E premte, 08.11.2024, 02:00 PM (GMT)

Kulturë

Kadri Kadiu: Shprehje popullore me figurën e kalit

E enjte, 26.05.2016, 07:00 PM


DISA SHPREHJE POPULLORE ME FIGURËN E KALIT

Nga Kadri Kadiu

Për të karakterizuar situata të veçanta, sjellje, qëndrime apo veprime të caktuara të njerëzve, Populli ka krijuar shprehje të ndryshme, ku me një frazeologji të kursyer, figurative dhe kuptimplote, jep vlerësimin për çdo rast të veçantë. Për krijimin e këtyre shprehjeve ai është mbështetur në sendet dhe objektet më të zakonshme të natyrës, me të cilat ka qënë i lidhur historikisht. Kështu, përshëmbull kali, kjo kafshë fisnike, ka qënë e pranishme në tërë veprimtarinë e shqiptarit. Për vetë kushtet natyrore të vendit tonë, kali është mbajtur si kafshë shtëpiake dhe është përdorur për hipje, për transport me ngarkim ose me tërheqje, për punime bujqësore, për luftë, për gjueti, për sport etj. Dhe natyrshëm, duke e patur pranë e duke e njohur mirë këtë kafshë, Populli e ka përdorur atë edhe për të krijuar qindra shprehje frazeologjike të goditura. Këto shprehje kanë edhe ngjyrimet e tyre për çdo krahinë, bazuar në larminë e vlerave gjuhësore, historike, kulturore e psikologjike në secilën zonë.

Disa nga  këto shprehje, të cilat përdoren shpesh në Devoll, po i citojmë më poshtë, ashtu siç i flet Populli, duke dhënë dhe një shpjegim të shkurtër për kuptimin e tyre:

Kali i mirë s’do purtekë.

Thuhet për ta këshilluar apo për ta vënë në sedër një njeri pa vullnet, që nuk e ka me qejf punën, që punon nga zori, me të shtyrë.

Kali i mirë e shton vetë tagjinë.

Një njeri punëtor e i sjellshëm, vlerësohet e shpërblehet më mirë.

Kali i kuq e ka një huq.

Thuhet për të justifikuar apo për të pranuar ndonjë të metë të një personi, në kuptimin që s’ka njeri pa të meta.

Punon kali, ha gomari.

Thuhet kur nga puna e disave përfitojnë dembelët, ata që nuk e meritojnë.

Kali i botës të le në mes të udhës.

Thuhet për një njeri që për të kryer punët e veta, shpreson tek ndihma e të tjerëve dhe kështu nuk ka rezultat.

Blihet kali, pastaj samari.

Punët duhen bërë me radhë, çdo gjë në kohën e vet, e jo ç’të të dalë përpara.

Kalit të falur s’i shihen dhëmbët.

Thuhet për njerëzit të cilët edhe për dhuratat që marrin, shprehin mospëlqime e pretendime.

Kali i mirë e shton vetë tagjinë.

Një njeri punëtor e i sjellshëm, vlerësohet e shpërblehet më mirë.

Kali i botës të le në mes të udhës.

Thuhet për një njeri që për të kryer punët e veta, shpreson tek ndihma e të tjerëve dhe kështu nuk ka rezultat.

Blihet kali, pastaj samari.

Punët duhen bërë me radhë, çdo gjë në kohën e vet, e jo ç’të të dalë përpara.

S’shitet kali për një të penguar.

Duhet gjykuar me zemërgjërësi e tolerancë dhe jo të braktiset apo të dënohet njeriu për një gabim të vogël.

Ai kalë që zihet e shin vrahun.

Thuhet në rastet kur, përshëmbull, keqbërësit apo kundravajtësit janë disa, por paguajnë apo dënohen vetëm ata që kapen.

Shkoi kaluar, erdhi më këmbë.

Thuhet për një njeri që e nis një punë me fodullëk, me mburrje, por në fund del duarbosh e i turpëruar.

I shkon kali mbi urë. Eshtë kaluar.

Thuhen për një njeri që ka përkrahje, i ecin punët vaj, e ka në terezi, s’çan kryet për të tjerët.

Nuk i shkoi kali mbi urë.

Thuhet për një njeri që nuk ia arriti dot një pune a një veprimi qëllimkeq.

Ka rënë nga kali.

Thuhet për një njeri që ka rënë me hak nga pozita. Por përdoret edhe për të karakterizuar një njeri me përvojë, të rrahur me jetën.

S’ka rënë ndonjëherë nga kali.

Thuhet për një njeri që nuk ka përvojë, s’ka vuajtur, nuk e njeh jetën.

Ngordhi kali, i hoqën potkonjtë.

Thuhet për njerëz servilë dhe interesaxhinj, që sa je me pushtet dhe ke në dorë, të bëjnë lajka, kur të ikën këto ofiqe, të kthejnë krahët, madje të shajnë.

Mirë që kali na ngordhi por nuk na lënë as  mizat rehat.

Thuhet në rastet kur për një hall apo fatkeqësi të rënë, dikush, në vend që të të qajë hallin apo të të japë kurajo, të shpotit ose të kërkon llogari.

Kalova lumin, të dhjeva kalin.

Thuhet për njerëz mosmirënjohës për ndihmat apo nderet që ju ke bërë.

Pordhi kali në derë të hanit.

Thuhet për njerëz që nxjerrin pretendime të kota, ose llafosin qesim, ia fusin kot.

U bë për kalë.

U rrit, u bë për tu martuar. Përshëmbull, t’u bë çupa për kalë, po i vijnë djemtë vërdallë.

Do kalë me shalë.

Thuhet për njerëz me pretendime, që lakmojnë shumë.

U dhje nusja në kalë.

Thuhet në rastet kur një punë e nisur nuk realizohet, dështon, bëhet më keq se sa ishte, u prish fare, u katranos, s’ka si bëhet më keq etj.

Është si kalë karroce.

Thuhet për nje njeri që punon pa mend, si i thonë të tjerët, s’ka vetëveprim.

I ka hipur kalit qorr.

Thuhet për një njeri që i ka hyrë një udhe pa krye, vepron qorrazi, pa mend në kokë dhe me fodullëk nuk pranon as këshillat e dashamirësve.

I ka hipur kalit mbrapsh.

E ka filluar keq një punë, nuk po vepron mirë, e ka me hile, do të ndahet keq me njerëzit.

Më je ngjitur si miza kalit.

Thuhet për njerëz që të bezdisin, s’të ndahen në çdo veprim.

Del si mëzi para pelës.

Thuhet për një njeri të papërmbajtur, që flet pa radhë, edhe për gjëra që nuk i di, nuk respekton më të mëdhenjtë.

Je bërë sa një pelë, alamet pele.

Thuhet për vajza ose gra të bëshme, trupmëdha.

Je bërë si kalë i azdisur.

Thuhet për një njeri të papërmbajtur, të llastuar, të shthurur në jetë.

Je bërë si kalë gërmuq.

Thuhet për një njeri të plakur, të kërrusur, të matufosur.

Je bërë si kalë i komunales.

Thuhet për një njeri që nuk e mban veten, është dobësuar, është deformuar, është katandisur keq.

Ja fut si kau pelës.

Flet kot së koti për një problem që nuk e njeh fare, e bën punën tjetër për tjetër.

Ta bësh dhëmbin sa të kalit.

Thuhet në rastet kur një njeriu nuk duam t’ia plotësojmë një dëshirë apo një kërkesë, sado që të lutet apo të përpiqet ai.

Si kali abrash.

Thuhet për njerëz qimeverdhë ose me preka në fytyrë, si dhe për njerëz të vrazhdë, tersë, grindavecë.

Nga koka gjok, nga mendja zog.

Thuhet për njerëz të moshuar, në kuptimin se megjithëse koka u është zbardhur nga thinjët, mendojnë e veprojnë si fëmijë.

Sillet si kali në lëmë.

Thuhet për një njeri që s’bën asgjë të saktë, punon pa mend, sillet vërdallë kot.

E zunë me pelë në dorë.

E zunë në faj ose duke vjedhur etj, në flagrance.



(Vota: 6 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora