E merkure, 09.10.2024, 08:48 AM (GMT+1)

Kulturë

Mehmet Kraja: Kadare dhe Kosova

E marte, 17.05.2016, 08:03 PM


Kadare dhe Kosova

Fjalë e mbajtur në manifestimin për 80 vjetorin e lindjes së Ismail Kadaresë, organizuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë në Tiranë.

Nga Mehmet Kraja

Mbase sivjet, ose vitin e ardhshëm, pak rëndësi ka kjo, Kosova do të mund të shënonte një jubile, nga ato jubiletë e rëndësishëm që përbëjnë historinë e saj më të re: 30-vjetorin e mbështetjes këmbëngulëse, të fortë dhe pa rezervë të Ismail Kadaresë. Pavarësisht nëse kjo mbështetje ka qenë letrare ose politike, ajo përbën një ngjarje në këtë histori, sepse pësimet dhe synimet e Kosovës, përfshirë edhe arritjet e saj të viteve më të vona, përmes zërit të Kadaresë, janë kthyer dhe shndërruar në zë të ndërgjegjes kombëtare, në një zë që bashkëndjen dhe flet për brengën më të madhe shqiptare. Por nuk është vetëm kjo. Zëri i Kadaresë në mbështetje të Kosovës ka qenë dhe vazhdon të mbetet multifunksional: ai ka krijuar kontekst politik ndërkombëtar, ka arritur të depërtojë nëpër kancelaritë e ftohta diplomatike dhe, që është po kaq me rëndësi, ka qenë frymëzim për shumë gjenerata intelektualësh, mësuesish, studentësh, nxënësish, pra për një mase të gjerë njerëzish në Kosovë, përfshirë edhe ata që, në aktin final të kësaj historie, u vunë në radhët e para të luftës për çlirimin e Kosovës. Në këtë pikë, Kadare ka bërë më shumë se të gjitha institucionet së bashku të shtetit shqiptar. Në një kohë të ndjeshme të strukturimit të vetëdijes së kosovarëve, ai u hapi rrugë lidhjeve të tyre mbi-ideologjike dhe tej-ideologjike me shtetin amë, duke anashkaluar dhe minimizuar rolin e kufizimeve dhe ndasive botëkuptimore (madje edhe rajonale dhe krahinore), për krijimin e një tërësie kompakte nacionale. Zëri i tij, pavarësisht nëse vinte nga vokacioni letrar ose nga diskursi politik, për kosovarët ka qenë zë integrues. Edhe ata që në Kosovë e konsideronin Kadarenë si kundërshtar politik, që nga komunistët projugosllavë, tek autonomistët e deri tek ideatorët e lëvizjeve më të vona politike, që të gjithë me radhë “i mbanin veshët në krah” (dhe akoma vazhdojnë t’i mbajnë) për të kapur sa më shpejt dhe për të dëgjuar sa më qartë mesazhet e tij.

Në këtë angazhim të gjerë dhe gjithëpërfshirës për Kosovën, Kadare është shfaqur i tërësishëm dhe i përplotsueshëm. Bashkësisë ndërkombëtare dhe opinionit botëror i ka folur dhe vazhdon t’i flasë me një gjuhë të qartë konotative, ndërkohë që me kosovarët herë pas here ka ditur të jetë kritik, madje i ashpër, duke kërkuar prej tyre që të përballen me sfidat dhe të jenë në nivel të çastit historik të Kosovës. Sado që kritikat e Kadaresë te disa politikanë lokalë ndonjëherë krijonin shqetësim dhe pakënaqësi, në opinion ato pranoheshin gjerësisht, si mesazhe fort të vyera dhe udhërrëfyese, shpesh edhe si kredo e angazhimit dhe reagimit politik ndaj zhvillimeve aktuale. Edhe sot, shestimet e Kadaresë për modelet e shoqërisë shqiptare, përkundër faktit se mund të mos lidhen drejtpërdrejt me Kosovën, kanë jehonë të madhe në opinion kosovar dhe janë kontribut i vyer për profilizimin botëkuptimor të shoqërisë kosovare, si shoqëri me vlera perëndimore.

Vepra letrare e Kadaresë, shkrimet dhe analizat publicistike, intervistat dhe deklaratat, pse jo edhe mesazhet gojore, kanë luajtur rol emancipues për Kosovën dhe kosovarët. Dashuria e tij për Kosovën, angazhimi i sinqertë intelektual, qëndrimi i paluhatshëm parimor kanë bërë që Kadare të bëhet pjesë e identitetit kosovar. Idetë dhe mendimtaria e Kadaresë, përfshirë edhe vlerat e veprës së tij, tashmë qëndrojnë në themelet e shtetit të ri të Kosovës, si identitet i tij i qëndrueshëm, shpirtëror dhe botëkuptimor.

Imazhi më i hershëm i Kadaresë për Kosovën është ravijëzuar në poezinë “Kosova”, e shkruar në vitin tashmë të largët 1966. Kadaresë i rastis të kalojë në avion mbi Kosovën dhe, në këtë fluturim të shpejtë, ai kap një pamje të tokës së zymtë, e cila shfaqet dhe zhduket ”midis zgavrave dhe humnerave të reve”. Kosova, për Kadarenë asaj kohe, është tokë disi e largët, e cila rri matanë reve të rënda dhe gjëmimeve të rrufeve, ndërkohë që pikat e shiut në xhamin e avionit janë lotët që akoma prekin vetëm jashtësinë, jo vetëm pse ato janë disi të përtejme, të paarritshme, por nga se flasin diçka që poeti nuk e thotë dot. Megjithatë, ligjërimi i pikave të shiut në xhamin e avionit përçon një mesazh të tejkohëshëm brenge, sepse ato janë sinjalet më të afërta të një trishtimi dhe zymtësie gjithëpërfshirëse, të krijuar nëpër një qiell të mbushur gjëmime dhe vetëtima të pareshtura, të cilat mbulojnë tokën-enigmë të kësaj bote të largët dhe të panjohur. Poeti e personifikon imazhin: një vetëtimë që çan midis reve, edhe përkundër faktit se është e frikshme dhe përcëlluese, sikur ndalet për një çast dhe ia bën me dorë poetit. Është kjo një përshëndetje miqësore, disi përkëdhelëse e një bote të sertë, e cila e ka gjuhë të komunikimit krismat dhe flakën. Dhe, pikërisht, nga ky çast duket se midis asaj bote dhe poetit do të vendoset një lidhje dhe referencë e gjithmonshme: poeti do të mbajë me vete përjetësisht brengën për Kosovën, kurse ajo do t’i dhurojë atij, po ashtu, miqësinë e përjetshme. Por, mbi të gjitha, imazhi i Kadaresë për Kosovën, i ndërtuar në këtë poezi, shpreh edhe një situatë (politikisht dhe historikisht) konotative: në vitin 1966 vështrimi mbi Kosovën ishte i shpejtë, fluturues, ngarendës, ikës, pothuajse i pavërejtshëm, siç është vetë fluturimi i avionit nëpër një qiell të mbuluar me re. Imazhi është i shkurtër. Ai krijohet nga një pamje e paqartë, e rrëmujshme dhe e dhembshme në veten e saj, por që është disi e jashtme, e pamundshme që të futet brenda. Pikat e shiut ndalen në xham dhe thonë diçka që nuk shpjegohet. Vetëtimat, diku matanë, çajnë qiellin midis reve të rënda. Kaq. Poeti ik me avion dhe poshtë mbetet Kosova, e vetmuar në trishtimin dhe dhembjen e saj. Shqipëria, e mbyllur në kuvli, nga largësia, sheh imazhe të mjegullta dhe merr mesazhe të turbullta.

Pra, në pikëvështrimin letrar të Kadaresë, Kosova tashmë i kishte të gjitha parakushtet që të shfaqej e dyzuar, ndërmjet një realiteti të vrazhdët dhe dramatik, me një anë, dhe mitit e legjendës, me anë tjetër. Tragjedia e saj ka një fillesë të largët, në kohën e “Mundjes së ballkanasve nga turqit në Fushën e Kosovës më 1389”, pra në një mesjetë të errët, kur njerëzimi ishte i prirë që ngjarjet dhe zhvillimet tragjike, pa ndonjë vështirësi, i kthente në mite dhe legjenda, sepse nuk gjente një shpjegim racional për to. Kosova, e stome dhe e gjithmonshme, i ka të gjitha parakushtet të shfaqet dhe të rishfaqet disi përgjysmë e dukshme dhe përgjysmë e hijezuar. Edhe e sotmja e saj është e kapërthurur në këtë dikotomi. Madje, për Kadarenë, të gjitha zhvillimet që ndodhin në Kosovë, përveç që shfaqen të dyzuara ndërmjet mitit dhe realitetit, edhe mesazhet largvajtëse i kanë dykuptimëshe: Kosova është si një teatër i tragjedive antike, ku vdekja merr kuptimin e vërtetë jo në çastin kur ndodh, por diku në vazhdimësinë e saj, pasi të jetë “eksploruar” mesazhi i saj i tejkohshëm. Ky diskurs letrar i Kadaresë për Kosovën i ka shpjegimet e veta. “Realizmi magjik” këtu nuk është trill letrar, është imanencë, është mënyrë e vetme e komunikimit me realitetin. Në dy romanet e tij për Kosovën, “Krushqit janë të ngrirë” dhe “Tri këngë zije për Kosovën”, Kadare nuk bën çmitizimin e ngjarjeve, si në ndonjë rast tjetër, por ndjek një logjikë të brendshme të zhvillimeve, duke ia vënë realitetit “irracional” kornizën mitike. Kjo është shkathtësi e shkrimit dhe observimit, nuk është shmangie. Përmes kësaj kornize mitike ai nuk i shmanget realitetit dhe mesazheve të drejtpërdrejta që përçon ai. Ai vetëm sa i kthen në materie letrare zhvillimet dramatike, të cilat kanë konotacione thellësisht historike dhe politike.

Në vjeshtën e vitit 1980, Kadare do të vizitojë Kosovën, me rastin e botimit të parë të kompletit të veprave të tij, në dhjetë vëllime. Me këtë rast, atij iu bë një pritje institucionale dhe pati takime të shumta me lexues dhe intelektualë kosovarë. Disa muaj më vonë, në pranverën e vitit 1981, do të ndodhin demonstratat e përgjakshme në Prishtinë, të cilat në esencë do të ndryshojnë rrjedhën e të gjitha ngjarjeve të mëpastajme. Për afro njëzet vjet të tjera, Kadare nuk do ta shkelë më Kosovën. Demonstratat ishin një pretekst që Kosova të vihej në shënjestër të një agresioni serb dhe jugosllav, të paparë deri atëherë. Krahas agresionit politik, ushtarak dhe policor, mbi Kosovën u derdh një propagandë e shfrenuar shoviniste, e cila synonte të ndryshonte jo vetëm rrjedhën e atëhershme të ngjarjeve, por edhe historinë që nga themelet. Synim ishte që miti serb për Kosovën, i ndërtuar në kohën e romantizmit nacional serb të shekullit XIX, të bëhej mbështetja kryesore për ristrukturimin politik të krahinës, deri atëherë me autonomi të gjerë, duke e zhbërë atë deri në atë shkallë, sa elementi etnik shqiptar të quhej i papërfillshëm. Trysnia politike, ushtarake dhe policore mbi Kosovën ishte e jashtëzakonshme. Përmes të të ashtuquajturit diferencim politik, inteligjencia e Kosovës u vu përball shantazheve, denigrimeve dhe përndjekjeve, deri te burgosja dhe përjashtimi nga jeta publike. Kadare doli në mbrojtje të Kosovës dhe të inteligjencies së saj. Jehona ishte e madhe, qoftë në Kosovë, qoftë në Jugosllavinë e atëhershme. Kundërreagimi i pushtetit ishte i menjëhershëm: veprat e tij u hoqën nga programet shkollore dhe, për një dhjetëvjeçar, ato nuk u ribotuan më në Kosovë.

Por shkrimtari Kadare nuk mund të kufizohej vetëm në një reagim politik. Më 1982 ai shkroi romanin “Krushqit janë të ngrirë”, një sintezë letrare e zhvillimeve dramatike të Kosovës të vitit 1981, duke vënë në sfond të rrëfimit romanor rindërtimin e një miti ndryshe për Kosovën, i cili nuk do të përçonte mesazhe urrejtjeje ndërmjet popujve të Ballkanit, por bashkëjetesën e tyre në një hapësirë të përbashkët. Legjendën shqiptare dhe ballkanike të krushqve të ngrirë, ashtu siç ndodh zakonisht në romanet e tij, ai e kontekstualizon në një kohë të re, zhvillimet e së cilës kanë marrëdhënie të pashkëputshme dhe disi të natyrshme me kohën mitike. Legjendat derivojnë mesazhe të gjithëkohshme. Ato nuk vdesin bashkë me kohën e tyre, por riinkarnohen sapo të shfaqen rrethanat e përshtatshme për këtë. Kadare nuk merret në mënyrë eksplicite me legjendën. Ajo futet në roman nga prapavija, nga kujtesa dhe shtresimet e kohës së largët, mitike dhe historike. Dy popujt e armiqësuar për vdekje në Kosovë, shqiptarët dhe serbët, edhe përkundër faktit se kanë bërë jetë të ndarë dhe janë shikuar me njëri-tjetrin përmes tytës së pushkës, në marrëdhëniet e tyre domosdo që ndonjëherë do të kenë ndjekur edhe ligjshmëritë e natyrës dhe të jetës njerëzore. Dashuria e dy të rinjve, me përkatësi të ndryshme etnike, do të ishte zhvillimi më normal në rrethanat e një jete të përbashkët, sado kontradiktore të kenë qenë marrëdhëniet mes popujve. E tillë është dashuria e Shpend Brezifortit dhe Mladenka Markoviçit, të cilët në vitin 1981, të përfshirë nga inercia e ngjarjeve, gjenden në dy anë të ndryshme të “vijës së zjarrit”. Shpendi merr pjesë në demonstrata, vritet nga forcat policore serbe dhe i bëhet diku një varr pa gjurmë dhe pa nishan. Shkrimtari akuzon në emër të dashurisë, të ndjenjës më njerëzore, për një lidhje dhe afri, për një miqësi dhe krushqi të mbetur në tentativë, e cila rrënohet dhe këputet në mes, për shkak të ringjalljes së miteve të errësirës. Faqet e fundit të romanit, të cilat i kushtohen Shpend Brezifortit, ndonëse të kursyera në sasi, vijnë si një katarsis sui generis dhe, ngjashëm me tragjeditë antike greke, sugjerojnë pavdekësinë e legjendave dhe miteve, bashkë me këtë edhe të akteve të papërmbyllura të një tragjedie.

Gjatë qëndrimit sado të shkurtër në Kosovë në vjeshtën e vitit 1980, Kadare kishte marrë me vete imazhe dhe mbresa, të cilat nuk do t’i shlyheshin aq shpejt. Ai e kishte njohur ambientin kosovar. Në mënyrë të veçantë atë të Prishtinës. E kishte parë nga afër si funksiononte ky komunitet i shqiptarëve, çfarë synonte dhe cilat ishin preokupimet e tij. Kishte pasur takime dhe njohje me njerëz të ndryshëm, veçmas me të tillë që i përkitnin shtresës intelektuale. Ndonjë vit më vonë, ndërsa mund të ketë dëgjuar dhe lexuar se çfarë ndodhte me këta njerëz, tashmë miq të tij; si ishin përfshirë ata në një proces të egër të diferencimit politik; pra, në një rrethanë të këtillë, Kadare do të ketë ndërtuar pa ndonjë vështirësi të madhe konstruktin rrëfimor të romanit “Krushqit janë të ngrirë”. Në të vërtetë, romani është pledoaje e përballjes së suksesshme dhe jashtëzakonisht dinjitoze të inteligjencies kosovare me aparaturën e egër represive të pushtetit dhe, në këtë pikë, romani përfshin një dimension më të gjerë të konfliktit të përjetshëm të shtetit represiv me atë shtresë të popullsisë, e cila ndryshe quhet ndërgjegje njerëzore. Në Kosovën e vitit 1981, kjo përplasje ishte e ashpër dhe gjithëpërfshirëse.

Në qendër të rrëfimit të tij, Kadare vendos një galeri personazhesh imagjinarë, por që, disa prej tyre, krijojnë ngjashmëri të qartë me personat realë. Çifti Teuta dhe Martin Shkreli asociativisht përfshijnë çiftin Sahadete dhe Esad Mekuli. Përmes mbiemrit, gjithashtu korrespodojnë edhe me mikun e Kadaresë, Azem Shkrelin, i cili, atëbotë, kishte qenë organizatori kryesor i vizitave të Kadaresë në Kosovë. Mirëpo, ashtu siç ndodh rëndom në letërsi, imanenca e rrëfimit romanor e çon autorin në shqyrtime dhe përplotësime imagjinative. Teuta Shkreli është kirurge në spitalin e Prishtinës. Ajo, në procesin e diferencimit, akuzohet për përfshirje në tri çështje, të cilat lidhen drejtpërdrejtë me demonstratat: Kush e shtoi numrin e shtretërve në spital, në repartin e kirurgjisë, një natë përpara demonstratave? Kush i angazhoi autoambulancat për bartjen e të plagosurve? Kush e zhduku librin e të vdekurve? Ky është, si të thuash, rrafshi dokumentar i romanit. Por Kadare, i cili shquhet për imagjinatë shpërthyese, nuk mund ta linte rrëfimin vetëm në suaza të ndodhive reale. Përball çiftit Shkreli dhe personazheve të tjerë të kësaj kategorie, ai vendos kundërpeshën e tyre, njerëzit e sigurimit, të UDB-së, të cilët situatën e krijuar në Kosovë e shohin si mundësi për ringjalljen e kohëve të errëta, në radhë të parë të periudhës së Rankoviqit.

Fitorja morale e Teuta Shkrelit mund ta ngazëllejë lexuesin, por në këndvështrimin e shkrimtarit ajo nuk i davarit retë e errëta mbi Kosovën e viteve të ardhshme. Mitet dhe legjendat vrastare, nga studimet etnografike të Martin Shkrelit, tashmë kanë dalë në dritë të diellit dhe kanë marrë forcën e shfaqjes reale. Mbyllja e romanit është rrëqethës: Si te “Kambanat për Rankas” të Skorsës, Kadare zbret në varrin pa gjurmë të Shpend Brezfortit dhe që andej sjell imazhin e një vdekjeje që gllabëron dhe tret trupin e një viktime të pafajshme. Kjo vdekje duket sikur pret në pusi kohë të reja dhe viktima të reja.

Me këtë roman, Kadare i jep Kosovës një mbështetje të fortë letrare, krahas mbështetjes politike. Mbështetja e tij letrare është esenciale: Kosova, në njërën nga situatat e saj më të rënda, bëhet subjekt i veprës të tij. Botimi i romanit në Tiranë, atëbotë, do të sjellë në Kosovë dy kumte diametralisht të kundërta: do të shkaktojë mirënjohje entuziaste te komuniteti letrar dhe intelektual i Kosovës, me një anë dhe, me anë tjetër, do të shtojë urrejtjen për Kadarenë te strukturat represive të pushtetit të atëhershëm serb dhe jugosllav. Ajo që i xhindoste më shumë këto struktura, ishte mesazhi i veprës së tij thellësisht human, i cili shkonte në rrjedhë të kundërt me mësymjet shoviniste mbi Kosovën.

Kosova, atëbotë, kishte nevojë pikërisht për një mesazh të këtillë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora