Kulturë
Nebi Dragoti: Refren migjenian
E diele, 02.10.2016, 07:55 AM
NEBI DRAGOTI
TRE TREGIME
BUZËMBRËMJA E TRËNDAFILTË
Dielli i varur në horizont sikur po lozte kukafshehtazi me një tis reje në perëndim:të perëndonte, apo jo.Kësaj buzëmbrëmje të trëndafilt sikur shpërndaheshin gjithandej petale trëndafilash të kuq dashurie me një dlirësi tejet fëminore. Vajza bukuroshe fshatare, duke më buzëqeshur, më afrohet me një trëndafil të alltë duke ma dhuruar atë me një ngrohtësi e dashamirësi, që dilte nga thellësia e qënies së saj. Tashmë, gjithë ndjenjat e mia përqëndroheshin në një pikë : tek kjo dhuratë, mbase e padjallëzuar, në ishte simbol apo jo. Nuk i mbaj mend fjalët e komunikimit, veç mbaj mend ( kështu m’u krijua përshtypja) , sikur gjithë tupi i vajzës, me atë buzëqeshje të ëmbël naïve, e gjitha mbante aromë trëndafili. Shkonim turma- turma, larg më këmbë, në një shesh të madh me lisa të rrallë elegant, ku, atje, në natyrë, shfaqej filmi i Skënderbeut.Flisnin për bëmat e heroit, për martesën e trimit me Donikën e bukur të Komnenëve. Muzgu, pa pritur, kishte nder thekshëm krahët e vet. E, çasti final i martesës arriti, në pëlhurën e bardhë të tendosur ndëmjet dy lisave, kur u shfaq Donika si yll bukurie dhe, kur kënga, tutje hapsirës, jehoi: “Skënderbe, Skënderbe / sa i bukur je!” Unë mbaja trëndafilin e kuq në dorë dhe që prej asaj mbrëmje nuk e pashë më, nuk e takova atë vajzë të thjeshtë, të dashur, të dlirë, atë mike fëmirie, që më humbi, a më iku diku, nuk e di as vetë se si të shprehem. Buzëmbrëmja e trëndafiltë, si një peizazh i paharruar, mbushur plot aromë dehëse, më shfaqet ende.
BUKUROSHE DIANA
Njeriu vlerëson drejt, se ç’është e bukura, ç’është e mira, ç’është e moralshmja dhe cilësi të tjera të karakterit, që e bëjnë qënien njerëzore të përkryer. Është dëshirë njerëzore kjo e kahkohshme, e përbotshme. Diana topolake, bjonde, me flokë të shkurtëra, fytyrë rrumbullake me atë ecjen elegante, fjalëëmbël, joshëse, e qeshur në bisedat që bënte. Apo nuk e fliste bukur atë gjuhën letrare. E kush nuk e lakmonte Dianën simpatike, të thjeshtën, jonazelie, ta kishte shoqe, në pamundësi ta bënte bashkëshorte? Fundja, kjo është e paarritshme, që disa djem, njëkohësisht, ta kenë shoqe jete vajzën më të mirë. Teksa hipja në tren, kujtesa ime vizive biroi në nostalgji, e ndaloi shikimin tek një grua e thyer në moshë, me flokë të thinjura, ndërsa ajo kishte zbritur. Në profil, në lëvizje shëmbëllente me atë Dianën bukuroshe të tridhjetë viteve më parë, kur ishim koleg në një fshat malor. Enkaz, u shtira sikur nuk po i thërrisja asaj, për të hetuar ishte, apo nuk ishte ajo. Di-a-a-na-a!, më doli zëri që u përhap në eter. Treni u nis dhe unë pashë, se ajo ktheu kokën, por duke mos më rinjohur, nuk ma ngriti dorën. Ndërsa, unë kot, pa e konfirmuar në ishte ajo, ia tunda dorën. Dianaa!
REFREN MIGJENIAN
…Edhe lypsa ka, edhe lypsat janë shtuar…Edhe…edhe…Kujdes, se e pësoni si tek Migjeni: “Rrotat e autove/ shpejt mbi të kaluen/ dhe e.. qetësuen” lypsin e vogël. Kujdes, se jemi si në kohën e Migjenit. Dje desh e shtypi poetin B., kur, sipas rregullave, ai kalonte kryqëzimin në kohën e duhur, kur semafori diktonte ngjyrën jeshile.Çudi, çudi, ngjyra jeshile kthehet edhe në ngjyrë vdekje. Poeti ecë në këmbë, s’ka automjet; as biçikletë nuk ka poeti. Drejtuesi i mjetit shton shpejtësinë, shkel rregullat e qarkullimit dhe, sapërpak, rrotat sa nuk kaluan mbi të. Poeti e shikoi vranshëm, shtërngoi nofullat sikur ta qortonte, por shoferi si i droguar, a tepër i alkolizuar nuk e përfilli. Shtoi shpejtësinë në qejfin e vet. Mbrëmjeve televizorët bëjnë tellalin duke dhënë evidencë: vdiqën në aksidentin automobilistik aq e kaq, në x fragment rrugor. Kujdes, se e pësoni si tek Migjeni: ” Rrotat e autove/ shpejt mbi të kaluen/ dhe e…qetësuen “ lypsin e vogël. Ndodh…hipin edhe në trotuar e , befas, të “qetësojnë” rrotat e të çmendurve.