Kulturë
Besim Muhadri: Shaqir Shala gjurmues i palodhur
E shtune, 21.05.2016, 03:01 PM
SHAQIR SHALA GJURMUES I PALODHUR I ANTROPOLOGJISË DHE I ETNOKULTURËS KOMBËTARE
Nga Dr. Besim Muhadri
Prof. Shaqir Shala u lind në fshatin Rogovë e Hasit më 19 mars 1936. Ka kryer studimet për gjuhë dhe letërsi shqipe në Fakultetin Filozofik (tash Filologjik) të Universitetit të Prishtinës, ku ka ndjekur edhe studimet pasdiplomike. Para dhe pas përfundimit të studimeve dhe deri në pensionim ka punuar profesor i Gjuhës dhe i Letërsisë Shqipe në fshatrat e Hasit, Në Rahovec, në gjimnzin “Hajdar Dushi” të Gjakovës, paralelja në Rogovë, në Shkollën e mesme të ulët “Haxhi Hoti” të Rogovës, ku edhe është pensionuar në vitin 2001.
Shaqir Shala është marrë me shkrime letrare, etnografike, etnologjike dhe publicistike që nga koha e studimeve, pasion të cilin e ka kurorëzuar me botimin e shumë shkrimeve nga këto fusha në gazeta dhe revista të cilat janë botuar në Kosovë dhe jashtë saj, ndërkaq në vitin 2004 ai ka botuar librin monografik “Kronika e Rogovës së Hasit”, një libër i sajuar nga shkrime dhe studime mbi fshatin Rogovë, si një ndër lokalitetet shumë të rëndësishme jo vetëm të trevës së Hasit, por edhe më gjerë.
Lista e shkrimeve të profesor Shaqir Shalës, këtij punëtori të palodhur të etnokulturës, është mjaft e gjatë dhe paraqet vlera të mirëfillta shkencore e publicistike. Ndër këto shkrime do veçuar: 2. “Një zbulim i rëndësishëm historik në Rogovë të Hasit”, “Toponimia e Rogovës së Hasit”,. “Historiku dhe zhvillimi i arsimit në Rogovë të Hasit”.
Shaqir Shala është edhe mbledhës i folklorit dhe i traditave të vendlindjes së tij dh më gjerë. Disa nga këto materiale i ka botuar gjatë viteve, ndërsa disa të tjera i ka arkivuar në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Disa nga dorëshkrimet e Shaqir Shalës sot që gjenden në Arkivin e Institutit Albanologjik të Prishtinës, ku ndër të tjera do veçuar: „Këngë folkloristike erotike rekjane“, „Këngë folkloristike nga Anadrinia dhe Hasi“, „Veshjet e mashkujve, vajzave, nuseve e grave të moshuara në Rogovë të Hasit“, „Ritet e ceremonitë e lindjes dhe të pagëzimit të fëmijës në Rogovë të Hasit“, „Ritet e ceremonitë e fejesës së djalit dhe vajzës në Rogovë të Hasit“, „Ritet dhe ceremonitë e çuemjes pare, petkave e marrja e penit të nusës në Rogovë“, „Ritet e ceremonitë e kanagjeqit në Rogovë të Hasit“, „Ritet dhe ceremonitë e martesës së djalit dhe vajzës në Rogovë të Hasit“.
Shaqir Shala ka kontribuar edhe në përgatitjen e monografisë „Historiku i Shkollës fillore dhe të mesme të ulët „Haxhi Hoti“ në Rogovë, në 80- vjetorin e punës edukativo arsimore 1927-2007. Ai edhe pse ka mbushur tetëdhjetë vjet të jetës, nuk pushon së shkruari dhe së sistemuari, apo plotësuari shënimet dhe botimet e tij, të cilat edhe po i përmbledh në këtë libër. Rezultat i punës së tij palodhur dhe të vazhdueshme është edhe libri „Rogova e Hasit nëpër shekuj“ i botuar në fund të vitit që shkoj e për të cilin libër ai ka punuar kohë bukur të gjatë.
Monografia “Rogova e Hasit nëpër shekuj” dëshmi e rëndësishme historike dhe etnografike
Siç u tha edhe më lart, Shaqir Shala është pa dyshim njëri ndër gjurmuesit e palodhur të fushës së antropologjisë dhe të etnografisë kombëtare, përkatësisht të lokaliteti të tij. Si duket ai i ka dhënë vetes mision që të ndriçojë të kaluarën historike të vendlindjes së tij, Rogovës së Hasit, që është një nga vendbanimet e vjetra dhe të rëndësishme të trevës së Hasit dhe Kosovës. Gjatë pothuajse gjysmëshekulli të punës së tij në këtë fushë, profesor Shaqir Shala me një punë shumë këmbëngulëse dhe të mundimshme ka arritur të mbledhë dhe të nxjerrë fakte që dëshmojnë për lashtësinë dhe rëndësinë e këtij vendbanimi. Për këtë ai vite më parë pati botuar librin me titull “Kronika e Rogovës së Hasit”, i cili tash po plotësohet më librin “ROGOVA E HASIT NËPËR SHEKUJ” me nëntitullin Fakte dhe dëshmi, i botuar nga SHB “Bogdani” e Hasit në fund të vitit që shkoi, libër i cili mund të cilësohet edhe si një variant i librit “Kronika e Rogovës së Hasit”, por me plotësime të dukshme. Autori, përmes kësaj monografie, i ofron lexuesit shumëçka që dëshmon për lashtësinë e këtij vendbanimi, për zhvillimin e tij në periudha të ndryshme të historisë, ndërsa me theks të veçantë i kthehet zhvillimit dhe lulëzimit të Rogovës, si në aspektin ekonomik ashtu edhe në aspekte të tjera gjatë periudhës së sundimit osman, ndërsa meritat për këtë zhvillim të këtij lokaliteti i jep rogovasit Hasan Pashë Jemishçiut, i cili, në saje të talentit, por edhe të angazhimit të tij në perandorinë Osmane arriti të merrte pozita të larta udhëheqëse politike dhe ushtarake. Madje, autori në pjesën më të madhe të librit, ndalet te ky personalitet, duke përshkruar aspekte interesante që e karakterizojnë atë.
Po ashtu autori në monografinë e tij për flet për rrethanat politiko-shoqërore në Rogovë gjatë disa periudhave të historisë, për fillet dhe zhvillimin e arsimit, të Rogovës së Hasit dhe rrethinës së saj etj.
Përpos këtyre temave që kanë të bëjnë me historinë dhe të kaluarën historike të këtij lokaliteti, autori shpalos edhe pjesë që kanë të bëjnë me aspektin etnologjik. Këtu ai ndalet të veshja në Rogovë të Hasit, pastaj flet për ritet dhe ceremonitë e lindjes dhe të pagëzimit të fëmijës në Rogovë, për ritet dhe ceremonitë e fejesës si dhe për ritet dhe ceremonitë e martesës etj. Po ashtu, autori në librin e tij i ka kushtuar rëndësi edhe Mbledhjes së Dytë të Komitetit Ekzekutiv të LNDSH-së, e cila në shkurt të vitit 1944 ishte mbajtur në Rogovë të Hasit dhe që paraqet një aspekt shumë interesat edhe për historinë tonë kombëtare. Siç shkruan autori, në këtë takim të rëndësishëm me përmasa kombëtare, ku ishte marrë vendimi për mbrojtjen e trojeve shqiptare, kishin marrë pjesë personalitete të shquara të asaj lëvizjeje, si: Halim Spahia, Selman Riza, Shefqet Shkupi, Ejup Binaku, Sokol Dobroshi, Haki Taha, etj., por edhe dy përfaqësues të Misionit Ushtarak Britanik.
Shaqir Shala në librin e tij ka përfshirë edhe disa reagime që kanë të bëjnë me zbardhjen e të vërtetave për lashtësinë e Rogovës së Hasit dhe këtë e dokumenton edhe përmes materialeve të cilat i prezanton në mënyrë të skanuar, siç janë ura e vjetër e Rogovës, xhamia e Rogovës, kulla e vjetër e Hasan Jemishçiut, e cila edhe sot ruhet si monument i rëndësishëm kulturor dhe historik etj.
Autori, në pjesën e fundit të librit, që e ka titulluar Shtesë, flet për personalitetet me prejardhje shqiptare, të cilët kanë kontribuar dhe po kontribuojnë në të gjitha fushat në arenën ndërkombëtare.
Duke parë në pika të shkurtra gjithë këtë material të përmbledhur në 320 faqe libri, mund të themi se autori arrin të japë një kontribut shumë të çmuar, qoftë për zbardhjen e shumë të vërtetave, të cilat herë-herë janë kontestuar nga autorë të ndryshëm, qoftë për shkak të referencave të gabuara cituar nga libra të autorëve me qëllime hegjemoniste, apo nga libra me përmbajtje të dyshuar shkencore.
Më një fjalë, libri “Rogova e Hasit nëpër shekuj- fakte dhe dëshmi”, i Shaqir Shalës, është një kontribut shumë i vyer i autorit në këto fusha dhe që e kompletojnë punimin e tij të mëparshëm. Një libër që pa dyshim do të zgjojë kërshërinë e lexuesit të rëndomtë, por edhe të studiuesve që merren me këtë lëmi.
Prandaj, duke parë të gjitha këto aspekte vlerash të këtij libri, si dhe të punimeve të tjera të tij, e përgëzojmë autorin për gjithë këtë punë që ka bërë dhe i urojmë shëndet dhe suksese edhe në punët e tjera.