Kulturë
Lumturi Ymeri: Grimca të grisura
E enjte, 15.09.2016, 08:10 PM
LUMTURI YMERI(BERSAVA)
Grimca “të grisura”
instalacion me papiruse
Të ikin dhimbjet e kokës siç rrjedhin mendimet,
pa asnjë të çarë të kafkës,
milingonave, që banojnë në pirgun aty,
do t’u mësoj ndezjen e shkrepses…
*
Akrepat rrotullohen për bosht të shpirtit
bluajnë kohë, hapsirë, mall
Mijra thërrmija bërë stivë
lëvizin si krimba të gjallë…
*
Kurora të gjelbra
vallëzojnë syve
Balerinat e verdha
puthen hijeve...
*
Endet dilema në heshtje
Ende rënkimi ndër veshë
End ankthi siparin
E dramës The End…
*
Shoh një qiri të ndezur
në errësirë
Lëkund flakën si një dorë
për lamtumirë...
*
gjith'herë në sfidë
Njeriu me Jetën,
Ai, me lindjen
Ajo, me vdekjen...
*
Përjashtja ime
qiell, erë, smog,
det e jod…
Hyjnë brendisë
përmes sysh
përmes frymës
e
digjen brinjësh.
*
Ti
Gracka ime
e frymës, e dritës...
Unë
gracka jote
e jetës...
*
Për qiell të kthjellët
u plasën rrufetë
M'u plagosën duart
tek mbuloja sytë...
*
Për të matur mirë fjalën,
heshta dhe në letër
duke të ndjekur
pëllëmbë për pëllëmbë hapat e tua
E, pakuptuar
mbërrita në trupin tim …
Vazhdon të matësh ti
pastaj, me gishtërinj...
*
Ti je ajër
je erë jugiane
në ikje – ardhje
Je vështrim i tretur në mall
lagur ndër kujtime...
Ti je, dje
sot, ishe....
*
Kataklizmë, jeta përtej
përkëtej digjen vullkanë
në çast rrokulliset bota
përmbytet llava, e gjallë....
*
Tej perëndimit një vrimë e zezë
( inat i çmendur)
Në ag përflak kreshtën e prushtë
( ajzberg në ëndërr)
*
Qetohen erërat
varrosen dallgët
ndriçojnë faret
shpëtojnë detarët...
*
Pse me ndjell, kur më përzë
mbjellë në gjoks jam e më shkul
Dritë e qiell krejt m'i zë
më lëshon mjegull mbi udhë
*
Si të eci, jam pa këmbë
shkoj e vij me buzët gjak
nëpër hartë të mishit tënd
pre të jam e më je çark...
*
Nëse Hëna të josh në terr
a, një yll të ndrit në sy...
Nëse një re të fsheh në qiell
e të bën fole në gji...
Nëse një gjeth të zbret në buzë
e në shpirt të bëhet këngë...
Bëhem lum i shterur vere
shkoj e thahem, mos u tremb!!