E shtune, 05.10.2024, 01:18 PM (GMT+1)

Kulturë

Shaban Arifaj: Fluturat e Herbariumit

E hene, 30.05.2016, 01:58 PM


Shaban Arifaj

FLUTURAT E HERBARIUMIT

Korrik 1981

Fatosi vërente nga dritarja e dhomës së tij bardhësinë e luleve në pemët që kishin hapur petalet që i kishte përbri dritares, si dhe fluturat e rralla që lëviznin herë me një lule e herë në tjetrën. Ai zgjati duart dhe nga dollapi që kishte mbi kokë, nxori një fletore herbariumi të cilën kishte kohë që e ruante. Duke shikuar fluturat ngjyrash të ndryshme që kishte ngjitur në të, atij i dukej sikur ato po lëviznin krihet e tyre të lehtë, sikur tani në këto çaste, kur ato po fluturonin lehtas degë më degë në qiellin  e hapur dhe të kaltër.

Duke i shikuar me butësi, dera u hap me dhunë nga një shkelm i fortë sa gati nuk u fut e tëra në dhomë.

- Zotëri! Je i arrestuar i thanë dy personat që kishin maska në fytyrë por që kishin rroba civile.

- Keni ndonjë pusullë që më arrestoni?- i pyeti Fatosi.

- Do ta japim kur të mbërrijmë atje ku po të dërgojmë, - i thanë ata.

Fatosi nuk bëzajti.

Makina gjarpëronte rrugicës së ngushtë, ndërkohë që alarmi i saj jehonte fuqishëm qytetit. Ai u përplas dhunshëm përpara gjykatësit të çështjes. U ngrit duke shikuar duart nën pranga se mos ishin përgjakur, dhe ashtu ë lidhura, i ngriti që ta fshinte ballin e pluhurosur.

- Zotëri! Ti nuk erdhe kur ne të kemi dërguar ftesën, prandaj të sollëm me dhunë.

- Zotëri! Nuk kam ikur nga ju, por unë as që di për ndonjë ftesë nga ju.

- Qetësi!- iu drejtua gjykatësi.

Fatosi heshti dhe shikimin e drejtoi në majat e tij të këmbëve të cilat i dukeshin se nuk i ka stabël.

- Zotëri, natën kritike, siç thuhet në aktakuzë, paskëshit lëshuar fluturat në hapësirën ajrore të komshiut tënd ardhacak. Ato, sipas dëshmitarëve, paskan dëmtuar pemët e tij.

- Më falni, ndërhyri Fatosi. Fluturat e mia janë në herbarium. Prandaj, si është e mundur që fluturat e mia nga herbariumi, të dëmtojnë pemishtet e fqinjit tim ardhacak. Edhe diçka. Të gjitha llojet e fluturave që unë kam në herbarium, janë krimb ngrënëse e jo gjethe ngrënëse.

-Qetësi!- bërtiti sërish gjykatësi. Vazhdojmë. Natën kritike, herbariumin e kishit lënë të hapur. Prandaj, një ndër faktet që mund të merren në konsideratë, është se ky ka qenë një qëllim juaji i paramenduar mirë. Vet akti i lënies hapur, dëshmon se fluturat në kontakt me ajrin e lagësht, janë ringjallur dhe janë drejtuar në kopshtin e komshiut tuaj  ardhacak.

Atëherë, përse dritarja e dhomës ku ju kishit herbariumin, ishte e hapur.

- Protestoj!- u ngrit mbrojtësi i të akuzuarit. Dritarja nuk ka aspak lidhje me fluturat.

- Nuk miratohet!- i tha njëri nga anëtarët e trupit gjykues.

- Vazhdoni! – iu drejtua paraqitësit të aktakuzës.

- Atëherë, kërkoj përgjigje në pyetjen e bërë pak më përpara, mos ta përsëris.

I akuzuari fshiu djersët nga balli dhe shtoi:

- Dritarja në natën kritike, siç honi ju, ishte e hapur sepse atë natë bënte zagushi e madhe. Pasi  unë vet, vuaj nga astma, natën zakonisht mbaj dritartën e hapur.

- Mirë, por netëve të tjera, sipas dëshmitarëve, ju nuk e kishit dritaren hapur?

- Nuk e kisha dritaren e hapur sepse nuk isha në shtëpi, - u përgjigj Fatosi.

- Po drita e ndezur që shihej në dhomën tuaj?!

- Drita e ndezur ka mbetur ashtu thjeshtë, pa kurrfarë qëllimi. Thjeshtë, kam harruar ta fiki dritën kur dola nga shtëpia.

- Po si ndodhi që drita të ngelë ndezur, duke ditur se herbariumi mund të reagojë në dritë.

- Më besoni, se atë natë as që e kam ditur se kam lënë herbariumin në dhomë, isha i sëmurë dhe kujt i binte ndërmend për të.

- Prandaj të nderuar, nga ky dialog, mund të nxjerrë konstatimin se natën kritike i akuzuari ka dalë jashtë shtëpisë së tij, për të siguruar edhe herbarium të tjerë nga kolegët e tij, në mënyrë që fluturat të jenë sa më shumë në masë, duke ua përgatitur vet terrenin.

- Protestoj!- tha sërish avokati mbrojtës. Para tri netësh, kur Fatosi ka dalë nga shtëpia për të shkuar te mjeku, gjë të cilën mund ta vërtetoj edhe fletë lëshimin mjekësor. Prandaj, pasi që klienti im, kishte një krizë nga sëmundja e tij kronike, ndoshta edhe drita në dhomën që përmendni ju, është harruar krejtësisht rastësisht e ndezur.

- Nuk pranohet!- tha kryetari i trupit gjykues. Drita e ndezur nuk mund të qëndrojë tri net e tri ditë të tëra pa u fikur. Ajo do të digjej.  Por, si paska pasur mundësi, që askush nga shtëpia e tij, gjatë kësaj kohe të mos lëvizte nga shtëpia.

Mbrojtësi i të akuzuarit, duke shikuar klientin e tij i cili hiqej për të folur, ndërhyri:

- Klienti im, pasi mori terapinë e duhur, vërtetë se u kthye në shtëpi. Por, ai hyri në dhomën tjetër. Sepse...........

- Sepse ndërhyri gjykatësi, atë natë edhe pse ishte sëmurë, nuk e hapi dritaren e dhomës së punës siç ka bërë zakonisht, e siç thoni ju.

- Jo mor’ jo, ndërhyri mbrojtësi. Atë natë, kur klienti im u kthye në shtëpi me diagnozën: “Alergji nga pluhuri i krahëve të fluturave”, nuk hyri fare në dhomën e punës dhe as që i ka shikuar fluturat në herbariumin e tij.

- Po përse atëherë nuk hyri bashkëshortja e të pandehurit që ta fikë dritën në dhomë, tha gjykatësi.

-As ajo nuk hyri fare në dhomën ku ishte herbariumi, sepse kishte frikë se një grimcë pluhuri nga krahët e fluturave do të ishte fatale për Fatosin.

-Aha,vazhdoj gjykatësi. Sipas kësaj që thoni, edhe bashkëshortja e tij paskësh pasur frikë nga fluturat, prandaj e kishte lënë herbariumin hapur si dhe dritaren po ashtu. Në këtë mënyrë, ato kanë dalë jashtë dhe kanë bërë dëme në kopshtin e komshiut ardhacak.

- Jo zoti gjykatës, ndërhyri i akuzuari. Kjo që u tha nga mbrojtësi im, ka ndodhur tri ditë më herët, ndërsa unë akuzohem për natën e tretë. Prandaj, si doli tani përfundimi se netëve të tjera, siç keni thënë edhe ju vet, dritarja ishte e mbyllur. Vetëm drita ishte e ndezur.

- Është e vërtetë se unë thash ashtu siç po thoni ju. Por, kjo nuk do të thotë se ju nuk keni bërë përpjekje të vazhdueshme për dëmtimin e kopshtit të fqinjit tuaj.

I akuzuari qëndronte në këmbë, ndërsa mbrojtësi i tij e shikonte se çka po fliste ai. Syzet që i kishin rënë më poshtë se zakonisht, i ngriti mbi hundë duke syllitur Fatosin, Kishte frikë se mos po dëshmonte diçka në dëm të vetës së tij, pasi gjykatësi tashmë e lejonte të fliste.

- Zoti gjykatës, vazhdoj i akuzuari. Nuk është e vërtetë se edhe më herët unë paskam bërë ndonjë përpjekje të tillë ndaj komshiut tim. Unë as që e kam ditur se fluturat qenkan zullumqare. Po ashtu nuk e kam ditur se pluhuri i krahëve të tyre, ndikon edhe në shëndetin tim. Por, hobi im, ishte më i fortë se çdo gjë tjetër. Atëherë, po ju pyes juve i nderuar gjykatës: A më të rrezikshme janë fluturat e gjalla që shëtisin nëpër kopshtin e komshiut tim, apo fluturat e herbariumit tim?

Mbrojtësi i të akuzuarit kishe marrë një herbarium të ngjashëm si dëshmi se çka mund të bëjnë fluturat në të.

- Shikojini zoti gjykatës! Këtu përpara meje ndodhet një herbarium identik. A po ju duket se ndonjëra nga fluturat, po lëvizë.

Gjykatësi mori llupën për të shikuar gjendjen faktike të fluturave, duke i vrojtuar ato nga vendi. Pastaj ju drejtua mbrojtësit të të akuzuarit.

- Nëse është për tu besuar, e këtë mund ta bëjë eksperti i forenzikës, fluturat që ti i ke sjellë si dëshmi, nuk janë si ato në herbariumin e të akuzuarit.

- Protestoj!- tha mbrojtësi. Vlerësime të tilla që po bëni ju, nuk janë të sakta dhe janë të pabaza. Këtë po e arsyetoj me të dhënën se për këtë herbarium, unë kam një fletëz shoqëruese, e cila dëshmon se fluturat e këtij herbariumi janë të vjetra dhjetë vjet, sikur edhe fluturat në herbariumin e Fatosit.

- Nuk miratohet!- tha kryetari i trupit gjykues. Unë nuk kam një dokument të tillë siç e keni ju e me të cilin po dëshmoni vjetërsinë e fluturave. Prandaj jam i shtrënguar që të lë të nxjerrësh të pavërteta të këtilla, në mënyrë që ky proces gjyqësor, të mos marr konotacion tjetër, jashtë normave juridiko-penale.

Kryetari i trupit gjykues, duke dashur që debati mos të thellohet në zbulimin e të vërtetës, që ishte afër, dha një pauzë prej një ore. Pala akuzuese debatonte për rrjedhën e këtij procesi dhe përpjekjet që po bëheshin që Fatosi të shpallej fajtor. Ky debat, gati se bëhej me zë mbi mesatar dhe dëgjohej edhe në sallë.

Pas pauzës, e cila zgjati më shumë se një orë, trupi gjykues i të pestëve, u kthye në sallë, kurse i akuzuari me mbrojtësin, ishin kthyer pikërisht pas një ore pauzë.

- I akuzuar, dhe ju të pranishëm ngrihuni në këmbë! Shkruaj!- iu drejtua procesmbajtëses.

Pas shqyrtimit të lëndës, dëgjimit të dëshmitarëve dhe mbrojtjes, trupi gjykues mori këtë vendim, dy pika, kryerresht.

I akuzuari Fatos Drishtuku, i lindur në Drishtë me 1957. Në emër të popullit, shpallet fajtor dhe dënohet me 25 vjet heqje lirie. Herbariumi konfiskohet si masë për të parandaluar dëmtimet në kopshtin e komshiut ardhacak. I dënuari dërgohet menjëherë në mbajtjen e dënimit. Nuk ka ankesë as protestim, sepse ngjarja ishte tepër e rëndë dhe kjo nuk e lejon një gjë të tillë. Në këtë mënyrë, fqinji i tij, Steva, i cili për shkak të presionit të vazhdueshëm nga fluturat e herbariumit,  ishte para largimit nga lagjja, tashmë atij ju ngjallën shpresat që të qëndroj në shtëpinë e tij, duke mos pasur me frikë nga fluturat e herbariumit.

Gjyqësia e shtetit, me këtë rast, dha një provim të madh. Tani flamuri i shtetit tonë po valon lirshëm, sepse edhe ai kishte frikë nga fluturat e herbariumit.

Masa e njerëzve filluan të dilnin nga salla e gjykimit duke rrudhur supet, kurse Fatosi me pranga në duar, shikoj bashkëshorten e tij me lot në sy.

- E dashur!- i pëshpëriti Fatosi, bashkëshortes. Mos çaj kokën për këtë proces falso e trengjyrësh. Fluturat e mia, njëmend tani do të shndërrohen në shqiponja të cilat një ditë do të fluturojnë lirshëm mbi këto troje të rënduara nga bloza shekullore e trengjyrëshit të kalbur. Unë dhe ti, një dashuri, përmbylli fjalët  Fatosi, duke u befasuar në vete se nga i dilnin ato fjalë si poezi. Ai u tërhoq dhunshëm nga personeli i uniformave blu, në drejtim të makinës së blinduar.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora