Kulturë
Qazim Shehu: Gjethet
E diele, 25.09.2016, 09:23 AM
GJETHET
QAZIM D. SHEHU
Në rrugën me gjethe
Si të ishin puthje,
Erdhe, nuk shkele
Më tutje u ngute…
Kalove si fllad
Puthjet u kreshpëruan
Në pafta akulli
Mungesën ngjëruan.
Dhe kur u ktheve
Gjethet s`i gjete,
Rrugë e gjarpëruar
Ish mbushur pellgje…
Në pellgje kish ngrirë
Lot i kërkimit,
Rruga si dorë e shtrirë
Dot nuk mblidhej…
Ajo s`të tregoi
Ku duhej të shkoje…
Tani pamje gjethesh
Hapësirash fektojnë…
ZILI
Yjeve zili ua kam zilinë
Që thithin çdo natë nga ne,
Prandaj më shumë ndrijnë
Prandaj i vemë re.
Dhe dritën pa harxhim
E derdhin joshjendezur,
Njëri ndrin,tjetri me shkëlqim,
Ia kthen duke qeshur…
Kjo botë kaq flurore,
Ndezur në paanësi,
Sikur na merr përdore
Na shkrin në zili…
+++
Poetët shpeshherë,
Ua marrin emrin,
Fjalët plot poterë
Me dritë të tyre ndezin.
Veç dritën e tyre rrallë
Tek shoku nuk e kthejnë,
Për humbjen që përtall
Sikur dëfrejnë.
Verbuar nga dritë e lavdisë,
Nga cmira dhe deliri,
Të tromaksur prej zilisë
Më i keqi del më i miri…
VJOLLCA
Shkopat e vetëtimat rrahën hapësirën
Ajo ndodhej bosh,
Në mish të tokës bimët
Binin kokëposhtë.
Në duar të furisë
Shkopi vërtitej,
Të ngjante, prej stuhisë
Rrobë e hapësirës grisej…
Veç kur ajo u lodh,
Hapësira veshi kostumin,
Me bimë, pyllin blerosh,
Lumenj të përgjumur…
Stuhia qe shkundur
Prej inatit të saj,
Dhe sa ish e lumtur
Një vjollcë nën gjethnajë…
PISHA
I njenjti gozhup i mërzitet
Ndaj me rrëshirë veten djeg,
Tek sheh sesi zhvishet
Pranë saj një plep.
Dhe kur vjen moti,
Ai rrobe të re vesh,
Vështron rroben e saj,
I njenjti si vjet…
Rrëshirën më tepër
Në lëkurë e pikon,
Dhe është aq e etur
Me qyyrkun monoton…
GËZIMI
Në miniera ndjenjash të pasura,
I hapa galeritë e psherëtimave,
Për të gjetur mineralin e rrallë
Të gëzimeve…
Dhe ja e gjeta të shkretin,
Pas kaq e kaq kërkimesh,
Po në një treg të etur
Ia kishin ulur çmimin…
FJALËT KËMBËZBATHUR
Shuall i fjalës bredharake
U hëngër nga gurët e injorancës,
Nëpër rrugë idhnake
Të lodhjes.
Vetëm disa fjalë ecin këmbëzbathur
Fjala nënë,dashuri,atdhe,
Sado që përloten e përgjaken,
Pa mburojë gjithnjë pranë i ke…
NË RRUDHA
Ka rrudha ku shoh një ikje moshe,
Kurrë një mendim,
Si brazdat e kthyera të një toke,
Ku u hodh fara e bima s`mbin…
CURRIL I DRURIT
Një curril në shkëmbin e murmë,
Pasi e njomi rrënjën e tij,
Shpërtheu si lot i drurit,
Stalagmite u ngri…
Syri i sëpatës
U mbyll me hipokrizi…
UJ-UJKU
Pasi i vuri paruket e hipokrizisë
Ujku më s`po ulërin…
I lakuriquam ndjenjat prej mërzisë
Ia marrim syrin në vështrim..
Ai ka mbetur tutje i butë
Tani ujqër u bëmë ne,
Dhe i themi të rrijë urtë
Në ndonjë përrallë a rrëfenjë…
Dhe i thurëm me vështrim të tij
Tabutë,mënitë , tmerret,
Dhe kur kapërcejmë padrejtësitë
Thërrasim uj-ujkun të hakmerret…