E shtune, 12.10.2024, 07:41 PM (GMT+1)

Kulturë

Pierre-Pandeli Simsia: Facebook! Gjithçka ndodh!

E merkure, 18.05.2016, 08:48 PM


FACE BOOK, FEJS BUK!  GJITHÇKA NDODH!!!

Tregim

Nga Pierre-Pandeli Simsia

I shoqi kishte kohë që mendohej të bënte një lojë kompjuterike në face book dhe, atë mbrëmje vendosi ta realizojë atë lojë.

U ul përpara kompjuterit. Mbështeti bërrylat mbi tavolinë dhe, mbi duart e kryqëzuara mbështeti mjekrën. Dukej se vështronte i menduar ekranin e kompjuterit.

E shoqja që po merrej me punët e shtëpisë, i kaloi pranë, i hodhi një shikim dhe nuk i foli. Nuk donte ti ndërhynte, t'ia prishte mendimet. Mendoi se i shoqi po meditonte diçka për ta hedhur pastaj në kompjuter. Kohët e fundit kishte filluar të shkruante në një gazetë lokale dhe shkrimet e tij ishin bërë tërheqës për lexues të ndryshëm.

- Hajde grua, ulu, - i foli me një zë ledhatonjës pa e hequr shikimin nga ekrani  përpara kompjuterit.

Ajo iu afrua, përkuli trupin dhe shikimin e hodhi në monitorin e loptop-it. Mendoi se i shoqi do t'i tregonte diçka interesante në kompjuter ashtu siç bënte përherë.

- Ulu - i tha ai përsëri, pa e hequr shikimin nga kompjuteri.

- Duhet të ulem tani patjetër? - e pyeti ajo kur nuk pa diçka interesante në monitor.

- Po - vazhdoi ai në këmbënguljen e tij. - Ulu. Më ka lindur një ide dhe tani vendosa ta bëjmë së bashku.

Fytyra e saj shprehu habi, por, ashtu si gjithmonë që nuk ia prishte të shoqit, afroi karrigen pranë tij dhe u ul. Nuk po shihte diçka interesante.

- Hë, - i foli ajo, me një ton gazmor dhe me një buzagaz që i shkëlqeu në fytyrë. Buzëqeshja e saj i tregoi dhëmbët e regullt që shkëlqenin në bardhësinë e tyre.

I shoqi e hodhi shikimin nga ajo dhe po e ledhatonte me sy fytyrën e saj.  As vetë ai nuk e kuptoi, pse në ato çaste donte ta puthte, me epshin e tij mashkullor si atëhere, në rininë e tyre.

Edhe pse kishin shumë vite jetë bashkëshortore, as vetë nuk e kuptoi pse ajo fytyrë e bashkëshortes së tij në ato çaste iu duk e pafajshme, engjëllore.

E hodhi përsëri shikimin në kopjuter. U duk se diçka po mendonte. Heshti pak, pastaj vazhdoi të flasë.

- Kam menduar të bëjmë  së bashku një lojë, grua -  U kthye nga ajo, buzëqeshi pak. Afroi kokën dhe e puthi në ballë. Kam menduar të hap një adresë të re në fb me emrin dhe me mbiemrin e vajzërisë tënde.

E shoqja, si të mos e kishte dëgjuar mirë atë çfarë i tha i shoqi, e pa me sy të dyshimtë. Iu duk qesharak mendimi i të shoqit, madje, një shaka' e tij siç bënte ai shpesh me të.

Mblodhi buzët dhe lëvizi kokën pak nga ana e djathtë duke shprehur habi nga ajo e papritur që dëgjoi.

- Hë, - vazhdoi ai ta pyesë prapë duke e parë me çiltërsi; - si po të duket mendimi im?

- Ç'farë the? - i ndërhyri ajo me zë të trembur si të mos kishte dëgjuar mirë atë çfarë i shoqi sapo e tha.

Ai afroi kokën pranë kokës së saj. Këtë herë e puthi në buzë dhe, me një buzëqeshje të lehtë vazhdoi. - Po e dashur! Kam menduar të hapim një adresë të re me profilin tënd në fb me mbiemrin e vajzërisë tënde.

