E enjte, 28.03.2024, 08:00 PM (GMT)

Kulturë

Resmi Osmani: O bella ciao!

E merkure, 25.05.2016, 06:49 PM


O  BELLA CIAO!

TREGIM NGA RESMI OSMANI

O bella ciao!,bella ciao!, ciao,ciao….!

Nëse vdes si partizan

Të më varrosësh lart në mal….

Nën hijen e nje luleje të bukur

O bella ciao!, bella ciao!,  ciao, ciao….!

Andoni që po përgatiste në një but të madh druri tretësirën e gurkalit për spërkiatjen e vreshtit, e la për një çast punën. Pamja që hapej para tij në të katër anët e horizontit ishte si një mrekulli dhe ai s’nginjej së sodituri. Në jygë e juglindje, vargu i kodrave të buta, si të stisura me dorë, mbushur me vreshta shtrihej valë-valë, rreshtat e hardhive të vendosura me simetri, humbisnin larg në një det gjelbërimi.Nga rrushi I tyre prodhohej vera e famshme “Kianti”. Në perëndim, atje ku duhet të ishte gjiri i Gjenovës dhe deti,  qielli ishte i pastër si pikë loti, m’atanë detit ishin brigjet e tokës amtare. Në veri ngriheshin majat e larta të alpeve piemonteze, ende të mbuluara nga bora,  mjegulla dhe bashkët e reve të bardha. Pranvera i  kishte dhënë hov dhe harlisje bimësisë. Ermirimi i luleve të hardhisë dhe amza e pikërt e barit që thahej në livadhe, që shtyheshin nga flladi që vinte nga lugina, ja mbushte gjoksin dhe i jepte gjallërinë ngazëllyese  të cilën vetëm maji magjistar di ta japë.Edhe në fshatrat e bregut, me siguri kishin lulëzuar portokallat, limonat dhe ullinjtë. I dukej se ermirin e tyre e sillte era dhe e ndjente në ajër.

Namëta,Andonit iu bë se e thërrisnin. Mprehu dëgjimin dhe ktheu kryet andej nga vinte zëri. Nuk ishte gabuar, e thërriste Stela, me atë zërin e saj  tingëllues.

-Antonio, vieni qua, una lettera per te.

Ai hoqi udhën për te vila. Në oborr ishte Stela dhe postieri, që dallohej nga kapelja dhe çanta e madhe varur në sup. Ç’të jetë kjo letër dhe kush e dërgon vallë? Pyeti ai veten. Ka të ngjarë nga shoqata Antifashiste e Rezistencës. Ata nuk e harronin. Por gabohej.

Postieriit, kur i ktheu përshëndetjen, nuk i shpëtoi e folura me theks të huaj e djaloshit, por nuk e pyeti se nga ishte. Kjo s’ishte puna e tij. I tha ku të firmoste, i dha zarfin, kërkoi leje për të këptur një trëndafil të kuq nga postati i luleve dhe pasi e vendosi në thilenë e setrës, me biçikletën për dore,duke vërshëllyer melodinë e këngës “Bella ciao” shkoi në punë të tij.

Andonit, kur mori zarfin, ju drodhën gishtat. Shkulmi i gjakut i vrundulloi nëpër damarë dhe zemra  rrahu me vërtik si të donte ti shkallmonte gjoksin. Në dukje ishte një zarf i zakonshëm, i mbushur me vula dhe pulla poste me pamje nga Berati dhe nenshkrimin “Republika Popullore e Shqipnis”. i shkalafitur e ronitur nga varavingot e gjata nëpër zyrat postare deri sa ra në dorë të marrësit. Një zarf i vogël, lajmsjellës. Në të ndryhej një dramë e madhe, nga ato që të përmbysin jetën.

Vinte nga Shqipëria.

Lexoi dërguesin: Irena Gjoni. S’u besoi syve, u pataks, ishte si të vinte nga botë tjetër, ajo e të vdekurve! Irini, kaq vjet e vdekur, ende e patretur?

Stela vërejti tëhuajtësimin e menjhershëm të të shoqit. Atë e thyen djersët, u zbeh dhe fuqiprerë, u mbajt te krahu i saj, dora dridhej si zemëra e zogut të rënë nga çerdhja dhe ishte akull e ftohtë, pastaj nga droja se nuk e mbanin  gjunjët, u ul te stoli i drunjtë nën hije të gështenjës.

-Antonio, che ce?

Ai e vonoi përgjigjen. Priti të dilte nga gjeratorja e përhumbjes së beftë.

-Ka ndodhur mrekullia. Janë ngjallur të vdekurit, si në baladat e moçme shqiptare- tha ai zëmekur.

E hapi zarfin, me kujdes, që të mos e griste , si të ishte gjë e gjallë dhe do të ndjente dhimbje. Brenda ishte një fletë letre e vijëzuar, shkëputur nga  fletore shkolle, e palosur më dysh dhe midis një fotografi, nga ku e shihnin trishtueshëm e shpresëhumbur, dy sy aq të dashur për të. Ishte e shoqja, Irini. Në krahë mbante një fëmijë si ndonja tri- katër vjeç, fytrëbukur e të paqëm, ndryshe nga Irini, ishte i qeshur. Letra kishte pak radhë, e shkruar me penë. E njohu, Ishte shkrimi i saj.

“ Andon, po e more këtë kartë, dije që jam gjall. Na ka lindur dhe djali, që e kemi quajtur Niko, në emër të gjyshit.Ështy ky në krahët e mi. Mëma ka vite e shuar nga marazi yt, kur të burgosën dhe internuan e s’të pa më. Ty të dimë të vdekur (larg qoftë e mu thaftë gjuha), por unë asnjëherë nuk e kam besuar dhe s’kam pushuar së pyeturi e kërkuari derë më derë te gjith ata që të kanë njohur e kanë qenë me ty. Kam postuar letra në Ventotene, por më janë kthyer se marrësi nuk dihet se ku ndodhet. E di, zemra dhe shpirti ma thotë që je gjall. Edhe këtë kartë e kam dërguar nga Kryqi i Kuq.

Me shumë mall, dhimbje e shpresë.

Zoti na ndihtë.

Irini.

Më 25 janar 1947

Kaq. As të fala as përshëndetje. Ishte si t’i dërgohej dikujt që askush nuk e njihte, një të panjohuri në një vend të huaj e që s’do ti binte në dorë. Ato pak fjalë ishin si t’i kishte folur erës. Letra ishte endur postë më postë afro pesë muaj.

Andoni ja dha fotografinë Stelës që ta shihte. I tha, si i zënë në faj, se ishte e shoqja me të birin në Shqipëri, që ai i dinte të vdekur. Stela i kundroi gjatë dhe i tha se të dy ishin të bukur. Kaq mundi t’i  thoshte.Ai  e palosi zarfin me kujdes dhe e vuri në xhepin e brendshëm pranë zemrëës. Pa folur më asnjë fjalë, i zhytur në mjegullën e së papriturës si të voziste në boshllëk , e të donte të harronte vetveten, u nis të vijonte punën e nisur në vresht.

2

Stela, e dashur dhe e dhimbsur ju gjend pranë, fjalëmbël, e kujdesëshme, s’ia ndante vështrimin, sytë e saj me butësi pëllumbeshe, përpiqeshin të zhbironin atë që ndodhte në shpirtin e tij dhe t’ia lehtësonte barrën e së papriturës, që kishte brenda vetes tronditje, mall, shpresë, dashuri dhe një lëmsh të ngatërruar ndjesish njerëzore që ua nderlikonte jetën të dyve. I ndodhur midis dy dashurive, brenda pak kohe ai humbi gëzimin, ishte i hutuar dhe i shpërqëndruar, fliste pak, i iku oreksi, iu arratis gjumi. Ajo e kuptonte se me vështrimin e ngulur në zbrazëtirë, ai nisi të jetojë me botën e kujtimeve dhe mirazhin e përfytyrimeve të kohës së shkuar.Natën bënte gjumë të paqetë, djersitej,përpiqej, fliste në gjuhën e tij, duket  e mundonin makthe.

Ishte e diel paradite, Stela nxori në ballkonin e katit të dytë tryezën e vogël, tabakë letre dhe nje stilograf”pelikan”, ibrigun e kafes, pastaj i tha Andonit të shkruante përgjigjen e letrës. Ti thohte të vërtetat, hapur, pa i fshehur asgjë, le të ishte ky si një rrëfim dhe kishte për të parë se do t’I qartësonte mendimet e lehtësonte e dëlirte shpirtin.

Andoni piu dy fixhanë kafe rresht, tymosi cigare njëra pas tjetrës, por stilografin dhe letrën s’i zuri me dorë. Ç’ti  shkruante më parë? Kishin ndodhur aq shumë ngjarje! Shtërgata e kohës së luftës e vuri  përpara me ashpërsi si era e vrullshme gjethet e vjeshtës, duke e zhytur dhe nxjerrë nga gjeratoret e ngjarjeve të dërrmuar e gjymtuar,por gjithmonë gjall e të vendosur për të jetuar dhe luftuar. Nuk ishte mbushur viti që ishin martuar. Irini ishte shtatzënë. Nga ekonomia ishin ngusht. Fshati ishte i bukur,i bardhë, si ballkon në rrëzë të malit përmbi det, me fushën e ullishtes ndën vete, por ata s’kishin pjesë atje. Nga ekonomia ishin hollw. Thoshin se italianët kishin hapur punë në Vlorë dhe paguanin mirë. Kur u nis, u nda me mëmën që i dha bekimin, Irini e përcolli deri në të dalë të fshatit ku fillonte xhadeja. Ai i tha ta priste se do të kthehej, Vlora ja ku ishte, përtej Llogaranë! Që atëhere su panë më. Vërtet gjeti punë, dërgoi edhe para në shtëpi, por pushtuesi fashist që u pinte gjakun, i poshtëronte dhe fyente, nuk durohej. Ai u përfshi në lëvizjen antifashiste të qytetit. Në demonstratën e 28 nëntorit 1942, karabinierët kaluar mbi kuajt e hazdisur, me motoçikleta ulëritëse dhe këmbësorët me shkopinj dhe qytat e pushkëve, u turrën  egërsisht: vranë, plagosën, arrestuan. Edhe atë me shumë të tjerë e arrestuan. Të lidhur këmbë e duar e përplasën në kaushet e burgut, mes flliqësisë, ndyrësisë, morrave, lagështisë, urisë dhe hetimeve e torturave, kërkonin emra, organizatorët krerët. Kur e panë se prej tij s’kishin për të nxjerrë gjë, e dërguan në burgun e Tiranës. Nuk kishte asnjë lajm nga shtëpia deri sa erdhi Aleks Keqi, dhe gjoja i hidhërtuar i dha mandatën e vdekjes së irinit dhe djalit kur ajo ishte duke lindur. Pas disa ditësh, i hipën në vapor dhe i dërguan syrgjyn në ishujt e vegjël të Ustikës dhe Ventotenes. Nuk I harrohej ajo pamje: kur po i zbrisnin në portin e vogël ishin grumbulluar fashistët vendorë, shanin, i quanin tradhëtarë, dezertorë, komunistë, spiunë, qëllonin me gurë, i bënin me faj për humbjet në luftën Italo-Greke. Ata u përgjigjën duke kënduar këngën “Bandjera rossa” . Burgjet ishin të mbushur cit me antifashistë italianë, përfshi dhe krerët e Partisë Komuniste:Luigi Longo, Sandro Pertini etj. Ai u lidh dhe miqësua me shumë prej tyre, por shok i afërt si vëlla iu bë Xhinua, nga Piemonte, bashkmoshatar, gazmor dhe optimist, që i binte kitarës dhe këndonte me zë të bukur. Atij nuk i harrohej 13 gushti i vitit 1943, kur u liruan nga internimi. Zbritën në Gaeta. Në shqipëri, atë se priste askush, por edhe nuk kishin si të kltheheshin. Xhino i tha të shkonte me të, ti bashkoheshin lëvizjes partizane dhe të luftonin fashizmin,si partizanët italianë të batalionit “Antonio Gramshi” në Shqipëri. Ashtu bëri. Udhëtuan ditë të tëra, me kamionë, në vagonë mallrash, më këmbë dhe më në fund arritën në fshatin e Xhinos, Pjetranera në Asti të Piemontes. Në tetor të atij viti nisi të organizohej brigata partizane “Garibaldi”. Xhino u caktua skuadërkomandant, dhe Andoni u rreshtua me të. Emëri i tij i luftës do të ishte Albanezi, me këtë emër e quanin të gjithë. Veshi uniformën, lidhi në qafë shaminë e kuqe dhe vuri në krye kapelen me yllin e kuq.U ranë kryq e tërthor pyjeve dhe maleve, u ndeshën ashpërsisht me fashistët, gdhiheshin nën shtrojen e tokës, mbulesën e qiellit, duronin borën dhe të ftohtit, ngroheshin me shpresën e fitores.Në orët para betejës ata këndonin një këngë që ato kohë u bë e dashur për partizanët”Bella ciao!” Xhino e shoqëronte me kitarë dhe jehona e melodisë  se përmallshme, që Ishte  lamtumira e partizanit për të dashurën, që ishte gati të vdiste për liri, përhapej maleve, luginave dhe pyjeve.

