Kulturë
Xheladin Mjeku: Fryma e shpirtit poetik
E enjte, 28.01.2016, 08:33 PM
LIRIKA QË SHPREHIN FRYMËN E SHPIRTIT POETIK
Vera Istrefaj:“QIELLI I SHPIRTIT TIM”, lirika, botoi SHB “ADA” – Tiranë, 2014
Nga Xheladin MJEKU
Vera Istrefaj (1975) del në opinionin letrar me librin e saj “Qielli i shpirtit tim” që sjell tema të larmishme, përmes saktësisë së vargut lirik dhe frymëzimeve plot vrull. Këto lirika kanë një harmoni në ndërtimin e librit, duke përshkuar frymën poetike plot dashuri njerëzore me ngjyrime të vendlindjes, me një sensitivitet dhembshurie, me synimet për të bukurën, njëkohësisht. Këtu takojmë një organizim ndryshe nga librat që jemi mësuar të kemi, duke krijuar emërtimet e cikleve nga vargje të latuara me përkushtim, duke krijuar një lidhje të vazhdueshme me lëndën poetike mes cikleve, me synimin në një ndërthurje vargjesh që portretizojnë parafytyrimin e autores, shprehur me fjalë e mendime të bashkërenditura mirë, që në një lexim të shkëputur nga poezitë tjera ta parafytyrojnë një poemth, si pararojë ciklike dhe lidhje autentike me frymën e poezisë që lexojmë aty.
Rrëshqitje në brendësinë sensitivite të poezisë
Vera Istrefaj, tashmë e dëshmuar si krijuese e zellshme dhe e përkushtuar në punën e saj letrare, sjell këtu frymën poetike mes gëzimeve të jetës, mes rropatjesh nëpër ngjarje të ndryshme, veseve dhe virtyteve, integrimeve jetësore, që vijnë si realizime të ëndrrës së kërkuar në vazhdimësi. Këto përpëlitje nëpër situata e momente ia parafytyrojnë botën e transformuar në kohë, duke kalkuluar me fuqinë shprehëse të mendimit filozofik të ndërtuar me koshiencën e saj të përhershme gjithandej kah prek frymëzimi dhe gjetja tematike e lëndës poetike. Falë këtij përkushtimi në vazhdimësi, duke kërkuar individualitetin e vet krijues, ajo ia ka dalur ta ngrisë stilin dhe ta ndërtoj botën e saj krijuese, për ta çuar tutje frymën dhe mesazhin poetik.
Në vëllimin poetik që kemi si pikë të vrojtimit analizues “Qielli i shpirtit tim”, simbolika paraqitet si kuptimësi shumëdimensionale: si kaltërsi qiellore plot diell e jetë, si det i kaltër që pasqyron qiltërsinë shpirtërore dhe si ngjyrim i kaltërsisë, që identifikon fatin dhe ardhmërinë. Ndjeshmëria e vargut lirik në krijimtarinë letrare të Vera Istrefajt është vet fryma lirike që ambientohet me pamje mjedisore, plot jetë, me toponimi nga lashtësia, e që bashkëvepron me aktualitetet e kohës, ku zë fill e reja, si frymë dhe rindërtim i të bukurës në atdheun e saj, në Kukësin e bukurive të rralla natyrore dhe të legjendave e ngjarjeve të ndryshme historike.
Këto “copëza ndjenjash”, (fq. 61) prekin me sensitivitetin e tyre brendësinë shpirtërore në “caqet e vetvetes”, (fq. 46) duke shtrirë rrezen e veprimit në rrafshin kohor dhe përmbajtësor, plot ndjesi malli, plot shqetësime e dhimbje, me yshtjen e një fillimi të ri të shpresave që nuk i shuhen asnjëherë poetes, e cila shprehet: “Shumë herë/ Mbrëmjeve,/ I bëj gërsheta dhimbjet…” (“Shumë herë”, fq 16). Këto dhimbje, ajo i kthen në fuqi të reja me fillimin e ditës, me hapjen e mundësive të reja për ndryshim pozitiv të rrugëtimit të saj. Ndoshta këtu kemi një fije shprese e një dozë dyshimi të gërshetuara, që për autoren vijnë në shpërputhje të asaj që synon jeta. Falë kësaj, ajo shpërfaq hapur mendimin se: “Kështu njëri-tjetrin/ ta shohim në librin e syve”, për të besuar në finalizimin e synimeve dhe mirëkuptimit, por, pavarësisht që “Koha i shëron plagët/ por jo dhimbjen e fjalëve”, (fq.26), duke përmbyllur kështu dhimbjen në kujtesë, dhe njëkohësisht mundësinë e ecjes tutje me shpresat për të nesërmen e synuar fuqimisht.
“Shpirti im
S’njeh përulje për mbret
As për pallate mbretërore”
(“I përulem zemrës”, fq. 41),
Sepse, siç zotohet autorja: “nesër dua të zgjohem/ plot jetë!”, duke iu përulur vetëm ndjenjave të saja shpirtërore, duke dëgjuar zemrën e saj se çfarë i dikton në rrugëtimin e jetës. Kjo sikur ia shtron vetes një shteg jete për të përmbushur synimet drejt një lumturie të imagjinuar, gjithnjë duke iu bindur “caqeve të vetvetes”, të cilat “s’munda t’i kaloj/ ndaj e tillë mbeta pa famë”, (fq. 47). Ëndrrën e saj e vazhdon drejt një takimi me të bijtë, që e përshkruan në poezinë “Motiv i ëndrrës”, për “të vërshyer udhëve” me Drinin e Bardhë dhe të Zi. Një dashuri prindore, pavarësisht rropatjeve jetësore me forcën e pamposhtur.
Përpjekjet për të zbërthyer sa më shumë kuptimësinë e poezive të Verës na shpiejnë gjithandej ku bashkëveprojnë të përfaqësuara dy botëra diametralisht të ndryshme, ku: “mbi motet e mi,/ një nga një i palos/ brengat…” (po aty, fq. 16), për t’i thënë “lamtumirë qetësisë së gënjeshtërt”. Autorja që në fillim e kap temën e aftësisë së daljes nga mbyllja brenda fiksionit kohor, duke kërkuar zgjidhje në një botë tjetër, ku jeta frymon lirshëm.
Në këtë botë jeta është nganjëherë edhe misterioze, plot sakrifica, etj., prandaj ndodh që në “Teatrin e jetës” “Suksesshëm kush luan/ del i kërrusur”, (fq. 32) do të shprehet Vera.
Kur nuk harrohet atdheu
Një çasje poetike me elemente të mendimeve të urta, të njohura si thënje popullore, që shprehur me vargëzimin e mjeshtëror e të përkushtuar, flasin qartë se, autorja ka intuitë të hollë prej krijueseje që të kap fijen e mendimit në fusha të ndryshme, në ecejake të jetës dhe të ndërtoj mendime e shprehje të fuqishme me retorikë dhe plotë guxim mbi parimet e realiteteve jetësore. Të këtilla, si: “Të përbuza, jo për të thënat/ por për të pashprehurat…”, “Kujdes me ndjenjën time/ Një fill kam mes dashurisë e urrejtjes”, “Shi malli më bie në shpirt,/ por zjarri s’shuhet se s’shuhet”, etj. që kryesisht i takojmë si emërtime ciklesh, por që shpërfaqin mendime të qëndrueshme, me burim nga filozofia e mendimit popullor, ndërtojnë urën lidhëse të disa prej cikleve në libër, por njëkohësisht edhe shprehin guximin e autores që të sjell në jetën e saj poetike edhe këtë frymë nga vlerat sublime të trashëgimisë kulturore, që vijnë si një freski e plotësuar në vargun e Verës. Ajo, sa është poetike në shpirt, po aq është edhe popullore me dashurinë dhe frymëzimet e saja, kur i këndon jetës, vuajtjeve dhe synimeve të vendlindjes dhe bashkëvendasëve të vet.
Poezia “Copëza ndjenjash”, që i përafrohet krijimit letrar të poemës, vjen si frymëzim jete nga dashuria dhe ndjenat e shqetësuara. Këto copëza mendimesh të shkapërderdhura sipas ndiesisë, sikur ndjellin një frymë optimizmi, pas shumë çasteve skeptike, pas hamendësimeve, por edhe të një besimi të ngulitur në mendjen e autores, e cila kap fijet e durimit deri në shpërthim të një guximi në përballjen me ndryshimet e ditës, me mjegullat mbi qytet, dhimbjen e saj deri në mposhtje dhe “mes perdeve të tylta/ natyra më fal/ qindra rreze përtritëse,/ që mblidhen të tëra/ petal/ mbi fytyrën e foshnjës time…” (fq. 67). Një përshkrim i gjithë kësaj përkufizohet me vargjet “Buzëve pëshpëris/ e s’ngopem duke ujitur/ gonxhjet e dashurisë” (fq. 66).
E motivuar nga dashuria për atdheun, Vera Istrefaj nuk hamendet asnjëherë të shkruaj për këto bukuri natyrore, për traditat, për jetën në bjeshkët shekullore, etj. duke zgjedhur tema e motive të shumta për të bukurën e atdheut, për etjen, për aromën e luleve të vendlindjes, etj., që i lexojmë me ëndje në poezitë: “Sa vështirë”, “Ndjenjë e dhimbje”, “Etja e largësive”, “Nëpër copëza mbrëmjesh”, “Në kristal të dëborës”. Sidomos veçohen poezitë “Kohë e verdhë”, “Mosha”, e ndonjë tjetër.
Ecje nëpër tallaze të jetës
“Asgjë s’u dëgjua sonte/ veç një përplasje gotash”. Me këto vargje e fillon hapjen e saj frymëzuese në librin “Qielli i shpirtit tim”, që na kujton heshtjen para shpërthimit të një vullkani të rrëmbyeshëm fjalësh e mendimesh me petkun poetik. Ky vullkan poetik i Vera Istrefajt vjen me vrullin e përhershëm që buron nga zemra, me vargun që hap krah hapësirave të pafund të mallit të saj plot frymëzimin, duke krijuar botën e saj poetike për imazhin e vendlindjes, me sakrificat dhe sukseset e pandalura. Përveç vargut refleksiv që e ka të theksuar në krijimtarinë e saj poetike, autorja nuk ndalet me kaq, por trajton parreshtur edhe tema me motiv shoqëror, pastaj prek çështjet sociale e botën intime, që mbase e mbajnë gjallë frymën e saj krijuese. Për më shumë në këtë të fundit ajo do të ketë edhe lexuesin e saj të vlerësuar, duke u bazuar në gjeneratat e reja, që më së shumti e konsumojnë këtë krijimtari poetike. Këto trazime shpirtërore bëjnë botën e tyre, duke sjellur në vargun poetik frymën e përjetimeve gjatë shtegtimit në jetë.
“Risi trazuese” është poezi shembull, si e ndien një trazim shpirtëror në veten e saj, duke u përballur me peripetitë e jetës, për ta ndërtuar kështu një besim për veten, pavarësisht përjetimeve e sakrificave: ”Sot/ nuk e di çfarë kam: /Grindem me veten/ Vetëgrindja/ i vetmi rrafsh pasqyrimi/ për mua” (Po aty, fq. 92).
Të këtilla janë edhe poezitë: “Koha”, “S’di në ç’stinë”, Akulldjegje”, “Vejushë”, “Nëse”, “Vrapit tim”, “Vetëm sytë e tu”, “Kur s’të shoh ty”, “Fjalët e tua”, etj. që shquhen për trajtimin e vëmendshëm të këtij motivi, të kësaj bote enigmatike, të paeksploruar plotësisht, meqë gjithmonë gjendet një arsye apo një veprim shtesë për të zgjuar interesimet e lexuesit të lëshohet tutje vargut lirik, gjithandej asaj tematike. Për ta argumentuar edhe më bindshëm këtë që theksuam më lartë sjellim edhe vargjet: “Do të të jepem e tëra po me atë force/ me të cilën s’do të të jepesha kurrë” me plotësimin e mendimit të metejmë, siç shprehet autorja: “M’i ke lënë buzët në gjysmëputhje,/ më ke lënë gjysmëvdekur….”(fq.38), për ta rrumbullaksuar këtë mendim me poezinë “Dhembjes s’i dorëzohem”, ku Vera Istrefaj, ka gjetur forcën e saj përmbyllëse me vargjet: “Stuhinë e ëndrrave/ e mposhta/ Në fitore e humbje,/ njësoj/ veçse jam femër” (fq. 96 ).
Vlera në baraspeshën e vlerësimeve
Vera Istrefaj me zërin e saj poetik, që herë i vjenë si frymëzim plot shpresa, herë si pikëllim shpirtëror, herë si mëdyshje e mundësive në përmbushjen e qëllimeve të saja poetike në përgjithësi, pasqyrojnë individualitetin krijues të saj. Bota e saj poetike me ekskluzivitetin e vet ia mban gjallë frymën e muzës krijuese në çdo kohë që ajo e ndien frymëzimin dhe e takon temën e trajtimit në vargun e saj të pashterrur. Ai varg ka vizion të dëshmuar, ka vrullin dhe ndjenjat shpirtërore që i burojnë nga brendësia e shpirtit të saj poetik, duke hapur shtigje të reja komunikimi me lexuesin e gjerë. Ato vargje vijnë si rreze mëngjesore që përhapen gjithandej kah frymon dashuria për të bukurën, për artin poetik, për vlerat e mirëfillta letrare e artistike. Kjo poete nuk pushon asnjëherë në kërkimin e individualitetit të saj krijues. Falë këtij angazhimi të përhershëm, ajo ka krijuar botën e saj krijuese, ka ndërtuar stilin dhe frymën poetike plot pasion. Mesazhi i poezisë së saj tashmë ka rrugën e vet të qëndrueshme.
Në poezinë e Verës takojmë një gjuhë të pastër e komunikuese me lexuesin, një bagazh të madh metaforash e figura tjera stilistike, që e bëjnë edhe më të fuqishme këtë krijimtari poetike, e mbajnë më afër lexuesin, duke e ambientuar fuqishëm me imazhin e vendlindjes, të cilës i këndon parreshtur. Shpalosja e botës së brendshme krijuese për jetën, për të bukurën që jeton dhe përjeton, vjen si udhërrëfim i pandalur në ndjesinë individuale të frymëzimeve dhe përjetimeve poetike që paraqesin ndjenjat dhe përceptimet e saj shpirtërore.
Poezia, si shprehje e ndiesisë shpirtërore të Vera Istrefajt edhe atëherë kur “Vetmia në gjysmëdremitje griset/ e/ ngacmon muzën e mendimit poezia”,(fq.80) për ta shtyrë në vazhdimësi drejt vlerave të reja, që, ashtu sikur edhe në librat e saj të mëparme, e ruan baraspeshën e komunikimit me lexuesin dhe sjell freski të reja poetike në vazhdimësi.