Kulturë
Hana Zeneli: Shpërthimi i një talenteje të re
E merkure, 11.05.2016, 08:19 PM
SHPËRTHIMI I NJË TALENTEJE TË RE
Dea Halim: “YJTË FARFURITËS”
Tregime të shkurtra për fëmijë
Nga Hana ZENELI
Dea Halimi, një nxënëse e klasës së dytë , vendosi që të gjithëve së bashku të na marrë me vete në botën e saj imagjinare, ku rrugëtimin deri atje aq mirë e shpalos dhe e përshkruan në librin e saj tejet të këndshëm “Yjtë farfuritës”.
Duke rrjedhur nga një familje intelektuale, e cila ndër të tjera është marrë dhe vazhdon të merret me krijimtarinë letrare, ajo është rritur dhe formuar në praninë e librit, në botën e madhe dhe të pafund të librit!
“Yjtë farfuritës” , më saktë 36 yjtë farfuritës, apo 36 tregimet e shkurtra farfuritëse përshkruajnë 36 shkronjat e alfabetit shqip nga perspektiva e saj, duke shfaqur aktivitetet dhe sfidat me të cilat fëmijët përballën çdo ditë, siç janë; dhëmbi i parë, shkronjat e para, rrëfimet e para të mësueses, madje dhe shenjat e pikësimit.
Ndër vite kemi hasur e lexuar libra të ndryshëm, që e bëjnë alfabetin për fëmijë më të kapshëm siç është libri i parë, Abetarja, sikur se janë “Vallja e shkronjave” apo “Xixëllonjat e vogla”, mirëpo libri i Deas ka veçantitë e saj, pasi që vjen nga pikëpamja e një nxënëseje të shkollës fillore. Nga syri, mendja dhe imagjinata e një krijese të njomë.
Mendimet, pikëpamjet, shqetësimet e përditshme me të cilat përballet Dea, i shkruan pa hezitim, pa ngurrim, pa frikë në letër.
Ajo nuk hesht!
Tek e fundit a nuk e kishte cekur mësuesja në tregimin “Një shkronjë një tregim” , që Dea e kishte marrë për zemër titullin si llafazania e klasës. Por kjo është karakteristikë e mirë e Deas, pasi që fëmijë të tillë, me talent dhe kulturë leximi e reflektim i nevojiten Kosovës : kreativ, mendjehapur dhe gjithmonë të gatshëm ta sfidojnë vetveten e tyre.
Por edhe ne, lexuesve dhe adhuruesve të shkrimit bukur,
Urimet me të mira Deas dhe na dhuroftë edhe libra të tjerë!