Kulturë
Elinda Rusta: Tupanat rrehin pa jehonë
E diele, 15.05.2016, 07:30 AM
TUPANAT RREHIN PA JEHONË është cikël poetik i shkëputur prej vëllimit NJËMIJË VJET AJKUNË të autores Elinda Rusta, botuar nga Shtëpia Botuese Klubi i Poezisë, Tiranë, redaktor Rexhep Shahu, recenzent Izet Duraku.
SYTË E JESHILTA
Ûja prapë t'i ka gjetë sytë e jeshilta
kafshatë e mbetun në fyt
që as kalon as kthehesh mbrapsht.
Shpirt i parahatuem
Jam lodhë tuj t'qa me lotë t'parrjedhun
jam lodhë prej mendimeve t'preme, t'shkatërrueme
t’pabesa.
Në andrra t'zgjas dorën me t'pshtu prej humnerash ku ke ra
në makthe ta shoh fatin e zhgrryem përdhe
t'shoh ty që nuk m'sheh
dashnitë tua të përdhunueme.
Zoti jem
m'helmon heshtja e m'i then muret e shpirtit.
Zemra përpëlitet me gjetë një kohë ma t'mirë
se bota që krijuem na
qe aq e vogël!
Muret n'dashtë -
shpirtin mos e len me danga.
UNË E BUKURA E TOKËS
Njëmijë vjeçe jam fëmjë e dal dathë
Njëmijë vjeçe e re, zhytun në tinguj simfonish
U bie yjeve me za e i dirigjoj me frymë
Përformoj melodi fatesh në lotin e paterun të Ajkunës.
Njëmijë vjet nata u nxi
Njëmijë vjet malli lisat i ka rrzu
N'Lugje t'Verdha m'kanë mbetë dashnitë
Eposin që jep shpirt e marr në krahë e qes n'breg t’andrrës
E thithi buzësh me ia nxjerrë Bajlozat
që i kanë hi n’bark e n'mushkni.
Pa Epos jena jetimë e jetimi e ligshton botën.
Tash...
Gurët e themeleve të bjeshkeve po i fus n'pe’
E me ta baj varëse, i vari ngjitë për fyt
Malet i vë njeni mbi tjetrin e ndërtoj kullën e dashnisë
Që n'të me qa e me qeshë, trupin me derdhë çmendshem n'dashni.
Mbi krye të Omerit të ri i mësoj botës alfabetin
Rrahjet ia qepi njëjtë me zemër
Unë e bukura e Tokës që ngjaj me t'bukurën e qiellit.
PERËNDITË JANË NJERËZ
Edhe perënditë njerëz janë
Plagosen shijesh
Ndrrojnë jetë pa u përmbush
Heronjtë e mi të pangjashëm
Kapun jeleve të shejta t'Shkëlzenit
Ju shoh me vesin tem të peshkatares molusqeve
Ua njoh zakonet
I përkitni etnisë pranverave të nuseve ngri në gur
E duroj dhembjen mbi dashninë tuej
kallem gishtash prej malli
Eh, rremi jem i çiknisë!
Burrnia jeme!
E báj nji gabim me dashje përherë
Shkruej gjatë për njerëzit-MU
S'më lanë vetëm në t'lodhtin tem
Për muzikën e vetme q? ma ka lexu shpirtin
Për librin që m'ka plotësu nevojat e pafundme
Me ditë çka m'rrethon
QE! Kaq kisha me thanë për veten!
UNË E TI MIGJEN
Ulë n'skaj t’udhës, kresë i bjen me grushta
s'e di prej dashnie a prej pshtjellimi!
Ka ardhë me ia hekë bjeshkës terrin e zbehtë
që i ka ra si jorgan i vjetër
dritën e qorrueme me e derdhë n’vorr.
M'lutet, si murgeshës për ferrin, me ia afrue gushën
me i mbyllë sytë e me e futë mbrenda kapakëve të tyne
unë s'mund!
Ashtë i ri e druej se edhe nesër m'i lyp sytë
ai shkon larg tuj prekë afër
mundet me lexu mjerimin e sodit.
S'mundem
me i kallzue se kanga e mjerimit a kthye n'gjunjëzim
dynjaja n'vaj pazaresh shpirti
dashnia ka dekë
unë s'mundem me u zhytë n’mëkate t’parrefyeme tuj ia kqyrë sytë.
Na nuk jena miq
erdhëm si të dashunuem pa u njoftë
për me u njoftë mbrenda vetes
me u zhveshë ashtë me u njoftë, unë s'muj
unë murgesha që s'e kam njoftë ma parë
s’muj me ia qitë mjerimin lakuriq.
N'mundsh Migjen me m'dashtë si jam,
pa i zblue vorret.
N'mundsh Migjen për mëshire tande
me m'sundue pa m'puthë.
N'mujsh me çue dashni me engjej
tuj i ruejt.
Unë s'di me puthë, veç me marrë erë
po due veç me t’rrok
m’je ba dhimbje edhe ti
je ba gur
rranjë e kësaj toke
unë e ruej veten për ty.
Unë e ti Migjen skajet e një shpirti.
KA DO KOHË
Nuk shkruj për dashni,
shkruj veç për ty.
Ka do kohë që t'gjuj me zogj
copash i baj po s'mbrrijnë te ti.
Ka do kohë që nadjeve të përhime
dergjem me t'pasë.
MA E BUKURA NË JUTBINË
Ulem rrafsh si gruaja ma e bukur në Jutbinë
Andrrat nuk m'lanë me çue krye
Hala zemra aty m'rreh
A thue s'dit me harru kurrë?
Jo! Edhe e humbun mbrenda fituesit jam!
Nuk bahem merak
Dhimbja nuk përzihet n'mu
Kjo ashtë dhimbtë si tjerat
Asgja e mbinatyrshme
Kam forcë mos me bashku emocionet
Mos me vu emnues të përbashkët
Të përtejmen tëme nuk e shoh
Nuk ashtë frikë me dekë
Frikë ashtë me jetu pa jetë
Me qeshë njerzit kur tregohesh bosh
Kumonë kishe pa njerëz
Qira të rrëzuem
S'kam n'mend me i ba gja vedit
Kam dalë ma herët n’dynja se rrëfimi jem.
PRAPË TË FALI
Sot hodha në kosh lulet që më ke pru,
nji grumbull drandofilash
të bardhë e të kuq që i mbajta afër trupit
afër gjumit në çdo moment.
Nuk të kam dashtë kurrë
e sonte qava për këtë gja
qava për ty.
Unë jam një trup me gjymtyrë të ngathta
mendje të mefshtë
e mbushun me ndjenja
me vetëm ato sot u bana nji buqetë lulesh
mbeturina ma e çuditshme që kam braktisë.
Sot kisha erën e parfumit tand të preferuem
mbshtjellun me fjongo të bardhë m’u desht me ikë
me lanë shpresat të shpërndame nëpër dhomë
si çdo gja tjetër temen, pa rregull.
Ka male ma të naltë se Everesti mes meje e teje
në orën 5 të ditës së re
të një dite tjetër ku ti je veç një mendim i beftë i jemi.
Na mund ta ndijmë njeni - tjetrin tu qa
e tu u mundue me thanë fjalët e ngushëllimit
për çdo gja të hupun
ti më mban me të dy krahët larg
larg lamtumirave
humbjes së andrrave.
Provon
unë jam shtëpi
për herë të parë jam shtëpi
nuk du me ken edhe pse andrrova ashtu gjithmonë.
Jam dorë e zbrazun pa karamele natën e halloweenit.
Jam e pashpresë, e pakuptim, e pamotiv
m’ban të bukur vetëm një kujtim në mendjen tande
unë isha e bukur sepse isha dashnia e parë
e vetmja në mendjen tande.
Unë jam ma tepër një laps me ngjyrë të haptë
që vizaton ça të dush
dhe prapë mbetet e zbehtë.
Prapë të fali
për çdo gja që më ban të bukur pa meritë
të fali për lulet e derdhme mbi lotë
për duart e shtrime që kërkuen dashni
për faktin që isha gjithmonë e huej për ty
për frikën që kam çdo natë kur harroj ekzistencën tande.
Të fali dhe për Krishtlindjet ty
për dritat në pemë
për yllin në majë që do ta ve gjithmonë vetëm
për kangët e gëzueshme e xhazin e netëve të dimnit.
Në pllambën teme nuk ka asnjë përqafim
asnjë dashni që mëson me dashtë!
ZAMBAKËT E PRILLIT
Kisha dashtë me qit për ty fraza t'bame varg
Me bâ nji poezi n'NJI
Prilli ashtë kaq i bukur kur flet për vedi
Unë e du n'heshtje
Fryma m'del veç n'shtrat të tij
Se prilli s'din gja tjetër veç
Me u lutë: "Pashë sytë e tu oj vashë
M'len me u shtri n'shtrat tand t'u marr erë syve
Të rritem!"
Ai e din se nuk qeshet me gojë
As me muskuj ftyre
Ajo preket me puhi shpirti
I përulet dashnisë
Unë hiç s'mërzitem deri atëhere
Bie n'dashni përditë
Përveçse e bukur jam edhe e paftyrë
Zambakët e prillit i du veç për vedi
Fryma nuk m'del ndryshe veç n'prill
Prillit s'mundem me i kalu përbri
Përnjimend e du!
ME DALË PREJ TRUPIT T'DEKUN
Nëse s'ke dit’ me qa
Kurrqysh s'din me këndu.
Nëse s'ke dit’ me u ndrojt si fshatarja para t'fejumit,
S'ke me u ba kurrë heroinë.
Nëse nuk t'ka kërcit shpina prej shërbimit
Kurrë epitafin mbi gur t'vorrit, s'ke me e pasë të vlefshëm.
Nëse kurrë s'ke dashtë si njeri
Harroje amshimin e paqen pa çmim.
Nëse s'je tërbue prej aromës s’lëkurës, flokëve, qafës e gushës,
Nuk e ke kundru hanën e viseve të tua.
Nëse s'je pendue për fillimin e rremë,
Fundin ke me e pasë të trishtë.
Nëse s'i respekton të gjallët,
s'ke me dit’ me i vajtu të dekunit.
Nëse s'je i lirë,
je krejt i zhytun në mëkat.
Nëse veç me pak kënaqeni
kjo nuk ju ban me u ndi gjallë.
Nëse s'ke ofsha me shpirt
S'ke me dalë kurrë prej trupit t'dekun!
MOS U NDAL
M'duej!
Mes rrëkesh të prekshme,
t'amla
përpiqem me t'pa.
E matun, e kujdesshme,
e butë.
...
Rikthehem tuj ndi mëshirë për veten
e t'bi n'gjunjë me m'dashtë.
…
M'duej me zor
m'duej kur t'më kesh mbetë vetëm ti
se ti din tashma me m'dashtë.
…
M'duej
se u mësova me dashninë tande,
që m'len t’thërmueme sa herë mungon!
…
M'duej
se t'urdhnoj me e bà!
…
T'lutem ma duej edhe lotin e fundit
edhe kur jam e dobët
edhe kur jam unë ashtu thjeshtë, pa asnjë zbukurim,
pos shpirtit.
…
M'duej e mos u ndal
edhe nëse të them mos me m'dashtë!
...
M'duej!
Se unë kështu bàj
një natë të urrej
e një natë të due tinëz vetit.
MALLKUE QOFSH O MORI HANË
Mortja e paska vorrin e madh
Krejt bjeshka vorr ashtë ba
Djem të gjallë s'mbetën n’të.
Ia shploj vorrin dashnisë e qaj tuj pi lotin e nxehtë
Qaj pa zâ me i shurdhue qiejt
Zogjtë me i lshue coftë n'tokë prej vajit tem
Që shkyen dhe çukitje zogjsh hunjve të kalbun të botës.
Omeri jem e la shkretë bjeshkën
Tash ashtë kambë e hupun në prag të huej
Tupanat e bjeshkës rrehin pa jehonë
Omeri jem e ka shkrue në mue dekën e tij të gjallë.
Vaji ashtë kangë që unë s'di me e këndue
I dergjuni jem mbet pa xhenaze, pa atdhe
Ba si këlyshi mbas copës bukës.
Omeri jem nuk ngjet me mue
Ma kanë poshtnue
Ma kanë përdorë
Pare n’lodra e kanë bâ.
N’mortë tij kurrë s'kam me shkue!