Kulturë
Xhafer Sadiku: Libër për të cilin duhet diskutuar
E enjte, 29.09.2016, 06:52 PM
NJË LIBËR PËR TË CILIN DUHET DISKUTUAR
Nga Xhafer Sadiku, studiues
Botimi i një libri është ngjarje jo vetëm për autorin, por edhe
për lexuesin dhe, kur është fjala për libra studimorë, do të ishte me interes
edhe për institucionet shkencore dhe akademike. Për më tepër, kur në Shqipëri
studiuesit numërohen me gishtat e dorës. Në fakt, nuk ndodh kështu me
institucionet shkencore e akademike, të cilat janë përfolur si të politizuara,
për të mos thënë të fosilizuara. Ato e konsiderojnë fushën e studimeve si domen
të tyre, madje përfundimet që arrijnë sikur të ishin fjala “e Zotit”.
Ndryshe nga institucionet, studiues të pavarur, me shumë sakrifica, arrijnë të
botojnë libra studimorë që nuk duhen lënë të kalojnë pa u vënë re. Atyre u
duhet kushtuar vëmendja e duhur, pasi mbushin boshllëkun e krijuar nga
institucionet, boshllëqe që më pas krijojnë humnera të mëdha në formimin
intelektual të brezave të rinj. Është e tepërt të themi se periudha të tëra të
historisë nuk njihen mirë nga nxënësit dhe studentët, për të mos thënë nuk
njihen fare.
Njëri prej librave që i shërben këtij qëllimi dhe që duhet të hapte debat
shkencor për sa thamë është libri në dy vëllime “Dodona ndodhet në Dëshnicë të
Përmetit” e autorit Kujtim Mateli, i cili meriton respekt për punën e kryer.
• Ç’farë përmban libri?
Pa folur për konkluzionin përfundimtar të autorit, duhet
theksuar se lënda është mjaft e pasur, ndërsa libri i strukturuar mirë.
Vëllimi i dytë është i ndarë në tre pjesë dhe i konceptuar si oponencë ndaj
librit “Dodonë e ses ruins” të Kostandin Karapanos. Autori i vë përballë faktet
nga veprat e autorëve të antikitetit, të bashkëkohësve të Karapanos dhe pas
Karapanos.
Në pjesën e parë, “Dëshmi të
deformuara” njihemi me fakte të shumta të autorëve të antikitetit, ku tërheqin
vëmendjen elementët distancë dhe kohë.
Pjesa e dytë, “Karapanos dhe gjetjet
arkeologjike” përmban mbishkrimet e gjetjeve arkeologjike, format dhe elemente
të tjerë.
Në pjesën e tretë, “Autorë e
studiues pas Karapanos”, sillen shumë fakte nga autorë të ndryshëm, përkthime
dhe komente.
Mënyra se si i ka parashtruar faktet, analiza dhe komentet mbi to, e kanë
sjellë autorin në përfundime për të gjitha çështjet që trajton. Shumë prej tyre
janë me të vërtetë bindëse dhe domethënëse, që e bën lexuesin të mendojë, madje
pse jo, të ndajë të njëjtin mendim me autorin. Interesante është shtojca (ese)
“Si sfidohen nga fqinjët institucionet tona shkencore”, ku autori konsulton një
bibliografi të pasur nga autorë të njohur.
• Pse duhet diskutuar?
Po të hedhim një vështrim prapa, në histori, do të vërejmë se:
Së pari, gjuha shqipe është ndër më
të vjetrat në Evropë, gjuhë e një populli të vjetër gjithashtu dhe autokton, që
shtrihej deri në Ballkanin qendror. Ky popull i lashtë, që ka jetuar përkrah
helenëve dhe romakëve ka krijuar padyshim qytetërimin e vet, krahas atij
greko-romak. Atëherë pyetja që kërkon përgjigje nga institucionet shkencore
është:
-Cilat janë punimet e tyre për të hulumtuar e nxjerrë në dritë tërë qytetërimin
e këtij populli në trevat ku ka jetuar e jeton?
-A ka patur shtrembërime të qëllimta të të vërtetave historike nga
institucionet shkencore të vendeve fqinj, të cilat akademia jonë i merr si referenca?
Së dyti, libri “Dodonë e ses ruins”
i Kostandin Karapanos dhe botime të tjera që u botuan në vitin 1878, ishin në
funksion të vendimeve që do të merrte Kongresi i Berlinit për copëtimin e
territoreve shqiptare. Libri i Karapanos apo edhe i të tjerëve, shërbeu si
“provë” për të vendosur copëtimin e tyre. Nisur edhe nga ky fakt, a nuk meriton
një qasje më serioze nga Akademia e Shkencave, libri i z. Kujtim Mateli?
Së treti, debatet shkencore për
libra studimorë do t`u shërbenin edhe studentëve duke i nxitur drejt arkivave
dhe bibliotekave.
Dhe së fundi, vlera e studimeve nuk
matet me titujt që jepen nga autoriteti i pushtetit dhe nderet që përfitojnë
nga këta tituj, por nga puna shkencore dhe përkushtimi atdhetar. Janë këto
vlera që e bëjnë librin e z. Kujtim Mateli shumë të dobishëm dhe autorin të
respektuar.