Kulturë
Baki Ymeri: Gjumi i fjalëve
E marte, 11.10.2016, 07:38 PM
BAKI YMERI
GJUMI I FJALËVE
(Somnul cuvintelor)
Dremit nën pullazin e çatisë
Së fjalëve
Hija e heshtjes së brengosur
Telefoni i zi
Me të cilin na përgjonin
Kameleonët
E sistemit të stigmatizuar
Dremit në muzeun
E fjalëve pa fjalë
Tani tringëllon celulari
Nga mëngjesi në mbrëmje
Dhe shungullon Shkuma
Që zdirgjet brigjeve të Sharrit
Duke monitorizuar gurët
Duke ua latuar shpinën
Duke i mveshur
Me myshkun e shekujve
Ku janë ata që s’janë
Ku e kam vëllaun
Që ma morri Shkuma
Në gështenjishten e Rrethrekave
Kur mamaja e babai
Prashisnin misrin në pranverë
Çka po ngjet me poezinë
E heshtjes së brengosur
Me vitet që na ikin
E me kohën që vjen e shkon
Si një kusar i pamëshirshëm
Jemi apo s’jemi
Jemi derisa pemët
Lëndinat e bjeshkët
I zbukuron blerimi
Derisa e respektojmë
Njëri-tjetrin
Duke ua shijuar vargjet
E jo vetëm fotografitë
SHTËPIA E FJALËVE
(Casa cuvintelor)
Sa herë që plepat
Dridheshin
E përdridheshin
Për ta parë hijen
E përkundur nga era
Krijohej një këngë
Që e dëbonte vjeshtën
Dhe e sjellte pranverën
Sa herë që poeti
Ngjitej në qiell
Për ta vjedhur hënën
Netët perëndonin
Me qepallat e lodhura
Dhe rendnim së bashku
Lëndinave të lulëzuara
Të fjalëve tona
Të mbështjellura me dritë
Sa herë që e dëgjonim
Dervish Shaqën
Agim Gashin e Qerim Sulën
Shungullonin gurrat e Dardanisë
Dhe flatronin fjalët tona
Majave të Arbërisë
Që e ëndërron kaherë
Bashkimin e Madh Kombëtar
Dashuria vjen e shkon
Zogjtë fluturojnë
Mbi supet tona
Kurse shtëpia e fjalëve
Që shkon duke u shembur
Na pret
Me ikonat e dashurisë
Në muret e përjetësisë
DITARI I DASHURISË
(Jurnaul iubirii)
Bën mirë herë pas here
T’i shënosh kujtimet
Në një ditar
Të kujtimeve të ëmbla...
Janë shumë ato
Që më kanë braktisur
Dhe i kam braktisur...
Më kanë braktisur
Fjalët e papërshtatshme
Që i kam braktisur
Së bashku me dashnoret
Materialiste...
PËR TË QESHUR E PËR TË QARË
(Râsul ?i plânsul)
Puthja është Fryma e Zotit
Zoti mbretërom
Në trurin tonë...
Si mund të puthet
Atdheu me mëmëdheun...
Burrat e Dibrës kanë lidhë Besën
O për vatan nuk tuten të vdesën
Qielli e dheu krijojnë
Një harmoni perfekte
Një çift të përshtatshëm
Dhe një zemër të rrumbullaktë
Me gjak të bekuar
Siç e krijon Kosova me Shqipërinë
Për një bashkim të përjetshëm...
Dikurë ishim bashkë...
Jetonim në një lidhje të bukur
Pa kufinj e me një flamur
Të përqafuar dit’e natë
Duke nderuar gjuhën
Atdheun dhe kombin...
Kurse tani
Secili shikon interesin e vet
Kur majmuni tenton
Të na bëhet mbret
Kurse pasaniku
Si pasojë e kopracisë
Bie nga fiku...
Të na rrojë Faiku i Konicës
Dhe plaku i Shipkovicës!
Jemi apo s’jemi, kemi apo s’kemi
Ku janë Gjergji, Ademi e trimi!
Ene ksaj Dibrës ja lam nji nanë
Bini mor trëjma bini...
VATRA E FJALËVE
(Vatra cuvintelor)
E shkuara nuk vdes kurrë
Ajo qëndron e shtrirë
Mbi të tanishmen kaotike
Kur pasanikut
Nuk i han palla për kopalla
Kur skamnori nuk ka lekë
As për bukë...
Kuajt e Ballkanit krijojnë
Festivale interesash meskine
Shtëpia ime e braktisur
Shkon duke u shembur
Së bashku me shëndetin tim
Mos u dorëzo more trim
Më thot një gocë korçare
E mërguar
Në vatrën e fjalëve...
Metaforat e manave
Shiten në tregun e Tetovës
Kurse lulet a mamasë sime
Buzëqeshin nën dritare
QIELLI I FJALËVE
(Cerul cuvintelor)
Ke apo s’ke mëkate
Më pyeti engjëlli
Gjatë rrugës
Për në Rrethreka
Para se të zdirgjem
Kodrave të Gradishit
Kam e s’kam
Dhe s’kam e kam
Do mëkate të ëmbla
Të pleqërisë
Dhe pak mëkate
Sentimentale
E ideologjike
Të rinisë...
Pse e braktise
Dashnoren e parë
Që digjej pas teje
Si një voglushe e marrë
Vazhdoi engjëlli
Të më anketojë
Dhe shkallët e qiellit
M’i dhuroi
Të ngjitem atje lart
Ku vetëm të zgjedhurit
E Zotit kanë fat
Të takohen me galaksitë
Dhe ta vështrojnë nga lart
Shqipërinë totale
Pa mëkatarë
Dhe degjenerime banale
SHPIRTI I FJALËVE
(Sufletul cuvintelor)
Poet është mbret
Në Atdheun e vet
Mund ta ketë thënë
Edhe dikush tjetër
Këtë vetëlavdërim
Për shpirtin tënd
E shpirtin tim
Që i tejkalon kufinjtë
E mbretërisë së fjalëve
Poezia ka nevojë
Për një imagjinatë
Të fuqishme
Për një strukturë vargjesh
Pa shenja pikësimi
Pse
Sepse shpirti nuk ka nevojë
Për bariera
SHTRATI I FJALËVE
(Patul cuvintelor)
U takova rrugës me një fjalë
Ma zu rrugën një fjalë
Me origjinë stelare*
Nga po vjen më pyeti
Sapo zbrita nga plepi
I thashë
Duke e ngatërruar
Plepin me shtratin
Një krahasim që nuk shkon
Sepse plepi është për zogj
Ndërsa shtrati –
Vatra e përtacisë
Për fjalët e dehura me dritë...
Si të duket kjo vjershë moj mike
Që do më dekorosh me një Like
___
*stelare-yjore
BUKUROSHET E BUKURESHTIT
(Frumoasele Bucure?tilor)
Shtati i saj përkulet si një hark i shenjtë
Gjinjtë e saj lëkunden si dallgë deti
Para hijeshisë së saj mbetesh pa fjalë
Majmëri e brishtë dhe bukuri magjike
I këndon trupi nga bukuria
I dridhen gjinjtë nga majmëria
Dhe brishtësia e ëmbëlsia...
Turp të të vijë më thot një mik
Që e ka mëndjen në Azi e Afrikë
Dhe vazhdon më tej:
Mos u lavdëro në pleqëri
Me bukuroshet që të deshën në rini
Eja atje ku ke lindur
Të dëshmosh se je patriot
E jo diot!
Idiot është ai që nuk e do femrën
I them
Sepse shqiptari digjet për atdhe
Për familje e flamurë
E jo për adetet e sulltanit
Që ia shembi tabanin kombëtar
Ballkanit...
Bukuroshet e Bukureshtit
Dhe zanat e Dardanisë
Janë ato që ju bëjnë burra
Me këngën e Qerim Sulës:
Këndojnë pushkët nëpër kulla
O bini trimat e mejdanit
Hiqni sumbllat e xhamadanit
Me top flake t’ia shuajmë topit
Jemi gjaku i Kastriotit...
Ooooo, gjëmojnë shekujt
Ku asht drita e ku asht forca
Vjen nji za nga palca e trollit
Po vikasin heronjt ve kombit...
Kaq sa për sonte
Pak e për merak
Sepse penda e poetit është bajrak
Dhe flamur që shëndrit si nurë
Për Shqipërinë e Bashkuar
Siç e ëndërronin
Rilindësit tanë dikurë...
JETA KOSOVARE
(Via?a kosovar?)
Ajo është shndërruar
Në një qendër botërore
Për stërvitjen e minjve të botës!
Vaj halli për këta të lindjes,
As që i preokupon historia,
Lashtësia, solidariteti e afërsia.
Jo për jetën e kemi fjalën,
Por për Kosovën tonë
Që lëngon nga varfëria...
Fati i botës varet nga Kosova.
Jeta është një jehonë
Që kalon nëpër tunelin e kohës.
Koha është një kusar
Që rend drejt ardhmërisë,
Duke i fshehur shekujt e shenjtë.
Ku e dinë këta ç'janë besa e shpresa,
Ardhmëria dhe dashuria...
Rinia rend pas luksit,
Ndërsa Kosova gjallëron me bukë,
Krypë, dashuri e dhallë,
Dhe me hijen e fjalëve pa fjalë.
Po ku jeni more njerëzit e mi të mirë!
A po i dëgjoni fjalët se si ngjiten në fjali?
Ku janë ata që s'janë?
Si ta përfitoni atë që e doni,
Dhe ta doni atë që e keni?
Si ta përfitojmë dashurinë e Zotit,
Me një zemër të re?
Si të vi te ti, me zjarrin e zemrës në gji,
Nga e cila shpërthen vrrulli i dashurisë,
Me zjarrin e fshehur në fjalë?
Hija e fjalëve pa hije,
Fshihet e mbështjellë me lëng rrushi,
Në një shpat Shqipërie...
Jeta dhe Kosova janë bërë
Një mishmash leshi me kash-e-lashë.
Mercenarë hijerëndë lokalesh të lehta,
Shërbime të fshehta
Dhe shkulje fondesh të shkreta
Për mbrojtjen
E këpurdhave të pandëshkuara.
Njëra palë shikon nga lindja,
E tjera nga perëndimi,
Njëra nga veriu,
E tjetra nga jugu,
Por të paktë janë ata
Që shikojnë nga zemra.
Këtu vepron nata e zotërimit tim,
Shëndeti i shpirtit,
Ura e Shëndetit,
Zëri i Zotit,
Dhe zemra e dheut.
E këtillë është jeta
Në zemër të Dardanisë:
Dje e la rakinë,
Sot e la duhanin,
Nesër do ta lërë kafenë,
Për ta ripërifituar shëndetin e rinisë,
Në prak të pleqërisë...
A plaket shqiptari, mor vëlla!
MAJMUNI ME KRAVATË
(Maimu?a cu cravat?)
Aq e çuditshme është kjo jetë
Saqë një ditë mund të zhgënjehesh
Edhe nga njeriu
Që e ke dashur më shumë
Se vetëveten...
Aq shumë e donin gjermanët Hitlerin
Dhe shqiptarët Enverin
Saqë më në fund e panë e u bindën
Se ata nuk ishin njerëz
Por patriotë dhe idiotë...
Kështu mund të thonë
Edhe për ne një ditë
Ata që e frenojnë ardhmërinë
Duke u marrë me të shkuarën.
Thonë se burrat
S'i durojnë dot gratë e mençura.
Politikanët e lodhur
Nuk kanë gjë të përbashkët
Me diturinë dhe mençurinë.
Nga vjen rikthimi nga mërgimi
Dhe lodhja e çlodhur...
Uria, urithi dhe varfëria
Shkurti i shqetsuar me hidhërime
Përgjime, montime, dëshprime
Por jo edhe me panikë...
Varfëria e veshur në të zeza
Vjen si një korb i zi në mesnatë.
Lakmia e majmunit me kravatë
Për të vajtur nga gjoksi në gjoks
Shëmbëllen
Me një shtrigë të pangopshme.
Për çushtet dhe para...
E këtillë duket poezia pa metaforë
Jeta për ata që s'punojnë
Dhe i këtillë duket
Mjerimi i majmunit me kravatë
Që i turpëron shqiptarët në botë.
Dy shtriga të liga:
Shija për pushtet
Dhe etja për t’u bërë mbret
Duke bashkëvepruar
Me shkijet e Shkupit...
Kryeqendra botërore e frymëzimit
Shqiptari i mbrojtur nga engjëjt
Dhe ishulli i gjarpërinjve...
Majmuni i pispillosur me kravatë
Që ia bëri sherrin Kumanovës
Pyet ku i kemi gratë?
GJOKSI I SHARRIT
(Pieptul Sharului)
Shqiptari ka shtatë zemra
Gjashtë ia ka dhuruar Zoti
Dhe një gruaja e baroti
Gruaja për dritën e dashurisë
Baroti për mbrojtjen e kufirit
Dhe pragun e shtëpisë...
Këtë e di çdokush prej nesh
Me zjarrin e jetës e artin e durimit
Mund të notosh mes reshë
Si një heshtje e harlisur n’mesditë
Kur drita shndërrohet në fjalë
Dhe fjala në dritë
Nga e huazon këtë forcë magjike
Për afirmimin e Shqipërisë etnike
Më pyet nga kurreshtja një vajzë
Kur Bubullima e Bukureshtit
I pregadit valixhet për në Parajsë
Këtë forcë që fshihet
Në botën time të zjarrtë
Ma kanë dhuruar yjet
Zemra e zanave të malit
Dhe pluhuri i dritës
Që i mbështjell letrat e Ritës
Fjalët e saj asokohe ishin dhunti
Për lumturimin e zemrës sime
Po ku je moj zanë e dashur
A je ende ajo që ishe moj trime
Porosia e dardanëve na thërret
Të digjemi për atdhe e kulturë
Kush tha se s’jemi ata që ishim
Se ia kemi kthyer shpinën vatanit
Se ia kemi vjedhur nuset sulltanit
Se i kemi harruar heronjtë
Dhe se në vend të Gjergjit
I përkulemi përtacisë e begut
Se në varfëri e kemi popullin
Si degët e përkulura të shelgut
Muzat shqiptare të joshin
Me mjaltën e qiejve të fjalës
Ku janë ata që s’janë:
Prindërit e mi dhe rilindësit tanë
Në gjoksin e Sharrit fshihen perënditë
Ku ngrihet flamuri shqiptar
Deri në hanë...
NË RRETHREKA
(În Rrethreka)
Manat piqen para kohe
Vashat grebulisin barin
Valët e Shkumës
Shungullojnë pa tërbim
Rrushi bie i zalisur
Kurse unë
Vallëzoj me përjetësinë
Duke ëndërruar një botë
Të përmbushjes së plotë
Ku nuk ka dhimbje
Shqetsime, pleqëri
E vdekje
Por vetëm dashuri
Lumturi, ëndërrime dhe
Përjetimi i një jete
Pa vdekje...
Vendlindja ime
Është vend kryetrimash
Me gjakun e bekuar
Të Skënderbeut
Të pavdekshëm
MEDITIME
(Medita?ii)
Shqiptarët fukarallëkun ta falin,
Por maskarrallëkun jo!
Poezia është një formë e fantazisë,
Njësoj si këngët e odave tona
Ku poezia gërshetohet me trimëri:
Kadal hasëm se këtu ka burra,
Na knojn pushkët nëpër kulla.
Gjith shqiptarët kudo janë,
Nuk kan tjetër veç nji nanë.
Qielli e toka bajn çudi.
Çka bojn shqipet për Liri!