E shtune, 13.07.2024, 09:51 AM (GMT+1)

Kulturë

Kristaq Turtulli: Një ndodhi në autostradë

E merkure, 01.06.2016, 07:06 PM


KRISTAQ TURTULLI

NJË NDODHI NË AUTOSTRADË

tregim

Prej njëzet vjetësh s’ ish parë një dimër i tillë. Natyra u vesh në argjend marramendës, rëndesë torturuese kristalore. Bukuri e egër dhe të mbahej fryma prej mahnitjes dhe frikës. Pemët varën kryet në tokë si pleq të mykët, u thyen, u shkalafitën. Toka lëngoi nën ngricë. Pastruesit e rrugëve dhe autostradave s’kishin kohë të merrnin frymë. Pastronin dëborën dhe hidhnin kripë.

Në mesin e muajit maj u bë ngrohje e menjëhershme e motit. Pemët e sakatuara dhe lulet s’ patën kohë ti gëzoheshin shpërthimit të sythave, nxitimthi dolën gjethet e gjelbra si në përrallë të lashtë Vikingu.

Dielli shkëlqen, të verbon dhe toka fërgëllon si lehonë... Ngrohja e nxituar na imponoi të shkundnim plogështinë, dimrin e gjatë, të mërzitshëm dhe të iknim, të arratiseshim prej zhurmës dhe rrëmetit. Gruaja tha të shkonin në ujëvarën e Niagarës.

Makinën tonë e drejton djali, me të njëjtin ritëm, të harbuar me makinat e tjera. Më shkrepi, të ulja pak xhamin e dritares, mu shurdhuan veshët prej zhurmës, fishkëllimës së erës, fërshëllimës së fërkimit të rrotave, rezonancës së përplasjes dhe të kthimit pas.

Nxitim, shpejtësi, gati në çmenduri. Norma më zakonshme e shekullit të njëzetenjë. Prej asfaltit të nxehtë, ngrihet avull i rëndë. Përpara, tutje, përtej lumit të makinave, ku nuk përfundon horizonti, është krijuar një masë e madhe kristalore.

Lumi makinave ngarend pa ndërprerje, në një nga autostradat më të rëndësishme të Amerikës së veriut. Në autostradën me shumë krosi, 401.

Papritmas vargu i gjatë i makinave, u drodh, u shkund, ngadalësoi shpejtësinë. Përbindëshi metalik pësoi ngërç, paralizë, ndaloi. Mjetet lëvizëse u ngucën pranë njëra tjetrës të përfitonin qoftë e disa metra autostradë. Dridhja e urave, shfryrja e nëndheshme, tendosja marramendëse, harbimi i tërbuar, sforcimi, përqendrimi, u shfry. Zhurma dhe fërshëllima e rrotave u platit. Oshtima bëri një qark të mbyllur, qëndroi në vend. Zhurma e erës u fashit, u tërhoq, u fsheh në muret ndarëse. Vetëm dielli i nxehtë qëndroi në kupetë qiellit. Në autostradën e madhe ku qe përzierë, betoni, hekuri dhe brenda mjeteve, njeriu. U ndeh një qetësi acaruese.

-Ç' ndodhi?!- më pyeti gruaja dhe mbështeti kryet në ndenjëse. Atë e kishte lodhur përgatitja për udhëtim.

-Nuk e di,- i thashë.

Djali s’ foli, vuri bërrylat në timon dhe vështroi përpara me indiferentizëm.

- Duhet të ketë ndodhur aksident,- dëgjova që foli dikush me frikë dhe nervozizëm nga krahu u majtë.

-Aksident!- psherëtiu një mesogrua e shëndoshë, me gjoks të madh nga Fiati ngjyrë kremi, shtrëngoi timonin dhe mbështeti kokën në supin e mikeshës që kishte pranë:- Sa të ngjethën kjo fjalë.

Udhëtarët filluan të bëheshin nervozë prej frikës së pranishme, ndalesës së paparashikuar dhe ngjarjes së papritur. Vështruan orët.

-Nuk duhet parë ora, -u dëgjua një zë nervoz.

-Të bllokohesh në autostradë, është njësoj sikur të biesh në lak, - foli nga e majta, një grua e re, bionde prej makinës të gjelbër Honda.

Nga të katër anët ulën me ngutje xhamat e makinave. U hodhën vështrime të zbardhuara, të pashpresa, përtej, ku gjendej shkaku i ndalesës dhe bllokimit tërësor të autostradës. Gjarpri i madh metalik i makinave qëndronte shtrirë, i tulatur, pa lëvizur mbi asfaltin e nxehtë.

- Të jetë aksident i rëndë!- foli mesogruaja e re dhe me keqardhje vështroi tutje:- Më janë shpifur aksidentet e shumta.

-Pse s’ lenë një korsi, për lëvizje,- u grind një indian e dobët me çallmë në kokë nga Nisani i kuq.

-Ashtu posi, duhet një korsi,- ia bëri çifti aziatik me fytyra të rrumbullakëta dhe sy të vegjël prej Tojotës vishnjë.

-Sidoqoftë, është e tmerrshme bllokimi autostradës. Xhungla dikur qe e pakalueshme, përbënte rreziqe dhe çarqe për njerëzit. Tani është autostrada,- foli nga e djathta, nga Bens –Mencedezit, një plak me republikë dhe pipë në gojë.

-Njashtu, njashtu,- ia bëri indiani me çallmë prej Nisanit të kuq:-Xhungël e frikshme prej çeliku dhe betoni.

Prej dritareve të makinave të tjera nisën të dilnin bërrylat dhe më pas kryet me flokë të shpupurishura të udhëtarëve. Pas pak doli shtëllungë, tymi i duhanit.

-E ky duhan duhej tani,- u ankua çifti aziatik prej Tojotës dhe ngriti xhamin e makinës me shpejtësi.

Në linjën e urgjencës në krah të autostradës kaluan me shpejtësi dy makina të policisë, me sirena të lëshuara. Njerëzit menduan përsëri për aksidentin e madh dhe dëmet e pa llogaritura që mund të qenë shkaktuar. A mund të ketë viktima? Çuditërisht nuk shihej gjëkund tym apo flakë. Ndoshta ngjarja e padëshiruar duhej të kishte përfunduar me dëme të vogla. Automatikisht u llogarit koha e mundshme e zgjatjes, eliminimi i shkakut dhe njëherësh u ankuan për projektuesit dhe inxhinierët e autostradave që duhet të kishin menduar me zemërgjerësi për një korsi të lirë në rast kolapsi të tillë. Udhëtarët lëviznin të shqetësuar në ndenjëse.

Nga e djathta, prej Bens –mencedezit, plaku me republikë të zezë shkuli pipën prej goje dhe tha:

-E morët vesh, e gjitha kjo, po ndodh për shkak të një dreri.

Vështrime habitore dhe nënqeshje sarkastike u hodhën mbi folësin, që krekosej në Bens-Mercedes, paçka se ishte i moshuar, si ti thoshin: U çmende o plak?!

-Dre në autostradë!?- klithi indiani i dobët me çallmë në kokë prej Nisanit të kuq.

-Ha! Ç’na the! Nga ra ky dre, nga qielli. Mund të jetë ndonjë rakun, a dreq me brirë, por kurrsesi dre. Ndoshta ndonjë shaka bajate,- foli gruaja bionde prej makinës të gjelbër Honda, e cila uli xhamin e makinës deri në fund dhe zbërtheu kopsën e tretë të këmishës. Praj aty shpërtheu gjoksi i bardhë, i bëshëm

-Dreq o punë, për një copë dre,- foli një mesoburrë, flokë rënë, prej Pontiakut të bardhë dhe vështroi ngulët, pa turp, gjoksin e kërcyer të femrës bionde.

-Nga u ndodh ky dre. Këtu s’ ka pyje, por rrugë, makina, autostrada, - foli me nervozizëm mesogruaja e shëndoshë, prej Fiatit ngjyrë kremi..

-Domethënë dreri qëndroi në mes të rrugës dhe makinat u trembën prej tij, kështu!?- ia bëri mesoburri, flokë rënë, prej Pontiakut të bardhë, pa i ndarë sytë prej gjoksit të bardhë të gruas bionde.

-Hollësira të mëtejshme nuk di. Policia bllokoi të dy anët e rrugës, ma tha vëllai në telefon, makina e të cilit ndodhet më pranë vendit ku u shfaq dreri, -tha plaku me kapelë republikë dhe u tërhoq brenda në makinë...

Atë çast, matanë brezit të betonit disa metra larg po vinte një grup policësh duke mbajtur diçka të rëndë ndër duar. Ata po afroheshin me ngut dhe unë dallova këmbët e holla, më pas trupin e kokën e kafshës. Dreri hapi sytë, më ngjau sikur nguli te une sytë e mëdhenj e habitur dhe i trishtuar, sikur kërkonte të më fliste. Mandej pashë që prej syve të tij rrodhën lot të mëdhenj. Dreri i mbylli sytë ngadalë gjithë dhembje dhe përdëllim.

Ndoshta dhe dreri si njerëzit donte të ikte, te arratisej diku, të shkundte plogështinë pas atij dimërimi të gjatë...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora