Kulturë
Mehmetali Rexhepi: Palma
E diele, 22.05.2016, 12:39 PM
P a l m a
Mehmetali Rexhepi
e mbështjell shtatin palë-palë
pirg pa drojën e fshehur të thyerjes
e vesin e mbylljes së lakuriqësisë
për humbjen e kujtesës së blertë të shalleve
në pikën e vlimit mizorisë së trotuareve
t`i rrish drejtë çdokujt pa përulje
të rritesh vetëm kahes pingule të drejtësisë
plaku nuk gjeti fjalor për t`iu ankuar kërrusjes
*
pirg krenarie e marrë
shelgu rival pos në livadh
nuk do t`ia tumirte vijën
sedër përulëse e modestie
nuk ka si të ngre krye
shtrëngatave të lumit lakuar
akteve të lutjes shkuljes
kërrusja dhe pjerrtësia
ç`faj do t`i kishte palma
ngase ajo nuk di lakimin
e rasave të shelgut
*
pse pilivesat se kanë bekuar
ndërsa lumi nuk e zgjodhi pranë shtratit
si fqinj i duruar t`ia dëftonte kronikën e shfryrjes
shterjes dhe lakmisë së tepruar
*
çfarë t`i bësh zilisë
hyri për t`ia çarë kulmin shtëpisë
e përzgjedhura e aristokracisë
kryqëzoi në shkëmb të nëmurin e fisnikërisë
nuk joshej nga ujërat e amullta
andaj le të mbetej e etur
rendi e lypte të mos i falej shavarinës
pos fërkimit të vërshëllimës
të gjethit të dafinës
në buzët tunduese të Rinës
*
jam palma perria e vjetër
frymoj me mushkëri të thara qytetesh
Tiranë, gusht 2015
Tej mitit
(Ukshin Hoti)
Mehmetali Rexhepi
me duar në zinxhirë
mijëra mynxyrë
*
e gjatë dita
i stërgjatë viti
dhe nata
e Nënës pritja
lule-shpresa
i çeli e veniti
*
sa e sa dimra
sa e sa vera
vetëm krahnezë e ngrica
me ethe të vapës ngela
*
ku mbetën lulet
që në akullnajë i çela
*
pas çdo shqiptimi
ofshamë trishtimi
*
je kodër e brengës sime
lumë i thellë i mendjes trime
*
nga zemra në zemër
trimi mbolli pemën
*
prej zemre në zemër
ura e dashurisë
urën deri te Ti
pengu e prish
*
“Demokracisë autentike”
udhën ia lype
*
pusi djajsh
djallëzisht e përmbysë
sublimen
e madhështisë
*
sogjetar i mbërthyer
prore i shtyrë
të hynte në ferr
e të dilte në tmerr
*
fijet e shpresës
urëza të qëndresës
zgjaten e tëhollohen
nuk këputen as rrënohen
*
soj i djallëzuar
qofsh shtarë
dritëmendjeje
e Prometheut
Ai shqip(f)arë
Ai prarim i njeriut
nuk ka të shuar
kanibalë
ogurzeza
mbi ogurbardhë
*
si nuk i hapet dera
të na ngrohet era
të shkrij akuj në zemra
të sjellë verën pa gjemba
Rishkruar, më 2016