Kulturë
Armela Hysi: Një mësuese e gjuhës shqipe në Athinë
E shtune, 08.10.2016, 03:10 PM
Një mësuese e gjuhës shqipe në Athinë
Intervistë me mësuesen Eriketa Kollçaku Qorlazja
Nga Armela Hysi
Në kujtesën e shumëkujt nga ne, dita e parë e shkollës, shoqërohet me një tufë ngjyrimesh e emocionesh, që lë mbresa gjatë gjithë jetës. Madje edhe pse në vazhdimësinë e viteve, pas klasës së parë, do të përsëritet paksa më natyrshëm, sa e sa herë – çdo rradhë nuk rresht së qëni fillimi i një perjudhe të re që të mbush me shpresa, me ndjenja e vlera jetike dhe proçese didaktike jo vetëm sipas lëndëve dhe nivelit të mësimeve ku trajtohesh, por në rrdhë të parë normat primare, nga më minimalet, deri tek përgjithësia e tyre në kontaktin me shoqërinë, përderisa vitet e shkollës, përfshijnë të gjitha anët e jetës së një fëmije dhe rritjen e tij personale e sociale, si një qenie unike brenda një qarku me trajta e natyrë gjithnjë në ndryshim.
Kjo gjendje është me një sy shumë të përgjithshëm, disi e përafërt, për të gjithë fëmijët e kudo-ndodhur, kuptohet brenda veçantive të pashmangëshme e gjithsesi të vlefshme; por padyshim nuk mund të anashkalojmë në një fillim viti të ri shkollor, ndjenjat më të ëmbla, urimet dhe interesimin për shkollën e mësimit të gjuhës shqipe, në tokën helene. Është kjo një nismë me bazë vulletare, një organizëm i brisht, po i shëndetshëm që shënon tashmë disa vjetë jete me ndihmë vullnetare, patriotike e të vlefshme për të cilën kush më mirë se një nga vetë mësueset e saj znj. Eriketa Kollçaku Qorlazja mund të na e përshkruaj dhe të sjell për ne, një pasqyrim të brendshëm të punës së tyre.
Përshëndetje znj. Eriketa dhe faleminderit për këtë bashkëbisedim në këtë fillim viti shkollor ku në rradhë të parë të uroj mbarvajtje dhe suksese!
Ju falenderoj për ftesën dhe duke marrë shkas nga kjo bisedë do desha t'u uroj edhe unë shumë suksese e fillim të mbarë të vitit shkollor 2016-2017 të gjithë vogëlushëve, nxënësve e studentëve kudo që ndodhen e gjithashtu punë sa më rezultative edukatorëve, mësuesve e pedagogëve tanë të palodhur.
Eriketa, fillimi i një viti të ri shkollor, për nxënësit dhe familjet e tyre gjithmonë shënon dhe pjekjen e një koncepti të ri në lidhje me relatat që ka fëmija me shkollën, që përbënë dhe kontaktin e parë me shoqërinë. A ndikon kjo ide tek mësuesit? Ç' veçanti ka dita e parë e shkollës tek ty si mësuese?
Tashmë dita e parë e shkollës simbolizon fillimin e
një periudhe te re në jetën e fëmijëve, të prindërve të tyre e të mësuesve të
shkollave.
Secili prej këtyre tre komponentëve e përjeton 1 shtatorin në këndvështrime dhe
nuanca të shumëllojshme ndjenjash.
Ndërsa për nxënësit dita e pare do të thotë gëzim, hare, horizont e dije të
reja, shoqeëi, dëshirë për të mësuar, për prindërit emocion e krenari për
krijesat e veta, për ne mësuesit përgjegjësi e vetëm përgjegjësi. Kjo ka qënë
motoja ime, shtysa që më jep kënaqësinë të punoj me fëmijët.
Rëndësi ka që të gjithëve ne na bashkon një qëllim i përbashkët; bashkëpunimi i
frutshëm për të arritur një rezultat të dëshiruar.
Është e vërtetë që fëmija që ne njohjen e kontaktet e para që vendos në
ambientet e shkollës, shpalos veçoritë e karakterit e personalitetit të vet.
E meqënëse çdo fëmijë është qënie unike, e veçantë nga të tjerët dhe e
papërsëritshme duhet kushtuar kujdes, në zbulimin e këtyre veçorive duke
kultivuar anët pozitive e eliminur në shkallën e mundur ato negative.
Fëmija stërvitet që herët të ndërgjegjësohet për atë që do, mësohet të shprehë
pa frikë mendimin e vet, e të bëhet i dobishëm për veten e shoqërinë në të
ardhmen.
Mësuesia, që padyshim është një nga profesionet më të vyera për njerëzimin, ishte diçka që erdhi në rrjedhën e jetës tënde rastësisht, apo qe diçka që e kishe ëndërruar që e vogël?
Të them të drejtën nuk mbaj mend të kem ëndërruar
"mësuesin"si profesion në fëmijërinë time.
Pasioni im për letërsinë, leximin në përgjithësi dhe për gjuhën shqipe si lëndë
mesimore me rezultatet më të larta, qenë vendimtare për të përcaktuar se çfarë
studimesh do të ndiqja dhe me vonë çfarë profesioni do të ushtroja në jetë.
Deri këtu, sepse gjatë viteve të universitetit nuk ke për veten atë imazhin e
mësueses së ardhshme. Ajo që të intereson është të kuptosh leksionet, të
akumulosh informacionet e lëndët, rezultatet e mira në provime e në fund të
fundit, të përfundosh studimet me një bagazh të mjaftueshëm për të ardhmen.
Në kontaktin e parë me nxënësit, si mësuese e klasës së pestë në shkollën e një
fshati të Elbasanit, ngazëllimi që pushtoi të dyja palët, kureshtja e
gërshetuar me ndrojtjen dhe një dritë e pashpjegueshme në sytë e tyre, më bënë
të ndihesha e privilegjuar, të kuptoja rëndësinë e asaj për të cilën kisha
ardhur e qëndroja para tyre. E tek fillova të shqiptoja fjalët e mësimit të
parë një mendim kristalizohej në mendjen time; e pra kjo është ajo që dua të
bëj tani e në të ardhmen.
Vitet e para të ardhjes në Athinë me familjen tënde dhe shkëputjen nga puna, a të mungonte kontakti me shkollën dhe nxënësit?
Si ajo dallga e rrëmbyer që vjen papritur e të përplas
në një skaj të panjohur, kështu papritur u gjenda edhe unë në Athinë së bashku
me familjen time.
Ndarja nga të afërmit, nga qyteti yt, nga nxënësit e tu e nga jeta jote, me të
vërtetë e vrazhdë, e dhimbshme...''Po hë se për pak kohë do të jetë, për pak e
përsëri mbrapa''.
Po kthimi vonoi, vonoi dhe zhgënjimi zinte vendin e shpresës.
Vetëm copëzat e momenteve të kaluara në atdhe të mbajnë gjallë dritëzën e
besimit se shumë shpejt do të kthehesh e do të kesh përsëri klasën tënde,
nxënësit e tu, që do të të mbytin me pyetje e ti do t"u shpjegosh pa u
lodhur.
Patjetër që ndarja nga profesioni im (pas 6vjetësh punë) më kushtoi shumë
shpirtërisht.
Sidomos çdo fillim shtatori kur përgatitja për shkollë tim bir, por jo veten
time...
A është përmbushur disi kjo ndjenjë në vazhdim, me dhënien e kontributit tënd si mësuese e gjuhës shqipe tek fëmijët shqiptar të lindur e rritur larg atdheut dhe largë gjuhës sonë?
Prej vitesh kisha konstatuar një tjetër dëm te madh,
një dramë që do t'i dukeshin rrjedhojat vite më pas. Fëmijët shqiptarë në Greqi
nuk kishin mundësi të mësonin asnjë shkronjë të alfabetit shqip. Një numër i
pakët prej tyre frekuentonin ato pak ambiente të hapura me shumë mund nga
shqiptarë me ndërgjegje kombëtare dhe shpirt patriotik, nga disa mësues të
përkushtuar, të cilët jepnin dhe japin ndihmesën e tyre falas e pa pritur asnjë
falenderim (të paktën) nga shteti shqiptar.
Kontakti i papritur me Lidhjen e Mësuesve të Greqisë (e krijuar disa vite më
parë) dhe me Qëndrën Shqiptare "Porta" si dhe pranimi i kërkesës sime
si mësuese e gjuhës shqipe pranë saj, bënë të realizohej edhe dëshira ime për
të ndihmuar.
As vetë nuk e besoj se si i pres me padurim pasditet e të dielave të gjendem me
nxënësit e mi, të lexojmë shqip, të flasim shqip, të recitojmë poetët tanë, të
këndojmë këngët e atdheut tonë.
Për dy vjet me rradhë rijetoj, bashkë me fëmijët, një ëndërr nga e cila nuk dua
të zgjohem.
Flisni diçka për Portën, për organizatorët, kolegët, zhvillimin e mësimit, historikun. Është një nga veprimet më atdhetare e patriote dhe ndihmon konkretisht emigrantët e familjet e tyre, aq më tepër që kemi të bëjmë me një impenjim vullnetar tuajin, dhe papagesë për nxënësit që u ofrohet mësim në këto klasa.
Qendra Shqiptare Porta e ka zanafillën e vet në vitin
2005.
Natyrisht iniciativa ishte e dy amerkanëve të nderuar shqiptardashës, çiftit
Newell, të cilët kanë dhënë një ndihmë të çmuar në kuadrin e ndihmës që shteti
amerikan jepte ndaj vendeve me probleme siç ishte Shqipëria.
Këtu nuk mund të rri pa përmendur kontributin e mësueses se gjuhës shqipe e të
anglshtes (që ditët e para e për vite me rradhë) të kësaj qëndre znj. Flutura
Tafilaku. Këtu e dy vjet më parë drejtimin e Portës e kanë marrë në duart e
tyre çifti Bledar dhe Blerina Mile të cilët qëndrojnë me devotshmëri pranë
prindërve nxënësve dhe kërkesave të mësuesve. Bashkëpunimi ynë mund të them se
është i shkëlqyer.
Një qëndër e tillë i mungonte komunitetit shqiptar që
jetonte në Athinë.
Nga vetë emri i saj qendra funksionon si një "portë e hapur" për të
gjithë shqiptarët e fëmijët e tyre me banim larg atdheut, një kalim si të
thuash nga realiteti i ashpër jashtë saj në bankat e shkollës e tek ajo që
kishin ëndërruar.
Aty mësohet gjuha angleze, mësime kompjuteri si dhe zhvillohen shumë aktivitete
të tjera, festohen festat kombëtare, bëhen promovime librash edhe të autorëve
emigrantë, ekspozita pikture, seminare me psikologë për t"u ardhur në
ndihmë familjeve të reja etj.
Por mbi të gjitha aty u mësohet fëmijëve Gjuha Shqipe.
Mësimi i gjuhës shqipe zhvillohet çdo të dielë në orën 5-7, funksionojnë 4
klasa me 4mësuese.
Ky është viti i tretë që do të jap mësim personalisht.
Janë rreth 11 fëmijë me të cilët u takum në kl.e parë dhe sivjet do të
vazhdojmë udhëtimin e bukur të dijes në kl.e tretë.
Në kl.e parë sivjet jep mësim kolegia Alma Zekollari, në kl.e dytë kolegia
Renata Pëllumbi Durro dhe në kl.e katërt kolegia Kristina Roshi.
Si është kontakti juaj me brezin e ri shqiptarë që rriten largë atdheut, ç'mendim keni për këta fëmijë? Ke ndonjë ndodhi a mbresë që të ka bërë përshtypje më të veçantë?
Lidhja midis nesh është e bukur dhe e sinqertë dhe
s'ka si të jetë ndryshe. Gjithmonë puna me fëmijët fal kënaqësi, por edhe
lodhje.
Në fund është pasioni ai që dominon.
Etja për të mësuar gjuhën amtare më bën të përkushtohem me tërë qënien time, jo
vetëm në përpjekjen për të gjetur mënyra sa me të thjeshta për të përçuar
mësimin, por edhe për gjetjen e materialeve shtesë, vjersha e këngë për moshën
përkatëse, biseda të lira etj.
Kemi ardhur pranë me njëri-tjetrin, përtej marrdhënieve mësues-nxënës.
Nuk harroj me sa gëzim më presin kur bëj ballë në cepin e rrugës, apo kur më
bëjnë ndonjë kompliment fëminor.
Këto janë momente të bukura e të veçanta.
Cilat janë nevojat dhe kërkesat për një zhvillim më cilësor e me nivel për edukimin dhe mësimin sa më thelbësor, për shkollën dhe nga kush keni patur mbështetje si shkollë?
Doja të theksoja specifiken e mësimdhënies së gjuhës
shqipe në Greqi.
Me fëmijët e lindur e rritur në shtetin helen, të cilët mësojnë gjuhën greke si
gjuhë të parë dhe vetëm dy orë në javë gjuhë shqipe dhe në shumicën e rasteve
prindërit e tyre u flasin pak, ose aspak në shqip, nuk mjafton thjesht mësimi
lexim-shkrim i gjuhës sonë.
Duhen gërshetuar dijet gjuhësore me ato historike, në mënyrë që nxënësit të
mësojnë për të kaluarën e historinë e lavdishme të vendit nga i cili kanë
rrënjët; zakonet, ritet, fjalët e urta, përrallat, fabulat, pra folklorin në
përgjithësi; të informohet për pozitën gjeografike malet, qytetet, detet e
liqenet.
Pra nevojiten një gamë e gjerë dijesh nga ana e mësuesit me një përgatitje jo
vetëm gjuhësore, por enciklopedike.
Vetëm duke njohur në mënyrë sferike vendin ku u lindën prindërit e tyre,
forcohet tek fëmijët tanë ndjenja e dashurisë për mëmëdheun dhe zgjimi i
ndërgjegjes kombëtare tek prindërit e tyre.
Në këtë pikë rol të madh kanë luajtur seminaret vjetore që mbahen nga LMSh në
Greqi një herë në vit në Athinë (sivjet u mbajt në Kalabakë), konkurset vjetore
midis shkollave dhe sidomos konkurset kombëtare që zhvillon Ministria e Arsimit
e Shqipërisë dhe e Kosovës, me ndihmën më të madhe të kësaj të fundit.
Këto seminare ndihmojnë në thellimin e njohurive te mësuesit, shkëmbimin e
përvojës midis mësuesve të gjuhës shqipe në vendet e tjera evropiane.
Nuk mund të rri pa përmendur(dhe këtu shpreh mendoj dhe vërejtjet e kolegëve të
mi) disa pengesa që dalin dhe bëjnë me të vështirë veprimtarinë tonë..
Është për të ardhur keq për mungesën e ndihmës nga Qeveria dhe Shteti Shqiptar,
të cilët pothuajse kanë braktisur këtë përpjekje tonën. Çdo protestë ka rënë në
vesh të shurdhër. Le të shpresojmë se në të ardhmen gjërat do të ndryshojnë..
Eriketa Ju falenderojmë ngrohtësisht për kohën tuaj dhe interesimin për të ndarë me ne përvojat e opinionet dhe duke ju përshëndetur dhe uruar juve, urojmë të gjithë mësuesit shqiptar në të gjithë Greqinë dhe në të gjithë botën, që japin kontributin dhe ëndrrat e tyre me sakrifica, por dhe ndërgjegje kombëtare e humane. Mendoj se është një krenari për komunitetin tonë të ketë të tilla nisma, të tillë njerëz e komponentë dhe rezultate gjithnjë e më të sukseshme.
Armela desha të mbyll bisedën tonë me një frazë që lexova kohët e fundit; "Të jesh mësues nuk është profesion, por mënyrë e qëllim jete.
Le të bëjë secili prej nesh më të mirën që mundet dhe them se rezultati do na nxjerrë faqebardhë.
Ju faleminderit!