E hene, 29.04.2024, 11:49 AM (GMT+1)

Kulturë

Kadri Kadiu: Profesori pa mjekër e mustaqe

E diele, 18.09.2016, 11:23 AM


PROFESORI PA MJEKËR E PA MUSTAQE

Nga Kadri Kadiu

Për shkrimin tim të titulluar "Një orë gazmore në lëndën e Statistikës", botuar para ca ditësh tek "Zemra Shqiptare", kushtuar pedagogut të talentuar të Statistikës Ilia Telo, pata shumë komente, përgëzime e falenderime. Ndërmjet shumë komentuesve, shoku im i klasës i Fakultetit të Ekonomisë Agrare, shkrimtari Shyqyri Fejzo, më thoshte: "Kadri, të gjitha ato episode  që ke shkruar për pedagogun tonë të dashur, Ilia Telo, janë të vërteta, ashtu kanë ndodhur.Por ti ke përmendur vetëm disa ndodhi midis Ilia Telos dhe ne studentëve të tij në auditoret e mësimit, kurse unë do të dëshiroja që të shkruaje dhe për disa episode apo incidente që Ilias i kanë ndodhur me studentët e Korrespondencës".

Historitë me pedagogun e ri Ilia Telo janë të shumta dhe shumë herë  si shkak ato kishin pikërisht faktin se Ilia Telo ishte shumë i ri, gati bashkëmoshatar me ne studentët që na jepte mësim. Shyqya ka të drejtë, qyfyret më të mëdhaja i kanë ndodhur këtij Ilias me studentët e korrespondencës të Institutit të Lartë Bujqësor, të cilët vinin nga prodhimi dhe zakonisht ishin më të moshuar se ai. Hall të jesh i ri e hall të jesh i vjetër, hall të jesh edhe si pedagog Ilia, pa mustaqe e pa mjekër. Ja, po tregoj sot nja dy raste qyfyresh të tilla për pedagogun tonë të dashur Ilia Telo, sot Profesor Doktor dhe Drejtor i Institutit të Punës pranë Sindikatave të Shqipërisë:

Një ditë qershori, që ishte muaji i provimeve të sezonit veror, Ilia do të merrte në provim studentët e korrespondencës. U paraqit që në mëngjes Ilia në Sekretarinë Mësimore të Fakultetit, mori listën e studentëve që ishin regjistruar për të dhënë provimin dhe u nis drejt Katedrës së Statistikës. Para derës së Katedrës ishte grumbulli i studentëve të korrespondencës që kishin ardhur nga rrethet, të cilët po prisnin për të dhënë provimin.

Mirëmëngjes, iu tha Ilia atyre.

Mirëmëngjes, iu përgjigjën ata Ilias; mirëpo ata nuk e njihnin pedagog Ilian dhe as që e mendonin se mund të ishte pedagog një çun aq i ri, kështu që kujtuan se edhe ai kishte ardhur për të dhënë provim.

Edhe ti për provimin e Statistikës je këtu mo? E pyetën Ilian.

Po, tha Ilia, për provimin e Statistikës jam.

Edhe ne për atë punë jemi mor djalë, foli njëri nga studentët e korrespondencës i cili dukej se ishte disa vite më i moshuar se Ilia dhe që nga e folura pikasej menjëherë se ishte vlonjat. Ja, po presim, tha vlonjati, po presim që të vijë ai profesori, një Ilia Telo e quajnë, e njef ti mo i vrarë?

Po, e njof, tha Ilia.

Aman bre; na thuaj si është ai mavria, se na kanë thënë që është një grekofon shumë i poshtër dhe për hiçmosgjë, për një gjë të vogël, të le në klasë.

Po jo mo, i tha Ilia, nuk është edhe aq i poshtër sa ju kanë thënë juve; por që të le në klasë, të le, këtë e di dhe unë.

Nxorri nga xhepi çelësin e Katedrës Ilia, çavi përmes grumbullit të studentëve, e hapi derën dhe u fut brenda. Pas tre katër minutash doli Ilia në korridor duke mbajtur në dorë listën e marrë nga Sekretaria dhe i ftoi të hynin brenda për të marrë tezat e provimit katër studentët e parë sipas rendit alfabetik. Vlonjati e kishte patur emrin Agim dhe Ilia atë lexoi të parin.

Aman o profesor, tha vlonjati, po si të hyj unë mavria në provim  tani, me ty që të shava?

Hajde, hajde,-i tha Ilia-, mos ki merak, nuk më shave ti, të tjerët më kanë sharë mua tek ti.

Agim Vlonjati e mori provimin e Statistikës atë ditë.

Në një rast tjetër, përsëri Ilia do të merrte në provim disa studentë të korrespodencës. Provimi do të fillonte në orën tetë të mëngjesit kështu që Ilia doli herët nga shtëpia dhe në orën shtatë ishte tek Stacioni i Autobusave të Kamzës, para Ndërtesës së Lidhjes së Shkrimtarëve. U fut në autobus Ilia dhe zuri vend në një ndenjëse aty nga fundi i autobusit. Pas pak, në ndenjësen pranë Ilias erdhi dhe një burrë afër të pesëdhjetave.

"Nadja e mirë, si ke ndje, a ke mujt, a je lodh, a je mërzit"? E përshëndeti ky burri Ilian, para se të ulej pranë tij.

Faleminderit o shoko, i tha Ilia, dukesh që qenke shkodran.

Po mor ta marça , prej Shkodre jam, tha shkodrani, por ja që mu dashka dhe mu që të vij në kët mosh e të nap provime n' Tiran.

Ilia nuk e zgjati më muhabetin dhe nuk e trazoi më shkodranin, mirëpo ja që shkodrani, si shkodran, desh me e lëshu gojën dhe nuk pushoi së foluri gjatë gjithë rrugës deri sa arritën në Institutin Bujqësor.

Ti mor djalë, i thoshte Ilias, dukesh që je student. Ju brezi i ri kini fatin e mirë që të mësoni duke ndjekur shkollat në rregull e jo si puna ime që shkollën e mesme e bëra natën dhe tani shkollën e lartë po e bëj me njëmijë mundime me korrespondencë. Unë mor djalë, i thoshte Ilias, punoj si normist në një kooperativë bujqësore, mirëpo nuk na lenë rehat, edhe normistin e duan me shkollë të lartë, kështu që për të mbajtur vendin e punës, kam katër vjet që unë e di se ç'po heq. Po shyqyr, i thoshte Ilias, ja, edhe tre provime më kanë mbetur dhe e marr diplomën. Sot në fakt kam një provim të vështirë, Statistikën, dhe nuk e di si do të dal.

Po mirë, i tha Ilia, po a ke mësuar ti?

Po çfar të mësuar mor djalë, sa halle kam unë ehu, dhjetë orë e më shumë jam në punë të Kooperativës pastaj kur kthehem në shtëpi duhet të merrem me fëmijët, por më duhet që të punoj edhe në atë kopështin personal që kemi, kështu që mua të ziut më ze gjumi më këmbë. Prandaj mor djalë, të gjithë lëndën e Statistikës unë nuk mund ta mësonja. Ai pedagogu i Statistikës ka hartuar 80 pyetje për provimin por unë vetëm 9 pyetje i kam mësuar, dhe ato më shumë përmendësh i kam mësuar, duke zgjedhur tre pyetje të fillimit, tre pyetje të mesit dhe tre pyetje nga fundi i lëndës; e po dreqi ta hajë, një pyetje nga këto duhet të më bjerë mua, thoshte shkodrani.

Ndërkohë autobusi mbërriti tek Stacioni i Institutit.

Ditën e mirë e suksese në provim, i tha Ilia këtij shkodranit.

T'falemnderes, ia ktheu shkodrani, ishallah ka me m'ndihmu Zoti e ka me m'ran njena nga kto nant pytjet qi kam msu; e do zoti ai pedagogu ka me kën zemërmir e ka me m'vu nji pes.

Kur shkodrani u fut në katedër për të dhënë provimin, shtangu dhe vuri duart në kokë; ai "studenti" i autobusit na paska qenë pedagogu i Statistikës.

Urdhëro, i tha Ilia, merr një tezë dhe ulu në një bankë të përgatitesh!

Jo profesor, nuk do ta jap sot provimin e Statistikës, tha shkodrani.

E po mirë, i tha Ilia, po bëjmë një marrëveshje bashkë, nuk po të jap fare tezë provimi, ti do të më përgjigjesh vetëm për njërën nga ato nëntë pyetjet që ke mësuar, zgjidhe vetë, atë që di më mirë.

Jo or profesor jo, mos m' korit ma; ky zog gomari qi jam un, e ka hak me ardh n' vjesht për ta dhan provimn e Statistiks e t' ver men qi mos me e lshu gojn e të haj mut duke fol marrina me njerz qi nuk i njef. Ia dha dorën shkodrani Ilias, duke i thënë: Ty tu rritt ndera o profesor, t'ndjefsha t'mirn e mir u takofshim n' vjesht!

Edhe sot profesori i nderuar Ilia Telo, pa mjekër e pa mustaqe është, i thinjur e i zbardhur krejt nga koka është, por nuk shkëputet dot nga puna, puna e thërret atë pasi kokën e ka plot dhe për mendjen e tij ka nevojë akoma shoqëria.



(Vota: 6 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora