E marte, 10.12.2024, 12:10 PM (GMT)

Kulturë

Habazaj & Bregasi: Okulisti shqiptar me 22 diploma

E diele, 22.05.2016, 01:00 PM


Okulisti shqiptar me 22 diploma të huaja dhe mijëra urime

Nga Msc. Albert Habazaj & Halil Bregasi

Aftësia dhe mirësia veprojnë; nuk duken, nuk mburren. Përballë, në trajtë “L-je” me teatrin “Petro Marko” të qytetit të Vlorës, në krahë të “Bar Pascucci caffè”, në katin e parë të një pallati ndodhet një objekt shëndetësor, i cili, parë nga jashtë, duket më se i thjeshtë. Sa futesh brenda -tjetër botë. Vëren: qetësi absolute, mirësjellje qytetare, shërbim cilësor e të kulturuar dhe buzagazin e pahequr njerëzor nga zonja, tek e cila drejtohet çdo qytetar që ka shqetësime shikimi, që ka probleme me sytë dhe ka nevojë për vizitë, për të bërë syze për normalitetin e mundshmë të shqisave të të parit. Mjedisi i pranimit në “Optika Albrus” është përherë plotë. Atje shërben me humanizëm ideal dhe profesionalizëm shembullor dr. Edmond Isufaj. Në fakt, shkak i këtij shkrimi u bë problemi që kisha unë me shikimin. Nga puna e përditshme në kompjuter për përshkrimin bibliografik që bëj në Bibliotekë, nga shkrimet dhe puna me librin, kam kohë që e kam ndier shqetësimin e syve. Kam bërë dhe syze dy herë; herë e parë në Vlorë, para nja 6 vitesh dhe herën e dytë në Tiranë, para 3 vjetësh. Nuk ndihesha ashtu siç mendoja dhe dëshiroja. Para një muaji, për dreq a për fat, (si reflektim vetiak), duke dalë nga puna, shkallëve, me syzet në dorë, padashje, më ranë të uruarat nga duart dhe njëri xham u thye në dy pjesë. U mërzita. Bleva përkohësisht një palë nga ato “3500-çet” tek “Kapelja”. S’ndihesha mirë, por më duheshin për punën. Rrogën s’e kisha marrë akoma… Një mbasdite takohem me mikun tim të mirë e fisnik Halil Bregasi, një intelektual dhe krijues i respektuar me origjinë nga Cakrani. Ia them shqetësimin, kronologjikisht, qysh nga fillimet deri tek ai çast që po pinim nga një kafe e nga një teke raki tek “Kësulkuqja” në Skelë. Qeshi pastër dhe me atë mirësinë e tij të pashfaqshme më tha: “Do ta zgjidh unë këtë çështje, po më dëgjove”. “Ore, xha Halil, po pikërisht kësaj i thonë: do qorri sy…”.  Pa u zgjatur më tej, në hollësira të panevojshme, një buzëmbrëmje, miku im i urtë Halil më çoi tek doktor Mondi, që veç emrin ia kisha dëgjuar për zotësi e shërbim cilësor ndër miqtë e mi, por as e kisha parë e as kisha biseduar kurrë me të. Në paradhomë kishte shumë njerëz. Kuptohet që prita. Më erdhi radha. U futa brenda. Sinqerisht, u gjenda në një botë tjetër. Bukurisht përrallore. M’u duk vetja si në ato mjediset spitalore alsolutisht të pastra të qytetit të L‘Aquilës në Abruzzo, model në tërë Italinë (ku kam jetuar dhe punuar 5 vjet). Doktori, me  mirësjelljen dhe bukurkomunikimin e tij me mua, më krijoi përshtypjen sikur kushedi që kur njihesha me të. Më bëri një vizitë të hollësishme, të plotë dhe, mbas konsultës me shumë dashamirësi, foli me stafin e tij, që përbëhet nga një zonjë e nderuar, e cila feks që tej qytetari e punon tek pranimi dhe një zotëri i papërtuar, që realizonte dërgesat në klinikë. Siç mora vesh më vonë, ajo zonja qytetare tek pranimi quhet Elona, me origjinë nga Burreli, por rritur në Tiranë, e cila ka kryer Shkollën e Lartë të Infermierisë. Është gruaja e doktor Mondit ajo. Kanë dhe një fëmijë si gonxhe, një çupkëz të ëmbël, plot shëndet të bukur. Mund të flas vetëm në përgjithësi për pajisjet moderne të klinikës së tij, aparatura të fjalës së fundit, si i thonë. Ç’ta zgjas. Të nesërmen mora syzet. I vura. Hodha sytë tej, në horizont. Shqiponjë. Ku paskam qenë! Më erdhën sytë. Ndihem e punoj sikur të jem 30 vjeç. S’mund të flas me gjuhë profesionale, se s’jam i fushës e gaboj. Por, një fjalë me zë të fortë e të qartë do ta shprehë të marrë jehonë: DOKTOR MONDI, FALEMINDERIT DHE MIRËNJOHJE!

Po kush është ky njeri i mirë, që, për pak kohë, ka rrëmbyer zemrat e vlonjatëve dhe të qytetarëve që kanë hall, ardhur nga krahinat përrreth, deri dhe nga Fieri, Mallakastra, Tepelena, Gjirokastra, Delvina, Saranda, apo dhe nga Lushnja, Berati a Përmeti e gjetiu?! Edmond Isufaj është oftalmo-kirurg, dhe, përpos të tjerave, ka gradën “Kandidat i Shkencave Mjekësore” i Akademisë Ruse të Shkencave, Anëtar i Shoqatës së Kirurgëve Kataraktalë e Refraktare Europianë, Anëtar i Shoqatës së Kirurgëve Kataraktalë e Refraktare të SHBA. Në CV - inë e tij shënohen 22 diploma e medalje. Nuk kemi përse të druhemi, por as të tejmburremi, veçse, me gjithë thjeshtësinë e tij gati hyjnore, mund ta mbajmë shqiptarisht ballin lart me atë djalë dhe të shprehemi me dinjitet: Dr. Edmond Isufaj është një shkencëtar i ri i fushës i kalibrit europian dhe botëror.

Jetëshkrimi i doktorit. Është i pasur e vital jetëshkrimi i dr. Mondit e na bën të ndihemi krenar me të, sikur ta kishim gjakun tonë, vëllain tonë. Dr. Edmond Ferro Isufaj u lind në një familje atdhetare dhe arsimdashëse të fshatit Ngraçan, komuna e Ballshit, fshat me emra të mëdhenj në të kaluarën e largët e më vonë, përfshi këtu figura të arsimit, mjekësisë, artit skenik, etj. Ai u rrit dhe u edukua në një ambient familjar ku dashuria për arsimin manifestohej edhe nëpërmjet xhaxhait të tij, “Mësuesit të Merituar” Qemal Isufaj, një nga arsimtarët e parë mallakastriotë të Pasçlirmit të vendit nga pushtuesit nazi - fashist. Dhe ishte normale që në vazhdim të kësaj tradite, të dalin vazhdimisht njerëz të shkolluar, midis të cilëve shkëlqeu edhe Edmondi. Ai pasi përfundoi shkollën e ciklit 8 - vje?ar në vendlindje, kreu arsimin e mesëm në shkollën “Dervish Hekali”, Ballsh, të cilën e filloi dhe e përfundoi me rezultate të shkëlqyera. Në këto kushte, atij i lindte e drejta të kërkonte për të vazhduar arsimin e lartë. Si shumë të rinj të moshës së vet, edhe ai ëndërronte që të arsimohej jashtë vendit për mjekësi. Dëshira iu plotësua duke iu dhënë e drejta e studimit, në vitin 1998, për në Universitetin Mjekësor “Miqësia e Popujve” të Moskës (Rusi). Kështu ai, bashkë me Fakultetin Përgatitor të Gjuhës Ruse, për shtatë vjet përfundoi studimet universitare për mjekësi të përgjithshme në vitin 2005. Ai shkëlqeu në çdo vit studimor e në të gjitha drejtimet duke e përfunduar Universitetin në Rusi edhe me fitimin e trofeut “Diplomë e artë”. Gjithashtu, midis mijëra studentëve vendas e të huaj në Moskë, Edmond Isufaj arriti të zërë vendin e tretë në atë Universitet jashtëzakonisht shumë prestigjioz. Po kështu është vlerësuar edhe me “Diplomë nderi”. Një studenti të tillë i hapen të gjitha rrugët e përzgjedhjes së specialitetit. Dhe djaloshi shqiptar, duke kujtuar betimin që bëhet shpesh në Mallakastër: “Për sytë e ballit”, vendosi të specializohet për Okulistikë nga viti 2005 deri në vitin 2007. Më vonë, ai duke punuar, iu fut studimeve për marrjen e gradës shkencore dhe, në vitin 2010, ai mbrojti temën: “Korigjimi me lente intraokulare i afakisë në rastet e pamjaftueshmërisë së zonulës ciliare dhe dëmtimit të kapsulës së lentes kristaline”, për të cilën u vlerësua me gradën shkencore: “Kandidat i Shkencave Mjekësore” i Akademisë Ruse të Shkencave (ekuivalent me gradën “Doktor i shkencave” në vendin tonë). Gjatë viteve 2006 - 2011 ka qenë Aspirant e asistent katedre në spitalin Skhodnya. Për rreth gjashtë muaj ka punuar në klinikën “Uzllova”, Tiranë ku ishte dhe antar i bordit drejtues. Ka botuar mbi 30 punime shkencore në revista prestigjioze të oftalmologjisë në Rusi, Evropë e Amerikë. Disa nga këto punime janë referuar edhe në takimet e përvitshme të Shoqatës Evropiane të Kirurgëve Kataraktal dhe Refraktar, ku kanë ngjallur interes në rrethet e oftalmologëve. Disa punime janë paraqitur si daklade ose postera në konferenca apo kongrese ndërkombëtare si: Moskë 2007, 2008, 2009, 2010; Stokholm: 2007; Hong Kong: 2008; Barcelonë: 2008; Boston: 2009; Paris: 2010. Siç dhe e shkruam në fillim, është Antar i Shoqatës Kataraktale e Refraktare Evropiane dhe i Shoqatës Kataraktale e Refraktare Amerikane. Eshtë i paisur me patentë e Federatës Ruse (së bashku me një grup autorësh) - një lloj i ri drenazhi bashkë me mënyrën e implantimit të tij në kirurgjinë e glaukomës. Pak e njohin Dr. Mondin në aspektin e shkollimit dhe të arritjeve të tij kërkimore-shkencore, por i shkojnë shumë për t`u vizituar e për t’i kërkuar ndihmë në përmirësimin e shikimit, aq sa duhet të presësh edhe javë që të arrish të realizosh kërkesën tënde. Shprehja “mirënjohje” përdoret shumë si vlerësim i veprimtarisë së një njeriu, i cili bën punë në interes të komunitetit, e sidomos në drejtim të shëndetit të njeriut, por për personazhin e këtij shkrimi, kjo fjalë është pak, shumë pak. Por, përsëri atë fjalë dua ta kumboj me zë të fortë e të qartë, se del nga shpirti e dua anembanë botës qytetare të marrë jehonë: DOKTOR MONDI, FALEMINDERIT DHE MIRËNJOHJE!



(Vota: 2 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora