori që përfaqëson krenarinë e ligjshme përballë Azmiut, i cili përfaqëson vijën e vjetër sipas të cilës duhet bërë çkado që thotë partia, prandaj edhe ballafaqimi i Vegimit me të është mjaft i hapur: “Karrigia të cilën e pretendoni ju e shumë të tjerë, kërkon virtyte, zgjuarsi dhe synime fisnike, për t'i bindur të tjerët që t'ju votojnë. Shpërblimi i duhur ndaj atyre që ju votojnë është puna e ndershme mbas zgjedhjeve dhe jo blerja e votës.”

Nëpërmjet ligjërimit të Vegimit, Bozhlani ka shpalosur anën tjetër të qenies njerëzore, duke mbrojtur kështu me vendosmëri parimin dhe dinjitetin njerëzor: “Ndërgjegjja do të më shtynte ta votoja dikë më të denjë sesa vetja.”

Sërish autori ka përdorur simbolikën tepër domethënëse të emrave. Adriatik, ky është emri i bababit të kryepersonazhit, në ndërkohë që një sfond tjetër shfaqet në horizont, një sfond që shëmbëllen me valët e kreshpëruara të bregdetit shqiptar: “Qielli ishte mbushur aty-këtu me re gjigante ngjyrëbardha. Ato udhëtonin me ngut në drejtim të veriut. Dielli disa herë u fsheh pas tyre për t’u rishfaqur përsëri me rreze të ngrohta. Atdheut, ndërsa shkëputej nga rruga kryesore, iu duk se ato rreze po ia ngrohin kockat e zhveshura nga mishi njerëzor.”

Re me bubullima përshkojnë qiellin e Kosovës martire e koha ka lënë vija dhe vrragë në fytyrat e njerëzve, gjë që Bozhlani e paraqet mjaft bukur me një lëvije të lehtë të penës së tij të mprehtë: “Thinjat e aty-këtushme në kokën e hijshme të Fatosit ia tërhoqën vëmendjen. Për të parën herë ia vërejti. Ato iu dukën si ambasadore të mjerimit të tij.”

Në këtë vorbull ngjarjesh tragjike, autori ka nxjerrë në shesh edhe personazhin e Teutës, një persoanzh të skalitur gjithashtu bukur e me gjithë shtresimet e shpirtit njerëzor: “unë kam vdekur prej ditës që më helmuan dhe kur të dashurin tim ma vranë policët serbë. Shpirti im ka fluturuar. Më nuk kam shpresë se ai do t’i rikthehet trupit. Më parë do t’i bashkangjitet trupi im atij që ndodhet përtej varrit, sesa ai trupit tim. Edhe në këtë botë do të isha e lumtur sikur të mos më merrnin për të marrë dhe sikur të mos më tallnin rrugës.”

Përmes futjes në roman të dukuirsë së helmimit të një fëmiu përmes çokollatës, autori ka përfshirë edhe një dimension shtesë dhe shumë shqetësues të sfidës së shumëfishtë: “Shteti serb e ka shtuar dozën e urrejtjes ndaj Kosovës, qëkur u çlirua nga kthetrat e saj me ndihmën NATO-s dhe ne vazhdojmë të ushqehemi nga prodhimet e tyre të dyshimta. Ja, deri ku shkon çmenduria e udhëheqësve tanë”, tha me vete Vegimi.“

Akoma më trishtuar është pamja e radhës, e cila flet vetvetiu teksa personazhi përkujton krimet makabre:

“Edi u ngrit për të shkuar te gremina. I vështroi me vëmendje përmasat e saj dhe mendoi se sa i gjerë mund të ishte ky varr. Në buzë të greminës u ul këmbëkryq duke thithur cigaren herë pas here. Gropa e zhyti në mendime të thella. “Përballë kam shumë eshtra njerëzore që i ka zhveshur nga mishi ky dhé, por as dheu nuk qenka aq i aftë sa t’i gëlltitë eshtrat, mendoi. Shpirti ju ka dalë nën torturat çnjerëzore të atyre bishave që kanë bërë eksperimente me ju, kurse mishin jua paskan tretur këto vite nën dhé, duke mbetur vetëm këto kocka që shërbejnë për tregimin e ekzistencës suaj”.

Nëpërmes personazhit të Edit, autori ka shtruar një varg pyetjesh, të cilat gjithsesi se do të duhej të brenin ata që kryen ato krime, por natyrisht që logjika e tyre nuk ka menduar si ajo e një shkrimtari, i cili bën thirrje për klithje të ndërgjegjës. Monologu i Edit ka një shtresë krejtësisht të veçantë ndiesie: “Sytë femërorë janë të gjithë të bukur, mendoi. Ata sy kanë mundur ta shohin tmerrin e kësaj bote, para se të mbyllen përjetësisht”.

Gjithashtu, në këtë roman mbizotëron zemër-klithja për t’u “çliruar nga ndërgjegja e rënduar”, por gjithashtu mbizotërojnë skenat me mbetjet mortore, por gjithashtu përdoret në funksionin narrativ edhe poetika e shprehjes lirike, fjala vjen kur paraqitet Kushtrimi duke medituar: “Disa pika shiu të imëta e prekën lehtas në fytyrë dhe e bënë të ngrinte kokën për të kërkuar diellin, por atë e kishin fshehur retë e rënda.”

Atdheu është kryepersonazhi, gjendja psikologjike e të cilit përballë fotografive flet shumë, madje flet në emër të brezave të tërë: “Lëshoi një psherëtimë të gjatë dhe tha me vete: “As kësaj radhe nuk qenke gjetur, Fisnik!”.

Në ndërthurjen e rrëfimeve nga koha e luftës, Bozhlani ka shpalosur të vërtetën e hidhur për atë që në shumësinë e interpretimit shpesh quhet si bukuri e nemur.

Shumëçka shplaoset në ca pamje të cilat sikur vijnë nga mitet dhe legjendat, e që në të vërtetë është një realitet i hidhur e tragjik, i cili mjerisht ka ndodhur:

“I shkëputën edhe nëntë vajza të tjera nën moshën njëzet vjeçare nga familjet e tyre dhe dhanë urdhër që të ecte kolona.”

Në poetikën e ligjërimit shoqëruar me pikat e shiut shfaqen portretet e atyre që mizorisht u shkëputën nga trualli ku u lindën dhe u rritën:  “Atdheut i erdhën para syve të trembëdhjetë fotografitë e tyre, me pikat e shiut që u rridhnin përsipër.” Ndërkaq, nëpërmjet ligjërimit të Vegimit, autori ka projektuar në teknikën e narracionit të tij, mbrojtjen e të drejtave të një kombi, lirinë e tij të shumëpritur: “ - Eshtrat e tyre kanë peshën e thesarit, - shtoi me zë të lartë Vegimi. - Dhe me këtë thesar ne blemë gjënë më të shtrenjtë të kësaj jete, lirinë.”

Liria si një koncept universal, si një dhuratë hyjnore është ngritur në piadestalin që i takon, dhe së këtë koncept Bozhlani e ka mishëruar si një testamenmt brezash, sërish nëpërmjet ligjërimit të Vegimit: “- Çlirimi i Kosovës, - tha duke e lënë shkumësin mbi bankë, - ishte kërkesë e tokës, e qiellit, e ajrit, e shiut, e diellit, e hënës dhe e vetë Krijuesit të këtij universi.”

Në një procedim të këtillë të narracioni, historia bëhet bashkudhëtare e rrugës së gjatë dhe të mundimshme, kurse dhembje shpaloset e shoqëruar me riga shiu. Historikja dhe tragjikja bashkëjetojnë me njëra-tjetrën: “Retë që kishin lëshuar shi, ecnin të lodhura si mbas përfundimit të një misioni. Vende-vende, ngjyra e kaltër e qiellit ishte shfaqur bashkë me disa rreze, ndërsa dielli qëndronte i fshehur mbas reve të zbrazura nga shiu. Nën këtë qiell, në praninë e një numri të madh njerëzish u lëshuan nëpër varre trembëdhjetë arkivolet e mbushura me eshtrat e të gjeturve, me ndihmën e familjarëve të përlotur.”

Është edhe një luftë tjetër shafqet në horizont, shumë më tinzare dhe shumë më speciale se lufta në kuptimin klasik, gjë që është shpalosur përmes bashkëbisedimit me nënën: “Nënës i shkoi buza në gaz dhe më tha: “Jo, biri i nënës, politikanët e mallkuar, mirë që përfitojnë në kurrizin e të gjallëve, por i trazojnë edhe të vdekurit për interesat e tyre banale”.

Tabloja e bashkëbisedimit të kryepersonazhit me të ëmën e tij është pjesë e kësaj thirrjeje të përsëritur në vijimësi, për drejtësi dhe për paqe shpirtërore: “Ajo përsëri nuk kishte lëvizur nga karrigia që ndodhej përballë dritares, nga e cila e shikonte përherë fundin e rrugës se mos po shfaqej Fisniku.”

Dromca të kujtimeve shpalosin përmasat e tragjedive njerëzore, shpalosin atë që autori e quan “dhimbja e planetit”. Vrojtuar nga ky prizëm, nuk ka dyshim se Ramadan Bozhlani ka paraqitur në ndërthurjen narrative tepër të veçantë edhe fate njerëzish të cilat brenda strukturës së konceptuar të ligjërimit, shërbejnë edhe si romane të vogla brenda romanit për fatin tragjik: “Në mendje i erdhi njeriu që mbante fotografinë e njërës prej vajzave të gjetura përgjatë përcjelljes së arkivoleve për në varreza. Ai e kishte pasur të fejuar dhe nuk kishte pranuar të martohej me askënd tjetër duke shpresuar se ajo një ditë do të gjendej e gjallë. Në zemrën e atij njeriu i ishte dukur sikur banonte e gjithë dhimbja e planetit.”

Shtresimet shpirtërore janë shpalosur me një gjuhë ligjërimore tepër të rrjedhshme, por gjithashtu në këtë kod të rrëfimit, simbolika e gjërave ka marrë përmasat e zbërthimit shumë domethënës sa dhe të detajuar: “Gjatë qëndrimeve të gjata në karrige e dëgjonte shpesh nënën duke u lutur: “Zot, bëja vdekjen e lehtë dhe pa dhimbje djalit tim. Zot, sa të jem gjallë, bëma të mundur t’ia përqafoj trupin ose eshtrat”.

Pyetja e shtruar sërish merr përmasat e zgjimit të ndërgjegjës, e vetëdijësimit të turmës, të masave të gjëra. Ajo është përmasë e zgjimit dhe e ndërgjegjësimit jo vetëm e individit por edhe e kolektivit: “Por, çfarë thirrjeje mund të bënte shqiponja në kohën e lirisë vallë?! Kështu, duke medituar, e zinte shpesh gjumi sikurse sot.”

Fytyra e nënës është ajo që shafqet dhe rishfaqet aq shumë në roman. Lidhja e kryepersonazhit me të, monologu i tij me të dhe evokimet e kujtimeve, zotimet dhe betimet dhenë asaj, nuk janë një rastësi.

Krahas figurës së nënës, autori ia dalur me mjaft sukses për të paraqitur krahas Atdheut si kryepersonazh, edhe njerëzit e thjeshtë me gjithë humanizmin e tyre, duke shpalosur kështu virtyte dhe tipare: “Vetëm gjatë asaj kohe e kishte kuptuar se sa të varfër dhe sa bujarë janë njerëzit e këtij qyteti. Ata prekeshin thellë kur u kërkonim para për karrocat e invalidëve të luftës.“

E veçanta e këtij romani është fakti se e kqeja përballet me të mirën, lufta me paqen, jeta me vdekjen, por që në esencë gjithmonë është masa ajo që përfaqëson prirjen për të ngadhënjyer e reja dhe pozitivja.

Një përshkrim të veçantë e në detaje, autori i ka kushtuar hapësirave ku zhvillohen ngjarjet e romanit, si dhe shaplosjes së kujtimeve shkallë-shkallë.

Poetika e ligjërimit është e shfaqur me përshkrime të natyrës, simbolika e të cilave flet vetvetiu ashtu siç flasin mes veti edhe mishi me ashtin, si pjesë të pashkëputura të një etnie, të një dëshmie të pakontestueshme.

Retrospektiva e kujtimeve bëhet kështu pjesë përbërëse e këtij regjistri narrativ: “Kaq shumë njerëz të përlotur kishte parë vetëm atë ditë kur policët serbë ua kishin marrë djemtë dhe burrat familjeve shqiptare. Sot, mbas disa viteve, po ata po i dëgjonte duke qarë aq hidhur sa atëherë.”

Duke paraqitur në sfond tragjikën e një çifti shqiptar tek përpëlitet në mënyrë lemeritëse mes jetës dhe vdekje në thonjtë e shpirtkazmave mesjetare, Bozhlani ia kadalur të kapërthejë përmasën e tragjikës së përsëritur padrejtësisht, tragjikë kjo e rënë mizorisht mbi tokat tona dhe mbi kokat tona: “Pastaj e kishte tërhequr dhunshëm burrin e saj, Besnikun, për ta nxjerrë jashtë turmës së njerëzve. Nusja me barrë i vrapoi pas dhe ia lidhi fort duart përreth gjoksit, duke thënë se nuk do ta lëshonte derisa ta vrisnin. Polici shpirtkazmë kishte qeshur me zë, duke thënë: “E shikoni Romeon dhe Xhuljetën shqiptare sa marrëzisht janë të dashuruar, sa duan edhe të flijohen për njëri-tjetrin?! Më vjen keq që këtë dashuri e ndjek çdo herë një fat i hidhur...” dhe e kishte goditur me këmbë fuqishëm mu në bark nusen, e cila kishte rënë pa ndjenja përtokë, pa lëshuar asnjë britmë.”

Edhe përshkrimi i kërkimit të eshtrave në vete ka një psikologji të veçantë dhe ku romancieri dëshmon pjekurinë e verbit narrativ: “Duke parë zgavrat e syve në kafkë, Atdheut i erdhën në mendje sytë e Fisnikut. Nga pamundësia për të gjetur diçka në to, shikimin e kaloi në zgavrat e hundës, pastaj e ktheu kokën nga Bardhi dhe me sy e pyeti se ku e kishte vendosur fotografinë e Fisnikut.”

Pa dyshim një pamje ngjethëse, nga e cila njëra prej personahzeve lëshon mallkimin e të gjithë brezave: “- Ime bijë, s'ke pse dyshon, ai është babai yt, - tha Valentina me zë të dridhur. -Edhe pse është në këtë gjendje, sa më shumë e shikoj, aq më shumë po e njoh se ai është. Ata që i katandisën deri në këtë gjendje, Perendia i sjelltë në këtë situatë!”

Kryepersonazhi vazhdimisht shoqërohet nga një ankth, gjendje kjo e cila ka të bëjë jo vetëm me fatin personal por edhe me fatin e të tjerëve. E veçanta e këtyre personazheve është fakti se ata përplasen në mes dallgëve të jetës dhe mëshirës së fatit:

“Nesër Valentina do ta varrosë burrin, kurse Jeta babain dhe bashkë me të, do ta varrosin shpresën e cila i mbajti për shumë vjet në pritje, në mendime, në vuajtje, në kërkime dhe në stërmundime.”

Në mënyrë të përmbledhur është skalitur sërish drama e kryepersonazhit, i cili gjatë gjithë kohës qëndron në krah të popullit, prizëm ky në të cilin Bozhlani e ka dhënë të mishëruar aq shumë dashurinë e ndërsjelltë në binomin Atdheu-Populli: “Vëlla, tha me vete Atdheu, ky qytet po mban zi për të gjithë ju sot. I sheh flamujt kombëtarë se si e shprehin dhimbjen në gjysmështizë?”.

Atdheu si kryepersonazh është zëri i ndërgjegjës dhe i arsyes, zë të cilin Bozhlani e ka artikluar sa me sukses po aq edhe me kjudes të dëshmuar: “Unë synoj me gjithë qenien time mirëqenien e këtyre njerëzve të mjerë, tha me vete Atdheu, por nuk e di a do të jem në gjendje në të ardhmen ta pranoj një barrë kaq të shenjtë mbi supet e mia të dobëta. Kam frikë se mos po djallëzohem në të ardhmen, meqë na kanë ngjallur frikë këta që me lehtësi kanë marrë përgjegjësi dhe kanë abuzuar me të pastaj në kurriz të popullit. Fatkeqësisht, na kanë mbetur shumë pak njerëz për t’u ndjekur si modele”.

I tillë është edhe personazhi tjetër - Kushtrimi, i cili mishëron dashurinë për atdheun dhe për njerëzit e thjeshtë të popullit, dhe i cili sërish në simbolikën e emrit qëndron krah për krah me Atdheun dhe me Vegimin: “Sot nuk je hero vetëm i të gjallëve, por edhe i të vdekurve. Me aktin tënd të vdekurit i çlirove nga një e keqe që i stërmundonte dhe nuk i linte të qetë atje ku janë. Pas bëmës tënde, nuk besoj më se politikanët do t’i gëzojnë votat e të vdekurve.”

Përveç zemër-klithjes  “Partia në pushtet” (e që paralajmëron sërish zymtësi dhe babëzi të trashëguar nga mendësia komuniste), Atdheu shfaq edhe zemër-klithjen tjetër: “Edhe njëqind e pesëdhjetë e pesë kanë ngelur të pagjetur në këtë qytet, duke i mbajtur në makth familjet e tyre, ndërsa populli ynë ka gjithsej dy mijë të zhdukur aktualisht”.

Gjithë shqetësim dhe ankth është edhe zemër-klithja e Kushtrimit, i cili gjithsesi në vete mishëron idealistin e paepur: “ - Më liruan nga burgu, - thoshte me zë të lartë. - Tani çdo ditë do të më keni pranë. Zgjedhjet e mallkuara ikën dhe juve ju shpëtova nga vota. - Pastaj u ngrit dhe filloi të përqafonte secilin varr të familjes.”

Nëpërmjet Kushtrimit, autori ka paraqitur nderimin që duhet të ketë shoqëria për të rënët e lirisë.

Romani i Ramadan Bozhlanit në kornizat e strukturës së tij kohore, ka përfshirë historinë dhe përsëristjet e saj ciklike me sfonde tragjike. E djeshmja përplaset me të sotmen, e sotmja paralajmëron të nesërmen. Ankthi dhe makthi janë pjesë përbërëse e jetës tragjike të një brezi, të cilit gjëma dhe gjaku i qëndrojnë mbi kokë si shpata e Damokleut. Autori me të drejtë ka shtruar pyetjen se përse ranë kaq shumë tragjedi mbi ne, madje në mënyrë të përsëritur?! Varrezat masive dhe fati i të zhdukurve e të pagjeturve, bëhen pjesë përbërëse e një realiteti të hidhur, e asaj që me të drejtë është quajtur paqja e përgjakshme. Hipokrizia e disa qarqeve të caktuara, bëhet dora e djathtë e këtij realiteti, pa të cilën dorë ky realitet vështirë se do të mund të ekzistonte. Përballë janë dy breza, dy botë, dy kahje, dy mendësi. Në njërën anë qëndron Atdheu me shokët e tij, e në anën tjetër qëndrojnë shpirtat e vdekur. Idealizma dhe makiavelizma. Ëndrra për liri dhe orekset e shfrenuara për t’u pasuruar me çdo kusht, madje edhe me çmimin e dinjitetit kombëtar e njerëzor! Në sfond është gjithashtu populli, është shpresa e tij ajo që triumfon përmbi të gjitha katrahurat. Është zemër-klithja e shkrimtarit i cili ua kushton romanin “brezave që do të vijnë”. Duke dëshmuar për krimet makabre, shkrimtari sfidon mizoritë dhe barbaritë e bëra mbi një popull të lashtë e të shumëvuajtur. Duke i bërë thirrje arsyes njerëzore, Ramadan Bozhlani përmes veprës së tij artistike, i ka bërë thirrje ndërgjegjës njerëzore. Duke shfaqur prirjen e tij krijuese, ai ka ka dëshmuar atë që ka paraljmëruar nëpërmes njërit nga personazhet e tij: ”Aftësia e shkrimtarëve qëndron në ngjeshjen e realitetit brenda kopertinave të romanit”.

Nuk ka dyshim se Bozhlani ia ka dalur mjaft mirë në paraqitjen e një relaiteti të tillë të hidhur, madje e ka bërë një gjë të tillë duke thyer klishetë e pa ngarkesa emocionale. Prandaj, nuk është rastësi pse epilogu i romanit në vete mbartë titullin e tij. Pa dyshim, një epilog i cili jo vetëm që në sfond ka errësirën e cila shpërndahet nga rrezet e hënës, por që shërben si një zemër-thirjje për një katarsis të domosdoshëm:

“- Kush ishte vallë? - pyeti Fatosi.

“Klithja e ndërgjegjes”, tha me vete Atdheu, duke shikuar hënën se si ndriçonte.”

Gjithsesi, ajo që është thënë prej kohësh në Librin e Shenjtë:

“DHE MË THA ËNGJËLLI: NUK DO TË KESH ASKË PRANË, POS VEPRAVE TUA!”...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora