Kulturë
Vladimir Muça: Ditarët poetikë
E hene, 09.05.2016, 06:43 PM
DITARËT POETIKË NË ANALIZËN E NJË SHOQËRIE
(Rreth dy librave të fundit të poetit Agim Bajrami)
“…..bukuria e krijimtarisë poetike
është një shenjë e begatisë së shpirtit
që krijon, por dhe e lexuesit që e asimilon”
“Ditarët e Mjegullës”, një metaforë e cila në profecinë e sajë, paralajmëron që në krye të librit për ngulmimet e poetit Agim Bajrami në imazherinë e shoqërisë e të hapë rrugëkalimet drejt një prosperiteti të dëshirueshëm, nën një dramacitet sa lirik aq edhe social.
Mbas librit përmbledhës “Kohë që s’dashuron”, me të cilin më së shumti ndjehet zëri protestues poetik i zënë në leqet e absurdit shoqror, me një psikoanalizë, nëpërmjet “ Ditarëve” poetikë, autori na jep anamnezën e shoqërisë me dhimbjet e sajë, por hap dhe shtigjet e psiko-terapeutikës së sajë.
Në këto lirika, të një karakteri më inovativ, muzikaliteti rrjedh nga pentagramet e strofave me një rrebelim permanent, brujtur në shpirtin lirik të poetit, pa stonatura prozaike. Në përgjithsi poezia është e frymës, ngopur me mesazhe, ndjenjë dhe ide erupsive, lirikë shum dimensionale e cila fillesat i ka në mezin e parë të shekullit njëzet e në këto vite të tranzicioni letrar, po mundohet të hapë më shumë dritare komunikimi artistik, ndjenjësor e perendimor, në një komunitet lexuesish më të gjërë.`
Ajo po plazmohet e po asimilohet si nga thjeshtësia strukturale, trashëguar nga poezia e traditës, por dhe në ristrukturimin estetik, si një dukuri masovike.
Duke përmbajtur një seri ekstraktesh burimore polivalente, kjo lirikë po miklon mendjet e studiuesve, estetëve, linguistëve, sepse në çdo trill të saj, varg apo fjalë ajo vjen me nocione të reja të cilat në vetvete përfaqësojnë shumicë konveksionesh moderne, në një ndërthurje të traditës me modernen.
DHIMBJA SI KLITHMË NDAJ ABSURDIT SHOQËROR
“Kohë që s’dashuron” dhe “Ditarët e mjegullës”, dy libra që në dukje me kundërshti, mohim të mohimeve nga njeri-tjetri, por në esencën analitike janë plotësime në bleme vazhdimësie, me deduksione të përbashkëta mesazhesh dhe idesh. Dy libra që kanë novitete të një lirizmi modern, shpërfillës të zhgunit të soc-dogmatizmit, zëdhënës të një letërsie e cila po maturohet në një klimë ekzistenciale, metaforike e simbolizuese të ndjesive më të pastra njerëzore.
“Rebelim”, titulli i poezisë së parë në një ditar mjegulle, një paradigmë që do të sjellë më pas shumë rebelime të tjera në atmosferën e një dramaciteti liriko-shoqëror me të cilin ligjet dialektike por dhe ato të vetëmohimit vijnë si një zhvillim i botës dhe i njeriut sepse: “Tashmë lajmet e mbrëmjes, s’i ndjek më aspak/ Se s’dua më vetë të vuaj/ Gjithë diejt e shuar po shkoj t’i ndez flakë/ Ta bëj shkrumb e hi farën tuaj.”
Poezitë e dhimbjes vijnë të mëvetësuara si dhimbje e kujtdo: një fëmijë që lyp, një femër që poshtërohet, në dhimbjen e nënës për fëminë, një motre, vëllai që shfryn dhimbjen për veten, në mëdyshje poeti për poetin, në këtë absurd të pluralizmit krijues e të një evazioni libror. Kjo dhimbje del nën brinjën e poetit, si një klithmë, brenda një zemre, ushqyer me gjak poetik dhe gjak njerëzor, si sinonime të një arti të vërtetë. Një dhimbje që vjen si thirrmë për revoltë ndaj absurdit shoqëror.
Këto tema sociale e kanë në vete rrezikun e deklamacionit mbasi të mbysin emocionet e çastit krijues, që në zanafillën poetike ku hera-herës, pa e kuptuar përsërit vetveten në reminishenca që vihen re tek poezitë “Një hero i kishës sonë” me stërzgjatje artificiale, fjalë me brumëzim prozaik si në poezitë “Metamorfozë e një emigranti” apo “Stacioni i vjetër në Athinë” nga libri “Kohë që s’dashuron” ku të jepet përshtypja e një proze të vargëzuar e të rimuar. Ka shumë mesazh dhe ide, por është në minorancë ndjenja.
Në konceptin tim estetik, mendoj se ndjenja, mendimi dhe mesazhi duhet të jenë në baraspeshë, ku hera-herës mund të ketë një prioritet ndjenja.
Këtë handikap artistik, autori e ka kapërcyer me sukses në vëllimin “Ditarët e mjegullës” duke përftuar më shumë kthjelltësi estetiko-stilistike në çdo lloj dramaciteti. Duke e personalizuar me prototipe këtë dukuri, poeti arrin të na jap vargje drithëruese, të trishta me mesazhe njerëzore sa të dhimbshme aq dhe shpresë dhënës për një jetë më të mirë, sepse siç shprehet në poezinë portret “Nënë Tereza” “Ishte nënë më tepër se grua/ Brenda saj frymonte një profet/ -Më jep- i tha botës- plagët e tua/ Brenda trupit tim t’i ndjej vetë”.
Ngulimi poetik me ndjesitë që sjell malli për vendin ku ke ler, protonizohet në poezinë “Qyteti im” ku: “Shtëpitë janë në pritje marinarësh/ Prej sy pulëbardhe dhe me shkumë,/ Çdo çast pluskojnë mbi kreshta valësh/ (Në brigje kthehen veç për gjumë)”.
Kësisoj autori hap shtigje lirie shoqërore, jo vetëm me zërin protestues të poetit, por tregon se fuqia e fjalës poetike mund të godas, të operojë e të shërojë këto plagë, në shoqërinë e sotme.
Kjo poezi nuk vjen nga “qiejt që pikojnë yje” por gatuhet në magjen e kësaj toke, me majanë e shpirtit të personazhit poet, piqet në rrezet metaforike të diejve shpirtëror. Gjithçka që produktohet nga kjo ngjizje, vjen si perlat e guackave në fundin e shpirtrave njerëzor që shkëlqimin se humbin kurrë.
Në hapjen e siparit metaforik, që në ballinë ndjehet dukshëm përshtatja e formës me përmbajtjen që e dikton superstanca e re kohore që suportohet dhe nga njohjet estetike të poetëve modern të kohës.
Agim Bajrami me këto përqasje ka synuar dhe jam i bindur se e ka realizuar profilin e tij poetik, duke krijuar identiktin e një poezie autentike e cila manifeston: risi, origjinalitet shprehës, dendësi e gjallëri imazhiniste, thellësi mendimore duke qenë sa në pikënisje, e në poezi të veçanta në pikëmbërritje.
Metafora funksionale simbolizmi, alegoria, similituda i përgjigjen me valenca të plota qasjeve mendimore duke rendur nga një racionalitet përjetues në një irracionalitet të ëndërruar.
E BUKURA POETIKE E KUDONDODHUR
Mjeshtrat e mëdhej të lirikës na kanë mësuar, se e bukura poetike është e kudondodhur. Poeti i frymës së shenjtë, i erupsionit ndjesor, e kërkon atë dhe tek e shëmtuara, tek e zijosura, tek ligësia, në konceptin figurativ “tek lulet e së keqes” si një alternativë drejt bukurisë shpirtërore, që vjen si hyjnitet. Ai nuk mund të qëndrojë indiferent përpara çdo llojë bukurie edhe kur ajo fashitet nën zhgunin e së keqes.
Dramaciteti lirik i poetit Bajrami në kësi rastesh, me përceptime “të huazuara” shpirtrore, e sjell të bukurën poetike duke shtruar me brazdën e vargut rrugën, në shkallën sipërore, të magjishmen e magjive, si një burimore me shumë vatra ciklomotorrësh, në këto dramacitete të tejpashme lirike.
Ç’është më e veçanta, poeti Bajrami e realizon këtë shum thjeshtë, duke ngulmuar pas detajeve të së thjeshtës, intimes. Ngritja e tyre në art poetik është thelbi i sharmit poetik, një estetikë kjo Zer-Budiste, ku e madhërishmja vjen nga detai, qeliza ftilluese, vjen dhe nga e shëmtuara, si e kundërta e së bukurës. Poezitë portrete për Bilal Xhaferrin, për mikun poet Agim Pipa, për vëllain Flamur, “Puthja e Shekullit” “Në Vervë përballë fshatit tim eti Çamëri” “Shtëpi e braktisur në Çamëri” “Lamtumirë Arbeni ynë” vinë si alkimia poetike e së bukurës në art, ku dashuria për dheun e të parëve, për vëllain, mikun, poetin, nënën, kthehet në një materje jo vetëm shpitërore por edhe librare. Me frymën e poetit ajo bëhet e pavdekshme, e tjetërsuar në një frymë të shenjtë poetike (asgjë s’humbet por çdo gjë transformohet) po aq reale në një irrealitet në subkoshiencën e poetit.
Një ngulmim i tillë mbi praninë e së bukurës, tregon se atë mund ta gjejmë në çdo çast të jetës sonë, mjafton që njeriu të ngulmojë drejt të bukurës dhe vetëm të bukurës dhe ahere kur ditarët e jetës mbahen në mjegull.
METAFORA SI DEDUKTOR SHUMFUNKSIONAL
Pasurimi metaforik i vargut është një dukuri e organikës artistike në poezinë e Agim Bajramit, në vëllimin “Kohë që S’dashuron”, dhe më e theksuar në vëllimin “Ditarët e Mjegullës”. Në poezitë: “Gratë e vogla” ku “Dikush me pelerinë prej dive/ Dikush me bluzë prej metafore/ Një diell i ftohtë i fle mes syve/ Dhe pak cinizëm me ngjyrë dëbore” ku metafora dhe gjuha artistike e sajë shumfunksionale, vjen e detajuar gjer në rifinitura. Ajo vjen, herë- herë, si një kor masovik i një nabukoje të Xhuzepe Verdit, e herë-herë e veshur me pelerinën e Uliksit të Xhojsit, në kërkim të portretit të përkryer të një Penelope shqiptare. Nga absurdet sociale, kjo Penelopë, vjen disi ndryshe, e shpërfytyruar nga akseset e jetës së sotme ku: “Orgazmë e tyre është kariera”.
Metafora sot është dukuria më fondamente e modernitetit poetik, ajo është dhe kurora por dhe kapriata e funksionit artistik. Në këtë këndvështrim estetik, me fuqinë shprehëse të vargut, autori e ngjyen majën e penës në bojën e lumit poetik edhe në vorbullat e shprehive poetike me magjinë e fjalës shemb brigjet e tragjedive në familjet e sotme, duke ç’vendosur në këto brigje aluvionet e divorceve, prostitucionëve, si produkte të një shfrimi shoqror
Në vëllimin poetik “Ditarët e Mjegullës” autori shpreh më shumë qytetari, është më shumë social, më i ndjeshëm ndaj padrejtësive që dikton absurdi i kohës. Furkëza e goditjeve me artileri poetike është më e shtrirë si në hapsirë e në kohë. Kjo goditje me mortajat e metaforave e shtrin flurudhën e parabolave gjer në thirmën poetike në kthimin pranë vatrave të lindjes ku “balta është më e ëmbël se mjalta” atje ku : “Shtëpitë një nga një po i hapin dritaret/ (Ndonjera prej tyre dhe me ndonjë gërvimë)/Nga hapat e mallit gëlojnë trotuarët/ S’kanë nge që të marrin, as frymë” sepse: “Qyteti prej tyre në heshtje zgjat buzët/ T’ju japë gjithsecilit një puthje”.
Kjo alterego për vendin, me paranomikë jetësore e një qyteti mimfatik, si lule lukovile, jetësohet në poezinë “Në Sarandë” ku: “Mbas çdo dritareje,rri një zemër/Dhe pranë çdo dere pret një mik/ Askush s’të flet,këtu me emër/ Por veç “të lutem, rri mos ik”. S’ka koment për qartësinë shprehëse me këto vargje dhe rrolin e madh si deduktor artistik i metaforës polivalente në modernitetin e sotëm poetik.
ALITERACIONI SI PENTAGRAM I MUZIKALITETIT POETIK
Besnikëria në strukturën klasike të vargut, me rimim të përkryer, dhe ngulmimi në risi të reja moikomiane e ka gjalluar vargun, me futjen e figuracionit të pasur si metaforës, alegorisë, asonancës, similitudës. Por në librin “Ditarët e Mjegullës” autori ka përdorur me sukses dhe aliteracionin si proton vargëzues në përshkallzimin e muzikalitetit në vargëzim.
Mjeshtria e përdorimit të tij në poezitë “Për të mirën time” “Na duhej një Krisht”, “Elegji pa lamtumirë” kanë sjellë si produkt rritjen e vlerave mesazhiere, ideore, nga strofa në strofë. Mendoj se gamën e poezive me këtë llojë estetike autori duhet ta shumojë, mbasi produktiviteti artistik bie më shumë në sy.
Aliteracioni i vargut “Për të mirën time” vjen si përshkallzim artistik, me gradentë në rritje nga strofa në strofë, vjen si një parabolë, si një hark ylberi, si një shkallare në kullën e Babelit krijues, duke dhënë tonet e shumë ngjyrave dhe duke hapur nga strofa në strofë sipare të reja paradigmash poetike.
NOCIONET BALAIDIKE SI INOVACION
Edhe në konceptin balaidik të poezisë, autori ka një ndërthurje të re të lirikës. Siç duket Agimi është shëmbëlltyrë edhe e mjeshtrit të baladës Koçi Petriti. Si në vëllimin ‘Kohë që S’dashuron” edhe tek libri “Ditarët e Mjegullës” poeti ngulmon në futjen e dukurive të reja në lirikë, siç janë dhe ato të baladës. Kjo e veçon ndopak nga fryma e mjeshtrit Petriti në këto drejtime:
1- Siç e thekson dhe eseisti Fatmir Minguli në parathënie, “trajektoret e mërzitjes, rrebelimit vërtiten kudo “si lulet e mërzitjes” që nga lagja e poetit, njerzit që pinë kafe”
2- Të bukurën poetike autori ngulmon ta gjejë dhe tek ajo e keqe që e ndoqi popullin çam. Në frymën poetike, kjo e bukur çel si bajamet e çamërisë, atje në Vervë e Paramithi me pasojat e masakrave e të genocidit, tek ajo golgotë që ka lënë gjurmë dhe në shpirtin e poetit.
3-Amalgamat e dhimbjeve dhe shpresat, vijnë si aliazhe të një produkti shpirtëror, nga bota boheme e poetit, ku personazhi poetik dhe vetë poeti vinë si sinonime të njeritjetrit.
4-Mitet dhe legjendat, autori i sjellë të jetëzuara, në një supstancë tërë kohore, jo të ngurtësuara si dikur, si mit, si legjendë me frymë mbinjeriu,por ata vinë njerëzor, me aksese të reja kohore. Çamëria vjen si një guackë gjigande nga thellsia e historisë së saj, në perlën Vervë. Çdo gjë rrezatohet me shpresë e mirësi, pse dhe e gjymtuar nga një mizori.
Etalone të një përceptimi të tilla të baladës janë poezitë “Natë e parë e masakrës Çame” “Shtëpi e braktisur në Çamëri” “Elegji pa Lamtumirë” kushtuar Bilal Xhaferrit, “ Në Vervë përballë fshatit tim eti Çamëri” ku me një epikë të re, me dimensione shoqrore e dramacitet lirik, mirëvendosur në galaktikat shpirtërore të njerëzve, midis identitetit të përzhitur nga intervenimet ç’njerzore nga andartët e zervistët grekë ndaj të parëve,por dhe pasojat e trashëguara në shpirtin e vetë poetit dhe të tjerëve që e rrethojnë. Gjithshka zhvillohet në një antraksion koherent në botën shpirtrore dhe atë të jashtëme me pasojat e lëna pas, midis vdekjeve dhe imazherive të shpirtrave që mbetën nga ajo golgotë, vjen si një thagmë, që i hap udhën e shpresës jetës.
Në këtë kontekst, si një inovacion, autori sjell psiko-analitikën si një lum psiqik që rrymon në strukturat poetike të një balade, ristrukturuar në një lloi të ri, në përshtatje me supstancën e re kohore dhe estetikat globale.
Futjen në këtë lum psiqik dhe paronamikën historiko-shoqërore të Çamërisë autori e starton me një nacionalizëm shoqror, pa thirrjet e egra e hakmarrëse ndonse: “Shtëpitë e braktisura/ nën një klithmë ulliri/ me mure të krisur/ Dhe çati prej hiri”.
Këto vargje, shkëputur nga poezia “Shtëpi e Braktisur në Çamëri” vinë si një baladë moderne, me dëndësi figurative universale në gjetjet artistike, ku marrin frymë dhe materje inerte efemere, sepse në “Elegji pa lamtumirë” kushtuar poetit disident çam Bilal Xhaferri, poezitë e mbarsura me elementë të patriotizmës, mbartin sharmin gjithëpërfaqësues, mbajnë zgjuar kujtesat historike.
Elementi tjetër, introdukt i aliteracionit “Poeti im Vëllai im” vjen si një thirmë e qartë për vendin që duhet të zërë në panteonin e letërsisë dhe të historisë kombëtare, këta idhujtarë lënë menjëanë nga absurdet e kohrave, sepse: “Çapitet koha këmbëzvarrë/ Mbi tela gjembash dhe rrethim/ Andej në flakë, këndej në zjarr/ Poeti im, vëllai im”.
POETI DHE NATYRA
Raportet e njeriut, poetit me natyrën, vendosja e raporteve në harmoni reciproke, është një veçori tjetër e poezisë të Agim Bajramit.
Natyra poetikisht është mushkëria, magjeja ku poeti stis poezitë. Tek hija e asaj pemës poetike, mrizojnë muzat sepse: “Sa herë pranë saj kalon ndonjë djalë/ (jo nga ata budallejt e llakosur)/ Ajo degët para ia shtrin me ngadalë/ Duke e joshur pa sosur.” Edhe ambjentalisht Sazan Guri do e kishte zili një përqasje të tillë poetiko-ambjentaliste.
Natyralizmi artistik i ngritur në art poetik në format nga më të ndryshmet gjer në materie inerte që premtojnë rimishërim artistik, janë të kudondodhur në vëllimin “Ditarët e Mjegullës”.
Nuk më vjen mirë, që krahas poezive antologjike do t’i quaja, në vëllimin “Kjo kohë që S’dashuron” dhe tek disa poezi si: ‘Bastardët” “Baladë për rrëmuesin e kazanëve të plehrave” “Kamarieria” “Maçoku spitalit” “Mesazhi i vonë i Hënës”, jo se s’të sjellin emocion, por në krahasim me shijen artistike që ke përftuar në poezitë e tjera të zhgënjejnë disi.
Herë herë në takimet mes miqsh, si një devizë poetike, poeti Nikolla Spathari ngulmon: “Të gjithë poezitë mundet të mos jenë baras të arrira, por në një vëllim ato duhet të jenë të gjitha të lexueshme”.
Siç duket edhe me këtë kritikë të Spatharit, libri i fundit vjen me atë mbrothësi artistike, me një perceptim ndjenjësor, me mesazhet që përcjellin me shumë ide, azhornim me natyrën, punimin me rifinitura të fjalës dhe vargut. Gjithshka mund të mos jetë në një nivel artistik, se dhe fryma nuk del nga shpirti me intensitet të njenjtë. Çdo gjë varet dhe nga emocioni i përjetuar, por ama ato duhet të kenë një përbashkësi, të jenë të lexueshme.
Ta konsiderosh natyrën komponent artistik është vlerë artistike protonike, sepse natyralizmi i modernitetit huazuar nga estetikat botrore bën që të realizosh një produkt poetik bio-shqiptar me cilësi autoktone.
Mendoj se në këtë vëllim të fundit poeti Bajrami, në tërsinë poetike e ka realizuar këtë objektiv artistik. Brusha natyrore vjen si një pastel i domosdoshëm, ngjyer në bojë prodhuar nga produkte shqiptare.
Nën rrezet e diellta të ndjenjës, në klorofilën e këtij habitati natyror kryhet procesi i fotosintezës që gjallon shuminë e poezive lirike. Kjo ka bërë që me sharmanën natyrale poeti të realizojë një diversitet shpirtëror, të vijë me një tabllo reale në kontakte kohore, ku njerëzit herë-herë “grisin kufomat e tyre të gjalla” dhe rilindin shpirtërisht në saj të ligjeve dialektike, ku mohimi i mohimit vjen si zhvillim i autorit dhe personazheve poetike, ndonëse poeti “rivret mitet” e krijuara dhe “gdhend” portretin e plotë të tij kur: “Pragmbrëmja fshin kufinjt e ditës/me hap të ngathët prej pleqërisë/(është çasti kur të vdekurit ngrihen)/kur unë kufomën time gris”.
Zanafillën ky koncept mbi natyrën, kohën dhe hapsirën e ka, që në vëllimin e parë ku autori absurden kohore e vuan shumë shpirtërisht sepse: “Dhe sot më dalin mangut vitet/ sa herë i mbledh diçka mungon/ një pjesë vodhën hipokritët/një pjesë kjo kohë që s’dashuron”. Me vargun fundor është pagëzuar dhe produkti librar pararendës.
Elementët e natyrës vijnë si distributor të ndjenjave njerëzore gjer në tejskajme, në një bashkëjetesë të poetit, njeriut me natyrën.
Ndaj dhe poezia, në këto krijime, vjen si kadëne, e kudondodhur, si gjaku në trupin e poetit, si një rezore që herë qesh e herë përlotet, herë zjarrmohet e herë vranësohet nën vetullën e një reje, apo xhindohet nën flakën e një rrufeje. Natyra rrugëton poetikisht si një personazh si një domosdoshmëri estetike e vargut, strofës, poezisë.
Post skriptum
Më entusiazmon fakti se poezia lirike po e gjen vetveten kohore, pjesë e së cilës, si kontribues është dhe poeti lirik Agim Bajrami.
Këto poezi më sollën në mendje një thënie brilante nga mençuria e njerëzve të mëdhenj se: “...bukuria e krijimtarisë poetike është një shenjë e begatisë së shpirtit që e krijon, por dhe e lexuesit që e asimilon.”
Dyrrakium Prill 2016
Vladimir Muça
Poet Shkrimtar
Email: vladimir_muça@yahoo.com