E merkure, 19.06.2024, 04:56 PM (GMT+1)

Kulturë

Vladimir Muça: Laitmotivi i mbijetesës në një roman

E merkure, 01.06.2016, 07:12 PM


Laitmotivi i mbijetesës në një roman bashkëkohor

( Vëzhgime letrare mbi romanin "Gruaja e Shiut" të Mjeshtrit të Madh Bashkim Hoxha)

"Artisti duhet të jetë në veprën

e vet si zoti i padukshëm në

gjithësi"

Gustav Flobert.

1-Dimensionet krijuese

"Gruaja e Shiut" me një supermetaforë, që në ballinë të librit, vjen në letrat shqipe si një shprehi intelektuale, mendimore e një shkrimtari, që në një grup target shkrimtarësh, po bëjnë revolucionin shkrimor në letrat shqipe. Nga lexuesi e sipas mendimit tim, në shoqërinë shqiptare, poliedriteti i autorit Bashkim Hoxha evidentohet në katër aspekte në fushën e kulturologjisë:

A- Në konceptin e inovacionit romanesk, ngritjen e kapriatave të reja, nën dritën e dukurive moderne, përftuar nga estetikat më të pranueshme botërore, në bio-diversitetin shqiptar.

B-Vlerësimet e bëra nga organizma e instutucione kombëtare dhe ndërkombëtare, mediat elektronike, intelektualë dhe kritikë e krijues me zë e kontribute.

C-Veprimtaria produktive si skenarist i shumë dimensioneve, dramaturg i dukurive te natyralizmit modern i ekzistencializmit  dhe elementave absurd në dramaturgjinë e sotme shqiptare.

D-Sado që nga shumë kush mund të duket jo shumë efiçente dhe jo shumë e veçantë: aktiviteti i tij publiçistik në median e shkruar dhe elektronike, komunikimi me lexuesin dhe personazhet e tij hallexhinj, çdo mëngjes në "Koha për t'u zgjuar".

Këta "distributorë letrarë" do i quaja unë, si aspekte të marëdhënieve krijues-lexues, kanë lënë gjurmë në çdo krijim, kanë marrë " statusin" e atij guri këndor, të një muri mbrojtës, në të gjithë gamën e produkteve krijuese. Sidomos tek "Gruaja e Shiut" këto impute artistike kanë krijuar e kanë lënë paradigmat e një jete, mes absurdit dhe substancës të re të shumë-ëndërruar nga secili prej nesh, e cila nëpërmjet shpirtit protestues rend drejt një prosperiteti.

Këto aspekte, gjurmëtare në shkencën e letrave, definon Mjeshtri i Madh Bashkim Hoxha, në kulturën shqiptare janë shumë të pranishëm nëpërmjet veprave të tij. Interesimi nga ana e lexuesit dhe studiuesve, nga viti në vit, ka shënuar rritje, fill mbas rënies të regjimit totalitar.

Veprat e shkrimtarit Hoxha, në komunikimin me lexuesin kanë njohur ngritje, kapjen e një furkëze më të gjërë me lexuesin, në mënyrë të drejtëpërdrejtë, me gjuhën e skenës, publiçistikës, artit poliedrik, dramës.

Çdo kritik, studiues, lexues, do e ketë të lehtë të përftojë sa më shumë mesazh, ide, ndjenjë nga romani "Gruaja e Shiut" po të ketë në mendje këtë sentencë të Harold Bloom-it:"Vlerat në letërsi sikur në jetë, më të shumti ka të bëjë me të veçantën fshehatare, atë që kalon cakun e të zakonshmes, të tepërtën, prej të cilës merr jetë kuptimi." ( Harold Bloom " Përse të lexojmë?” Mehr  Licht, nr 36, 2009 )

Sigurisht, që popullarizimi si shkrimtar, dramaturg, publiçist, intelektual, e ka shndruar autorin e romanit në faktor, ndikues në rrjedhën e kulturës shqiptare.

Mbasi botova një shumi artikujsh refleksionesh, vëzhgimesh dhe eseshë dhe librin "Kaleidoskop" ku parashtroj disa mendime e koncepte të mia në këtë tranzicion letrar, kur mora në dorë romanin " Gruaja e Shiut" mbi bllokun e shënimeve m'u transkriptua një thënie e Floberit:" Tani me dorën time të djegur, kam të drejtën për të shkruar mbi natyrën e zjarrit."

2-Struktura e re dhe inovacioni i një romani

Futja e elementëve modernë në romanin shqiptar, si gjithë zhvillimet letrare nëbotë, kushtëzohet dhe nga struktura të reja stilistiko- estetike.

Bashkësia dhe integrimi strukturor i elementëve biografikë, tregimtarë, fabulistikë, publiçistikë dhe historikë, sipas vëzhgimeve të mia, vijnë me dukuri moderne në romanin "Gruaja e Shiut".

Në fshehtësinë alegorike, autori e stigmatizon në mënyrë përmbledhëse, me anatemën e dramës " Retushimi", të personazhit Arsen K. i cili definon:" Bëhet një gjyq ku fotografi kupton se nuk është fjala për një vajzë të shëmtuar, por një botë e tëra është keq dhe kërkon retush."

Duhet retushuar e gjithë estetika, stilistika krijuese e diktuar nga soc-dogmatizmi sureal.

Ky roman me një strukturë më të gjerë, në krijimtarinë shumëplanëshe të Mjeshtrit të Madh, ka hapur karrexhatat e reja, ka ndezur atë që në një produkt letrar të shfaqë jo vetëm disa fragmente të realiteteve tona, por edhe tabllo me komplekset e jetës ekonomike, shoqërore e politike.

Në këto kontekse i shoh unë edhe inovacionet e këtij romani, në pasqyrimin mozaik të jetës, ku çdo lexues, shtresë shoqërore, gjen copëza nga jeta e vet, duke u kavardisur në mendimtarinë e vet.

Por, një sipërmarrje e tillë, ka dhe vështirësitë në realizimin e një sprove, në kreativitetin e një krijuesi. Kam bindjen se Bashkim Hoxha, duke ngulmuar me shprehje të kondesuara, sentenca, fjalëurta, shprehi publiçistike të letrarizuara, kronika thelbësore, elemente dramatikë me dialogje në dramaticitete konfliktesh, si dhe situata që ndezin thëngjijtë e sharmit narrativ, e fut lexuesin në fiksion sepse siç i shprehet Keldi Ardës, në kapërcimin e dyzimit frojdian nëpërmjet dialogut:

" - Nuk e di, por shpesh herë, po më mbushet mendja se jetojmë dy botë paralele. Një botë të brendëshme, që është vetëm jona, i vemë rregullat vetë, klasifikojmë vetë gjithçka, dhe një botë tjetër e jashtme, ajo që na servir fati."

Në këto ndërthurje romaneske, sipas mendimit tim, jo se shkruaj ndonjë poezi, por në bindjen time estetike, një rrol të rëndësishëm, një element që i jep larushi rrëfimit, dhe që ndërlidh dhe emocionet e leximit, i jep muzikalitet, konçentron mesazhet, idetë, trillet e pasazhet poetike, nga kapitulli në kapitull, si ajo qershia mbi tortë, është fryma poetike.

Në kuadrin e stlizimit dhe të estetikës, trajtimi poetik duhet parë gjithmonë siç e ka trajtuar romancieri Bashkim Hoxha: si një element, si një trajtë e huazuar nga një gjini tjetër letrare, si një garniturë zbukuruese që të josh me " shijen " e leximit, e që i  jep më shumë frymë e jetë strukturës romaneske.

Struktura e romanit, sidomos e atij modern, me shtrirje mozaike, është e përshtatshme për futjen e elementit poetik, sepse imagjinata gjen më shumë tejpamësi imazhesh, duke mundësuar një shkrirje organike të elementëve përbërës të një romani modern.

Kjo kërkon edhe një mund e angazhim më të madh nga krijuesi në vjeljen e triorimin e materialit jetësor dhe të fantazuar. Siç duket, duke qenë një partizan i krijuesve të mëdhej si Tolstoi, Dostojevski, Flober, Kafka, Xhojsi e Prusti,  Mjeshtri i Madh Bashkim Hoxha, e ka kapërcyer me sukses këtë vështirësi në konçentrimin e materialit jetësor, me punën e vetvetishme e këmbëngulëse, në vjeljen e "mballomave artistike" siç i quan Umberto Eko fjalëurtat, sentencat, ekstraktet nga fondi popullor, pasazhet e trillet  poetike, duke i transplantuar me përvojat më të mira botërore.

Një punë e tillë ka bërë të realizohet një roman me strukturë të veçantë, bashkëkohor, që paraprin substancën e re kohore.

Nga përvojat e përftuara në botimin e romaneve " Hotel Ballkan", " Herojtë e viagrës", " Mbreti i vesës", "Unë dhe Mefistofeli", "Qyteti pa dashuri", "Njeriu tjetër", si një dramaturg dhe publiçist, siç duket e ka pasur busull esenë e estetit amerikan Xhorxh Stainer:"Romani si strehim i dramës".

Elementët dramatikë në roman, sidomos ata që nxjerrin krye në dialogje, janë shkrirë e njehsuar me karakterin dhe ritmin narrativ të romanit.

Si në dialogje dhe nëpërmjet ditareve të Natashës autori replikon në opozicion  jo vetëm me vetveten, në një katarsis, por edhe me personazhet e tjerë si me Arsen K., Keldin, Pirron. Kjo opozitë letrare, është aq e përkryer, e fshehur në nënkuptime dialogjesh sa që i shkon për shtat konceptit estetik të Balzakut për opozicionin letrar kur në veprën "Xha Gorio" thotë:" Pasi të lexoni fshehtësitë e pafalshme të plakut Gorio, ju do të hani darkë me oreks, duke ia hedhur fajin për mungesën e ndjeshmërisë tuaj autorit, duke u bërë fajtor për ekzagjerimet...Ah! Por all is true, ajo është aq e vërtetë sa që secili mund të gjejë elementët e saj te vetja, në zemrën e vet." ( Çështje të romanit, Rilindja, Prishtinë, 1980).

Ky këndvështrim estetik i Bashkim Hoxhës në "kopshtin" e vet letrar, vjen i "punuar", i " diskuar",  me një shumi "agregatesh" artistikë, me imputet më të zgjedhura artistikë, ku mugullojnë e lulëzojnë si mugastra, ato banalitete që ne i përjetojmë përditë, por që përkushtimi artistik bën që disa të veçohen.

Autori me këtë prurje romaneske, vjen në letërsinë shqipe me çelsin e "artë" që hap syndykun, ku është fshehur thesari që sjell inovacionet letrare të modernitetit.

Gjithçka e re, vjen si risi e prozës bashkëkohore e natyralizuar me ekstrakte, trashëguar nga tradita, stiluar bukur me dukuritë e marra jo shabllon, si shumëkush në pluralizmin krijues.

Në këtë narracion lexuesi ndjen një të vërtetë absolute, në shuminë e metaforave e parabolave në tejpamësi, me kapërcime të shkathta rrëfimtare, si shumi prototipesh.

Kjo është një veçori personalizuese e romancierit i cili përballet jo vetëm me vetveten, por dhe me personazhet, në një antagonizëm, ku fati i njeriut, me recetat totalitare dhe kotësia e një jete butaforike, vendosen në mohim të mohimeve, si një domosdoshmëri e filozofisë dialektike mbi jetën shoqërore.

Kjo do të ndodh, sepse siç thotë Marjeta L. :"Çdo njeri ka një dritë shoqëruese, një aureolë që e merr me vete kudo ku shkon. Unë e shikoj këtë dritë shoqëruese te çdo njeri."

Në romanin "Gruaja e Shiut" kjo vjen si një domosdshmëri e kohës,  e këtij tranzicioni shoqëror sepse: “Jeta përgënjeshtron asgjënë” gjykimon autori nëpërmjet Keldit.  Ky ligj në dialektikën e jetës vjen si baza e zhvillimit shoqëror dhe nëpërmjet akteve të vetmohimeve nënvizon autori nëpërmjet Marjetës.  Ky antrakst artistik zhvillon shoqërinë, rrit dramacitetin shoqëror nëpërmjet digresioneve, në një jetë ku përgënjeshtrohet “asgjëja”. Kjo asgjë, që akoma rri si një pendul mbi kafkat e njerëzve në këtë përmbysje ekonomike-shoqërore, pse jo dhe shpirtërore.

Në këtë kontekst iluzioni si nocion ëndërrues i jetës, vjen si një iracionalitet i dëshirueshëm ëndërrimtar, përballet me handikapet e jetës ku: “ Ne lindim në fakt të vdekur”,  intrigohen në një digresion social në jetët e grave të shiut, tek Keldi, Fredi, Arsen K.

Në këtë absurd gjithçka kthehet në një perde shiu iluzionesh që tretet horizonteve ranorë, shkretëtirave shtetare, definon në gjykim artistik autori në koshiencën e personazheve.

Në ndihmesë të jetësimit të këtij iluzioni, autori vendos kulturologjinë e tij si skenarist filmi, si dramaturg, si publiçist, duke krijuar në laboratorin krijues të romancierit majanë e cila brumëzon një prozë sa realiste aq dhe ekzistenciale, me atë ngrohtësinë ledhatuese të një impresionizmi sa më njerëzor.

3-Realiteti bashkëkohor dhe personazhet.

Realitetit bashkëkohor dhe personazhet e romanit “Gruaja e Shiut” vinë të aranzhuara tek njera tjetra si një unison i vetë zhvillimeve social –ekonomike në filozofinë e statuseve përjetuese, si banorë trulltarë apo ardhacakë, në godinën romaneske.

Kapriatat e strukturës, mbi të cilën është ndërtuar kjo godinë, janë realiteti i një të kaluare në retro me gjurmët e saj, bashkëkohësia, prosperiteti dhe trilli.

Prosperiteti dhe trilli janë ato elementë të romanit të cilët në raport mes mohimit, nëpër një katarsisi psiko- terapeutik, në kapitujt e fundit të romanit sjellin jo vetëm një subkoshiencë të re të Arsen K. por tejkalojnë zhvillimet kohore, duke startuar koncepte dhe mendime më të avancuara në shoqëri, për një prosperitet më të lakmuar.

Historitë e trilluara, çastet e situatat e pamundura, në saj të lartimit të tyre në art, me personazhe me emërtimitet sa realë aq dhe të stisur në objektivitetin rrëfimtar, vinë si rrjedhojë e një realiteti objektiv.

  këtë amalgamë personazhesh si Saimir Kumbaro, Kujtimi (Spahivogli V.M.),Griselda T, Dardan L, piktori  Adnan H, Petro Zh. (Zheji V.M.) Justin V., Lasgush Poradeci, Kadri Rroshi, Mishel Pikoli etj. vinë si ndërlidhës sinjifikativë, për një  investigim, hedhje më shumë dritë në ngjarjet dhe fenomenet shqiptare, nxjerrjen në pah të faktorëve psiko – terapeutik që servir romani  për lexuesin.

Filozofia dhe estetika e Aristotelit, që në lashtësi përcaktonte qartë se: “Më shumë duhen zgjedhur gjërat e pamundura por të ngjashme, se sa ato që janë të mundura por të pabesueshme.”

Duke e letrarizuar në frymën Lakant, këtë aksiomë filozofike- estetike në estetikën e vet shkrimore, Bashkim Hoxha, teorinë e tipizimit të personazheve e lidh pazgjdhëshmërisht me realitetet kohore, karakteret, fatet që i ndjekin personazhet e marra nga realiteti shoqëror e jo të fotografuara kallp.

Të marrësh nga realitetit një personazh kallp do të thotë se s’kemi bërë art- thotë Gorki- , por kemi bërë një fotografi. Karaktere, tipare nga më shumë se “pesëdhjetë këpucarë” sygjeron mjeshtri i personazheve, esteti Gorki, “ na jep një prototip artistik këpucar.”

Në këtë aspekt  jo pak ndikues është dhe emërtimiteti , onomanistika e vendeve dhe fenomeneve, toponomistika, ngjarjet e trilluara të grave të shiut, të cilat e përqasin aq afër realitetin, sa që lexuesi ngërthehet në ngjarje e ndodhi që i kanë ngjarë  dhe i kanë lënë mbresa në jetën e tyre. Me të drejtë autori nëpërmjet Arsenit, në dialog me Keldin, jep sentencën filozofike: “- Dëgjoi, ne të gjithë jetojmë vetëm  një histori. Ndryshojmë rrobat, rrethanat , kostumet, por të gjithë jetojmë vetëm një shoqëri , një histori që përsëritet te secili.”

Duke e paraqitur këtë realitet disi të dizintegruar me ngjarjet dhe fenomenet, me filozofi njerëzore  nga më të ndryshmet, jo në një personazh, por me “grua shiu, si protestë, grua shiu si qëndresë, grua shiu si forcë, grua shiu si dobësi” me shumi karakteresh që plotësojnë njeri tjetrin.

Në roman, çdo grua shiu ka dramën e vet, por ato i bashkon një paradigmë për jetën: Ekzistencializmi, këmbëngulja dhe aksesi i ndërtimit të jetës sipas mendimeve e koncepteve të unit, brenda një bote “Kafkiane”, si një unison e një shoqërie mbetur si rudiment shoqëror, në raportet e reja sociale, si një protestë ndaj shformimit shoqëror, ndarjet në shtresa në realietet e reja ekonomike të reçesionit, në pamundësinë për hapësira të reja, përtej realiteteve të zymta që ofron jeta.

Në botën e tyre, thellë subkoshiencës, para shndrimeve të reja sociale, dashuria është përjetuar si një detyrim, si një vuajtje dhe jo si një kënaqësi. Kjo ka lënë një gjurmë të thellë, sa që nuk len shteg për ekuivoke të reja.

Që në krye të kapitujve të parë  autori i përqas personazhet  me dilemat e ekzistencës dhe mosekzistencës, të reales e sureales, nën subjektivitetin metaforik ”Gruaja e shiut” si një  supermetaforë e një trilli poetik, si një axhendë e rizgjimit të muzave.

Personazhe realë dhe subjektivisht të krijuar në magjen e imagjinatës, që debatojnë me një frymë dypersonaliteti.  Mjeshtri Hoxha, jo pa qëllim e len evazive në gjykimin e gjithësecilit personazhin e krijuar, real, përfaqësuar në fshehtësi inicialesh.

Personazhet plotësojnë aq mirë njeri tjetrin, sa që na sjellin një botë sa afër reales po aq me një fantazi të shfrenuar.

Në këtë amalgamë, diçka kurdoherë, mbetet si një hije, në një perde shiu prej shumi karakteresh.   Këto gra por edhe  Arsen K., si një meduzë, i ndjek në këto perde drama e moskomunikimit me njerëzit.     Në nëntekst, autori, si në një Eldorado, me sitën e tij nxjerr në pah  përpjekjen e njeriut në kapërcimin e këtij handikapi, duke krijuar filigrame karakteresh, si në një kompleks skulpturash moderne, pa rifinitura, por me një konturim të qartë.

Në transformimet ekonomike- shoqërore, statusi i individit ndryshon në kontekst të mardhënieve që ai vendos hap pas hapi, siç ndryshon Arsen K. nga gruaja e parë, e dyta, e treta, e katërta (ajo në tabllonë e piktorit) dhe e pesta Arda, mbesa e poetit.

Ky status ndryshon edhe nën një shi të rrëmbyer shoqëror, nën rrymën e një përroi psiqik, që godet trurin e njeriut si ajo trokashka e mullirit të blojës.

Në substancën e re kohore, megjithëse njëzet e pesë vjet tranzicion, në letërsi sapo jemi futur me këto inovacione në artin e të shkruarit, duke startuar në objeksione të reja, duke lënë pas provincializmin mbisundues, duke u futur në komunitetin botëror të letrave dinjitoz, me një produkt letrar  bio-shqiptar, duke paraprirë interferimin shoqëror.

Kjo do të ndodhë, sepse letërsia është gjithmonë paraprirëse e një substancialeje të re kohore. Shkrimtari Bashkim Hoxha, me romanin “Gruaja e Shiut” është një nga marathonomakët e këtij integrimi. Besoj se në këtë rrugëtim, ai është i vetëdijshëm se jeta që po jetojmë është një vazhdimësi e pandalur e progresive kundër destruktives, luftë e së mirës kundër të keqes.

Në filozofinë dialektike kjo luftë e të kundërtave sjell zhvillimin, pa të cilin bota nuk mund të përparojë. Për këtë akses, në këtë roman ndjehet aq shumë digresioni ndërmjet realitetit të përjetuar dhe iracionales të dëshiruar.

Në nëntekst kuptimor dhe ideor, autori nëpërmjet Arsen K., Marjetës, Norës, Anës, Keldit, Ardës, i shpreh qartë cilitdo lexuesi këto çështje fondamentale, të një shoqërie njerëzore. Ky është dhe funksioni madhor i artit, i cili nëpërmjet dhe të një romani , të ndikojë në ndryshimet substanciale të shoqërisë.

Në realitetin shqiptar, para dhe pas viteve’90, personazhi shkrimtar  Bashkim Hoxha, është i kudondodhur në një mozaik të jetës aktive.

Gjithashtu, ai e ka të qartë se në romanin modern, koncepti estetik i Gustav Floberit se:” Artisti duhet të jetë në veprën e vet si zoti i padukshëm në gjithësi.” (Gustav Flober, “Zonja Bovari”), është thelbi artistik krijues, është nyja gardiane e zgjidhjeve në romanin e sotëm bashkëkohor.

4- Koncepti i lirisë individuale e shoqërore.

Gratë e shiut, siç thotë Arsen K. në dialogun me Keldin janë në  shumi, por veçojmë: “-Erda ishte shumë e  mirë për të dhënë imazhin e poezisë. Dhe ti nuk i takon dot të gjitha Gratë e Shiut. – Kaq shumë janë” – Mua nuk më ka mjaftuar jeta- buzëqeshi Arsen K.”

Megjithë këtë shumi, unë do t’i quaja pesë gra shiu, Marjeta L., Nora N. , Natasha, Arda, mbesa e Arsen K. , e cila përbashkëson uniken poetike të ‘”Gruas së Shiut”. Secila grua ka opsionin e saj për  jetën, ka karakterin dhe objeksionin e saj të veçantë: Marjeta L, mjaftohet me një virtualitet shpirtëror, në shfrimin e shpirtit. Nora N. gruaja aktore e Arsenit e cila në një paralelizm figurativ skanohet nëpërmjet  një shiu, një dashurie lamtumire, një trishtimi. Ajo konfigurohet në sytë e një burri “bisht lëkundur”. Gruaja e piktorit  retushuar në një pllakat, si një manifest kundër absurdit, në të cilin është zhytur jeta e tyre.

Një shumi prototipesh, karakteresh, opsionesh për t’u përballur me jetën, por që, në konglomerat artistik ata kanë një përbashkësi: Janë të gjithë gra prej një shiu shoqëror, nën një çadër të kuqe, si një purpurante e shkyer e regjimit totalitar, zhelane, që nuk mban më asnjë pikë shiu, por e nxjerr në lakuriqësi portretin e gruas tipike, lënë peng shoqëror.

Dhimbja dhe mëshira i kapërcejnë kufijtë e mos- arsyes, duke u bërë mesazhiere, një manifest i përbashkët  për statusin që duhet të ketë gruaja në substancën e re kohore, ëndërruar nga çdo shqiptar, burrë apo grua, vajzë apo djalë, nuse apo vjehërr. Apo, siç thotë Grisha, një shok i Natashës: “…ti do të jesh Gruaja e Diellit, Borës dhe e Shiut.”

Natasha nga kultura e intelekti, me protagonizmin e saj, nxjerr pak kryet mbi gratë e tjera, se ajo i ka më të qarta konceptet dhe obsionet mbi jetën kur thotë: “ Unë gjithmonë kam besuar se është më mirë një lumturi   e hidhur, se një jetë e tërë e zbrazët.” Në prototipin e saj, ajo  (Natasha) merr statusin e një matrioshke ruse, brenda së cilës janë të gjitha gratë, jo vetëm ato të shiut. Jashtë kësaj matrioshke është vetëm nëna e Namikut, vjehrra e Natashës, e cila me urtësinë e saj tejkalon kulturën shoqërore ruse me koncepte të reja të kulturës shqiptare mbi  vazhdimësinë e jetës, jo vetëm duke u ballafaquar, por duke qenë më shoqërore se konceptet e Natashës e cila me shpirtin protestues i heq veshjen e zisë duke shfryrë dufin për vazhdimësi: “ Hiqe dimrin, hiqe zinë…Ti je e lirë të jetosh jetën tënde.”

Ajo që më ka intriguar më shumë, më ka zgjuar vëmendjen e kritikës në këtë roman, jo vetëm si lexues i kualifikuar, por dhe si një vëzhgues, është koncepti i lirisë individuale. Këtë konceptim artistik në shoqërinë e re shqiptare, autori e realizon në bazë të subkoshiencës individuale, unit transhendent të secilit personazh, zgjedhjen në një liri shoqërore, por pa iu shmangur integrimeve.

Në traktatet e ekzistencializmit kjo dukuri është humanizëm shoqëror. Në planin filozofik, gjithçka vjen në kuadrin e simbiozës filozofike të  Zhan Pol Sartrit, si një vlerë supreme e jetës njerëzore, me individualitetin  në shoqëri si një pacënueshmëri.

Konceptuar në këtë aspekt ,”Gruaja e Shiut” si një metaforë e luftës kundër individit për një jetë “alla masovike” propaganduar aq shumë në dyzet e pesë vjet totalitarizëm, i  thur himne e lavde lirisë, qëndresës të unit njerëzor i cili këto njëzet e pesë vite përkon në realitetin shqiptar, ku kulti i masovizmit tundet si flamur i çapëlyer    fushë- betejën shoqërore.

Në individualitetin e atyre që kaluan një pjesë të jetës jo vetëm në “Gulagët” e thurur me telagjembi, por edhe në ata gulakë shoqërorë, me të cilin revoltohen “Gratë e Shiut” e shumë bashkëudhëtarë të tyre.

Kjo filozofi mbi jetën e individit, në romanin e ri të Bashkim Hoxhës është shtratifikuar duke patur si impute artistike dhe mendimin e letrarizuar të rrymës filozofike të Sartrit dhe Frojdit, thelbin e së cilës e përbën ankthi, mbyllja në vetvehte, “neveria “ndaj recetave të unikes shoqërore, absurdin që pjell kjo bashkësi në shoqëri  me cënimin e vlerave individuale.

Këto përqafime filozofike e tematike pas viteve ’90, janë bërë apotheozat e disa krijimeve të cilët sjellin dukuritë e modernitetit në estetikën e prozës bashkëkohore.

Ky un’ ekzistencial, i lloit Sartrian, vjen si simbol i lirisë individuale, vjen si një revoltë proteste ndaj masovizimit shoqëror ku të gjithë jetojmë e punonim për “askushin”. Ai vjen dhe si mohim i despotizmit që predikonte soc-dogmatizmi, me atë frymën e mediokritetit dhe të “revolucionit” të masave në shoqëri.

Ky konceptim filozofik mbi karakterin thelbësor të ekzistenciales në shoqërinë shqiptare, vjen siç percepton Sartri në sistemin e tij filozofik, duke e konsideruar “Projeksion të psiqikës njerëzore.”

Një prototip i tillë është Arsen K.. Poeti është gjithëkush nga ne i prototipizuar nga një shumi poetësh të njerëzuar. Njerëzimin e heroit romanesk autori e ka realizuar në mënyrë natyrale, duke bërë njëkohësisht dhe deheroizimin e personazhit në letërsi, duke mos na e sjellë me trajtat e mbiheroit të një mbinjeriu, por duke krijuar njeriun e vërtetë si produkt i një substance kohore krono dhe qenësore. Një trajtim i tillë estetik  trajtohet dhe tek Erda, gruaja e pestë e Shiut(sipas mendimit tim), përfaqësuese e një brezi të ri. Erda konkludohet të xhirojë filmin duke sintetizuar tipet, karakteret, botën e brendëshme të Grave të Shiut, duke na dhënë njeriun e vërtetë i cili njerëzon rrëfimtarinë.

Në këtë këndvështrim letrarizues, shkrimtari Bashkim Hoxha i bën një shërbesë ekselente deheroizmit të letërsisë, duke e xhveshur nga ato personazhe “heroj të kohës tonë”, të stisur, dogmatikë, që predikoheshin nga “Ai dhe vetëm Ai  Zeusi” se ata dhe vetëm ata janë shembulli i “njeriut të ri”.

5-Dialogu dhe ekspresiviteti narrativ.

Duke qenë dhe një dramaturg i hapësirave të komunikimit ekspresiv, Bashkimi ka mundësinë e zhvillimit në zhanrin e romanit, ku mbarështrohet psiko-analitika e jetës.

Dialogu dhe ekspresiviteti  bien në sy gjatë gjithë leximit të romanit “Gruaja e Shiut” në veçorinë e një stili me risi dramatike, transplantuar në gjininë e romanit. Në punimin estetik të dialogut ai ka sjellë më shumë frymë komunikimi, më shumë ekspresivitet narrativ, më shumë rastësi. Rastësorja dhe çasti  janë burimorja që përbëjnë zgjidhjet narrative nga më të larmishmet, larg rrëfimeve të hamendësuara. Një prozadorizëm i  tillë sjell në prozë fiksionin, ushqen një gjëndje ekspresive tek lexuesi, duke e mbajtur të pashkëputur në zellin e leximit.

Dialogu intervistues i Keldit me Marjetën, në roman hap siparin e një magjistrimi artistik, duke çvoshkur  pancirin e një imazhi të çimentuar në prozën para viteve ’90.

Imazheria e shoqërisë, njeriut, vjen si dukuri e re në mjeshtërinë e lëvrimit të romanit nëpërmjet dialogut. Etalon është dialogu i Arsen K. me Keldin, ku: “Arsen K. nënqeshi.- Jeta ime? Ka treguar që nuk shpjegohen dot: dashuria, poezia dhe budallallëku. Dhe për fat të keq këto të treja janë elementët që përbëjnë jetën time.”

Çdo gjë sintetizohet më tej në dialogun e Norës ku: “Ajo (Nora V.M.) – Tri gjëra kanë të njejtën ngjyrë” shiu, dashuria dhe trishtimi” një trinitet i veshur i tëri në gri, si ajo ngjyra që mbisundon grinatën e shoqërisë së sotme, ku dhe votuesit abstenues u vihet damka “Gri”, në një shoqëri  në perëndim të absurdit shoqëror. Ky absurd vazhdon të mbisundojë si një vazhdimësi e klonuar që në embrion, të një dramaciteti shoqëror e familjar nën makthet e divorceve pa kufi.

Retroja që bën autori tek nënkapitulli “Dashuria” me forcën e vitalitetit, mbrothësinë, dimensionet kulturore që ajo përfshin në vetbete, vinë si zëdhënëse e mirësive. Në aludim, si kontravers dialogues, autori gjen çelsin e një sygjerimi psiko-terapeutik, nëpërmjet dialogimit të Norës: “ Se ne nuk mërzitemi kur nuk na duan, mërzitemi pse duhet tjetri.”

6-Pas –shkrimore

Me romanin”Gruaja e Shiut” në vazhdimësi të romaneve”Nomeja e largët” e Faik Ballancës, “Apokalipsi sipas Shën Tiranës” të Zija  Çelës “, “ Njerëzit si retë”  të Sulejman Matos, “ Korbi” dhe “Eklipsi i hënës”  të Skënder Drinit,  romani shqiptar ka hedhur një hap cilësor, përcaktues në flakjen e provincializmit, promovimin e estetikave të reja, me dukuri moderne, natyralizuar në bio-diversitetin shqiptar. Kush nuk e ndjen këtë frymë të re,  le të lexojë  romanin “Gruaja e Shiut” të Mjeshtrit të Madh Bashkim Hoxha dhe më pastaj të më kundërshtojë me kritikë tekstuale, këto mendime e vëzhgime të shprehura sipas perceptimeve të mia personale.

Jam i bindur  se romani i sotëm bashkëkohor shqiptar, në koncepte estetike, stilistike të tillë, e ndjen veten të zot në rang global, si një zotëri i vërtetë në shkencën humane të letrave.

Vepra të tilla, japin një ndihmesë në psiko- terapinë e shoqërisë shqiptare, duke hapur plazmat e imazherive të një kohe të re, shumë të dëshiruar, nga ne krijues, kritikë e lexues.

Durrës Maj 2016

Vladimir Muça

Shkrimtar, kritik

E-mail: vladimir_muça@yahoo.com



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora