E premte, 19.07.2024, 07:21 AM (GMT+1)

Kulturë

Albert Habazaj: Lamtumirë, mësuese e qeshur si drita!

E marte, 31.05.2016, 08:30 PM


Lamtumirë, mësuese e qeshur si drita!*

Nga Albert Habazaj

Pas kësaj gjëme mbuluar me flamur kombëtar, jemi këtu për të shprehur fjalën e ndjenjës së hidhëruar: LAMTUMIRË, MËSUESE E QESHUR SI DRITA! LAMTUMIRË, MIRËSI ME EMRIN VIOLETA GJIKA!

O njerëz të mirë, çfarë t’i themi Remzi Gjikës? Si ta ngushëllojmë? Na u pre fjala nga pikëllimi. Kjo paradite e diel e 29 Majit ka marrë ngjyrën e hidhërimit.

Ishte e bukur, me diell, gazmore, si ditë shkëlqimtare pranverore edhe paraditja e 27 Majit për familjen e Leta e Remo Gjikës, sikurse çdo ditë tjetër e viteve të jetës së tyre, sepse ata ishin e mbetën në kujtesën qytetare një çift model, që çdo dite të jetës i vinin emër të përveçëm. Nuk i rrëmbente dita. Ishte e qeshur paraditja e 27 Majit, si e qeshura shpirtërore shembullore e Letës në 65 vite (pikërisht, të mërkurën e 11 Majit që jemi, i festuam 65 vjetorin e lindjes së saj). Ajo ditë do të ngelet për Remziun imazhi i Letës. Mesdita e 27 Majit i vuri vulën asaj dite si e premtja e zezë. Ndodhi hataja. E pabesueshmja. As sot. E dhembshura, sa s’ka. Tragjikja te Zoti (në ka…). S’kemi fjalë. Kemi dhembje. Shumë dhëmbje. Të na shtrydhësh trupin sot, nga trupi ynë del vetëm dhembje, solidaritet, keqardhje dhe kurajo.

Trari i zisë ka zënë Remziun tonë, shokun tonë, vëllain tonë 71 vjeçar, shkrimtarin tonë, mësuesin tonë. Ai është trim, shumë trim dhe e duam më shumë për këtë qëndrim burrëror që po mban në çaste të tilla kaq të rënda, ndoshta më të vështirat e më të pathënat dot në jetën e tij. Ne kemi ardhur të vëmë supin e kurajos për t’ia lehtësuar sadopak dhembjen këtij trimi të dehur nga hidhërimi. Nuk je vetëm, vëlla Remo;  ke  6 vëllezër e 2 motra, që e përjetojnë keq gjendjen tënde tejet të rënduar e janë me ty më afër se kurrë; ke 2 djemtë e çupën, ke mbesën e nipin, që s’të lënë të biesh, por ta mbash ballin lart, që ta bëjnë më fisnike dhembjen njerëzore. Ke 8 motra e 5 vëllezër të Letës tënde, qw e bwre tw lumtur, por iku me dy merake. Leta mbeti bonjake për babë që çilimi, se ia rrëmbeu herët babë Shefqetin Miniera e Serës së Selenicëse dhe nënë Durimja e rriti me halle, si ajo. Leta, kjo bijë e mrekullueshme e Salate të nderuar të Tërbaçit, u bë nuse e nder për derën me nder të Aspri Habilaj Gjikës e Haxhi Gjikës, për Remziun tonë të shkëlqyer … Por sot e 3 ditë, Letën s’e kemi më. Ndërkohë, ajo është me ne. Është bërë eter. Fluturon qiejve të Tërbaçit, Selenicës, Peshkëpisë, Vlorës, Krujës, Ulqinit, Kanadasë, Spanjës, Holandës … Është me Erin, me Arbrin, me Rebiolën. Është me Aleksin 6 vjeçar. Është me Dean 10 vjeçe, yllkëzën e gjyshes, që e deshi aq shumë e bënin plane aq të bukura bashkë… Siç nuk mbarojnë fjalët lavdëruese për modelin qytetar Leta - Remo, se janë të pafundme, ashtu dhe nuk mbarokan dhe fjalët tona ngushëlluese për humbjen e pamenduar, të papritur, të pamerituar kurrë të Letës së paharruar, sepse ata bënë mirësi e lanë dinjitet pas. Leta nuk ka vetëm djemtë e çupën e burrin që u dhemb ikja e saj tragjike nëpër flakët e autobuzit udhës malore të Krujës, por ka gjithë Vlorën, gjithë Shqipërinë, që është pjesëmarrëse me heshtje nderimi për këtë homazh kaq madhështor e të ligështuar. Iu bëftë dheu sheqer, si fjala e shpirtit të saj! I dritëroftë kujtimi kësaj mësuesje dhe edukatorje engjëllore që la pas një përvojë të gjallë edukative dhe gjurmë jete në familje, në shoqëri, në veprimtaritë arsimore e pedagogjike të qarkut të Vlorës!

*) [Fjala e përcjelljes për të ndjerën mësuese Violeta Gjika (11 maj 1951 - 27 maj 2016), që, gjatë një eskursioni shoqëror për në Ulqin, u shkrumbua nga flakët e autobuzit në Krujë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora