Kulturë
Halil Haxhosaj: Rrugëtim poetik
E diele, 15.05.2016, 07:26 AM
RRUGËTIM POETIK NËPËR LAKESAT E HAPËSIRËS DHE MJEGULLAT
Ali Tahiri: “Unë koha dhe mjegullat”, botoi “Litografia“, Gjakovë, 2016.
Nga Halil HAXHOSAJ
Emri i Ali Tahirit, për të interesuarit e artit në Gjakovë, më tepër ishte i njohur si punëtor teatri edhe si aktor i teatrit amator “Emin Duraku” e më vonë për disa vite me radhë edhe i Teatrit profesionist të Gjakovës. Në dërrasat e këtyre teatrove dhe në forma e aktivitete të tjera, Aliu, arriti që të bëhet figurë e dashur dhe e çmuar për dashamirët e artit, por edhe për kolegët dhe të tjerët që punonin e vepronin me të. Ndërkaq, tash, pra para pak kohe, ia arriti ta botojë veprën e tij me poezi me titull paksa sinjifikues “Unë koha dhe mjegullat”, që në embrionin e vet defilojnë stazat e vijëzimit të ecjes së tij poetike nëpër rrathët e kohës së mjegullt që ishte e tillë në këto troje, pra edhe në vendlindjen e autorit. Dhe të gjitha shtresimet nëpër këto lakesa pasqyrojnë artistikisht përjetimet e ndodhive që janë hapësira historike të epokës së errët me domethënien e njohur hamletiane “të jesh apo të mos jesh”.
Ngjyrimet e përjetimeve në këto vargje poetike nuk mbështeten në një vend apo hapësirë të vendlindjes, por ato duke bredhur shtigjeve të saj marrin ngjyrime të përjetimeve të ringjallura nga penda e autorit dhe synojnë të mbesin edhe në ndjenjat, pse jo, edhe në kujtesa të lexuesve të tyre. Dhe sa arrihet kjo shihet nga disa vargje që bulojnë me ndjenjën e autorit si përkujtime të ripërsëritura dhe kurrë të paharruara që hasen në fillim të librit te poezia e parë me titull “Vendlindja” që janë, mbase, edhe trasim i subjektit poetik për lexuesit. Për të vendlindja është reale me “sokakët e kalldrëmet ta shtojnë bukurinë, Loma e Drithit, Fusha e Sahatit, Kullat e Begit, Tabhonet e Ura e Taliqit, qëndrojnë elegante përbri Krenës së vjetër në freskinë e Erenikut nën hijen e Çabratit, me këngën gjakovare”. Të gjitha këto, por edhe toponime të tjera reale të ngjyrosura me poetikë janë hallkat e përkujtesës së autorit Ali Tahiri. Hallkat e këtij mbarështimi me qëllime strukturimi, që do ta quaja të dorës së parë, ngrehin figuracion, që nuk është i kamufluar, madje as i ngatërruar e i përmbyllur, por lëviz lirshëm dhe me qëllim të pasqyrimit dhe tek lexuesi. Dhe ky qëllim arrihet pa ndonjë vështirës, por me ngrohtësi dhe pasqyrim.
Libri me poezi “Unë koha dhe mjegullat” i Ali Tahirit përbëhet prej më se pesëdhjetë e tetë poezish të renditura njëra pas tjetrës që nuk janë të ndare në qerthuj apo cikle poetike. Mbase kjo formë strukturimi i përgjigjet mirë sepse si vepër e parë e autorit ka disa gjera që janë nismëtare, andaj edhe forma e këtillë strukturore është e përshtatshme. Diku-diku në disa poezi depërtojnë edhe kujtime të tjera të autorit që në njërën anë më tepër janë peizazhe të vendlindjes të kohës së fëmijërisë, të rinisë, pse jo edhe të kohëve të trazirave të përjetuara nga autori në vendlindjen e vet në Gjakovën e bukur, krenare dhe kurrë të pamposhtur e të paharruar. Mbase, këtë e bën duke e shtrirë interesimin e vet poetik për qëllime ndjenjësore, që janë nxitëse për frymëzimet e autorit në mërgim, atje ku malli patjetër është dominues, i madh, i pashuar dhe ngacmues për të shkruar dhe për të krijuar vargje me frymë me pesha të rënda mërgimi, nostalgjie e pse jo edhe dhimbjeje. Sido që të jetë, këtë qëllim e mbush, e sistemon, e rendit dhe e përjeton me ndjenjën e frymëzimit poetik.
Figurat më të gjetura dhe më të përfillura për përkushtime malli dhe brenge në mërgim janë nëna, prindërit, shokët e shkollës, ata të punës, por edhe kalldrëmet e rrugëve, lugjet, lumenjtë e Gjakovës si Ereniku e Krena, pastaj stacioni i vjetër i autobusëve, teatri i vjetër, lisi i gjatë, Kroi afër shkollës, Kroi i Pangjallës, Çabrati, Tabja e Çabratit, Tyrbja në Çabrat, Ura e Taliqit, Bagiga, e shumë e shumë të tjera. Nuk mungojnë as figurat e mëdha të Gjakovës si Sulejman Vokshi, poeti i madh Ali Podrimja e të tjerë. Nëpër pasqyrimet poetike të këtyre objekteve që tashmë shndërrohen në taban subjektiv e artistik shfaqen format e përjetimeve të autorit që mbarsën me emocionet e frymëzimeve artistike. Dhe këto momente nuk dalin të strukura, madje as të çala e të vrazhda, por janë format më përjetuese dhe më mbresëlënëse.
Plaga e mërgimit e shtrirë gjerë e gjatë nga vargjet e fillimit e deri tek të fundit të librit “Unë koha dhe mjegullat” të Ali Tahirit frymon pareshtur, por frymëmarrja e tij nuk shtangohet veç rrjedh çlirueshëm. Ai këtë e laton kështu në këto vargje:
Me ty fle
Me ty ngrihem
Këtu në mërgim
Gjakova ime
Figura e nënës është një përshkrim paksa real, por me formën që ka lënë përshtypje dhe ngulitet në mendjen, pse jo edhe në ndjenjën e lexuesit, sepse:
E shoh të gjallë
Në shtëpinë e vjetër
Duke më dhënë bukë
Të lyer me sheqer
shprehet autori në këto vargje përkushtuese për të. Portreti i saj është i ngulitur thellë në zemrën dhe shpirtin e tij sa që nuk ka gjë që mund t’ia heqë. Madje, ky mall e përkujtim trashet edhe më tepër nën peshën e rëndë të mërgimit. Dhe sa herë e kujton figurën e saj, autori përmallet dhe “lagem e përlotem kur kujtoj” thotë në vargun e fundit të poezisë me titull “Hija e Nënës”.
Përveç këtyre elementeve më të cilësuara dhe me dominonte në këtë libër me poezi të Ali Tahirit, ka edhe elemente dhe kënde të tjerë që frymojnë dhe defilojnë në vargjet e tij. Këto vargje me elemente dalluese, pra veçuese, prapëseprapë janë një nyjë e përbashkët e qelizës së figuracionit poetik. Andaj, nuk është fare e tepërt nëse konstatohet se këtu hasen edhe elemente të shprehjes për një dashuri të kohës djaloshare, e cila ruhet e çiltër në fantazinë e autorit, por edhe të kohës së rinisë, e cila ndriçohej me rreze të ngrohta të krenarisë, traditës dhe të çiltërsisë rinore. Dashuria është ngrohtë si dielli, shndritëse si hëna dhe vezulluese si yjet. Ajo është “E çiltër si loti”.
Dashuria e asaj kohe ishte fllad pranveror me gjethe bojë ari si çdo gjë në natyrë, sepse ajo patjetër se duhej të strukturohej disi fshehtas vetëm me puthje e pëshpëritje që të mos shihej e të mos dëgjohej nga askush. Andaj e tillë ishte dashuria e asaj kohe, sepse vetëm kështu kishte lezet, konstaton autori i këtyre vargjeve, Ali Tahiri, në poezinë me titull “Dashuria e kosës sime”.
Libri me poezi “Unë koha dhe mjegullat” i Ali Tahirit, do ta ketë lexuesin e vet, sidomos atë në mërgim, sepse në vargje, figura e pse jo edhe në strukturë, ka elemente dedikuar këtyre lexuesve. Por, nuk duhet anashkaluar as lexuesit e tjerë. Andaj, libri është një pasuri për ta si dhe për bibliotekat personale dhe ato publike.