E shoqja e vështroi ngultas dhe, pa e lënë që i shoqi të vazhdonte, i foli menjëherë: - Nuk po të kuptoj! Ku është arësyeja dhe qellimi i kësaj ideje që po më thua?

- Ashtu, kot, se si më lindi ideja - iu përgjigj ai me zë ledhator dhe buzagazi në fytyrë vazhdonte ti lodronte.

Ajo po e vështronte gjithë shqetësim dhe me mosbesim. Sikur nuk po u zinte besë atij mendimi, atyre fjalëve që po dëgjonte nga goja e të shoqit.

Bashkë, uleshin shpesh përpara kompjuterit kur ai donte ti tregonte diçka interesante që kishte parë apo kishte lexuar.

Atë mbrëmje ishte hera e parë që i shoqi po i kërkonte atë, që ajo me veten e saj e quajti aventurë, madje, të pakuptueshme. Ndjeu se kishte filluar të djersinte.

- Ufff! - shfreu pastaj pa e kontrolluar veten. E vështroi të shoqin me mosbesim.

Institktivisht, vuri dorën e majtë mbi gushë duke lëvizur gishtat e dorës sikur të hiqte një siklet të madh. Ndjeu një nyje në grykë, madje edhe pështyma në gojë sikur po i thahej.

Ai u mat përsëri të thoshte diçka, por ajo përsëri i ndërhyri: - Pse duhet të hapësh edhe një fb të ri me emrin dhe me mbiemrin tim të vajzërisë, kur ti ke fb tënd? - e pyeti mëdyshas.

Ai e kuptoi shumë mirë; e shoqja nuk tregonte asnjëherë interesim në përdorimin e fb që e kishin të përbashkët.

Por, megjithëse i shoqi i përmendi shprehjen. "ashtu kot, se si më lindi ideja" ajo, për të mos ia prishur dëshirën atij,  sikur iu "bind" për të marrë pjesë në atë lojë kompjuterike duke menduar se deri kur do vazhdonte ajo shaka' që i shoqi kishte ndër mend të bënte. I buzëqeshi me dashamirësi dhe pohoi me një lëvizje të lehtë të kokës.

I shoqi e mori si aprovim buzëqeshjen e saj; e pa gjithë kënaqësi, e puthi në buzë dhe vështrimin e hodhi mbi ekranin e kompjuterit. U mendua pak, pastaj filloi të shkruajë.

E shoqja e ndiqte, ndërsa ai plotësonte formularin me të dhënat e fb të ri. Shikimin e kishte mbërthyer në ekranin përpara kompjuterit. Gishtat e dorës lëviznin shpejt mbi tastierën e kompjuterit si të ishte përpara tastierës së një pianoje dhe po interpretonte vijë meodike. Një shprehje kënaqësie ia mbuloi fytyrën.

Profili personal me emrin dhe mbiemrin e vajzërisë së saj u plotësua dhe u shoqërua me foto të ndryshme të sajat që vetë i shoqi ia kishte përzgjedhur më parë nga albumi fotografik i familjes së tyre.

Vetëm një foto ishte familjare ku kishin dalë të dy burrë e grua bashkë me tre djemtë e tyre të rritur dhe, një tjetër ishte një foto ku ajo kishte dalë vetëm me tre djemtë e tyre në një ambient të bukur.

Nuk kaloi shumë kur, në profilin e ri në fb e saj "vërshuan" si një lumë i rrëmbyeshëm kërkesat e shumta për të qenë miq nga njerëz të njohur e të panjohur.

Meqenëse profili në fb e ri ishte i hapur, u dha mundësi shumë njerëzve të përdorinin edhe postën e saj elektronike private për t'i shkruar mendimet dhe dëshirat e tyre...

Si çakenj të tërbuar, të urritur përpara viktimës së pafajshme, vërshuan mesazhet e shumta edhe në postën elektronike private, duke i bërë koplimente nga më të ndryshmet, madje edhe duke i shprehur dashurinë që atyre u kishte lindur papritur duke parë atë grua të panjohur por shumë tërheqëse në pamje siç shpreheshin ata.

Pjesa më e madhe e "miqve" që dëshironin miqësi me gruan e re, ishin burra në moshë të ndryshme, madje edhe djem të rinj dhe burra në moshë të thyer.

Habia, çudia, pabesuesshmëria më e madhe ishte kur, miq dhe shokë të bashkëshortit të saj, që ishin edhe miq në fb e tij, i shkruanin kërkesën për të qenë mik në fb e saj, madje, disa prej tyre morën guximin ti shkruanin edhe në postën elektronike private duke i bërë koplimente të ndryshme dhe afrimin e miqësisë së ngushtë me të.

Por, komedia e fb të ri, do të vazhdonte edhe më tej. Duke parë profilin e saj në fb, në fotot e saja të vendosura që ajo kishte dalë vetëm në ambiente të ndryshme, vetëm njëra nga ato foto ishte familjare me bashkëshortin dhe tre djemtë e tyre, disa miq të njohur menduan të aludonin me dyshimet e tyre, madje, llogjika u thoshte se jeta e tyre bashkëshortore paska marrë fund dhe, kjo grua, në respekt të jetës së tyre të kaluar, ka vendosur këtë foto të vetme familjare.

Nuk nguruan t'ia shprehnin "keqardhjen" e tyre për atë që kishte "ndodhur" prishja e kurrorës bashkëshortore.

Disa "miq" të tjerë në mesazhet e tyre e këshillonin se nuk ishte diçka e jashtzakonshme, janë gjëra që ndodhin, më se normale për kohën që po jetojmë; mund të vazhdonte jetën e saj të lirë e të pavarur edhe pa bashkëshort. Madje, ofertat e njohjes dhe miqësisë së re ishin nga më të ndryshmet.

Midis lukunisë së shumtë të të panjohurve, kishte edhe nga ata "intelektualë" me tituj dhe gradë shkencore siç e prezantonin veten ata, njerëz që të "merrnin më qafë" nga pamja e jashtëme sipas fotove që ata kishin prezantuar veten e tyre në fb, madje në moshë të thyer, familjarë, bashkëshortë, gjyshër, që i shprehnin dashurinë e tyre që u kishte lindur menjëherë, sapo kishin parë fotot e asaj gruaje të panjohur, për ta vazhduar me një lidhje të fshehtë...

Por, zhgënjimi më i madh për ata "intelektualë" ishte, kur në fund të bisedës me ta, "gruaja" i rekomandonte, nëse donin miqësi me të, mund të vazhdonin miqësinë me bashkëshortin e saj dhe me tre djemtë e tyre, të cilët edhe po i lexonin në ato çaste mesazhet e tyre.

Të gjendur të papërgatitur nga ai mesazh shokues, ata mjeranë zemërthyer, për habinë dhe ironinë e atyre mesazheve që vetë ata i kishin shkruar, i kërkuan falje si një keqkuptim të asaj miqësie të sinqertë, siç do ta konsideronin ata.

Shumë shpejt, dëshira e zjarrtë e një lidhjeje të nxehtë dhe të shpejtë, u shua menjëherë, duke u larguar nga posta elektronike private, madje edhe e bllokuan lidhjen "miqësore" që dëshironin të krijonin virtualisht nëpërmjet fb.

Të mjerët ata familjarë, gra, bashkëshorte, fëmijët, mbesat, nipërit e atyre të të ashtuquajtur intelektualë, që me naivitetin e tyre ndaj dashurisë dhe besimit bashkëshortor, familjar, kur e shohin njeriun e tyre të dashur përpara kompjuterit, u besojnë verbërisht atyre mjeranëve pa e ditur të vërtetën se ç'shkruajnë ata në tastierën e kompjuterit...

Faleminderit shkencës kompjuterike që na ka dhënë mundësinë të njohim shumë njerëz, miq...



(Vota: 16 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora