Kulturë
Ndue Dedaj: Ansambli Mirdita si muzeologji etnofolku
E premte, 27.05.2016, 07:33 PM
ANSAMBLI “MIRDITA”, SI MUZEOLOGJI ETNOFOLKU
DHE SHPALIM TURISTIK
Nga Ndue Dedaj
Muaj më parë Ansambli “Mirdita” i nderua me titullin “Mjeshtër i Madh”, por dhe me çmime artistike e çertifikata për paraqitjet e tij në veprimtari qendrore e lokale të promovimit të turizmit kulturor etj. Ndërkohë, sapo ka dalë nga shtypi botimi special kushtuar këtij Ansambli nga drejtuesi i tij prej 8 vitesh, publicisti i njohur Gjergj Marku, ku më shumë se fjalët, historia, kronikat, intervistat, profilet e mjeshtërve, janë fotografitë artistike që flasin, me anën dekorative dhe përmbajtjen e tyre. Në njëfarë mënyre, ky Ansambël e ka mbyllur siparin si qëmtues i vlerave folklorike dhe se ai tashmë mund të shërbejë si muzeologji etnofolku dhe atraksion turistik i pazëvendësueshëm, ku në këtë qasje pa medyshje përbën një shembull. Falë pasionit dhe energjive të menaxhuesit të tij aktual, Ansambli “Mirdita”, jo më në formatin klasik, por në forma të tjera të larmishme, pragmatiste, ka gjetur shtegun për te veprimtaritë me të huajtë në Mirditë, Tiranë etj., përfshi dhe shpalimin në një trajnim për trashëgiminë shpirtërore, në kuadrin e UNESKO-s. Marku, përvojën e tij të vyer mediatike, e vuri në funksion të promovimit të Ansamblit në televizionet më të mëdha të vendit, si dhe në “kancelaritë” e artit të kryeqytetit, çka i dha një pasaportë të re kulturore Mirditës në këtë periudhë. Duket se është mbyllur një kapitull, për t’u hapur një tjetër në jetën e praktikave të folkut të risuar. Kësisoj jo vetëm ky formacion, po dhe të tjerët si ai në mbarë republikën, plazmuar në një kohë të caktuar, apo edhe vetë Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës nuk është më në valikën e tij për të “prodhuar” folklor të mirëfilltë burimor, si ai deti që nuk bën dot pa “përrenjtë” autentikë: visarin etnokulturor lumjan, vlonjat, elbasanas, përmetar, dibran, myzeqar, gjakovar, delvinjot, zadrimor, arbëresh, ulqinak, tetovar etj. Ansamblet e dikurshme nuk ndihen më si të tillë, përpos se në trajtën e grupeve popullore gjysmë-folklorike, ku nuk mungon as kënga e përpunuar popullore, ajo qytetare etj. Për të kuptuar brezat e rinj se si qe mbërritur te formacione të tillë folklorike (të gjitha trevat kishin ansamblet e tyre), le të shohim shpalimin e traditës mirditase të folkut në oda kullash, dasma e sheshe festive.
***
Kushdo që në kullën e tij mirditase, në fëmijërinë e largët, ka parë të varur në mur një çifteli, nuk e ka të vështirë të kuptojë se Ansambli “Mirdita” më parë se në skenën e pallatit të Kulturës Rrëshen, apo në kalanë e Gjirokastrës, ka qenë i përpajnuar gjithandej ndër trojet mirditore, shtëpi më shtëpi e vatër më vatër, deri në rrëzë të Munellës. Ndaj ishte aq e dëgjuar shprehja “shtëpi e çifteli”. Skena e parë ishte oda, veçmas ajo e dasmës, ku njëri nga 11 krushqit duhej të ishte këngëtar. Njeriu i kullës në shkrep shpesh në mbrëmjet familjare, apo të kremtesh popullore, merrte çiftelinë dhe niste t’i luante gishtat dhe t’i thoshte fjalët. Nuk kishte rëndësi sa mirë dinte ta bënte ai këtë gjë, çiftelia, lahuta apo sharkia ishte pjesë e kulturës së tij të jetesës. Përndryshe malësori kishte shpirt prej artisti dhe ai e shfaqte këtë thelb të tijin herë pas here. Ndaj dhe bariu në mal kishte me vete fyellin dhe tirrte melodi baritore njëlloj si në antikitetin ilir, grek, romak. Ai gjithë ditën pas tufave në kullosë gdhendte edhe bishta frashëri për veglat e punës edhe bilbila, zumare, pasi nuk rronte dot pa tingullin e tyre. Bjeshkët tona janë atelieja e parë për shumë artistë të shquar të folkut, pse jo dhe për kompoziorët që i ulen motivet e bjeshkëtare mbi pentagram. Mirditori krijonte melodi e muzikë gjer me kumbonët e bagëtive, ku kishte patur dhe një punishte të tyre prej bakri te Marlaskajt e Kuzhnenit; e kumbonët që kishin shtegtuar deri në Shkumbin tingëllojnë prej vitesh në arenën e Ansamblit “Mirdita”. Kësisoj ky Ansambël vital është jo vetëm kënga e vallja e traditës, por dhe veshjet, kostumet, ritualet e ndryshme, lojrat popullore, shenjat dalluese, mjaft sosh punuar në gur/ me gur, baker, lesh, filigram etj., nga perkrenarja e princërve te kaculita e bariut etj. Të kënduarit rapsodik ka patur një disiplinë artistike shembullore. Një i moshuar nga Malaj - Epër kujton se si njëherë në mesin e viteve ’50 një shoq i tij nisi të këndonte një kangë mbi krah kushtuar Bajram Currit, “me u ndigjue në Rrëshen”.
Flamuri i Festfolkut - Gjirokastër 1978, kulmi i Ansamblit “Mirdita”
Ata që do të shkruajnë historinë e tij rrezellitëse për nga spektri i ngjyrave dhe origjinaliteti burimor, mund të shtyhen më përpara në kohëra, në profilet rapsodëve të panjohur, kur raca e tyre siperane nisi të dilte nga anonimati, aty kah gjysma e parë të shekullit XX me Prendush Gegën në anët e Veriut e Neço Mukë Himariotin brigjeve të Jonit, por ne do të mjaftohemi në këto shënime me faktin se grupi folklorik “Mirdita” zë e konturohet rreth 60 vjet më parë, atëherë kur rezervati i pashembullt i folkut krahinor të Mirditës nis e vërshon në skenat e festivaleve. Grupi Folklorik nismat i ka aty nga viti 1958, ristrukturohet pas dhjetë vitesh me 1968, kur del në skenë “Grupi i Burrave”, teksa dhjetë vjet të tjera më vonë me 1978 prek qiellin e shtatë, kur fiton Flamurin e Festivalit të Gjirokastrës. (Me siguri numri tetë që përsëritet tri herë është i rastësishëm, dhe pse është tipiku i vargut të poezisë popullore.) Ai vit është i pakapërcyeshëm për këtë Ansambël, pa nënvleftësuar prurjet e festivaleve të mëpasme. Ylli i tij u ngjit më lart se kurrë. Mund të thuhet pa droje se 78-a i dha folkut mirditor pasaportën mbarëshqiptare.
Janë të shumtë (bashk)autorët e suksesit të Ansamblit, pasi bëhet fjalë për një art sa individual, aq dhe kolektiv, ku ndër më meritorët e tij qenë poetët rapsodikë Pashk Curri e Mat Dodë Pepa, gjurmuesit e traditave Prengë Gjika, Mark Paci e Bardhok Luka, rapsodët e përmendur: Prengë Kotica, Simon Tuci, Nikollë Preçi, Ndue Nikoll Gega, lahutari Simon Beleshi, çiftelirënësit Zef Gjinali e Ndue Gjin Jaku, fyelltarët - vëllezërit Shyti, artizani i rrallë i çiftelive Marka Zef Përshqefa, terziu Nikollë Bardhi, vajtimorja Gjela Pjetri, rapsodi Jak Tuci e të tjerë bardë autentikë të folkut mirditor nga të gjitha nëntrevat. Lënda folklorike virtuoze e mbartur ndër ta dhe e mishëruar thellë në shpirtin e popullit u zbulua, përzgjodh dhe lartësua në arënat e festivaleve nga një ekip ekselent krijuesish, si: Gjok Beci - poet i shquar i këngës popullore dhe asaj të muzikës së lehtë në Radio-Televizionin Shqiptar, Fran Vorfi - këngëtar prijëtar i Grupit të Burrave dhe individualitet i spikatur krijues në disa fusha, Dorian Nini - kompozitori reformator i këngës popullore mirditore, me merita të mëdha në afirmimin dhe çertifikimin kombëtar të saj, Mark Gjoka - krijues i një repertori të tërë këngësh përfaqësuese të krahinës, Zef Tusha - drejtues artistik formacionesh orkestrore të muzikës së traditës dhe asaj të kultivuar, menaxhuesit e Kulturës Prengë Përgjetani, Bardhok Sulejmani, Ndue Gjika e të tjerë, regjisori Zef Nikolla, piktori kostumograf Lin Loci, etnologu Mark Tirta, koreografja Angjelina Leka etj. Pa medyshje diamantet e Ansamblit ishin këngëtarët e talentuar: Luljeta Përbasha, Gjyste Ceka, Mrikë Trumshi, Kol Zefi, Ndue Përkola, Anton Gjoka, Prena Beleshi, Prena Beci, Gjin Dona, Kastriot Kola, Bardhok Deda etj., instrumentistët virtuozë: Llesh Lleshi, Paulin Tusha, Mark Gjonaj etj. Dikur për bartësit dhe levruesit e artit popullor përdorej termi amatorë, thjeshtë se ata nuk vinin nga ndonjë shkollë muzike. Por mjaftojnë dhe dy-tre emra “amatorësh” të mëdhenj, apo grupesh gjenuine si ato polifonike, për të mos e pranuar këtë cilësim diferencues e denigrues. Arti popullor o është o nuk është i tillë dhe nuk ka një nivel që mund ta luajnë profesionistët dhe një tjetër amatorët. Artistët popullorë të talentuar, si të “lindur” për gjenë që mund ta bëjnë vetëm ata, janë specie elitare dhe nuk mund të ndahen disa të dorës së parë (prej se kanë mësuar në lice apo akademi arti) dhe disa të dorës së dytë, ngaqë nuk diplomë të tillë. Urdhri i artit dhe klasa e artistëve burimorë nuk njohin hierarki tjetër përpos nivelit të interpretimit, si dhe kuvendarët, pleqnarët, që dallohen vetëm prej lartësisë së kumtit. Është cilësia individuale që e bën diferencën, ku dikush është marrësi e të tjerët pritësit e këngës. Amatorja është kategori e masivitetit, popullorçes, që kërkon artistë në çdo fshat e ndërmarrje dhe jo e një ansambli të mirëfilltë folku që ka filtrat e vet përzgjedhës, nga oda familjare në kalanë e të gjithëve. Ndokush dhe mund të na qortojë për përmendjen e shumë emrave, por “kurthi” i emrave është i pashmangshëm, përderisa bëhet fjalë për ansambël folku. Ashtu siç natyrshëm mund të vinte dhe qortimi tjetër, për harresën e të tjerë emrave kontribues, por nuk ishte synimi ynë dhe as në mundësitë tona listimi deri në shterrim, apo karakterizimi i individualiteteve artistike, çka iu përket ekspertëve ta bëjnë. Po dhe pse qasja këtu është në rrafshin e folkut, nuk mund të mos përmendën dhe mjaft muzikantë të tjerë profesionistë me kontribute në Mirditë, si Muhamet Darova, Ndue Dona, Stavri Zaka, Gojard Daiu, Balina Shehu, Tom Lleshi, Sokol Keci, Blerti Leci etj.
Ansamblet popullore ishin në natyrën e kulturës shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XX, ndikuar dhe nga politikat e kohës, kur me emërtimin “popullor/e” përcaktohej jo vetëm arti, kultura, sporti, por dhe ekonomia, drejtësia, policia dhe një tipar i saj ishte masovizmi, kur solisti, dueti, trio, kuarteti filluan të rivalizoheshin e menjanoheshin përherë e më shumë nga grupe kënduese apo interpretuese me shumë veta, teksa tjetër ishin grupet polifonike që kanë një origjinë të tillë. Për mendimin tonë ka patur një lloj eksperimentimi me populloren, ku në ndonjë ansambël u sajuan orkestra gjigandomane, kur dihet që formacionet muzikore të vogla janë më funksionale dhe asnjëherë nuk kanë dy veta të njëjtin rol. Në këtë optikë përpiqesh të kuptosh se çfarë ka qenë “Grupi i Burrave” si format muzikor. Mirditori gjithmonë kishte kënduar i vetëm me çifteli, ndokund dhe me lahutë, rrallë herë mund të ishin bërë dy rapsodë bashkë për të kënduar, por çudia ndodh me fillimet e 70-s, kur kënga popullore me spikamë folklorike, këndohet nga 11 këngëtarë, aq sa një lagje krushq. Iu përket etnomuzikologëve ta thonë fjalën se si ndodhi që u formua një grup i tillë, në stil polifonik, nën drejtimin e Fran Vorfit, i cili pati jehonë për rreth 30 vjet në mbarë botën shqiptare. Anëtarë të tij ishin: Fran Preçi, Servet Cara, Ndue Picaku, Ndoc Lekgega, Nikollë Deda, Nikollë Kala, Bardhok Koka, Mark Deda, Gjergj Kaza etj. Thurësi i teksteve me asht të fortë atdhetarie të grupit ishte poeti Gjok Beci dhe “anonimi” Viktor Gjikolaj, gjithashtu nga toka e Selitës, që i pëlqehej fort pena, por nuk i përmendej emri për shkak të biografisë. Paçka masivitetit folklorik, i cili e bjerr cilësinë interpretuese individuale dhe krijon uniformitet, Ansambli “Mirdita” mbetet një nga kulmet kulturore të gjysmës së dytë të shekullit XX, por duke lënë në hije e zvetnim letërsinë artistike, muzikën e lehtë, teatrin etj. Edhe pse ka patur ndonjë përpjekje në muzikën e lehtë në vitet ’70 me një anketë muzikore etj., përsëri gravitacioni ka qenë folku, pasi në hullinë e tij nuk mund të gabohej ideologjikisht, por dhe për një parapëlqim të përhershëm të publikut. Përndryshe nuk do të ishin shfaqur kaq rrallë e vonë, njëzet e pesë vite nga Luljeta Përbasha, vokale jo të zakonshme të muzikës moderne si ai i Eugent Bushpepës, apo Ertila Kokës, Arinda Gjonit etj.
Ansambli “Mirdita” është ngjizur me brumin folklorik të rrethit administrativ të Mirditës, që siç dihet është pak a shumë gjysma e Mirditës etnologjike. Në këtë kuptim, aq sa ç’është mirditore prurja e këtij Ansambli, aq është dhe ajo e artistëve të shquar popullorë të kësaj treve matanë kufirit administrativ të 49-s, si Gjin Shkoza me Ansamblin e Shkodrës, Ndue Shyti, Frrok Haxhia e Dava Gjergji me Ansamblin e Pukës, Dedë Ndue Lazri e Drane Gega me Ansamblin e Lezhës etj. Ansambli “Mirdita” nuk ishte ishullor, por në vazhdë me ansamblet e rretheve fqinje, si “Çiftelia” (Lezhë), “Puka”, “Dibra”, “Mati” etj., që patën shumë zë në vitet’70-’80, ashtu si dhe Ansambli i Shtetit. Disa formacione muzikore, që e bënë jetën e tyre brenda këtyre ansambleve popullore, mbetën unike në llojin e tyre, si orkestrina e papërsëritshme e Matit nën drejtimin e mjeshtrit virtuoz Ymer Neli etj.
Ansambli sot, si trashëgimi kulturore dhe atraksion turistik
Për dikë ngjan e habitshme se si shqiptarët nuk po e “tradhtonin” folkun e tyre, dhe pse po i ikte koha e çiftelia sikur i kishte hyrë në hak kitarës e pianos, në kushtet kur dhe shkollave iu mungonte muzikëdhënia moderne. Të ishte thjeshtë nostaligjia, përshtatja me folkun, dëshira për ta ruajtur trashëgiminë apo dhe nuhatja se tradita tashmë do të njihte një tjetër shpërfaqje? Ansambli “Mirdita” shpërbëhet pas 90-s, për vetë rrethanat e reja social - kulturore, ndonëse mblidhet me raste, konkuron në festivalin e vitit 1994 në Berat etj. Ansambli riformatohet në vitet 2001 nga drejtuesi i asaj kohe, piktori Pjetër Marku, me përvojë të gjatë në sferën e kulturës dhe arteve, ku del aktivisht në skenat e Kosovës, si në Viti, Gjilan, por dhe Tuz etj., çka shënon një cilësi të re në jetën e etnofolkut mirditor. Ai çon më tej atë udhë që pati nisur në vitin 1979, kur Ansambli pati shkelur në Plavë e Guci dhe me 1990 në Zvicër. Ndërkohë në vitin 2004, me nismën e e vyer të drejtuesit të Pallatit të Kulturës, P. Marku hapet sipari i një veprimtarie kulturore komplekse me emërtimin “Mirdita në metropol”, me shfaqje në sallën e Teatrit të Operas dhe Baletit, promovim librash dhe ekspozitë pikture në Muzeun Kombëtar etj., çka vazhdoi dhe në vitet e mëpasme. Kompozitori dhe drejtuesi i formacioneve të ndryshme muzikore Mark Gjoka vazhdonte të ishte “krushku i parë” i këngës mirditore, në një cilësi të re, në skenat e Rrëshenit, Lezhës, Tiranës, Zvicrës etj., teksa poeti i penguar i së kaluarës Viktor Gjikola shkruante tashmë disa prej këngëve të tij më të zgjedhura, zeje që e kishte ushtruar herët me lirika plot dlirësi njerëzore, ashtu siç kishte nisur të spikaste në këtë lëmë poeti Fran Laska.
Në një sipërmarrje kulturore si ajo e Ansamblit lypet shumëçka, por në mënyrë të veçantë “busulla” e perspektivës, asaj se ku do të mbërrihet, pasi ekziston rreziku i rriskimit. Menaxheri kulturor i të parës qendër rinore në Rrëshen në vitet 91-92, veprimtari dhe gazetari Gjergj Marku, në vitin 2007 merr drejtimin e Ansamblit “Mirdita”, pjesë e të cilit kishte qenë dhe më parë si prezantues, duke e ridimensionuar atë. Në kushtet e reja kur Ansambli nuk kishte më në përbërje formacione si “Grupi i Burrave”, “Trioja e Rubikut” (Mark Gjoka, Dodë Prendi, Anton Gjoka) etj., kërkohen shtigje dhe hapësira te reja përformuese e promovuese të artit popullor të trevës etj. Në këtë fazë ai do të përvijonte linjën e koncerteve festive, jublilare, pjesëmarrjen në konkurimet kombëtare, si dhe do të kontribonte ndjeshëm në afirmimin e gjeneratave të reja; grupit të instrumentistëve të rinj popullorë, grupit të valltarëve të rinj, grupit të valleve të fëmijëve, organizimin e edicioneve të zërave të rinj të muzikës së lehtë, pa harruar as “Sofrën e rapsodëve” etj. Në dy dhjetëvjeçarët e fundit meriton të veçohet formacioni orkestral i instrumentistëve të rinj të çiftelisë dhe jo vetëm, krijuar nga muzikanti i palodhur veteran, mjeshtri Kolë Picaku, në QKF-në Rrëshen, fitues i çmimit të parë në festivalin mbarëkombëtar të instrumentistëve të rinj popullorë në Fushë-Arrës etj. Ky formacion vitet e fundit e ka kapërcyer pragun “fëminor” duke përformuar në veprimtari për të rritur dhe studoi televizive prestigjioze.
Është dashur përkushtim i vazhdueshëm nga ana e drejtuesit të tij, për ta mbajtur Ansamblin të përbashkuar jashtë mundësive financiare bashkiake dhe mosadministrimit më të formacioneve të tilla nga ministria e Kulturës. Kështu në bashkëpunim me Marianne Graf, drejtuese e shoqatës “Albania - Austri Partnershaft”, është kryer ndriçimi i skenës dhe sendërtuar salla muzeore - etnografike e Ansamblit, ashtu siç me kontributin e biznesmenit të mirënjohur Nikolin Jaka, apo emigrantit kulturëdashës Gjon Mëlyshi janë mundësuar veprimtari të shënuara në Tiranë, Gjirokastër etj.
Vizioni i tashëm etno-kulturor-turistik i “Ansamblit” ka bërë që të huajt që vijnë për të vizituar Mirditën të këndojnë dhe vallëzojnë shqip në odat dhe oborret e kullave të turizmit, në Katundin e Vjetër, Gëziq, Nënshejt, Perlat, Domgjon etj. “Pëllumbesha dhe skifteri” duket se është vallja mikpritëse e mirëseardhjes së turistëve sapo kalon Urën e Zogut e merr përpjetë luginës së Fanit, valle të cilën e njoftoi i pari Fabian Barkata në Rubikun e fundshekullit XIX. Po ashtu artistët e Ansamblit po bëhen përherë e më shumë pjesë e dasmave bashkëkohore, një tjetër mundësi për ta jetësuar traditën, si dhe për të zhdukur muzikën tallave, përçudnuese e muzikës burimore apo të përpunuar. Tashmë Ansambli është jo vetëm në Mirditë apo në Lezhë, Tiranë, Shkodër, Durrës, Kurbin, por dhe në Angli, Itali, Gjermani, ku janë të shpërndarë pjesëtarët e tij, të cilët përformojnë mirditçe dhe atje ku janë në emigracion me rastin e 28 Nëntorit etj., si dhe vijnë herë pas here duke u bërë pjesë e koncerteve në vendlindje. Organizatorë veprimtarish të tilla në emigracion janë këngëtarja popullore Mirdita Luli (Dedgjonaj) në Londër, kompozitori Aleksandër Kolshi në Rovereto, valltari Gjergj Lleshaj në Shtutgart etj. Veshja mahnitëse e gruas mirditore hijeshon e dekoron me ngjyra të ndezura çdo mjedis festiv, koncertal, konkurues etj., ku e bardha dhe e kuqja harmonizohen më mirë se në pikturat klasike. E megjithatë, në kushtet kur nuk gjenerohet më folklor, pyetja e pashqitshme është: a do të mund të mbahet në këmbë Ansambli “Mirdita” pikë së pari në kontekstin e ri të promovimit të turizmit kulturor? Apo me hovin që ka marrë teknologjia dixhitale, pak nga pak, ai do të shndërrohet në një muze etnofolku?
***
Së fundi, libri i autorit Gjergj Marku, shkruar me pasionin e njeriut të dhënë shpirtërisht pas kulturës, është dhe një homazh për artistë të shuar në vite. Personalisht ruaj kujtimet të vyera nga njohja shumëvjeçare dhe marrëdhëniet miqësore me Gjok Becin, Ndue Donën, Fran Vorfin, Lin Locin, Ndue Përkolën, artistë me peshë të veçantë në Mirditë e më gjërë. Por synimi i librit është të promovojë kulturën me “qeleshe” në marrëdhënie me njeriun e shekullit XXI që është një sfidë, duke u fokusuar te asetet, praktikat dhe prirjet kulturore të komunitetit të sotëm mirditor dhe më gjerë, shpesh në raporte jo mirëdashëse me rrënjët dhe trashëgiminë kulturore.
Ka dhe një arsye më shumë që libra të tillë janë të vlefshëm në këtë kohë - shkolla e ka bërë pjesë të kurrikulave të saj trashëgiminë kulturore dhe nxënësit herë pas here organizojnë shfaqje rituale, panaire prodhimesh artizanale, gatime tradicionale etj. Problemi është që gjithçka që serviret sot nga magjia e traditës të jetë e pastër, burimore, pa shtesa e shartesa “popullore”.