E hene, 29.04.2024, 03:34 PM (GMT+1)

Kulturë

Veli Veliu: Rrëfim meditativ lirik

E diele, 18.09.2016, 10:28 AM


Rrëfim meditativ lirik

(Nexhat Halimi “Kërcimi i drenushës”, botoi ShB  “Diti&Oli” Ulqin 2016)

Nga Veli Veliu

Botimi i ri i autorit të frytshëm Nexhast Halimi “Kërcimi i drenushës” është komponuar  nga dy tërësi “A ka deti zemër” me krijime poetike për fëmijë dhe “Zogu sjell lajmin në liman” me poezi për të rritur. Pjesa dërmuese e poezisë është e ndërlidhur me Ulqinin, me  jetën  e njeriut, i cili kornizën të përditshmen e vet këtu, me baticat e zbaticat e të sotmes , por dhe me momente, data e ngjarje të së kaluarës. Të dy njësitë karakterizohen me një gjuhë të zgjedhur, me gjetje të suksesshme  shprehjesh, me përkushtim të theksuar të autorit në gdhendjen sa më të mirë të vargut, në realizimin ritmik-muzikal të jashtëm e të brendshëm, gjithherë të përshkuar dhe me mendim, çfarë e bën poezinë të përjetohet natyrshëm dhe thellë, në shumë aspekte.

Poezia për fëmijë

Vite më parë kam shkruar për shkrimet për fëmijë të Nexhat Halimi.  Dhe, meqë disa nga ato shkrime-poezi për fëmijë, kanë zënë vend dhe në këtë libër,  do t`i përtërijë pjesërisht konstatimet  e hershme, për  tonet , ngjyrën dhe mendimin karakteristik të poezisë së autorit, qoftë ajo për fëmijë apo për të rritur. Një poezi me shumëçka të veçantë . Temat, idetë e problemet e trajtuara  në vargjet e tij janë  nga çaste, data e ngjarje të nxjerra nga përjetime të thella, nga loja në “skenën” e përhershme e plot emocione të fëmijës. Derisa në disa nga vargjet është e pranishme fëmijëria e autorit, në pjesën tjetër  përmes fëmijës jepen pikëpamje, mendime e vështrime karakteristike për jetën. Në shumë vjersha është i pranishëm edhe elementi përrallor, i cili gërshetohet me sukses me ato të jetës reale. Në këtë sferë shpalosen  fshehtësi e fenomene përzër me rrjedha të ndryshme të së përditshmes,në të cilën ka bimë, zogj, flutura, ngjyra  ylberi  e drerë e lule në erë. Ndoshta kjo pse shumë fëmijë në rrethanat e sotme jetësore shumë pak ose fare pak e njohin florën e faunën e këtij nënqielli.  Për krijimet poetike – të hershme e të tashme të autorit, mund të thuhet lirisht se janë lirika meditative, por dhe lirika përshkruese. Këtu, sa herë është fjala te lirika përshkruese, autori falë imagjinatës së bujshme, asnjëherë nuk bën vetëm fotografimin e pjesëve të natyrës, apo të ndonjë dukurie që ndërlidhet drejtpërdrejt me natyrën. Kjo gjë, në këtë mënyrë, nuk jepet asnjëherë e zhveshur,pa  emocion, pa figurë apo metaforë. Të ndërtuara kështu-me përkushtim, të gjitha vargjet vijnë me muzikën e vet të jashtme e të brendshme,  e fuqizojnë dinamikën  e ligjërimit,  e thellojnë ndjeshmërinë dhe zgjojnë përjetime të caktuara. Për mbresat, përjetimet e thella dhe ndjeshmërinë e vet do cekur “Në shëti me Artën”, “Bie shi në Gërmi”, “Dy lule në erë”, “Mbrëmje në Ulqin”, e sidomos pesë krijimet kushtuar detit,të cilat  shquhen për nga thellësia kuptimore, ashtu edhe për nga ritmi e muzikaliteti i tyre. Për këtë arsye vjershat e N. Halimit janë tërheqëse dhe mjaft interesante për lexuesit e të gjitha moshave.

Ja një pjesë nga poezia që i paraprin dy ciklet, atë për fëmijë dhe për të rritur –

Dhe ja, arritëm, vogëlushe.

 

Ky është Ulqini mes ujit e qiellit,

Mes pulëbardhës e kalasë,

Mes ulliri, e fiku, e pjeshke...

 

Rrënja i arrin prej amshimi

Te lulja bedençe, te ylli agon!

 

- Pagëzoje lindjen tënde,

- shkruama emrin, ëndrrën

e gjatë,

vogëlushe!

 

Poezia për të rritur

Vepra poetike e krijuesit të njohur Nexhat Halimi  është rrëfim meditativ lirik; shquhet për shprehjet e pasura figurative – në rrafshin e gjerë të ideve, pot dhe në atë tematik. Metafora dhe simboli janë  dy elemente kryesore që e karakterizojnë ligjëratën e tij poetike. Rrëfimi lirik- meditativ me strukturën komplekse ka bërë që vargu i tij, për nga natyra  kuptimisht të jetë i thellë deri në atë shkallë sa ndonjëherë duket i pakapshëm. Temat dhe motivet e trajtuara nga realiteti konkret objektiv marrin shtrirje më të gjerë në kohë dhe në hapësirë dhe kjo strukturë e pasur figurative shpjegohet më së miri me zbërthimin e fjalorit poetik. Fjalët – çelës Vetmia, Zjarri, Qiriri, Trëndafili, Gjarpri , Ulliri, Kalaja, Deti janë figurat më frekuentuese që e bëjnë vargun e tij të gjallë e dinamik. Perceptimi nga këndi vetjak i problemeve dhe ngjarjeve të ndryshme nga realiteti aktual gjithnjë në lëvizje, deri te e kaluara e afërt dhe e largët,  për ta transferuar lëndën poetike në mënyrën më të figurshme. Poetizmi i situatave jetësore merr një dimension më të gjerë në thellësinë e qenies poetike, si një rrjedhë e përjetësuar shpirtërisht. Kjo shihet dhe te tingëllima, si një nga poezitë lirike, e cila është një nga format më të vështira të hartimit poetik, (Me katër strofa, dy të parat me nga katër vargje, dy të fundit me nga tri vargje) – me një sistem standard rimash  të ndryshme, me rrokje të caktuara. Krahasuar me poezitë me varg të lirë, tingëllima zë një vend të gjerë te opusi i këtij krijuesi. Duke i lexuar këto perla në vargje të përfytyrohen krijuesit  që e kultivuan tingëllimën, siç janë krijuesit e traditës Nikolla Filia (i pari që e shkroi tingëllimën), pastaj Zef Serembe, Ndre Mjedja etj.

Libri në përgjithësi e dëshmon edhe një herë talentin e poetit të frytshëm Nexhat Halimi, të poetit me energji të madhe krijuese.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora