Kulturë
Kadri Kadiu: Në parajsë, ndër varre
E merkure, 04.05.2016, 08:17 PM
NË PARAJSË, NDËR VARRE
Nga Kadri Kadiu
Aty në Fshatin tim, në Mançurisht të Devollit, varrezat janë vendosur në një vend shumë të bukur në hyrje të Fshatit. Janë të sistemuara, të rrethuara me kangjella dhe me pemë dekorative rreth e rrotull. Në territorin e varrezave dhe përreth tyre ka shumë pemë arrash (kaçka), të cilat janë nbjellë 50-60 vite më parë, janë me kurorë të plotë, të shëndetëshme e shumë prodhimtare dhe gjithë verës japin hije e freski. Varret janë të rregulluara kryesisht me mermer, të zbukuruara edhe me lule të mbjellura; janë të pastra e të mirëmbajtura. Gati çdo ditë aty gjen njerëz që shkojnë për të bërë homazhe, për të ndezur qirinj e për të vendosur lule në varret e të afërmve të tyre, por në Ditën e Shën Gjergjit, që i takon më datën 6 Maj, në varreza shkon i gjithë Fshati; vijnë dhe bijtë e bijat e këtij Fshati që jetojnë larg, për të kujtuar dhe nderuar të vdekurit. Shpesh kam shkuar dhe unë me vëllain tim, Hamdiun, që nga Tirana, në Ditën e Shën Gjergjit për të nderuar prindërit, gjyshen dhe gjithë të afërmit tonë që prehen aty. Në një rast, vëllai im u entusiazmua aq shumë sa që tha: " Ore po kaq bukur sa qenka bërë këtu, të paska ënda që të vdesësh".
Për bukurinë e varrezave të Mançurishtit më ka folur edhe një shoku im, shkrimtari Shyqyri Fejzo. Ai para ca kohe kishte qenë në një ceremoni varrimi të një mikut të vet në Fshatin tim, në kohë vjeshte. Rastisi, tregon Shyqua, që në atë varrim kishte ardhur dhe një i dehur nga një fshat fqinj. Kur gjithë njerëzit, të dëshpëruar, po hidhnin nga një dorë dheu mbi varrin e të vdekurit, nga degët e arrave shkëputeshin kokrra të pjekura, të zhveshura nga lëvozhga e çaçanikëve dhe pikonin mbi varre, kështu që ai i dehuri u bë ziliqar ndaj të vdekurve kurse ne të gjallëve na ngushëllonte, na jepte kurajo e na thoshte: "Mos u mërzitni bre burra, këtu qenka vërtet parajsë, këtu këta të vdekurit, tërë natën bëkan qejf duke çarë arra". I dehur vërtet ishte ai por ja që nuk e kishte humbur ndjenjën e të bukurës dhe na i hoqi pak mërzinë e na bëri që të buzëqeshim edhe në varre.
Meqenëse këtë Shën Gjergj e kam të pamundur të ndodhem në Fshatin tim të dashur dhe të jem në Varreza, atje ku të gjallët përkulen para të vdekurve dhe ku gratë ndajnë gurabije e kulaçka, po dërgoj aty disa vargje:
Atje poshtë ndër varre
S'ka ankesa fare
Të gjithë janë të kënaqur
Parajsën kanë kapur
Të mermertë e kanë shtëpinë
Lule sipër iu kanë mbirë
E ku do gjenin më mirë
Iu kanë mbjellë dhe trëndafilë
Gaz, hare e harmoni
Festojnë bashkë, në shoqëri
Janë në kamje e mirësi
Punët i kanë në terezi
Të gjithë të sjellshëm e të sajdisur
Tëra hallet i kanë bitisur
Të buzëqeshur, me mirësi
S' ua prish gjakun asnjeri
O po të gjithë janë të gëzuar
Dhe ata që s'flisnin janë pajtuar
Se kur ishin në këtë Botë
Grindeshin për një metro tokë
Tani janë në paqe e qetësi
S'i prek në sinor njeri
S'ka as sherre, as shamatë
Nuk ngatërrohen as me gratë
Se dhe Met Poeti e ka thënë
Në varre s'ka shkak për tu zënë
Atje pa hile tapitë janë ndarë
Të gjithë nga dy metro kanë marrë