E shtune, 27.04.2024, 02:28 PM (GMT+1)

Kulturë

Driton Gashi: Përvetësimi i gjuhës në mërgim

E shtune, 21.05.2016, 03:38 PM


Përvetësimi i gjuhës në mërgim

Opinion dhe vështrim shkencor

Nga Driton Gashi

"Nuk dua t'i dërgoj fëmijët e mi në mësimin plotësues të gjuhës amtare. Ajo vetëm u pengon t'a mësojnë mirë gjermanishten."

"Gjuhën amtare fëmijët e mi e flasin me ne në shtëpi. Nuk kanë nevojë t'a mësojnë në shkollë."

"Fëmijëve të mërgimtarëve duhet ndaluar komunikimi në gjuhën amtare. Ajo vetëm u pengon t'a mësojnë mirë gjermanishten."

"Njohuritë në gjuhën amtare nuk u sjellin kurrfarë dobie nxënësve. Më mirë t'a mësojnë gjermanishten si duhet dhe anglishten, të cilat u nevojiten në shkollë dhe më vonë në punë."

Paragjykime të tilla ose të ngjashme me siguri se i kemi të dëgjuar ne të gjithë, kur bie fjala për mësimin plotësues të gjuhës amtare në disa shtete të Europës perëndimore. Në Gjermani, shtetet skandinave, Itali, Austri, Angli etj. mësimi plotësues është e vetmja ofertë për mërgimtarë, e cila organizohet dhe financohet nga shteti nikoqir.

Si e përmenda edhe më lart, jo vetëm vendasit, por edhe shumë mërgimtarët vetë, nuk i japin rëndësi të madhe mësimit të mirëfilltë të gjuhës amtare. Ai gjithmonë është në një konkurrencë të pakuptimtë me gjuhën e shumicës dhe trajtohet si "fëmijë jetim", do të thotë se gjendet përherë në rend të dytë. Mësimdhënësit me decenie punojnë pa u lodhur për t'i bindur mërgimtarët t'i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollë, t'a shfrytëzojnë këtë ofertë, e cila është gratis.

Në fillim dua ta potencoj se një numër i madh i mërgimtarëve ka kontribuar shumë në hapjen e shkollave shqipe, organizimin e mësimit, përkrahjes së mësimdhënësve, organizimit të aktiviteteve të lira në bashkëpunim me shkollën shqipe etj. Pra, prindërit, nxënësit dhe mësimdhënësit meritojnë çdo lëvdatë. Mendimet në vijim i adresoj më tepër te kritikët dhe skeptikët, të cilët deri në ditët e sotme me kryeneqësi mundohen t'i mbrojnë argumentet e tyre, të atij lloja si i ceka në fillim të këtij vështrimi.

Më poshtë dua të sqaroj se si trajtohet fenomeni i dygjuhësisë nga shkencat gjuhësore, se çfarë roli i jepet gjuhës amtare për përvetësimin e një gjuhe të re, sidomos kur gjuha amtare nuk posedon imazh të mirë te shoqëria e shumicës.

Roli i gjuhës amtare në përvetësimin e gjuhës së dytë

Se njohja e mirëfilltë e gjuhës amtare është shumë e rëndësishme për mësimin e një gjuhe tjetër, është fakt i pakontestueshëm që nga vitet e gjashtëdhjeta. Gjuhëtarë, pedagogë, psikologë, janë këtu të një mendimi.

Gjuhën amtare, e cila flitet në familje mërgimtarësh, fëmija parashkollor e përvetëson automatikisht. Por kjo nuk do të thotë që ky nivel i arritur mjafton, që disa prindër pohojnë se fëmija i tyre e flet mirë gjuhën amtare. Ato baza të gjuhës amtare, të cilat fëmijët i sjellin nga shtëpia, duhet gjithsesi të zgjerohen në shkollë, përndryshe, nëse e pranojmë këtë lloj argumentimi, mund të themi: "Fëmijët në Kosovë ose në Shqipëri nuk kanë nevojë t'a mësojnë gjuhën shqipe ne shkollë, sepse ata e mësojnë në shtëpi.". Këtu shihet sa absurd është ky "argument". Përvetësimi i gjuhës amtare duhet të bëhet në mënyrë institucionale, pra në shkollë. Nëse ndërpritet ai, fëmija jo vetëm që mund të stagnojë në gjuhën amtare, por mund të ketë edhe pasoja në tërë zhvillimin e tij kognitiv (mund të shfaqen pengesa në të folur, në të menduar, në të perceptuar etj).

Fëmijëve, të cilët i takojnë një pakice gjuhësore, u ndodh pikërisht kjo:

Zhvillimi i gjuhës amtare ndërpritet me hyrjen në klasë të parë. Fëmijët, të cilët gjuhë amtare kanë turqishten, shqipen, italishten etj, janë të detyruar të alfabetizohen (t'a mësojnë shkrim-leximin) në gjuhë të huaj. Kjo si pasojë ka shpesh një fenomen, të cilin gjuhëtarët e quajnë "semilingualizëm" (gjysmëgjuhësi). Pra, fëmijët nuk përvetësojnë as gjuhën amtare, as gjuhën e shumicës (gjuhën e dytë) sa duhet dhe si pasojë flasin një përzierje të çoroditur të të dy gjuhëve. Kjo dukuri ka marrë përmasa alarmante sidomos te gjenerata e tretë e mërgimtarëve turq në Gjermani. Mangësitë gjuhësore duket të jenë shkaqet kryesore të mosintegrimit të tyre në shoqërinë gjermane.

Shumica e fëmijëve mërgimtarë, në rastin tonë fëmijët shqiptarë, në vitet e para shkollore nuk vërehen se kanë mangësi gjuhësore, së paku në gjermanisht. Ata përvetësojnë shpejt fjalë dhe shprehje të komunikimit të përditshëm dhe fitojnë një vetëbesim se ata tani e flasin rrjedhshëm gjermanishten. Edhe prindërit e tyre fitojnë këtë bindje. Deri në klasë më të larta, kur kërkohen edhe aftësi të të menduarit abstrakt, kur thellohen mendimet, kur lexohen tekste dhe libra më të vështirë, fëmijët mërgimtarë nuk kanë aq shumë probleme. Vështirësitë fillojnë pikërisht në këtë fazë, kur nga personeli mësimdhënës kërkohen aftësi më të përsosura gjuhësore.

Ky fenomen është vërtetuar që nga viti 2000 edhe në studimin ndërkombëtar të nxënësve "PISA" (Programme for international student assessment), në kuadër të së cilit janë testuar disa herë nxënës nga shumë vende të zhvilluara botërore. Si rezultat është konstatuar se nxënësit gjermanë, e sidomos ata që nuk e kanë gjermanishten si gjuhë amtare, kanë deficite të mëdha në të lexuar dhe të kuptuar, si dhe në shkenca natyrore. Ky mossukses i arsimit gjerman ka nxitur debate të ashpra si në politikë, ashtu edhe në qarqe akademike pedagogjike. Një faktor kyç duket të jetë sistemi selektiv arsimor gjerman, i cili nga shumë pedagogë e politikanë konsiderohet si shumë konservator dhe jokonform me kërkesat e botës moderne. Më së shumti kritikohet ndarja shumë e hershme e fëmijëve pas klasës së katërt dhe sistemimi i tyre në shkolla me profile dhe nivele të ndryshme. Edhe nga Kombet e Bashkuara Gjermania ka marrë disa herë vërejtje për diskriminim të fëmijëve më të dobët ekonomikisht dhe të fëmijëve mërgimtarë. Prejardhja sociale, etnike dhe arsimore e prindërve në Gjermani konsiderohen si kushte themelore, nëse një nxënës do jetë i suksesshëm gjatë shkollimit apo jo. Kërkesa kryesore është që të gjithë fëmijëve t'u ofrohen mundësitë e njëjta që në arsimin fillor, bile edhe në atë parashkollor. Në politikat arsimore potencohet rregullisht ky objektiv, në realitetin shkollor kjo dëshirë nuk ka arritur akoma. Përkundrazi. Edhe sot 14 % të fëmijëve mërgimtarë në Gjermani nuk arrijnë t'a përfundojnë klasën e dhjetë. Si pasojë e kësaj 40 % nga ta nuk mund të aftësohen në asnjë profesion dhe ngelen të varur nga ndihmat sociale që i ofron shteti.

Të kthehemi edhe njëherë te njohuritë e fituara në gjuhën amtare dhe te rëndësia e tyre.

Gjuhëtari i njohur britanez Jim Cummins ka vërtetuar në një studim qysh në vitin 1979 se për të mësuar një gjuhë të re është e domosdoshme njohja e mirëfilltë e gjuhës amtare. Niveli i njohjes së gjuhës amtare është më se domethënës për përvetësimin e një gjuhe të re. Ndoshta në këtë pikë secili mund të bindet. Ja një shembull:

Nëse një shqiptar i mërguar nuk di se çka është folja, çka janë mbiemrat, çka është kryefjala dhe kallëzuesi, të tëra këto në gjuhën amtare, atëherë si do t'i mësojë ai këto në një gjuhë të huaj? Ai nuk ka kurrfarë mundësie krahasimi, d.m.th. ai nuk ka bazë të krijuar në gjuhën amtare, te e cila do të mund të mbështetej gjatë mësimit të gjuhës së re. Si shihet, Cummins ka të drejtë kur pohon se gjuha amtare dhe gjuha e huaj varen nga njëra-tjetra.

Debatet aktuale rreth dygjuhësisë

Me gjithë shumë fakteve për rëndësinë e saj, deri sot ekzistojnë paragjykime ndaj gjuhës amtare. Në Gjermani me vite të tëra është duke u zhvilluar një debat i ashpër në rrethe ekspertësh, ku një pjesë e shkencëtarëve është për mësimin plotësues të gjuhës amtare, e pjesa tjetër është kundër.

Argumentet janë të ndryshme, p.sh. profesoresha e njohur e pedagogjisë Ingrid Gogolin nga Universiteti i Hamburgut mbron tezën se Gjermania nuk është shtet njëgjuhësor dhe se në shkollat gjermane fliten mbi njëqind gjuhë botërore. Ky fakt, sipas saj, nuk guxon të injorohet nga Ministria e Arsimit dhe duhet merret më seriozisht nga shkollat dhe mësimdhënësit. Ajo kritikon edhe planprogramin universitar të Fakulteteve të Mësuesisë, i cili sipas saj është "pluhërosur". Ende ekziston ideja që nxënësit gjermanë janë me prejardhje gjermane, gjë që nuk përputhet më me realitetin. 40 % të nxënësve në Gjermani nuk e kanë gjermanishten si gjuhë amtare. Gogolin apelon te politikanët përgjegjës të ballafaqohen më shumë me realitetin shkollor. Potencialet gjuhësore dhe kulturore të mërgimtarëve t'i shohin si diçka të vlefshme e jo si mangësi ose pengesë për t'u integruar. Lidhur me këtë Gogolin thekson:

"Fëmijët duhet nxitur dhe inkurajuar. Po si të ja dalim, nëse njëherë ju sinjalizojmë atyre: Kështu si ju jeni, nuk keni vlerë, ju ndalojmë të jeni vetvetja dhe të shpreheni e të zhvilloheni në gjuhën tuaj, të cilën e flisni me nënën dhe babanë?!"

Mbajtja e mësimit plotësues në gjuhën amtare pë Gogolin është një hap në këtë drejtim, i cili duhet zhvilluar, përkrahur dhe përsosur më mirë.

Sociologu me nam botëror Hartmut Esser nga Universiteti i Mannheimit, i cili me decenie të tëra merret me studimin e migrimeve, ka dalë në opinion me një mendim shumë diskutabil lidhur me rëndësinë e gjuhës amtare për mërgimtarët. Ai në një studim të financuar nga qeveria gjermane pohon se njohja e gjuhës amtare nuk luan pothuajse kurrfarë roli në procesin e integrimit. Nëse mërgimtarët flasin gjuhën e tyre, ajo mund të ketë efekte pozitive sa i përket ruajtjes dhe kultivimit të identitetit të tyre kombëtar. Por, për integrim dhe për tregun e punës në Gjermani, njohja e gjuhës amtare nuk shihet si gjë e rëndësishme.

Esser është kritikuar ashpër nga shumë ekspertë, e sidomos nga gjuhëtarët, për nxitje paragjykimesh ndaj të huajve, për presion asimilimi të të huajve në Gjermani dhe për tezat e tij "joshkencore". Disa kritikë kanë akuzuar atë se ai në të vërtetë nuk e ka atë mendim, por pasi studimi është financuar nga qeveria, Esser rezultatet e këtij studimi ia ka përshtatur kërkesave të qeverisë, e cila çdo ditë e më shumë po përpiqet të reduktojë vende pune mësimdhënësish për gjuhë amtare.

Përmbledhje

Çka do të thotë kjo për ne mërgimtarët shqiptarë?

Me gjithë debatet që zhvillohen, me gjithë reduktimet e vendeve të punës, ne si komunitet shqiptar duhet së pasi t'a çmojmë gjuhën tonë amtare dhe të bëjmë çmos që t'a ruajmë dhe t'a kultivojmë atë. Nëse ne nuk e respektojmë dhe e mbrojmë gjuhën tonë, atëherë ç'kemi të presim nga të tjerët?

Po kthehem edhe njëherë te thëniet që i citova në fillim:

- Gjuha amtare nuk u pengon fëmijëve, por as të rriturve t'a mësojnë gjuhën e huaj. Përkundrazi. Ajo është bazë për përvetësimin e gjuhës së re.

- Njohja e gjuhës amtare është një potencial, të cilin fëmijët mërgimtarë mund t'a shfrytëzojnë edhe në profesionet e tyre të ardhshme, p.sh. në administratë, në sektorin social, në shëndetësi, në ekonomi, në organet e rendit, në zyre përkthimi, bile edhe në institucionet në atdhe.

- Vijimi i mësimit në gjuhën amtare kontribon edhe në integrimin e mërgimtarëve. Ata në këtë rreth njihen me fëmijë tjerë, të cilët gjenden në situatë të njëjtë, shkëmbejnë mendime dhe përvoja me njëri-tjetrin, ndihmojnë njëri-tjetrin. Në këtë mënyrë ata krijojnë një mendim më pozitiv rreth prejardhjes së tyre dhe nuk vuajnë nga kompleksi i inferioritetit, i cili është i theksuar te fëmijët shqiptarë. Shumë prej tyre shpesh mundohen t'a fshehin identitetin e tyre dhe bëhen kinse janë vendas.

Me shumë mësimdhënës që kam biseduar, shumica prej tyre më kanë thënë se nxënësit që kanë vijuar rregullisht mësimin plotësues dhe kanë qenë të suksesshëm, janë integruar mirë edhe në shoqërinë e shumicës. Disa prej tyre kanë arritur të bëjnë edhe karriera akademike, disa janë kthyer në atdhe dhe janë punësuar atje.

Pra, vijimi i mësimit plotësues nuk paraqet pengesë, por përkrahje dhe ndihmë të domosdoshme për integrim. Këtë fakt duhet t'a kemi parasysh ne të gjithë, por së pari prindërit, mësimdhënësit dhe politikanët përgjegjës.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora