Kulturë
Sylejman Salihu: Dashuri përmetare
E enjte, 28.01.2016, 08:39 PM
Dashuri përmetare
Nga Sylejman Salihu
Kam në dorë librin që ma dhuroi Dashmir Zaçe nga Përmeti “A kanë ujë ato burime”, botuar nga “Ymeraj”2015.Janë këngë popullore me motive erotike tipike shqiptare përmetare, që Zaçe i ka mbledhur në këto vitet e fundit me pasionin e një mbledhësi të vyer, që e njeh mirë treven e vet, në të cilën është rritur, për t’ia dhuruar pastaj lexuesit shqiptar gjithandej.Vetë titulli i veprës”A kanë ujë ato burime”na kujton këngën e moçme me vlera antologjike, të cilën e kemi kënduar nëpër vite dhe bukuria e së cilës bashkë me harmoninë tekstore dhe notat që ka në pentagramin muzikor, krijojnë më vete një realizim artistik në fushën e këndimit, që ka ardhur te ne me valëzime kohore me gjithë bukurinë e vet.Po cilat janë vlerat e kësaj kënge, të kësaj treve shumë produktive në kuadër të gjithë arealit të këngës lirike qytetare, me theks të veçantë të asaj erotike në vëllimin “A kanë ujë ato burime”? Ç’thonë “burimet”apo “krojet” e këngës qytetare të Përmetit, që na kanë shuar etjen ndër vite me bukurinë e tyre?Cilat vlera ruajnë dhe ngërthejnë në plotëni vargjet e erotikës përmetare?
Të 191 këngët e mbledhura nga Zaçe, paraqesin një panoramë të pasur dhe të gjallë të zërit dhe akordeve muzikore përmetare, që fuqishëm shpalosin kreacionin poetiko-muzikor që transmeton emocion, ndjenjë, psikologji, kulturë, etnologji, këndim, informacion estetik përgjithësisht.Personazhet e këngëve lirike përmetare , janë të rinj dhe të reja, që ëndërrojnë çaste lumturije, që kanë elan, vrull, janë vasha dhe djem që dinë të dashurojnë, janë çobanka dhe çobanë dhe janë bandillë , që dashurojnë dhe dashurohen në të gjitha ambientet hapësinore sa rurale aq edhe urbane, sa natyrore, aq edhe qytetare.Aty spikatet një shprehësi e pasur gjuhësore që vesh me rrobë artistike gjithë atë pasion dhe atë zjarr erotik, me gjithë shpërfaqjet në strukturat vargore të poezisë gojore.Ata janë personazhe tek të cilët shpërthejnë fantazi, ëndrra, dëshira, pasione , aventura , që në dejt e tyre tundohen me afshe, me zjarre dhe me pasione rinore.Janë njerëz të thjeshtë, mbase edhe me një gjysmë opinge mbathur, por të pasur në dëshira, në imagjinatë, në ndjenjë, në dashuri, në ëndrra, në jetë.Ata ëndërrojnë dhe dashurojnë të bukurën vashë , atë vashë të tyre që mund të ketë shkuar te kroi i fshatit, për të mbushur shtambat me ujë, siç ndodh shpesh në këngët e moçme të lirikës dashurore.Aty pra ku ndodhin pikëtakimet e gjithë të rinjve si Rina e Milosao te De Rada, aty pra takohen për të shpalosur qoftë edhe me droje ndjesitë erotike ndaj vashës apo edhe trimit a djalit që mbase edhe është në lëvizje të këtij tundimi aventurier.Po cili është komunikimi dhe gjuha e personazheve lirikë në këto këngë popullore?Si arrijnë të jenë pranë njëri-tjetrit, ç’ndjejnë, ç’drithërima kanë, ç’ëndrra stisin, ç’gufon brenda në kraharorët e tyre, në zemrat e tyre?Prijës i këtij komunikimi gojor doemos sipas traditës së lirikës shqiptare do të jetë djali, duke mos përjashtuar herë-herë edhe guximin e vashës, që zë shkas për të hapur linjën e komunikimit me shikim, me fjalë, me këngë, me gjeste apo edhe me isharete siç do të shprehet këngëtari popullor.Është magjia e erosit dhe bukurisë që i vë në kurthe apo edhe u hapë rrugë personazheve lirikë andaj edhe vargjet me plot ekspresivitet artistik dhe figuracion e thonë këtë pa fshehur aspak me autocensurë ndjenjën që shpërthen:”Kur më fshin sokakun, t’u zbuluan gjiret, gurët e kalldrëmit moj, zunë e po dridhen”Rëndesa trupore më pak dhe solemniteti i ecjes më shumë shkaktojnë këto lëvizje tektonike të kalldrëmit përmetar, të çupës që i rrëmben zemrën dhe mendjen bandillit.Ai turbullohet emocionalisht dhe dridhet nga drithërimat e zemrës së tij, që ia shkakton përmetarja lozonjare.Vetë i dashuruari, në këtë rast djali nga tensionet dhe shenjat erotike ka edhe një prirje çmendurake dhe kjo nuk ndodh rrallë te poezitë erotike, pra ka një prirje për t’u metamorfizuar , për t’u shndërruar në një materje tjetër, qoftë edhe në gur, që vetëm e vetëm të arrijë njëherë të ketë një kontakt fizik me të bukurën përmetare, duke u vetviktimizuar apo metamorfizuar , sepse ai që gjakon në bukurinë e vashës pranon edhe një rrezik, pranon edhe një sakrificë.Tamam si edhe te “Bukuria” e Naim Frashërit, i cili duket se ka pirë ujë në këto burime përmetare!Vargjet e tij antologjike”baltë e pluhur do të bëhem, të më shkeli këmbë e saj”, sikur e pohojnë këtë konstatim, që e gjejmë te artisti përmetar në një formë më të modifikuar, por në substancë dhe në ndërtim i njejtë.Ja vargjet që e pohojnë dëshirën dhe vetëmallkimin për gurëzim:”ndryshe gur do bënemë, të më fshish çdo ditë”.Po ku mbeti vajza përmetare?A flet ajo?A ndjen ajo?A reagon ajo?Po, ajo flet, ajo ndjen, ajo reagon.Sepse s’është vetëm ajo për t’u pasur nga bandilli, por edhe ajo do dikë për ta pasur vetë, për veten e vetë.Flet ajo, se edhe ka diç për të thënë.Se edhe ajo ka një brishtësi emocionale dhe një përndezje apo dhe një dalldisje trupore e shpirtërore.Se edhe ajo jo vetëm dashurohet nga bandilli, por ajo edhe dashuron vetë bandillin sa emocionet e saj shpërthejnë edhe më shumë ngase ethet e dashurisë e kanë zënë atë gjithë natën dhe ia kanë humbur gjumin e natës, teksa është ndeshur trupërisht me bandillin, të cilit nga dashuria do t’i bëjë edhe ndonjë “sharje”të butë, se ai pra, e kishte kafshuar nga pasioni i madh gjithandej në lojën erotike të asaj nate , por që nuk e lëndon komunikimin dhe bukurinë e tekstit erotik:”O bandill, bandill, o qen i tërbuarë, tërë natën e natës, më ke lënë zgjuarë, si qebab kafeje, më ke rrotulluarë, s’më lë vend pa puthurë, s’lë vend pa kafshuarë”.Janë pasione rinore, që këngëtari nuk lë pa i përmendur se loja e dashurisë , fundja nuk është lojë kukullash.Ç’vënd preferojnë dashnorët për t’u takuar?Sigurisht jo në sy të botës se morali i shoqërisë patriarkale e kufizon lirinë e dashurisë në sy të botës dhe askush nuk do të honepste të dukej në dritë të diellit, duke bërë dashuri.Por ata kanë një zgjidhje më fatlume, atje ku vetëm zogjtë mund t’u cicërojnë dhe t’ua bëjnë më të bukur festën e dashurisë:ata do të ikin në mal dhe do të pinë dollinë e dashurisë së tyre, derisa të dehen pafundësisht.Do të jenë pranë e pranë dhe do të shijojnë fuqishëm dashurinë e tyre.Mali atyre u bëhet strehë, u bëhet çati dhe sado mali edhe mund të mos ketë dritë natën , atyre dritë u bën bukuria e tyre , që rrezaton, që shkëlqen dhe sfidon edhe terrin e natës:”Edhe hëna në mos daltë, dritë kemi bukurinë”.Ç’mund të thotë më shumë një i dashuruar?Ku ka bukuri ka dritë, ka jetë, ka dashuri.Prandaj nuk ka pengesa në rrugën e dashurisë , ose edhe nëse kka, ato kapërcehen me durim dhe me guxim.Bandilli nuk shqetësohet për mungesën e dritës në terrin e natës, se atyre ua ndriçon ambientin dhe hapësirën në thellësi të malit bukuria , që rrezaton e ndriçon.Ata ndriçojnë me dashuri dhe bukuri rrugën e tyre dhe shohin mirë të gjitha skutat e fshehta të zemrës së tyre.Në një rast tjetër pamjet erotike shfaqen jo në mal, por në ambiente urbane por përsëri natën, se nata sikur është bërë për dashuri.Vargjet në vijim e pohojnë këtë:”Unë të mora të shëtita, dhe me dorë të gudulita, në kalldrëme dhe rrugica, kullumbritë t’i rrufita, doli hëna, doli drita, si gjahtari nëpër prita, të mbulova nuk të shita, as nga hëna as nga drita”.Ç’imagjinatë e pasur e poetit përmetar?!Po bukuria?Ku mbeti ajo?Si është bukuria e vajzës përmetare?Kush është ajo çapkëne që dalldisë djalin aventurier dhe kalorës?Ajo shfaqet zakonisht në këngët erotike me fizikun e saj trupor me bardhësi dhe bardhësia është koncept dhe pothuajse edhe kult i bukurisë për kohën, duke mos përjashtuar edhe të bukurat esmere.”Moj gocë e berberit, m’e bardhë zotrote, se top i sheqerit”ose”kur më del në derë, e bardhë si bora”.E bukura, përkatësisht e dashura e këngëve përmetare shfaqet me bukuri dhe përgjasimet e bukurisë së saj maten apo krahasohen me figura dhe mjete shprehëse të rrethit, hapësirës, ambientit autokton.Çka spikatë më shumë në trupin e saj femëror?Shpërfaqet shumë , madje edhe me përmasa hiperbolike kraharori, i cili është i mbushur plot fshehtësira.Aty , si duket, struken dhe fshihen gjithë thesaret e saj.Gjinjtë, të cilët poeti popullor parapëlqen t’i quajë cica, krahasohen me ftoin, me mollën, me rrushin, me kulumbrinë, me limonin, me portokallin, që mbushin vargjet me të cilat, cicat, si një nga zonat më të fuqishme erogjene, shpërthejnë, sa mezi i mban brenda jeleku:”Moj e holla si fisheku, nuk t’i nxë cicat jeleku”, për të shkuar më tutje me pyetje retorike në gjetjen adekuate të përgjasimit metaforik të kësaj zone trupore:
“Mos je dardhë a mos je ftua, në je ftua je për mua, të të puth e të të dua, të të shtrydh posi limua”ose edhe “Në kraharorin tënd moj, degë portokalle”për të vazhduar me ”Cicat kulumbrije, moj, me maja si gjembi”, të cilat ashiku do të donte t’ia guduliste dhe kur kjo pastaj ndodh vjen i beftë “ankimi” lozonjar i vajzës përmetare”-Avash djalë se më vrave mollëtë”, për të marrë fët e fët përgjigjen që i jep bandilli përmetar, i cili pasi t’i ketë në duar mollët e çupës përmetare do t’ia heqë frikën e “dhembjes”:”-Unë mollëtë nuk t’i vras, i fërkoj avash-avash”.Vashen përmetare e shquan bukuria e bëshme trupore me linja të rregulta, por edhe me aromë joshëse, me erë borziloku, me erë trëndafili, me erë manushaqeje, për ta vënë në lëvizje djalin që dashuron dhe që s’lë gur pa lëvizur për të qenë pranë saj.Trupi i saj, jo vetëm që është i hollë si fisheku, por ajo është edhe e hollë edhe e gjatë bile edhe si purtekë e dyfekut, sado nuk përjashtohet edhe trupi i shëndoshë e i rrumbullakët, karakteristikë kjo më shumë e zonave rurale”rrumbullakja si karpuzi”.Ajo është e lehtë në ecje si një thëllëzë, e lehtë si sorkadhe dhe ndonjëherë madje sikur fluturon ndaj poeti popullor e paraqet me figura të forta “Kur më shkon dhe moj sokakut, me çapin si flutur, more syri i bukur”.Ky sy i bukur, ndonjëherë krahasohet edhe me valën, që valëzon krenare dhe valëzon e hedhur:”O moj valë lumi, o moj valë deti”.Syri i saj është i çmuar dhe ndonjëherë metal i çmuar që në ndonjë këngë na del një lirë e vogël rrumbullake, figurë e krahasimit që vjen nga zonat urbane por syri i saj i zi është edhe sikur ulliri, krahasim mjaft i shpeshtë në këngët erotike të zonave bregdetare.Balluket e saj shpërthejnë në erë sa nuk ia zë shamia e leshrat e saj janë edhe leshverdha por edhe si korbi, të lara e të krehura me ballin si “top dëbore”me hundën “si qiriri”, me faqen si “ tabak karte”, por një tabak karte i pashkruar, domethënë e paprekur ende nga askush, simbol i virgjërisë trupore.Buzët vasha përmetare i ka të shijshme“të ëmbla farmak”, pra një farmak i ëmbël, por buzët shfaqen edhe me formën e një trupi kozmik, në këtë rast, hënës.Buza gjysmëhënë është një metaforë e rrallë e këngëve tona popullore erotike dhe që këngëtari përmetar e ka nxjerrë mjeshtërisht në vargjet e tij. Kjo syzezë pastaj është jo vetëm vetullhollë por edhe vetullkaleshe, është gushëbardhë por nganjëherë edhe kjo gushëbardhë e ka gushën “rrathë-rrathë, me gjerdan mbuluar”zbukurues.Këngët përmetare të pasura me figura stilistike si:metafora, krahasime, hiperbola, epitete, apostrofa, personifikime , refrene përçojnë mesazhe të bukura estetike me një gjuhë të pasur dhe herë-herë edhe tepër koncize.Ato e pasurojnë këtë lloj poezie brenda lirikës shqiptare përgjithësisht.Lexuesit i mbetet ta lexojë dhe ta këndojë!