E mbante mend mirë atë ditë. Ishte një kujtim që u shkrua mbi trupin e tij me plumba. Në dimërin e vitit 1945, pranë fshatit San Anxhelo, ata sulmuan postbllokun gjerman për të marrë urën që hapte rrugën për në veri drejt Alto Adixhes. Armiku u përgjegj me zjarr të dëndur. Mitralozi, prapa fortinës, villte zjarr. Andoni, u hoq zvarrë me mundim dhe kur u afrua aq sa i hante krahu, hodhi bombat. Mitralozi heshti, por ai mori dy plagë të rënda, në supin e majtë, pak më lart zemrës dhe në kofshën e djathtë. U mbyt në gjak dhe i ra zali.. Xhino iu afrua me kërcime të shpejta dhe e hoqi zharg sa e nxori nga rrezja e qitjes.

Nuk I kujtohej persa kohë kishte zgjatur kllapia dhe përhumbja. Kur u përmend,s’e kuptonte ku gjëndej dhe si gjendej. Pa turbull, si  në mjegull se mbi krye i rrinte si një  ëngjëll i bardhë mbrojtës një femër që i ndërronte kompresat në ballë. Ai desh ti thoshte diçka, ta pyeste, por ajo i vuri gishtin mbi buzë si ta urdhëronte “Hesht!” Humbi përsëri në jerm. Pas zgjimit dhe përmendjes së ngadalshme, ishte po ajo pamje. Mbi krye ëngjëlli mbrojtës, muret e bardha të dhomës nga dritarja e së cilës hynin rrezet e diellit. Ëngëllushja quhej Stela, ishte vajza e shtëpisë. Ajo i rrëfeu gjithçka. Pasi e kishin mjekuar e kishin sjellë aty, për siguri, nën kujdesin e saj, për tu shëruar.

Nuk ngrihej dot. Gjoksin e kishte të fashuar dhe këmbën në allçi. Ajo u kujdes për të si ta kishte vëlla: i ndrronte dhe mjekonte plagët, e ushqente si të ishte fëmijë, e afronte karriken pranë kreut të shtratit dhe i sillte lajmet e luftës dhe të rejat e ditëve të fundit me luftimet e brigadës.

Kujdesi, afëria, bisedat, shikimet e buta që buronin nga sytë e saj plot dritë, prekjet e kujdesëshme me majat e gishtave, ngrohtësia e dorës së saj në të tijën, nuk vonuan të ktheheshin në  dashuri të heshtur, në ca drithërime që bënë t’u rrihte zemra. U deshën, ashtu si mund të duhen vajza e djali përmes vuajtjeve të përbashkëta, pas furtunave ,për të gjetur pak prehje në limanin e shpresë, në njëri-tjetrin. Pas vdekjes së të atit, Stela kishte mbetur fillikat. Ishte trshëgimtare e vilës dhe vreshtave dhe qilarëve ku ruhej vera e vjetër, por e mbyste vetmia. Te Andoni, pasi dëgjoi prej tij ç’I kish ndodhur dhe se edhe ai ishte fillikat, ajo gjeti atë që mund të ishte shoku i jetës.

Kishin kaluar dy muaj. Po trokiste pranvera e vitit 1945. Ditën që ai u ndje më mirë,u nis për tu kthyer në njësit. Stela e përcolli. E porositi të kujdesej për vete, nuk i tha lamtumirë, por mirupafshim dhe se e priste të ndërtonin jetën së bashku.

Kur u kthye në njësit, gjeti në krye të skuadrës një tjetër partizan. I thanë se  Xhinon e goditi plumbi në zemër. E varrosën në shteg të malit,ashtu siç thoshte kënga që ai e kish aq për zemër: nën hijen e një trëndafili të egër lulebardhë, që kur ta shihnin kalimtarët të thoshin”Kjo është lulja e Partizanit, që dha jetën për liri”. Andoni shkoi te varri i trimit, nderoi ne heshtje, lotet i rrodhen vetiu, sepse te qash nga dhembja për nje mik e vëlla s’është turp. Edhe burrat qajnë.

Ata mësuan se partizanët e brigatës së tyre kishin kapur Musolinin dhe e kishin pushkatuar afër liqenit të Komos më 28 prill. Radio“Milano Liberta”dha lajmin e çlirimit të vendit dhe mbarimit të luftës. Brigata u shpërnda, u dorzuan armët.Pas shumë mwdyshjesh, ai u kthye në Pietranera ku e priste Stela.

Bashkjetuan një vit me mirkuptim, harmoni e dashuri.Bënë martesën në komunë,këmbyen unazat dhe i premtuan njëri –tjetrit besnikëri dhe dashuri të përjetëshme!

Kjo ishte e gjitha. Mori stilografin, tani e dinte se çfarë do ti shkruante Irinit.

3

Letra e përgjigjes nuk vonoi të mbërrinte. Ja se ç’i shkruante Irini:

I dashur Andon,

E mora kartën që më dërgove. U mallëngjeva, u drithërova dhe njëhershe u lumturova, sa s’më mbeti zemra nga gëzimi, pastaj kur e këndova u ngashëreva nga ato që ke hequr dhe e lava me lot. Ta dish sa e kam pritur e mjera këtë ditë! Këto kohë të shkuara e vetme, dilja në shkallë dhe i tretja sytë nga deti. Më dukej se ai që të kishte marrë,edhe do të kthente.Kur të përcolla,më the më prit se do të kthehem dhe unë të prita, por shkuan muaj e vite dhe ti nuk erdhe. Shihja vaporët e bardhë që kalonin për Korfus dhe shpresoja se në ndonjërin prej tyre do të ishe ti. Prit e prit, e mjera, si ajo vajza e valëve që i këndojnë në këngë, me shpresë po pa përgjigje. Valët përplaseshin në brigje po lajm nga ti s’më sillnin, por unë ,qyqja, prisja e prisja sa sytë mu bënë ujë.

Ti na ke ditur të vdekur, mua dhe djalin. Kur ishe i burgosur nga fashistët në Tiranë, lajmin e zi, ta solli ai Aleks Keqi, emërligu, ziliqari, që deshi të martohej me mua, por unë të zgjodha ty dhe ai këtë s’na e fali kurrë. Të tha se unë kasha vdekur në lindje e sipër dhe se edhe djali kish lindur i vdekur. Këtë ma rrëfyen shokët e tu të burgut pas lirimit të tyre. E di si e ke pritur atë gjëmë, që ta rëndoi e nxiu më shumë jetën dhe vuajtjet. Kur ty të hipën në vapor dhe të nisën syrgjyn në atë ishull të mallkuar, Aleksi erdhi në fshat dhe më tha me ligësi se edhe ti ishe i vdekur e i gjallë s’do të ktheheshe më, andaj mos të prisja. Zagari, filloi të më vardisej e vinte rrotull! E bëra lanet dhe i rrëfeva vendin.

E zeza, qyqja, korba unë, zemër shkallmuar, kulloja në lote,mallkoja fatin dhe lutesha për ty. Nga tronditja dhe hidhërimi më iku qumshti i gjirit dhe s’kisha ti jepja djalit për të pirë. Mëma, u tha e u bë shkarpë, zuri jatakun e s’u ngrit më deri sa u shua, me emrin tënd në gojë. Eh, jetë e vështirë. Të gjithë një ditë, kush më shpejt e kush më vonë do të ikim, por jo me të tilla brenga si të sajat.

Kur Lufta mbaroi, prita të ktheheshe si te tjerët, por prit e prita e ti su ktheve, shkoi një vit, shkoi dhe një i dytë. Ty të dinin të vdekur apo të humbur, mua më thanë të hapja kësodhin e të prisja miqësinë për pajgori. Nuk pranova, për mua ti ishe i gjallë,kisha një ëngjëll që ma thoshte këtë. Këshilli i fshatit, deshi të bënte kërkesë që të shpalleshe dëshmor, por u thashë të mos nguteshin, se ende  shpresoja. Një pandehmë më thoshte se ishe gjall dhe një ditë, krejt papritur do të ktheheshe në shtëpinë tënde, siç kthehen dallëndyshet nga vëndet e largëta në pranverë. Jetoja me këtë shpresë, iu luta Zotit, ndeza qirinj në altarin e Shën Mërisë, i fola per brengen dhe dhimbjen time, për ty dhe djalin tonë, por ti s’u ktheve dhe mjerimi im i hidhur, që pikonte nga zemra pikë-pikë,me helmonte ditet, s’kish të sosur. As e gjallë as e vdekur, isha si një hije që baret në humbetirë e në terr. Më mbante gjall kujdesi dhe dashuria për djalin, që rritej nga dita në ditë.Të ngjan shumë. Në të më dukej se të gjeja ty.

Më pyet si ia shpiem. Si ta them, ja ashtu, hollë, hiq e mos e këput, me se mundemi e si mundemi. Kollandrisem me ato rrënjë ullinj e portokalle që kemi dhe me atë copë kopsht që e mbjell me zarzavate. Më shohin edhe njerëzit e mi, ca ndihma të pakta na i japin edhe nga shteti. Tani që mora vesh që je gjall,të gjitha harrohen e durohen, është si të kem lindur së dyti.

Më shkruan që je martuar me një italiane. Ç’të them? Nuk gënjej dot. Kur e këndova, zemra më bëri krak, mu duk se diçka mu thye përbrenda, sikur të humba për së dyti, por kur e mendova gjerë e gjatë, s’të vura faj. Ashtu shpresë humbur e njeri pa njeri siç ishe, njerëzvdekur e shtëpimbyllur, por në lule të moshës, ishte e drejta jote të kërkoje shortin tënd dhe të nisje një jetë të re, atje ku të kishte hedhur era, paçka se në vend të huaj.

Si i bëhet? Je vetë i mençur dhe nuk të jap dot ment. Ti e di dëshirën time  edhe pa ta shkruar. Jepi karar dhe vendos e zgjidh si të të bëhet më mirë.

Këtu mbaronte letra.”Jepi karar dhe vendos vetë si të të duket më e  mira”E kishte thënë kaq thjesht, por ai vendim që duhet të merrte, ishte si të lëvizte një mal nga vendi.

4

Mbrëmja ishte e qetë, qielli i kthiellët, kishin nisur të dilnin yjet. Ajri kishte amesimet këndellëse të pranverës së vonë. Ishin ndenjur në stolin e drunjtë, të heshtur, mendueshëm. Dikur Stela, e hoqi krahun nga supi i  tij dhe mori kitarën.Tingujt e saj të drithëruar kumbuan dhe drithëruan ajrin mbrëmësor. Kënduan”Bela ciao”, pastaj “Fischia il vento ” dhe këngë të tjera partizane. Stela kishte zë të thellë, të shtruar, të qetë e të përmalluar, meloditë dukej se i dilnin nga shpirti si të ishin pjesë e qënies së saj, jehonë e asaj lufte që edhe pse e tejkaluar, gjithsesi kishte lënë shumë dhimbje e plagë të hapura. Ishte vonë kur shkuan për gjumë. Por gjumi kishte marrë arratinë, mendje shkonte në vise të tjera. Andoni e tërhoqi Stelën pranë dhe ia mbështeti kokën në gjoksin e tij të gjerë. Ndjeu aromën e lëkurës së trupit të saj, aromë që ai do ta mbartëte kushedi përsa kohë me vete. Kur I ledhatoi faqet e prushta dora iu lag. Ajo qante heshturazi. Zemra e gruas është e ndjeshme ndaj së pritshmes. Andoni u mendua gjatë dhe ngurroi që t’ia thoshte, por ajo fjalë e vetme që do të shqiptonte e bluante së brendshmi.Së fundi ai e shqiptoi:

- Domani me ne vado .

- Lo sapevo -i tha ajo zëdredhur.

Të nesërmen, andoni futi në çantën ushtarake ato pak plaçka që do të merrte me vete e hodhi në sup, e bëri zemrën gur dhe hodhi çapin e parë për të dalë në udhë të madhe.Ai nuk deshi ta përcillte. Ajokëputi një trëndafil të kuq dhe ja vuri te thileja e setrës. U ndanë te porta.

-Amore mio , bella ciao!

-Addio, buona fortuna. Ti voglio bene. Mi racommando !-Nuk derdhi lote, ato kishin shterrur.

Para se të merrte kthesën, Andoni u ndal dhe ktheu kokën pas. Stela  ishte atje dhe e ndiqte me sy. Ajo  ngriti dorën lart dhe tundi një shami në erë, dukej sikur kishte në dorë një pëllumb të bardhë që do të merrte fluturimin për tek ai.

Arriti te rruga e asfaltuar. Në pritje të autobusit, u ul mbi gurin kilometrik,gremisi kryet dhe vuri të dy duart në tëmthat. Rruga ishte një udhëkryq. Në udhëkryq ishin edhe mendimet dhe zgjedhjet e tij.Rruga e jugut e shpinte në bregdet. Matanë ishin brigjet e tokës së dashur,vendlindja, atdheu, shtëpia e bardhë kundruall detit, varri ku prehej mëma,  Irini dashuria e jetës së tij dhe djali, që kishte lindur e rritur pa e parë, filizi i mbirë nga kurmi i tij. Thirrja që vinte prej andej ishte  këndellëse dhe e pa prajtshme, aq sa ai donte të kishte krahë zogu e të fluturonte për atje. Rruga e veriut të shpinte në malet dhe pyjet piemonteze. Aty kishte luftuar, paçka se e huaj, e kishte larë me gjak atë tokë, aty mund të kishte qenë edhe varri i tij, varri I partizanit, pranë atij të Xhinos . Rruga në të majtë të shpinte në Pietraneran plot me vreshta, te Stela, e bukur, e dhimbsur dhe e dashur, që i kishte qëndruar ditë e natë mbi krye për t’i  shpëtuar jetën dhe i kishte dhuruar trup e shpirt.

Ç’të bënte, nga t’ia mbante në këtë udhëkryq të jetës?



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora