E shtune, 05.10.2024, 08:24 PM (GMT+1)

Kulturë

Viktora Vllahu: U promovuan librat e Prof. Thanas Gjika

E diele, 09.10.2016, 10:47 AM


NË UNIVERSITETIN “FAN NOLI” U PROMOVUAN LIBRAT

“MOSDËNIMI I KRIMIT ËSHTË KRIM I RI”

DHE “SHËN PALI PUNOI DHE NË BRIGJET E ADRIATIKUT”

TE Prof. THANAS L. GJIKA

Nga Viktora V. Vllahu

Me inisiativën e profesor Ali Jasharit, rektor i Universitetit “Fan Noli” të Korçës, më 25 gusht ora 12:00-14:00, u organizua në prani të autorit, në sallën e bukur të Senatit Akademik promovimi i dy veprave të fundit të profesor Gjikës. Aty morrën pjesë pedagogë, studentë, qytetarë dhe At Spiro Katundi, i dërguar i Peshkopit Joan Pelushi, Mitropoliti i Korçës.

Në fjalën e hapjes Prof. Jashari theksoi kënaqësinë e tij që ish-punonjësi shkencor i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave, prof. Thanas Gjika, vijon punën shkencore në ShBA, ku që nga viti 2007 e deri sot ka botuar pesë vepra të rëndësishme në fushën e shkencave albanologjike në plan kombëtar e ndërkombëtar. “Thanas Gjika, tha midis tjerash folësi, nuk e harron qytetin e lindje, Korçën tonë. Ai vjen nga Amerika e largët dhe na sjell librat e tij të njëpasnjëshëm, duke na i pasuruar bibliotekat e qytetit për të ndihmuar në ngritjen kulturore e shkencore të qytetarëve e sidomos të studentëve tanë. Për këtë meriton falenderime nga të gjithë.”

* * *

Më tej ai i dha fjalën pedagogut të letësisë shqiptare, Dr. Neli Naço, fjalën e të cilit po e japim të plotë:

“Kur merr në dorë librin e Profesor Thanas Gjikës dhe lexon thënien proverbiale: “mosdënimi i krimit është një krim i ri” ke ndeshur edhe me kredon e cila ka qenë qëllimi kryesor i autorit, shpallja e një lloj humanizmi bashkëkohës që ai e ka për qëllim ta shpallë dhe ta argumentojë përmes shkrimeve të tij. Kjo kredo është një besim i palëkundur i autorit ai e artikulon atë në shkrime të ndryshme, por e ka bindje që kjo kredo është shumë e rëndësishme që atdheu të zhvillohet dhe të përparojë nëpërmjet një procesi pastrimi shoqëror. Fshehja e krimit, sipas tij, quhet krim dhe mungesa e dënimit mundëson që të çojë në përsëritjen e tij. Kjo kredo, ky fill i ndërtimit është filozofia e teksteve të shumllojshme që përbëjnë librin, ato rrëfejnë, analizojnë, krijojnë, momente e situata të ndryshme, krijojnë portrete dhe zbardhin disa të tjera duke na dhënë shpeshherë imazhe të reja, por shpeshherë edhe duke i nxjerrë disa prej tyre nga gjysmerrësira në dritë, duke u fashitur hijet për të nxjerrë më mirë tiparet e tyre të vërteta, që në thelb janë tiparet e vetë qenies njerëzore që duket e përkryer shpeshherë, por nuk është e tillë dhe anasjelltas.

Procesi i njohjes dhe i analizës që Thanas Gjika përdor, është kthjelluar edhe nga një moment tjetër vendimtar. Duke jetuar jashtë atdheut, duke njohur botën dhe mentalitetin perëndimor, sidomos atë amerikan, duke e përdorur atë mentalitet dhe kthjelltësi mendore ai e ka më të lehtë të gjykojë ato procese në të cilat është ngatërruar bota postkomuniste e Europës Lindore, dhe sidomos bota postkomuniste shqiptare. Largësia dhe kuptimi i mentalitetit perëndimor e bën që analiza e tij të jetë e thjeshtë, e kapshme, e drejtpërdrejtë dhe kuptimplote. Ai i sheh problemet shqiptare që nga larg, si astronauti që sheh tokën nga hapësira dhe e kupton realitetin më mirë se vështrimet mendjengushta dhe të pjesshme të protagonistëve. Kjo e ndihmon atë në arritjen e përfundimeve të sakta dhe të artikuluara qartë në pjesët që ndërtojnë librin. Libri synon pra, jo vetëm një analizë letrare (dhe kjo është pjesa kryesore e strukturës së këtyre teksteve letrare), por edhe një mësim humanist të gjerë që do t’i shërbente lexuesve të cilët e marrin nëpërmjet interpretimit të tekstit autorial.

Libri ka në përbërjen e vet artikuj kritiko-letrarë që tregojnë për vlera artistike, kulturore, letrare që janë shpërdoruar nga kritika e socrealizmit dhe larg syrit vëzhgues të socrealizmit që i shihte gjërat vetëm bardhë e zi dhe shquan nuancat e holla që përbëjnë vlera të patjetërsueshme. Nuk gjykon dot për pasurinë e një pylli duke parë vetëm drurët e njëjtë të tij. Duhet të njohësh edhe shkurret, lulet, barërat shumëllojshmërinë që jep delikatja e tij, për të krijuar një ide të saktë mbi realitetin e tij. Edhe letërsia ka gjithashtu drurët e lartë, por edhe ata që janë në hije, ka lulet me aroma të holla e të mezikapshme, por që ndikojnë në atë totalitet e plotëri që figurativisht mund të quhet pylli letrar.

Thanas Gjika me kureshtje dhe pa komplekse i afrohet këtij pylli dhe sheh jo lart ato që shohin të gjithë drurët, por sheh edhe lulet e rralla, barishtet, shkurret dhe çdo gjë tjetër që udhëtarit të rëndomtë i shpëton. Ai sheh shumëllojshmërinë brenda një trualli ku mendohet se ka pak shumëllojshmëri. Edhe ky krahasim, si çdo krahasim çalon, por le të shohim më konkretisht se çfarë përfaqëson ky libër.

Shkrimtarë që kritika letrare i ka trajtuar pak ose aspak të bien në sy për analizat që u bën Prof. Gjika atyre. Një nga shkrimtarët që bie në sy, mbase më i njohuri i kësaj letërsie të heshtur të quajtur letërsia e sirtarit është edhe Visar Zhiti, një shkrimtar që nuk u dorëzua dhe që mbas suksesit si poet, korr sukses edhe në prozën tregimtare dhe romanore si një kapacitet i veçantë. Gjika e analizon me sukses romanin e tij “Ferri i Çalë” sepse kemi të bëjmë me një lloj proze të re të ndryshme nga proza tradicionale që jemi mësuar të lexojmë, sepse Visar Zhiti vjen në prozë si një dukuri e re, i plotë në formatin e poetit ai artikulon midis dy gjinish poezi e prozë bashkë duke të kujtuar shpeshherë edhe fenomenin Camaj. Profesor Gjika e karakterizon kështu Ferrin e ri të përshkruar prej Zhitit duke analizuar dhe përmbledhur: “Këta rreshta tingëllojnë si vargje poetike, ku tipizohet në gjerësi e thellësi jeta shqiptare nën diktaturën komuniste për të burgosurit, me nëntë rrathët e ferrit, por edhe për popullin, i cili jetonte gjithashtu i rrethuar prej disa rrathësh të të njëjtit ferr...” Thanas Gjikës nuk i shpëton madje edhe një karakteristikë e njëmendët e Zhitit, që gjendet njëherazi edhe në letërsinë, edhe në karakterin e tij: ai nuk është i dehumanizuar nga urrejtja dhe krijon një tipologji të ndryshme nga ajo e shqiptarit tipik të ashpër dhe hakmarrës.

Një trajtim mbresëlënës është ai për shkrimtarin Ismail Kadare, ai titullohet “Vepra e Kadaresë e shkruar gjatë diktaturës ka qenë vepër me tipare disidente, maksimalja e mundshme”. Ky shkrim bëhet duke e vlerësuar shkrimtarin e madh në situatat komplekse në të cilat është ndodhur ai gjatë regjimit diktatorial e vlerëson shkrimtarin në dritëhijet e tij. Ai merret me një problem që në këtë rast nuk mund të shmangej, me problemin e disidencës, trajtimin e së cilës e bën në një plan më të gjerë duke e krahasuar me disidencën si fenomen në Europën Lindore i klasifikon këta disidentë në ata që u dënuan dhe në ata që e zhvilluan disidencën e tyre jashtë atdheut. Zgjerimi i fokusit kritik, gjerësia me të cilin e sheh tablonë profesor Gjika bën që shumë faktorë të ashtuquajtur faktorë jashtëletrarë të merren parasysh në analizën autoriale dhe të saktësojnë shumë momente dhe situata decizive të procesit të vlerësimit. Një përfundim i thjeshtë por i goditur në këtë tekst është ai që ka lidhje edhe me titullin e veprës. Autori shpreh në formë postulateve dhe përmbledhëse: “Vepra më e mirë e Kadaresë e shkruar dhe e botuar gjatë regjimit komunist nuk ishte një vepër disidente në kuptimin klasik të fjalës, por ishte një vepër me tipare disidente.”

Vepra e profesorit të njohur Sami Repishti “Pika Loti” është gjithashtu një vepër që është marrë në shqyrtim dhe vlerësuar lart nën vëzhgimin kritik të Thanas Gjikës, si një vepër e cila merr përsipër të thotë të vërtetën, të zbulojë por edhe të portretizojë njerëz të zakonshëm e të jashtëzakonshëm, nga veçoritë e karakterit e të dijes së tyre, por të gjithë të jashtëzakonshëm nga pikëpamja e fatit të tyre nën diktaturë, nga ajo çka përfaqësuan dhe ajo çka mbrojtën. Fatet e Qemal Draçinit, Hamdi Gjonit dhe Bego Gjonzenelit, Preng Kaçinarit, Qazim Danit dhe Atë Ciprian Nikajt, por edhe njerëzve të tjerë janë vlerësuar si shkrime që sjellin dhimbjen përmes një lirizmi karakteristik e stilit vetanak të Sami Repishtit.

Nën gjykimin e kësaj kritike pozitiviste dhe humaniste janë gjithashtu edhe mendimet për romanet “Rrugëtim me Psherëtima” të Makinsen Bungos dhe veprën autobiografike “Jetë në Diktaturë” të Hasan Kostrecit. Nën këtë gjykim pozitivist është edhe fati i familjes Kulla e dhënë nëpërmjet analizës së veprës historike “Jo të gjithë të vdekurit prehen në paqe” të Pëllumb Kullës. Në analizat e profesor Gjikës zbulimi i një humanizmi që kjo letërsi bart është pjesë e rëndësishme e vlerës së tyre dhe po ashtu humanizues dhe dinjitoz duhet të jetë trajtimi që pjesa tjetër e shkrimtarëve, duhet t'u bëjnë politikës dhe popullatës që ishte fajtore sepse u përpoq me sa mundi të zbulonte të vërtetën apo ta mbronte atë.

Nëpërmjet analizave të këtyre shkrimeve të gjinive të ndryshme letrare, shumica të pabotuara në kohën kur u shkruan, të njohura me emrin “letërsi sirtari”, na krijohet një imazh më i plotë dhe më i saktë për letërsinë shqipe, imazh që deri tani ka munguar për shkak të zbulimit rastësor dhe pjesor të tyre, në kohë dhe vende të ndryshme, nga shtëpi botuese të ndryshme dhe pa një kriter përzgjedhës, fakt që e nënvizon Thanas Gjika në analizat e tij. Disa pyetje të tjera mund të shtrohen për zgjidhje duke marrë shkas nga shkrimet për këta autorë, që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me çështje të historisë së letërsisë. A është dinjitoze ta quajmë këtë letërsi thjesht “letërsi sirtari” sikur ajo thjesht të mos ishte e botuar nga harresa apo nga pasiguria e shkrimtarit për vlerat e saj? Si duhet kategorizuar nga pikëpamja kohore kjo letërsi, si letërsi e kohës kur u shkrua, apo e kohës kur u botua? Sepse komunikimi me lexuesin nuk ka qenë normal si për pjesën tjetër të letërsisë. A duhet trajtuar kjo lloj letërsie si një “qark letrar” (po të përdorim një term të Profesor Eqrem Çabejt) duke i dhënë kështu një rëndësi më të madhe trajtimit të saj historiografik letrar si një letërsi më e plotë? A duhet që të mënjanohen shkrimtarë më minorë të kësaj letërsie dhe të trajtohen vetëm shkrimtarë që i përkasin kësaj letërsie, por me vlera të spikatura, siç mund të ishte rasti i dallueshëm i shkrimtarëve Martin Camaj, apo Visar Zhiti? Afërsisht kështu u veprua nga kritika pas viteve nëntëdhjetë e cila ngurron të shkruajë për fenomene të reja, por shkruan për fenomene të sigurta letrare. Edhe një sërë çështjesh të tjera të vlefshme burojnë nga analizat e Thanas Gjikës mbi këtë lloj letërsie.

Një shkrim kritik me një opinion vetanak të autorit është edhe shkrimi vlerësues për romanin “Doktor Gjilpëra...” një nga pjesët më të rëndësishme të veprës së Konicës, po ashtu të letërsisë shqipe në kohën e fillimit të modernizimit të saj. Profesor Gjika e quan që në titull Romani i parë realist i letërsisë shqipe dhe pas një analize kuptimplote e vlerëson kësisoj: “Doktor Gjilpëra... është një roman realist satirik me problematikë shoqërore.”

Në shkrimin tjetër që pason po për këtë figurë të ndritur të letërsisë dhe kulturës shqiptare të titulluar “Roli i Faik Konicës në gazetarinë dhe letërsinë shqiptare” ai shpreh mendimin e patundur se koleksioni i revistës Albania përbën kryeveprën, veprën më monumentale të Faik Konicës. Dhe a nuk fillon aty kritika letrare dhe kritika sociale, gjuhësia dhe gazetaria informative? A nuk fillon aty eseja dhe proza poetike? A nuk fillon aty pluralizmi i ideve dhe kërkesa për një unitarizëm kombëtar thellësisht perëndimor? Këto shkrime me karakter kritik e vlerësues, me gjithë gjerësinë e trajtimit të tyre, pasohen edhe nga dy shkrime për rolin e Fan Nolit në publicistikën shqiptare të titulluar “Për stilin dhe individualitetin publicistik të Fan Nolit” dhe “Mendimet ekumenike të Imzot Nolit janë aktuale edhe sot”. Nga letërsia fare natyrshëm profesor Gjika hidhet në politologjinë dhe kulturologjinë shqiptare, nisur nga mendimet e një dijetari, kulturologu dhe politologu siç është rasti i Imzot Fan Nolit në këtë analizë, të krijojë edhe mendimin e vet mbështetur në truall të shenjtëruar si ai që krijon Noli dhe Konica. Mendimi i cituar prej autorit të librit dhe i artikuluar prej Imzot Nolit është gati një postulat politik e kulturor: “Të mos ndryshojmë gjë prej gjëje: vetëm të krejmë krerë fetarë me ndërgjegje. Kjo është më e mira udhë për të prurë bashkimin, se programi i ndryshimeve të rea në fetë do të jetë prishja jonë e përgjithshme.”

Në tekstet që të zgjojnë interesim mjaft të madh nga ky libër do të veçoja edhe portretet filologjike të disa autorëve të cilët me punën e tyre e kanë zgjeruar spektrin e vlerësimit personal, por edhe spektrin e vlerësimit të botës letrare në përgjithësi puna e vëllimshme e të cilëve duhet vlerësuar pa dyshim. Mbase ndër tekstet më impresionuese të gjithë këtij vëllimi është portreti filologjik, por jo vetëm filologjik, por edhe diplomatik i Fotaq Andreas, një njeri që ka marrë përsipër të shpalosë botën frankofone para lexuesit shqiptar, të zbulojë dhe marrëdhëniet e kësaj bote me botën shqiptare. Profesor Gjika e trajton këtë figurë te letrave në disa dimensione, si përkthyes, si diplomat i shtetit shqiptar, si eseist dhe antologjist, si studiues arkivash dhe si një nga Konicologët më të përkushtuar dhe të dalluar. Ka lindur kështu bërthama e një studimi biografik të ardhshem për përkthyesin, studiuesin, antologjistin, hulumtuesin e politikanin Fotaq Andrea. Të tjera vepra të ngjashme, bërthama monografish të ardhshme, janë dhe esetë kushtuar historianit Ilia Karanxha, analistit Eugjen Merlika, poetit e piktorit të bugjeve Lek Pervizit botues i revistës “Kuq e Zi”, komunistit të zhgënjyer Thanas I. Qeleshi, ish-ballistit Sejfi Protopapa, etj.

I. Karanxha ndriçohet si studiues i humanistëve shqiptarë dhe njëheresh pararojës së Rilindjes Shqiptare, si Beçikemi alias Barleti, Tomeu, Vitali, apo Dora D’Istria. Portrete me penelata të gjera, portrete shumë ekspresive janë edhe ato kushtuar Lek Previzit dhe Eugjen Merlikës që shpalosin një botë intelektuale e cila njihet pak prej lexuesit shqiptar. E zhvilluar kryesisht në mërgim ajo njihet pjesërisht dhe shkakton befasi tek lexuesi, shkakton kërshëri dhe zgjon interesin për të zbuluar më shumë për krijimtarinë e këtyre autorëve të mbetur në hije. Shumë impresionues është edhe portreti filologjik i përkthyesit të “Biblës” Vladimir Dervishi. Një vazhdues i denjë i traditës së Shën Jeronimit të Ilirisë, Gjon Buzukut, Vangjel Meksit dhe Grigor Gjirokastritit, si dhe i traditës jashtzakonisht pikante të Kostandin Kristoforidhit.

Përmes portreteve humane autori analizon fenomene shqiptare të botës së djeshme komuniste dhe botës së sotme tranzicionale dhe kaotike, ku me guxim intelektual ofron zgjidhje ose ide për zgjidhje për të rivendosur hierarkinë e vlerave të munguara qofshin intelektuale, politike apo letrare.

Një vlerë që i jep ngrohtësi librit janë edhe kujtimet për njerëz të njohur të botës shkencore shqiptare. Veçojmë kujtimet për Profesorin e nderuar Eqrem Çabej apo intelektualë të jerm nga Kosova, si Rexhep Qosja, Agim Vinca, Engjëll Sedaj e të tjerë.

Lashë pa përmendur edhe shumë analiza të tjera, kontribute intelektuale, letra të hapura, mendime analitike siç mund të jenë ato politologjike që kanë të bëjnë me botën gjermane dhe nevojën për zhvillim të vendit tonë në po atë shembull e të tjera, apo refleksionet që autori bën, nisur nga disa fakte jetësore, për ata që në kohën e diktaturës ndëshkuan të tjerët dhe nuk e ndjenë e as e ndjejnë si nevojë të ripërtëritjes së shpirtit të tyre, po as si detyrë humane që të kërkojnë falje e të bëjnë një ndjesë publike mbi të shkuarën e tyre të errët. Lashë edhe ndonjë autor pa përmendur sepse trajtimet në këtë libër voluminoz, ku ngërthehet lëndë e tre librave bashkë, janë të shumta. Por do të doja të falënderoja autorin më së shumti për punën e kujdesshme filologjike dhe analizat e mirëfillta që i përkasin botës së letërsisë. Më kujton ndonjëherë ky libër një punë analitike të Mitrush Kutelit të quajtur “Viti letrar 1943”. I keqkuptuar së shumti nuk ju dha asnjëherë vlerësimi si një përpjekje për ta institucionalizuar punën e kritikës letrare, për ta bërë atë një instrument shkencor. Ky libër më zgjon idenë që autori kërkon të ndjekë këtë vazhdë. Si profesionist, si intelektual me një ide të madhe në mes që është padyshim në kërkim të një humanizmi të ri për rigjenerimin e mendësisë së popullit tonë.”

Më tej iu dha fjala pedagogut tjetër të letërsisë të Universitetit “Fan Noli”, poetit e prozatorit Dr. Eris Rusi, i cili midis tjerash tha: “Libri i ri i Prof. Dr. Thanas L. Gjika “Mosdënimi i krimit është krim i ri”, as me titullin e as me përmbajtjen e vet nuk tregon një dorëheqje, një lënie pas dore të autorit në ujdhesën e nostalgjisë dhe të kujtimeve prej së largu, por dëshmon një vitalitet që shtyhet drejt së vërtetës, ashtu siç e njeh dhe e përkufizon jeta e njeriut. Nga ana tjetër, ne nuk kemi të bëjmë me një dëshmitar të çfarëdoshëm që zgjohet papritur e dëshiron të lerë një shenjë të vetën në hapësirën e botimeve shqip. Përkundrazi, respekti për prof. Thanas Gjikën, vjen nga puna e përkushtuar në vite në fushën e studimeve shkencore, në atë të studimeve albanologjike. Ai është autor i mëse shtatë librave studimore me më shumë se 2.500 faqe, si dhe i një morie artikujsh e kumtesash, ndaj vëmendja që tregova në leximin e tekstit ishte e një lloji tjetër.

Në parantezë, duhet të them që është e vërtetë që ka pasur dhe vijon të ketë një numër të madh njerëzish që kanë emigruar nga Shqipëria, e që zgjohen një ditë me dëshirën për të botuar libra në shqip, kujtime, memuare, histori të jetës si e patën ndjerë dikur. Në mesin e tyre ka mjaft autodidaktë të letërsisë, por edhe grafomanë, apo nga ata që nuk kanë patur synim tjetër veç për të lënë emrin mbi një kopertinë të lusturar letre. Ky është një realitet që na përket, por nuk mund të bëjmë dot me faj këtë kategori, ndoshta sepse Shqipërinë e lë, por ajo nuk të braktis, të mbetet përsipër si një identitet, si gjurmët, rrudhat, apo pamjet më të thella të shpirtit, të cilave u përket përgjithmonë. Prandaj botime serioze si të profesor Gjikës, janë një ndihmesë për të identifikuar brenda kësaj kategorie, përmes një analize kritike të mirëfilltë, autorët që vërtet i japin temp dhe gjallëri fushës së letrave shqipe.

Nëse qëndrojmë në strukturën e tekstit, e shohim atë të përbërë nga artikuj, ese, biseda, kujtime, etj. Të gjithë këto elemente janë të lidhur nga një filozofi ku përballet e djeshmja, Shqipëria nën regjimin e diktaturës, censura, tentativat për t’iu shmangur asaj, qasjet për të marrë ndoshta edhe hiret dhe ledhat e regjimit, me kohën e sotme, ku megjithë rënien e sistemit, ne vijojmë të jemi dëshmitarë të një kaosi, të një shembjeje të madhe, sidomos shpirtërore, ndërmjet shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit. Filozofia që bashkon këtë mozaik teksti, i afrohet nevojës për t’u përballur me të vërtetën, për t’i quajtur gjërat me emrin e tyre e për t’i treguar vetes dhe botës, që rimëkëmbje s’mund të ketë, pa pranuar fajet e djeshme, e pa vënë në vend padrejtësitë e bëra në të kaluarën komuniste dhe gjatë tranzicionit.

Thënë kështu, ngjason problematike mundësia që përmes këtij libri, të luhaten qëndrimet e shtrembra, mendësitë që kanë zënë rrënjë tashmë në filozofinë e jetës të shqiptarëve brenda vendit. Së jashtmi ngjasojmë si një komb i mësuar me të keqen, që ka krijuar mitin se e keqja nuk ka ç’të na bëjë më tepër, por ky dorëzim është veç një stepje e intelektit, që s’merr guximin të përballet e të sfidojë rendin e gjërave, në emër të së mirës, të së drejtës dhe të vërtetës. Autori, e nis tekstin me emrin e një shkrimtari që ka shkuar në ferr, e njeh arkitekturën e së keqes, por njeh dhe fatalitetin e jetës së të mirit, Visar Zhitin.

Ferri i krimit dhe ata që e kundërshtuan”, është punimi që nis këtë vepër, ku krah autorit Zhiti, vijnë me radhë dhe emra njerëzish të tjerë të mëdhenj, në jetën dhe në krijimtarinë e atyre, që u përballën me të keqen dhe e sfiduan atë. Autori përmend At Zef Pëllumbin, Sami Repishtin, Astrit Delvinën, Jorgo Bllacin, Zyhdi Moravën, Mërgim Korçën, Musine Kokalarin etj.

Këtu elementi kohë që ndan në dy pjesë ngjarjet, nuk është i nevojshëm. Nuk kemi të djeshmen dhe të sotmen, sikundër dhe ndarja në fushën e letërsisë s’mund të bëhet veçse në autorë të mirë dhe vepra që vlejnë, e në autorë pa vlerë e vepra pa ngarkesë letrare. Megjithatë nuk harrohet sistemi. Komunizmi vret elitën, keqtrajton mesatarët dhe ngre lart inferiorët. Në vlerësimin për veprën e Sami Rrepishtit, të jepet përshtypja e diçkaje të thellë që fshihet në mesazhin e fjalëve më lart. Nuk kemi vetëm etiketimin e të keqes, por kemi rrënjëzimin e saj, ngritjen në një sistem, brenda natyrës së shqiptarit, pasojat e të cilës vijojmë t’i vuajmë edhe sot.

Krejt vepra, në fakt, mund të konsiderohet si një lloj pasqyre ku ne nuk shohim të reflektuar veten tonë, por shtrembërimin e pamjes, si pasojë e helmit 47-vjeçar komunist. Krimet, ndëshkimet, syrgjynosjet, marritë e një bote që kishte në shërbim njerëz të betuar të sistemit, që kishin humbur njerëzoren brenda tyre. Por autori, na tregon që nuk bëhet fjalë vetëm për një dokumentim të së djeshmes. Nga leximi i librit, nuk ka si të mos kalojë vëmendja tek një krahasim i ditëve të sotme. Në mënyrën si unë, apo një pjesë e mirë e njerëzve sot jetojnë dhe e shohin botën, s’ka se si të shpëtojë fakti që një pjesë e madhe e shqiptarëve në këtë vend, janë shndërruar në zhurmë, jeta e tyre ngjan si një përqeshje, e mbushur me mllef, me inat, gjërat e vogla të përditshme gjallojnë në mëri, dhe qytetarëve tanë u është ngushtuar zemra.

Libri i profesor Gjikës, është jo vetëm një dokumentim i kësaj fryme, por edhe një interpretim historik i ngjarjeve që e kanë çuar Shqipërinë të jetë një vatër ku shumëkush kërkon të largohet, i pabindur në mundësinë që gjërat do të ndryshojnë si duhet. Dikush mund ta quajë si një lexim pesimist këtë interpretim të veprës, por më duhet ta kundërshtoj, duke thënë se e mira del në trajtimin që autori i bën sidomos kujtimeve të njerëzve që iu kundërvunë të keqes, që mbijetesën fizike e plotësonin me atë ngritje shpirtërore, që i bënte të donin më tepër të ngjashmit në fat me ta, të përbuzurit, të prozvalurit e regjimit; e mira gjendet te kujtimet për nënën, për vëllain, për atin, tek familja ku ndriçon flaka e shenjtë e Perëndisë, që nuk mund të fiket dot nga asnjë kollë e helmatisur pushteti. Në këtë mes, nuk mungojnë vlerësime, analiza dhe ide, në kërkim të një rishikimi të historisë, për t’i bërë më njerëzore, të pranueshme e më afër të vërtetës, të anatemuarit e dikurshëm nga regjimi komunist.

Sepse tek e fundit bëhet fjalë për krime që i kanë ndodhur këtij vendi dhe njerëzve të tij. Duke mos u ndëshkuar këto krime, e harresa është mënyra më e mirë për t’i shpëtuar ndëshkimit, e pranoj dhe unë që jemi duke kryer një krim të ri, më të tmerrshëm se i pari, i përlyer në mospërfilljen e madhe që na zhvesh, si fajtorë që jemi, nga njerëzorja dhe e mira.

Me shumë interes janë dhe kujtimet e autorit për profesorët Eqrem Çabej, Rexhep Qosja, Engjel Sedaj, Sadri Fetiu, Agim Vinca, etj, ku ai jep shembuj studiuesish që duhen ndjekur si punëtorë të përkushtuar e atdhetarë të mëdhenj. Këto kujtime dhe ato për babain e vet, dëshmojnë se ky autor ka se çfarë të tregojë dhe di si t'i tregojë.

Le të mendojmë pak, sikur jeta e njeriut t’i ngjasonte një pylli e drurët të ishin vitet e moshës. Në fund, trungjet e prerë e të thatë, djerrina e ngritur e toka e shterpëzuar, sa të trishtuar e me keqardhje do ta bënte të dukej krejt ekzistencën.

Të tillë do të bëhemi ne, djerrina të zhveshura, pa gjelbërim, pa hije të larta, pa gurgullimën e jetës si burim i freskët uji që na kalon pranë, tokë e zhveshur, djerrë, e tharë, nëse nuk bëjmë ndryshimin që na kërkohet. Të kujtojmë, ta njohim të keqen e dikurshme, e rimëkëmbjen ta kërkojmë për më të mirët, për më të vuajturit, për intelektualët e syrgjynosur dikur, si shpagim.”

* * *

U kalua pastaj në promovimin e veprës “Shën Pali punoi dhe në brigjet e Adriatikut”, vepër e cila është vlerësuar dhe prej studiuesish amerikanë si Dr. Norman Wendth, prof. R. Dean Davis, akademikut Jorgo Bulo, etj. Peshkopi Joan Pelushi, Metropolit i Korçës, në pamundësi që të vinte vetë kishte dërguar At Spiro Katundin, i cili dha përshtypjet shumë të mira të Mertopolitit për biografinë kushtuar Shën Palit.

Kjo biografi pasuron në mënyrë të ndjeshme jetën dhe veprën e Apostullit Pavël, i cili solli fjalën e Jezu Krishtit, besimin e ri, qytetërimin e ri të krishter në trojet tona, tha At Katundi dhe vijoi, mbas këtij studimi, biografët që do të merren me jetën e këtij shenjtori do t'i referohen këtij studimi si një burim i dorës së parë për veprimtasrinë e tij në trojet ilire.”

Në këtë promovim, kishte ardhur nga Berati mësuesi në pension Çlirim Mukli, një ish-bashkëstudenti i profesor Gjikës në Fakultetin Histori Filologji gjatë viteve 1962-1966. Ai tha se mbasi e kishte lexuar me shumë vëmendje biografinë kushtuar Shën Palit, ishte nxitur të gjente ndonjë gjurmë të kalimit të këtij shenjtori nëpër Berat, mbasi përmendja në këtë vepër e kalimit të tij, nga Durrësi në Backë të Skraparit, në Përmet e pastaj në Butrint, e le të hapur mundësinë e kalimit edhe nëpër Berat, një qytet i lulëzuar në atë kohë, i njohur me merin Antipatrea. Z. Mukli theksoi: “Mitropoliti i Beratit, Anthim Aleksudhi, më 1868, botoi në Korfus “Syntomos istoriki perigrafi tis ieras Mitropolias Belegradhon” (Përshkrim i shkurtër historik i Belegradonit [kupto Beratit]. Ndër të rjera, në faqen 115, ai shkruan: “Në vitin 64 pas Krishtit, Kryemësuesi, i shenjti Pavël dhe shoqëruesit e tij... predikuan çështjen e kishës dhe të Ungjillit të Shenjtë, duke kaluar nga krahinat e Greqisë nëpër të gjithë Ilirinë, pra edhe në Antipatrea”.

Po ashtu në librin “Leksiku i kulturës popullore shqiptare”, botuar nga “Skanderbeg books” 2005, Robert Elsie shkruan për Shën Palin: “. . . E kremtja, bashkë me atë të Shën Pjetrit, i bie më 29 qershor me kalendarin perëndimor dhe më 12 korrik me kalendarin julian ose lindor. Dita e Shën Palit kremtohej në Mirditë, pa dyshim falë

kishës që mban emrin e tij në Blinisht, ku fiset mirditore mblidheshin në kuvend.

Kisha të tjera kushtuar Shën Palit ka pasur në Shupal – domethënë Shën Pal i Tiranës; në

Pult – Shkodër, e vitit 1348; abaci të Shkodrës – Pukë; Peshqesh – Mirditë; Qelzë –

Pukë; dhe Kabash – Pukë.”

Kështu, e mbylli fjalën e tij z. Mukli, mendoj se në të ardhmen kur autori të ketë bërë kërkime të mëtejshme, mund të bëjë një botim të ri të kësaj vepre, ku të saktësojë dhe të përvijojë edhe në hartën e tij vajtjen e Shën Palit në Berat, si dhe në disa fshatra të tjera në Shqipërinë veriore, krahas vendeve që ai ka përmendur.”

Mbas z. Mukli folën edhe disa qytetarë si profesor Ilia Tili, etj. Ky mbasi e përgëzoi autorin e këtyre dy veprave, vuri në dukje disa tipare të ish-gjimnazistit Thanas Gjika, kur e kishte pasur nxënës dhe kishte vënë re se ai shquhej për këmbënguljen për të arritur tek e vërteta, për ndershmërinë dhe dashurinë ndaj shokëve e qytetarëve të ndryshëm.

Në fund u ngrit profesor Gjika, i cili falenderoi rektorin e Universitetit “Fan Noli”, prof. Ali Jasharin për krijimin e kësaj ceremonie të frutshme, e cila për nga niveli shkencor ishte e njëjtë me promovimet që ai kishte bërë në Tiranë për librat e tjerë ”Kur dhe ku u shkrua Dhiata e Re” (2007) dhe “Mihal Grameno jeta dhe vepra” (2012), në prani të kolegëve të Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë dhe Institutit të Historisë. Ai tha se Universiteti “Fan Noli” me pedagogë të përgatitur kaq mirë, si zotërinjtë Naço dhe Rusi, ka një të ardhme pedagogjike e shkencore që do ta kenë zili shumë universitete të vendit. Leximi i librit tim voluminoz dhe përgatitja e recensioneve kaq profesionalë prej këtyre dy kolegëve brenda një kohe prej vetëm 10-11 ditësh, tregon se ky kuadër pedagogjik është shumë më i përgatitur nga ana shkencore se sa isdhim ne në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë në vitet 1970-1996, kur punoja unë atje.

Përgëzime dhe ju faleminderit të gjithëve për pjesëmarrjen dhe dëgjimin e vëmendshëm.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora