E shtune, 27.04.2024, 07:45 PM (GMT+1)

Kulturë

Kristaq Turtulli: Besojmë Zotin por s'njohim djallin

E shtune, 21.05.2016, 03:58 PM


KRISTAQ TURTULLI

VETMIA E ZËRAVE, roman, fragment.

BESOJMË ZOTIN POR S'NJOHIM DJALLIN...

‘Ne besojmë te Zoti por s’ njohim djallin që klith, ulërin me tërbim dhe lëviz gurë, flak shkëmbinj, shkul rrënjët e pemëve që ngjajnë si eshtra të mamuthëve. Mes fërshëllimës së papërmbajtur të tajfunit u ndje një zë që bërtiti:

-Përse kërkoni të njihni djallin, sa vlerë ka!?

- Kërkoni vlera te djalli!? Ishte një klithmë.  Ulërimë.  Jehonë e thellë torturuese, lodhëse. Ndoshta grumbuj zërash dhe zhurmash në një që më pas ushtoi:

- Mos harro, je akoma buzëqumësht. Je ende bythë pambuk.  Aha! Kundështon, thua s’ do jesh përherë kështu. Pyet djallin ai e di. Jo? Atehere mësyj në mundsh dhe tërhiqu. Dredho si nuselale dhe pështy si zvaranik. Si psherëtin, s’të pëlqen? Uh! Sigurisht që duhet të psherëtish sepse nuk dihet se kush është në realitet: Djalli apo Zoti. Fërshëllima apo klithma. Zëri apo jehona. Gjëmimi apo shkatërrimi. Hesht dhe dëgjo! Qumështorët e vjellin  shpejt qumështin e tepërt, kur e papritura ngre kurthe, merr jetë. Krijo njohje, mos i vë rëndësi kohës që duhet të shpenzosh.  Vrojtimi është hap vendimtar. Dihet që rekruti  në luftë ha plumbin që në shkrehjen e parë, ngaqë nuk di dhe nuk njeh gjë.

-Më pyet përsëri që njeh Zotin, beson te ai dhe urren Djallin? Koqoshët dhe mistrecët argëtohen me rekrutët e rinj. Mbijetesa e tyre, servilizmi, një nga elementet bazë të rekrutërisë. Servilizmi s’të lë kurrë në baltë. Servilizmi mbulon me mjeshtëri tymtajën ogurzezë të mendimeve dhe qëllimeve. Servilizmi është i lashtë sa vetë jeta. Servilizmi është fillesa e fillesave. Servilizmi  u përket të gjithëve dhe gjithçkaje. Bota pa servilizmin do të ishte e mjerë. Servilizmi është petku i artë, i purpurt i përbaltë, i kameleonët.

Më dëgjove? Më mirë mos dëgjo. Fola për servilizmin. Mos beso. S’ka servilizëm, s’ka asgjë. Eh, kush e njeh servilizmin, kush e di. Të gjitha janë pallavra. Disa flasin për hipokrizinë. Të gjitha njeriu i ka krijuar dhe për njeriun janë. Më pyet për Zotin dhe mendjet e ditura?! S’dihet, ku janë, mbasi mendjet tmerrësisht të djallëzuara, të çartura bëjnë pallë mbi dhe...

Ndoshta Zoti dhe Djalli janë fasadë, diçka e parathënë, e parabërë, e paraparë. Ti grindeh dhe më thua: Jo, asnjë nga këto. Rrjedhje e zakonshme dhe asgjë më shumë. Të gjithë lumenjtë e rruzullit rrjedhin në një drejtim. Në derdhje. Në njësim, në avullim, derdhje përsëri. Një cikël i pandërprerë, i vazhdueshëm, i pafund.

Sidoqoftë, për Zotin dhe Djallin s’më the?

Oh ju lutem, jeta është marramendje dhe asgjë më shumë. Dhe thuaj, shyqyr që gjithçka është e shkurtër siç është rrjedhja e ujit, avullimi, jeta. Gjatësia është çmenduri. Më dëgjon? A nuk ka dhe këtu servilizëm apo hipokrizi?! Medet, nuk  dihet kush është fajtori apo i pafajshmi.

Eja... të shkojmë. Se sheh, erën e marrë. Duhet mësuar prej idiotëve. Ata nuk meditojnë. Ata janë realisht komodë. Ata vlerësojnë jetën e vërtetë mondane, sepse s’kanë se çfarë të thonë. Ata janë më të lumturit e botës. Më të pafajshmit. Më të dëlirët. Më të sharët. Më trutharët. Ata nuk qederosen. Ata nuk kuptojnë. Sa mirë. Gjithsesi bota do të ishte ndryshe.

Ndalu ç’thua, mbron të metët? Po maskarenjtë, vrasësit ku janë? Jo. Si jo? Atëherë tregona ku ekziston ndryshimi midis Zoti dhe  djallit, të marrëve dhe të mençurve?

O Zot çfarë erë! I shkuli të gjitha pemët. Çfarë  bën, sërish po mendon. Flaki tej mendimet. Oh! Nuk sheh që ata qeshin.  Si guxoni të qeshni?! Mosni. Ju lutem heshtni. Nuk doni?!  Qeshura është ngjitësja më e shpëlarë. Nëse doni qëlloni mbi të qeshurën marroqe, bëjeni, veçse do rrahni ujë në havan.

Të gjithë në jemi pjesë e së qeshurës. Nuk besoni, s’ka gjë do të besoni me vonë. Shkoni tutje ju zëra apo çfarë. Nuk dihet nga jeni dhe nga vini. Më thua t’i lë erërat të gjëmojnë? Mirë po i lë, Mos harro është koha e erërave të forta që mbështjellin globin, përfshijnë dhe shtrëngojnë zemrat e nënave...

Është thënë dhe thuhet se besohet te Zoti kur tek të gjithë ka bërë fole djalli. Mjaft nuk mundem më... Kot mundohem të mbush mendjen dhe bëj apologji kur s’ ka vend për të... shko fli.Të bëj gjumin e madh?! Jo, thashë vetëm fli, se sheh, përjashta nata ka hedhur kapotën e rëndë...’

Ai la lapsin mbi fletën e zhubrosur e të mbushur nga shkrimi i pjerrët e i rëndë. I dhembnin sytë, padita e kishte lodhur.

E mbërtheu frika se mos verbohej...”



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora