E diele, 28.04.2024, 10:28 AM (GMT+1)

Kulturë

Harallamb Kota: Feja të ndahet nga shteti

E diele, 22.05.2016, 01:48 PM


Intervistë në Radio Tirana me studjuesin Harallamb Kota: Feja të ndahet nga shteti

Nga Klaudia Malaj

Mirë se erdhe në Radio Tirana!

-Mirë se Ju gjeta ! Radio Tirana mbetet një radio prestigjoze dhe jam ritur me të, pasi familja ime me ardhjen në Tiranë në shkurt të vitit 1922, shtëpinë e parë e kishte mbas Radio Tirana apo Radiostacioni siç quhej atëkohë.

Ne, sot do flasim jo vetëm për krijimtarinë tuaj, por edhe më gjërë. Shumë shkrime apo libra tuajat dhe pse flasin për një të kaluar, janë shumë aktuale edhe sot.

Përse ?

-Edhe unë jam befasuar me ndryshimin tim në jetë, përsa i përket shkrimeve, pasi kam mbaruar për ekonomi në vitin 1976 në UT. Qysh në atë kohë, kisha dëshirë të shkruaja dhe kam bërë disa poezi, pasi na i kërkonte “Forumi Rinor” dhe ne i varnim në stendat që quheshin “Këndi Rinisë” , në koridorin kryesor të Fakultetit.  Kështu, nën këtë ndikim, hapa edhe një fletore dhe poezitë i hidhja në të.  I mbaja me kujdes. Çuditërisht, të gjitha këto poezi të hedhura në një fletore të veçantë, i kisha ruajtur. Qysh kur punoja në ndërmarjen gjeologjike në Bajram Curri ( mbas mbarimit të shkollës së lartë më 1976-1983), kam shkruar shumë poezi për bukuritë natyrore të Tropojës, për ato male kreshnike, për ato pyje, për ato lugina me histori të madhe. Vëç këtyre shkruaja poezi edhe për njerëzit që i kisha larg, për dashurinë, për Tiranën, për ato ndjesi të vegjëlisë etj. Pra temat ishin të larmishme, por brenda tyre kishte dhe ndjenja të ndrydhura, ndjenja që për kohën nuk mund të shpreheshin dot.

Pra poezia, dëshira për të shkruar ishte bashkëudhëtare e juaja. Pra një fletore me poezi që është mbajtur rreth 40 vjet. Le ti kthehemi këtyre poezive. Ju përmendët disa tematika: për mallin, natyrën, po tema të tjera çfarë keni përcjellë ?.

-Rinia është dhe mbetet rini. Rinia kërkon hapësira, kërkon më shumë liri, kërkon më shumë të drejta, pasi ka dëshira dhe ëndra. Rinia kërkon ta zgjidhë vetë jetën, kërkon të ecë vetë përpara. Këto ishin disa gjëra të pa lejuara për kohën dhe duhej të ishe shumë i kujdeshëm, shumë vigjilent për të gjitha.  Duhej kujdes nëqoftëse i shkruaje një dashurije apo një sacrifice. Pra, edhe pse poezitë kishin shumë ndjenjë, ato në fund të fundit ishin shkruar brenda një lirie të kufizuar.

Në këto poezi, a ishte mendimi se mund të censuroheshin ?. Pra, a ishte frika brenda jush se mos bëhej diçka që nuk mendohej ?.

Frika ishte e pranishme kudo. Sapo kisha mbaruar gjimnazin “Petro N.Luarasi” dhe kisha filluar vitin e parë në Universitet. Dua të theksoj, se më 1972 filloi një farë liberalizimi. Por, në fakt ishte një liberalizim i kontrolluar, i orientuar. Duhej kujdes në të shkruar dhe në publikim. Për këto arësye, i ruaja me kujdes këto poezi të shruara në fletore. Sigurisht, në “këndin e rinisë”, ekspozoja vetëm ato që nuk kishin frymë liberalizimi. Por, Jo!. I nxitur edhe nga një activist rinie, Leonard Agora, papritur guxova ose rash në grackë dhe ekspozova tre poezi. Me thënë të drejtën pati reagim. Nuk dija kurgjë, veç kur erdhën e më lajmëruan tre shokë të kursit, Kristaq Nathanaili, Anesti Bode e Sazan Xhija. Më thanë: “Poezitë kanë ngjallur reagim, si shumë të liberalizuara dhe ka shkuar fjala deri në Dekanat”. Shkova menjëherë te “këndi rinisë” dhe i hoqa, por për të mos ngjallur dyshim i zëvëndësova me tri poezi të tjera, me tematik dhe shumë korekte për kohën.

Mund të na thoni temat e tyre, apo qoftë një varg ?

Tematika ishte, ..se duhet të kesh kujdes ku e hedh hapin, se në çdo moment në këtë situatë  mund të gabosh e dihet fundi. Tjetra kishte të bënte për mos pranimin e gabimit, fajit apo hedhja e fajit dikut tjetër në mënyrë të padrejtë. Pra do të thoshte: ”egzistojnë pabesitë, egzistojnë padrejtësitë”. Një poezi tjetër ishte “Poezia mbi Qimen”. Po citoj dy vargje: “Kur të pashë që re, pse bëre sikur s’më pe, o qime , o lesh deve”. Poezia trajton realitetin e egsistencës të një shoqërie të sëmurë, mbushur me njerëz mohues, të ftohtë, njerëz që të shmangen, që të përcjellin tersllëk dhe bëjnë sikur nuk të shohin edhe kur je përballë tyre.  Nga vetë titulli, pati shumë debate, pati shumë komente. Këto ishin të papranushme për vetë edukimin komunist të masave, etj. …

Po pse këto poezi ishin të papranuseshme ?.  Kjo sepse ti ishe më liberal, para se të vinte liria tek sistemi, apo tek të gjithë njerëzit ?

Sigurisht dëshira ishte që t’mos prekeshin, t’mos hiqeshin, por kur kritikoheshin, guximi im nuk ishte aq i madh, sa të kundërshtoja. Ishin kohëra të tjera, që nuk mund të luash sot rolin e disidentit. Në krijimtari mund të përdorje sarkazmën, metaforën, sinonimin, figura të tjera artistike, por kursesi nuk mund të dilje fare hapur. Se mendoja kurrë atë guxim. Nuk ishte e lehtë të guxoje  në atë sistem. Ndaj, kur i vendosa tre poezitë tek këndi rinisë dhe u përhap fjala se nuk i përmbahen normave të moralit komunist, i hoqa menjëherë.  Atëhere nuk falej azgjë. Dua të jem koshient për këtë.

Libri juaj i parë vjen shumë vonë, në vitin 2014, është me poezi dhe titullohet “Im Atë”. Këtu janë gjithsej  42 poezi.  Të gjithë tentojnë ti shkruajnë nënës, pse ju i shkruani babait ?

Ah ! Keni të drejtë. Por titulli nuk lidhet drejtpërdrejtë me tim atë, por diçka më të madhe, më madhështore, më të bukur, me atdheun.  Pra “Im Atë”, është atdheu. Pra është titull për atdheun, këtu fillon zanafilla e emërtimit: Atdhe, dheu i atit, mëmëdhe, pra të gjitha lidhen me një emër, emërin e shenjtë Atdhe. Pra poezia e parë është për Atdheun dhe fill pas saj, fillon poezia për nënën. Pra, i kam gërshetuar të dyja këto poezi. I kam lidhur njëra pas tjetrës, si dy gjëra të rëndësishme. Pra, Atdhe- Mëmëdhe. Për të aritur deri në botimin e librit, u lidha me Prof. Hysen Kordha, të cilit ja paraqita fletoren me poezi.  I kam ruajtur si thesar i thashë.  Por ti lexoji njëherë dhe më jep ndonjë mendim, a ja vlen ti botoj apo jo?!!. Ai, i mori dhe i lexoi me shumë kujdes e dashuri. Pas disa ditësh më tha: “Unë nuk jam poet, as shkrimtar, por jam historian, por për mendimin tim janë poezi shumë të bukura për një libër”. Kjo më nxiti ta botoja librin në kujdesin e botuesit Zylyftar Plaku dhe të vazhdoja shkrimet në aspektin historik. Në vitin 2010, mora pjesë në 100-vjetorin e Kongresit të Manastirit, si përfaqësues, pinjoll i një prej fisit Kota, që kishte marrë pjesë si kontributor në këtë Kongres dhe ky ishte gjyshi im. Gjyshi quhej Llambi, por pagëzimi ortodoks e përcjell Harallamb (emër që e mbaj unë). Në Manastir, u njoha me shumë dokumenta historike, që i referuan edhe folësit. U habita e u befasova me aktivitetin patriotik dhe kombëtar të gjyshit tim Llambi N.Kotta. Aty kishte shumë dokumenta, me të cilat u  njoha dhe më ngjallën një admirim të papërshkruar për gjyshin.

Pra, ju në librin tuaj të parë për Atdheun, keni ecur (pa e njohur mirë) në rrugën e gjyshit që i mbani edhe emërin. Pra nuk ju ka ardhë fare rastësisht kjo ndjenjë e fuqishme atdhetare ….

Sigurisht jo. Si duket atdhedashuria ishte brenda meje, flinte brenda meje dhe donte një moment të caktuar që të shfaqej.  Kjo ndjenjë në fakt vinte nga larg tek unë, kishte dekada mbjellë në gjakun e familjes dhe të fisit tonë. Pra duket sikur në subkoshiencën time, ekzistonte një vend i fshehtë për këto poezi, për këtë mision, për këtë detyrim atdhetar.

 

Mund të na lexoni një poezi ?

Posi jo. Dua të lexoj një poezi, e cila është bërë kur ne shkonim në aksione të ndryshme rinore dhe jepnim kontributin vullnetar në ndërtimin e Atdheut.  Titulli kështu është:

“Në aksion”.

Pas provimeve të shkollës, Shkonim në aksion,

Të ndërtonim udhë të hekurta, Të ndërtonim vendin tonë.

Ishim të rinj, ishim studentë, Punonim bënim garë,

Për çështje letërsie, Diskutonim ditë e natë.

Kush mendoni, se është më i madh, Dritëro Agolli apo Ismaili ?

……………………………………………………………….etj.

Një poezi e thjeshtë, por që ka shumë filozofi brenda. Ka shumë debat ?!!

Po, kjo sepse bëhet fjalë për dy gjenitë e letrave shqipe. Debatet për ta kurrë nuk kanë sosur. Këtë poezi, kujtoj që e kam shkruar kur isha pikërisht në aksion. Ishim ndarë në dy grupe. Një grup ishte lart në kodër, pjesa tjetër poshtë në një si gropë. Ishim pikërisht në Librazhd, një krahinë me një natyrë të bukur, ku ka kodra të shumta, male të vegjël dhe Shkumbinin, at’lum që gjarpëron midis tyre.  Diskutimi ishte i zjartë dhe i gjatë. Ishim të rinj dhe kishim mentalitete e mendime të ndryshme, por brenda kishte dhe ideologji. Dhe e di kush ishte më e çuditshme ?.  Kjo ndarje me ideologji, sepse: Ata që ishin pro Agollit quheshin “komunistë”, ndërsa ata që ishin krah Kadaresë ishin “antikomunistë”.  Kjo ishte diçka e jashtëzakonëshme. Por edhe pse me këtë ndarje, diskutimet ishin shumë miqësore, pasi në fund binim në një mendim: Të dy, janë gjigand, të dy janë krijues të një kalibri ndërkombëtar.

Të kthehemi tek libri, atëherë përse nuk e titulluat “Atdheu” por “Im Atë”.   Tjetra, ju keni 42 poezi kur vini me këtë libër pas dekadash. Përse keni zgjedhur kaq poezi dhe pikërisht këto poezi ?

Im atë, ka lindur në Berat në vitin 1909. Babai i tij Llambi, ka lindur për koinçidencë, më 1878 në lagjen Kala në Beratit.  Paraardhësit e tij, ose pjesa tjetër e fisit, është lindur tre breza në Korçë, ku kanë formuan degët e tyre. Babai i Llambit, Kol Kota ka qenë një patriot i madh. Në korrik të vitit 1877, është takuar me Naimin pas kthimit të tij nga Vjena. Pikërisht atë ditë që u formua Lidhja e Frashërit. Pas një viti shkoi përsëri në Frashër dhe mori pjesë në Kuvendin Krahinor, organizuar nga Abdyl Frashëri. Ishte luftëtar i lirisë, por në maj të vitit 1912, u vra nga andartët grekë, në Kolonjë.

Ndërsa kontributi i gjyshit tim, Llambi N.Kota në Kongresin e Manastirit, mbajtur në nëndor të vitit 1908 dhe pjesëmarja e tij, i zgjedhur nga populli i Korçës si delegat në Kongresin e Dibrës mbajtur në korrik 1909, më ka mbushur me një krenari të madhe. Llambi ishte në Aleksandri, pasi në atë kohë atje banonte familja e tij, dhe komunikonte me Feim Zavalanin, organizatorin e Kongresit të Manastirit dhe kryetari i shoqërisë “Bashkimi”. Zavalani i kërkonte mendim Llambit për alfabetin që do të bëhej. Me letra –korespodencë, Llambi është shprehur për alfabetin latin. Pra ishte për njësimin e gjuhës shqipe dhe përshtatjen e sajë me germat latine, siç janë edhe sot. Llambi Kota u zhduk në Aleksandri në tetor të vitit 1919 dhe nuk dihet pse u zhduk. Unë besoj se u zhduk se merej me veprimtari patriotike. Ishte nismëtar i “Memorandumit të Aleksandrisë”, me të cilin patriotët shqiptar të kolonisë në Misir, ju drejtuan Fuqive të Mëdha të mbledhur në Paris, që të krijohej “Shqipëria Natyrale”.  Të gjithë e dimë, se këta patriotë ishin të përndjekur nga andartët dhe nacionalistët grekë. Pra nacionalistët shqiptarë, ishin të përndjekur nga ata grekë edhe pse ishin ortodoksë. Pra, ishte akoma më keq, që një ortodoks të quhej shqiptar. Këtu del madhështia e tyre.  Edhe Jorgji Kota ishte në këtë rrugë, në udhën e babait të tij. I mbetur jetim u largua nga Berati e u vendos në Tiranë, ku u organizua në Lëvizjen e Rezistencës A.N.Ç. Pikërisht këtu, Jorgji bashkëpunonte dhe bashkërendonte punën midis Lëvizjes në Qarkun e Tiranës dhe Lëvizjes në Qarkun e Beratit. Këtë e them me bindje, sepse kam gjetur një dokument, në të cilin shkruhen rreth 180 emëra të aktivistëve të parë të Rezistencës  Antifashiste, ku midis tyre është edhe Jorgji Kota. Jorgji bëri 8 fëmijë. I pari lindi më 1937, ndërsa unë, që jam fëmija i shtatë linda më 1953. Mbaj mend që nëna ime e të mëdhenjtë, në bisedat familjare, tregonin ngjarje të asaj kohe. Shumë probleme dhe shqetësime, pasi Jorgji largohej nga Tirana dhe shkonte në Berat. Pse shkonte nuk dihej, pasi ai nuk tregonte. Merte me vete edhe Alekon, vëllain e gruas së tij, i cili ishte fejuar me një vajzë beratase nga një familje e lidhur me Ballin. Ishte vjeshtë e vitit 1943 dhe Jorgji me Alekon ndodheshin në Berat. Një përpjekje e papritur me armë, në mes të pazarit të qytetit, midis një skuadre partizanësh me një balliste dhe Aleko u shkëput nga krahët e të fejuarës dhe pa ja shqitur sytë Jorgjit, u këput i vdekur përdhe. Ngjarja tronditi qytetin, familjen Kota në Tiranë, familjen Nako në Gjirokastër dhe familjen balliste (??) në Berat.

Pra, me këto gjurmime ju morët rrugën e një historiani konkret. Po pas çlirimit, a u vlerësua babai juaj ?

Pas çlirimit, babait i dhanë disa detyra të rëndësishme. Por duke qenë i sinqertë, korrekt dhe i hapur, ai çuditërisht pati disa goditje nga segmente të Sigurimit të Shtetit. Si duket pati influencë mbiemëri Kota dhe ndoshta formohej lidhja me ish-kryeministrin Koço Kota të Mbretërisë Shqiptare Zog-I.

Po në fakt ekziston lidhje fisnore mes jush ?

Po, por jo shumë afër. Gjyshi im Llambi N.Kota është djalë xhaxhai me ish-kryeministrin Koço N.Kota. Pra, ndoshta kjo lidhje bëri që babai im të ishte në shënjestër të segmenteve të sigurimit të shtetit, derisa “Lefterët” që e gjurmonin qysh nga viti 1956 e në vazhdim, i sajuan një rast, apo më sakt i pregatitën grackën që ta dënonin.  Dënimi i tij, i habiti të gjithë. Shokët ngelën të befasuar.

Pasi kreu dënimin, vuajtja që kaloi nga viti 1960-75, ishte një fatkeqësi e madhe për tim atë, por ai nuk e lëshoi veten, nuk e dha veten kurrë. Njëkohësisht edhe pse e gjeti kjo gjëmë, ai na mbajti në udhën e patriotizmës, në udhën për të punuar për Shqipërinë.

Pas librit të parë “Im Atë”, vjen libri “Pendat Shqiptare dhe Shkundja e Haresës”, një libër që i kushtohet Rilindasve.   Përse këmbëngule në këtë drejtim ?

Pas këtyre gjurmimeve në dokumentacion, ku gjeta shumë dokumenta të fisit tim, për patriotizmin e tyre, vendosa të bëj librin e dytë. Për organizimin e shkrimeve të mia dhe sistemimin e tyre në një libër pibliçistik, një ndihmesë të çmuar më ka dhënë, shkrimtari, publiçisti, gazetari dhe moderatori Albert Zholi. Nuk e njihja. Më pas e njoha. Kur mora vesh që ishte edhe miku i ngushtë i arvanitasit Aristidh Kola dhe bashkë me të kishte botuar në Greqi letërsi shqipe dhe kishte marrë pjesë në tubimet e Athinës në përkrahje të Luftës së shqiptarëve për pavarësinë e Kosovës, fillova ta shoh si idhull dhe meteor. Berti më nxiti të botoja të dy librat, ndërsa unë ndjeja detyrim që të nxirja në pah punën e madhe të Rilindasve që dhanë gjithçka për alfabetin e gjuhës shqipe.

Pra, krahas librit të parë, njëkohësisht vazhdoja të punoja dhe për librin e dytë. Shkoja vazhdimisht në Arkivin Qendror, shkoja vazhdimisht në Biblotekën Kombëtare dhe mblidhja material. Dua të them se arkivat tona janë të pasura, mjafton të gërmosh dhe të bashkëpunosh me një njeri të mençur e të ditur që të të orientojë. Unë kisha historianin e mirënjohur Prof.Hysen Kordha. Ishte tronditës fakti. Për mëse 25 vite, të gjithë Rilindësit u lanë në haresë, u lanë në hije. Ne, këtë pluhur harese e shikojmë kudo: në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë. Shohim pluhur mbi Skenderbeun, mbi vëllezërit Frashëri. Por, ka dhe shumë figura të Rilindasve dhe të heronjëve të asaj kohe që janë në bronx, mermer, apo dhe në trajta të ndryshme, të mbuluar me pluhur harese. Por jo vetëm në Tiranë, por edhe në Shkodër, Vlorë, Korçë, etj. Disa prej këtyre personaliteteve janë vendosur në rrugica apo rrugë të fshehura, të pashtruara dhe të baltosura. Bashkitë nuk marrin mundimin, që të paktën t’u heqin pluhurin fizik, pa le më atë memorial.  Për t’mos folur pastaj për pluhurin shpirtëror. Në këtë drejtim, ata janë tërësisht të haruar, pasi nuk bëhen më as sezone shkencore, as seminare apo dhe libra.  Kjo është më vrastare, pasi shikohet se nxënësit apo studentët, sot nuk dinë: kur është mbajtur Kuvendi Lezhës, Kuvendi Prizerenit, Kongresi Manastirit, Kuvendi Vlorës, etj., që janë pikat kulmore të një Kombi dhe të ndërgjegjes se Egsistencës së Tij.  Madje, ka njerëz, që kur u thua: Kush e ngriti flamurin në Vlorë ?. Ngrejnë supet dhe nuk përgjigjen. Kur i thua:  flamurin e ngriti Ismail Qemali, ngrejnë përsëri supet dhe ta kthejnë po me pyetje: Kush është Ismail Qemali ?....   Janë të vërteta, e të dhimbshme.. ta besoni.

Cili është mendimi juaj, përse, përse ?.  Pra, nga vijnë këto dyshime ?.  Mos lidhet kjo me faktin se historia ndryshon shpesh sa herë ndërohen qeveritë ?.  Kjo sepse i ndryshojmë shumë shpesh edhe tekstet shkollore ?.  Përse bëhen këto ndryshime kaq të shpeshta vetëm në Shqipëri ?

Jam munduar që të gjej shumë dokumenta në arkiva, kryesisht në formimin e qeverisë së Ismail Qemalit, të Kongresit të Lushnjes, në qeveritë mbretërore, në ato komuniste e atyre të tashme.

Para vendosjes së demokracisë pluraliste, deri më 1990, të gjitha qeveritë me mangësitë e tyre, kanë punuar shumë për shkollën, arësimin, për alfabetin e gjuhës shqipe. Në të gjitha këto periudha, shkolla shikohej, vlerësohej dhe drejtohej nga shteti në mënyrën më korrekte. Shteti interesohej në mënyrë të vazhdueshme për ndërtimin e shkollave, për tekstet shkollore, për unifikimin e teksteve, për mirëmbajtjen e shkollave, për trajnimin e mësuesve, për mjetet shkollore, etj….Mësuesit e kishin pasion profesionin.  E them me bindje, që të gjithë ishin patriot të mëdhenj. E bënin me pasion punën e tyre, e shikonin si detyrim atdhetar.  Ata e kuptonin, se me mësimin e gjuhës shqipe, më marjen e dijeve shkencore, me përhapjen e arësimit, do ta çonin përpara çështjen e kombit shqiptar, që vazhdon ende edhe sot të jetë në teh të briskut.  Ata kanë bërë një punë heroike, duke punuar në kushtet më të vështira social-ekonomike edhe në kushtet e punës dhe veprimeve antishqiptare të fqinjëve tanë.  Ndërsa problemet e arësimit pas fitores së demokracisë, janë katastrofike. Është një reprezalje, një veprim antikombëtar i paparë. Ky është një fenomen vetëm shqiptar. Nuk e di nga zbriti ky fenomen. U tjetërsuan shkollat, mësuesit, njërëzit. Filloi të deformohet historia, të ndrohen çdo vit tekstet, të prodhohen tekste fitimprurëse pa brendi lidhur me dijen dhe edukimin e nxënësve. Filloi mitmarja e mësuesve, e si pasojë analfabetizmi që mezi e zhdukëm u shfaq përsëri.  Korupsioni në arësim, u shoqërua edhe me hapjen e shkollave antikombëtare, shkollave të huaja me programe asimiluese për të miturit shqiptar,  shkollave fetare dhe atyre fantazmë. Kombi u la në haresë. Mbi të dolën interesat individuale. Rilindasit vunë Kombin mbi gjithçka, ndërsa politikanët shqiptarë, vunë interesat individuale mbi ato kombëtare. Një shthurje totale e arësimit.  Pra, interesi individual në Shqipëri, doli si një aksiomë e veçantë, në kuptimin që: “Nuk dua t’ja di për asgjë, as për atdheun nqs nuk plotësohen interesat e mia individuale”. Pra rendja për të marrë një diplomë të pa merituar, një vend pune pa arësim, një shkollë pa bërë shkollë. Kështu bien vlerat kombëtare, kështu bie ndërgjegja kombëtare. Po ritet një rini e qejfit, me arësim jo të rregullt, që nuk i njeh as edhe figurat kombëtare. Pra, libri im “Pendat Shqiptare dhe Shkundja e Haresës”, këtë ka qëllim, të nxjerrë në pah, vlerat e kombit, të atyre që na lanë gjuhën, arësimin. Naum Bredhi (Veqilharxhi), është një figurë e paaritshme, një figurë që koha e lartëson çdo ditë. Xhuxhmaxhuxhët qevritar, shoqëria shqiptare, akademia, universitetet etj, e kanë lënë në hije këtë figurë, si shumë figura të tjera të ndritura. Përse ?. Sepse janë “magjepsur pas parasë”, janë zhyer në korupsion dhe numërojnë fitimet nga tenderat e radhës.  Ndërkohë, krijohen shoqata të “Pakicave Kombëtare” ?!! dhe nuk krijohen shoqata me këta “Emra të Mëdhenj”.  Bëhet një përmendore e Naum Veqilharxhit në Rumani dhe në Shqipëri Jo. Ne heshtim. Duan t’na i rrëmbejnë edhe këtë apostull të gjuhës shqipe. Shqiptarët e anëtarësuar në shoqatat e “Pakicave Kombëtare”, për interesa vetjake, ndryshojnë identitet ose kombësi dhe thonë: “jemi arumun, jemi grek,jemi rom” e harojnë atdheun e të parëve. A ka një ligj për këto ? A, ka një ligj që përcakton qartë këto ndarje dhe shoqata ?. Jo ! Ndaj jemi në këtë pikë të hallit dhe në këtë anarshi të plotë.   Krijohen këto shoqata dhe marrin lekë nga Rumania, Greqia, Bullgaria, Arabia, apo ku di unë, vetëm që të identifikohen anëtarët e tyre “Jo Shqiptarë”. Madje thuhet, se po të jesh besimtar ortodoks quhesh grek. O zoti ynë, çfarë nuk dëgjojnë veshët. Shqiptar ka muslimanë, dmth duhet tu themi turq. Ka edhe kataolik, pra duhet tu themi italianë, gjerman... E shikoni ku ka vajtur kjo e keqe njërëzore ?.

Pra kombi identifikohet me fenë. Një çmenduri e vërtetë. Pra ky libër, ka këtë qëllim, të hiqet pluhuri mbi Rilindasit, për këto figura të mëdha që ndërtuan shtetin dhe kombin, për këta figura që kemi detyrime të përjetshme.  Naum Veqilharxhi, Jani Vreto, Kostandin Kristoforidhi, Thimi Mitko, Lzgush Poradeci, Mitrush Kuteli, Spiro Konda, Aristill Kola, Kristo Frashëri, etj., janë shqiptar, këtë se luan topi. Kush e deformon historinë dhe pse ?.

Shikoj se e keni me shumë pasion këtë çështje, pra e lidhët edhe me fenë. Sot ka shumë probleme në këtë drejtim. Madje është hedhur ideja, që në shkolla të ketë lëndë për mësimin e kulturës fetare. Si e shikoni ju këtë mendim të kryeministrtit Rama ?

Në librin tim të tretë “Iliria Atdheu i Parë i Shqiptarëve”,  e rrok paksa këtë temë.  Në këtë libër, mundohem të sqaroj se si erdhën besimet fetare në Shqipëri.  Përderisa është pranuar se shqiptarët rrjedhin nga Ilirët, pra rrjedhin nga etnia thrako-ilire, kjo tregon  se ne jemi banorët e parë të Ballkanit. Besimi i parë që erdhi në Ballkan ishte Krishtërimi. Pra ky besim erdhi tek ne në vitin 40 të erës së re. Kostandini Madh ishte me kombësi Ilire dhe e bëri fe zyrtare Krishterimin në vitin 313. Duhet të themi se deri ahere, Roma e sulmonte Krishterimin, nuk e pranonte. Një pjesë e ilirëve e pranoi këtë fe (pasi ilirët i faleshin Zeusit, ose më sakt Dheut, që u jepte të ushqeheshin. Kjo shpjegon prejardhjen e emërit Zeus nga shqipja, Dheu-Deu-Zeu). Kostandini Madh e bëri krishtërimin fe zyrtare, pasi kuptoi që ishte e vetmja mundësi të sundonte botën. Pra të bëhej sundimtar. Pra të sundonte popullin. Dhe ashtu ndodhi.  Kur lindi muhamedanizmi në vitin 634 e.r. dhe u bë fe zotëruese në vendet arabike, turqit selxhuk ishin ende fise nomade dhe jetonin në kufi me Kinën e Mongolinë. Pas ardhjes së selxhukëve në hapësirat arabike e në Anadoll dhe pas dyndjeve të osmanëve në Ballkan, besimi muslimane u perhap dhe zëvëndësoi besimin e krishterë. Feja muslimane në Perandorinë Osmane u bë fe sunduese.  Sulltani ishte dhe kryetar Shteti dhe kryetar Feje. Pra ishte i gjithpushtetshëm, Sundimtar.

Rilindasit tanë të mëdhenj, që në vitin 1878, kuptuan që thelbi i bashkimit ishte:  “Mënjanimi i përkatësisë fetare dhe nxjerja në pah i përkatësisë Kombëtare”. Kombi, Shteti dhe Shoqëria Shqiptare u organizuan me idenë “pa dallim feje, krahine dhe ideje”. Për të mënjanuar përçarjen fetare, u pranua ideja e Vaso Pashës: “feja e shqiptarit është shqiptaria”. Pra, Rilindasit e ndanë fenë nga shteti dhe ideuan krijimin e “Shtetit Shqiptar Laik”,me institucione shtetërore  laike (qeveria, drejtësia, arësimi, shkenca, kultura, etj). Pra, ishte tjetër gjë kombi dhe tjetër gjë besimi. Shumë prej krerëve të besimeve fetare shqiptare në periudhën e Rilindjes, e kuptuan shumë drejtë këtë lëvizje, madje e përqafuan me dinjitet. Kishte shumë klerik, qoftë ortodoks, katolik apo musliman, që dolën në krah të kësaj ideje, kësaj lëvizje, ndaj dhe kombi Ynë u bë. Po t’mos ishin Ata, çdo gjë do ishte ndryshe sot.  Ismail Qemali pas formimit të qeverisë, vuri në plan të parë, krijimin e shtetit laik në bazë të mësimeve të Kuvendit të Prizrenit. Pra shiko ku kishte shkuar kurajua dhe vizioni i këtyre burrave të mençur dhe patriot.

Pra shteti i ndarë nga feja ….?

Po, shteti i ndarë nga feja. Kjo ide e laicitetit të shtetit dhe harmonisë fetare, ku dhe feja pranonte laicitetin e shtetit, bëri që Kombi ynë të triumfojë, e të marrë dinjitetin e vet. Kjo pati një domethënie, pasi të huajt thonin: “Nuk formojmë dot një shtet shqiptar, pasi shqiptarët kanë katër besime”. Por ne treguam atë që bota se besonte. Krijuam shtetin me katër besime, madje në harmoni.  Ndryshe kombi ynë, ishte drejt zhdukjes. Po të ishim të ndarë në katër fe, s’do kishim komb, s’do kishim bashkim.  Pra, kjo mënyrë organizimi, u ndoq që në kohën e Ismail Qemalit dhe dha prova për ndërtimin e një shteti laik dhe vazhdoi edhe me qeveritë e tjera dhe në kohën e Zogut, ku thuhej: “Të jetosh në harmoni, duhet që shteti të jetë i ndarë nga feja dhe në shkolla të ndalohet mësimi i fesë”.  Një patriot shqiptar, që ishte klerik, hoxhë dhe ndërtoi xhaminë “Ethem Beu”, i kërkoi Parisë së Tiranës, që shteti të ndahej nga feja dhe shkolla të ndahej nga feja.

Lidhur me problemin e fesë, mendoj që Shteti Ynë, duhet të ndjekë me përparësi Kushtetutën. Shteti s’pari duhet të stabilizoj vetveten dhe të kuptoj që: “ushtron detyrat për ti shërbyer popullit që e ka zgjedhur”, gjë e cila lë shumë për të dëshiruar. Pasi të ketë disiplinuar vetveten, të marr përsipër disiplinimin e dy institucioneve të tjera tepër të rëndësishme, “institucionin fetar” dhe “institucionin arësimor”. Në përputhje me Kushtetutën e Shqipërisë, Shteti Shqiptar i kontrollon komunitetet fetare, lidhur me aktivitetin e tyre shpirtëror, në përputhje me Statutet e Tyre të miratuara po nga Shteti Shqiptar. Detyra e institucioneve fetare, veç predikimeve të besimeve që u takojnë, është edhe edukimi i besimtarëve, në kisha, xhami e teqe, me dashurinë ndaj kombit shqiptar dhe Shqipërisë, ndaj figurave kombëtare që janë: Heroi Kombëtar Skenderbeu, Ismail Qemali, Nënë Tereza, Frashëllinjtë, etj. Pa atdhe nuk ka fe, shkruhet nga klerikët patriot.

Pra shteti, në radhë të parë, duhet që të interesohet për historinë e kombit, pastaj për mësimin fetar. Në këtë kuptim, duhet të caktoj nga buxheti vjetor, më shumë fonde për arësimin, kulturën dhe shkencën. Duhet të caktoj fonde, jo vetëm për institucionet fetare, por edhe për shoqatat atdhetare shqiptare dhe promovimet e botimeve shkencore – publicistike- letrare, që bartin vlera patriotike e kombëtare.  Shteti, para se të kujdeset dhe të financojë, institucionet fetare e atdhetare, duhet të kontrollojë aktivitetet e tyre dhe kur konstaton që ato nuk i shërbejnë kombit shqiptar, ti ndaloj e ti deklaroj të jashtëligjshme. Pra, ..Shteti duhet të vendos në binarë institucionet fetare dhe ato arsimore.

Kur Kombi Shqiptar të ketë arritur një ndërgjegje të madhe kombëtare, krahësueshëm me Kombin Amerikan,Gjerman,Anglez,Francez,etj., atëherë mund të themi: “Ka ardhë koha, që në Arësimin Laik Shqiptar, të lejohet edhe mësimi i historisë të të gjitha besimeve që praktikohen në botë”. Të kuptohemi qartë. Të historisë dhe jo praktikave e predikimeve.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora