Kulturë
Përparim Hysi: Kohë Pleqërie
E marte, 11.10.2016, 05:17 PM
Kohë Pleqërie
(cikël me poezi)
Nga Përparim Hysi
1. Mikja ime!
Ti je si një dremitje e ëmbël
Që e zbutë dhimbjen time
Dhe ç'them, mos kujto se është ëndërr
Por e vërtetë e prekshme, o mikja ime!
Je si ballsam mbi timen plagë
Dhe plaga zë e më dhëmb më pak
E shoh dhe e ndjej se jam plak
Dhe sahanët i kam pa kapakë.
2.Në shetitje
Për çdo natë dal shetitje
(Këtë punë e bëj për natë)
Porse hasa në "flladitje"
Që ma mbushi shpirtin fllad.
Fllad ma mbushi dhe më dehu
Sikur ja: piva opium!
Si një lule dalë nga dheu
Qe e gjitha si llokum!
Faqa e saj vetëtinte
Pale syri? Sy me bisht!!!
Ah, ç'më bëre, moj shetitje
Më kthen kohën djalërisht...
Dhe më foli (më shtie çikë)
Seç më tha ( eh, sa rëndësi!)
Po flas hapur dhe açik:
- Të marrtë dreqi, pleqëri!
3. Ç'faj të pata bërë?
Ç'faj të pata bërë, o moj mikja ime?
Që nuk m'i ndanë të tuajat shikime?
Unë di të "këndoj" kur m'i ngul sytë
Se jam plak, moj, dhe marr vesh nga"magjitë"
Pastaj veç syve, fët e fët me vetull
Unë vërtet jam plak, por ende s'kam vdekur
Që thuaj, moj "shikime", mos më kthe prapa
Se ta dish, moj mike, me gushtin shkoi vapa.
4. Më thotë dikush
Nga larg, në telefon, më thotë dikush:
- Heu, po zëri po të vjen si pushkë!
Unë këtë thënie e marr si këndellje
Se jam plakur e thinjur si dele.
Qesh, pak me veten, tek shkruaj
(Të më shoh "dikushja" se si ngjaj?!!!)
Nëse zëri atje shkon si pushkë,
Ballas me të, do shoh një "truk".
Se mosha ka vënë domenin
Dhe kjo gjë ma shton pezmin
Si kone më leh nga pas pleqëria
Dhe unë si gjithë njerëzia.
5."Çastmjalti?!"
Trup yt? I drejtë- kavak! Dhe fytyra e bardhë, borë!
Unë po futem në merak, sa dhe frymë marr me zor.
Syri i madh, i mbushur qiell; gati mua më përpin
Dhe ma ngul atë turrielë,sa dhe zemrën ma bën vrimë!!!
Ma bën vrimë dhe zu më dhëmb, se s'duroj, se jam dhe plak
Atë sy ma ktheve gjëmb që më shpon pak nga pak
Zë e nxehem si dikur, kur të merrja gjak në vetull
Se m'u duk, o moj, sikur... sikur ende të mos kem vdekur.
Ca meraku, ca "inati", hidhem drejt e në luftim
E kujtoj atë "çastmajlti"... këto vargje si kujtim.