Kulturë
Mehmetali Rexhepi: Shpërpushje
E marte, 26.01.2016, 11:48 AM
Shpërpushje
Mehmetali Rexhepi
pas mjegullës
rrjedh thesari
i papërsëritur
i së pa çelurës
të pa velurës
avullim i vesës
së lakmisë
*
në emër të zymtësisë
i vë kazmën pemës
vurratën e kohës lëkurës
*
i hedh qindra lopata dheu
e mbulon për së gjalli
tej për tej atë zgot vertikali
*
thesarit të brishtë të djalërisë
e qeshura iu prarua
në një kornizë portreti të galerisë
erdhi karafili i buzëve
lotët e purpurit muzgjeve
diçka që s`dukej në pasqyrë
dhe i shartohej më e njoma
më e vezulluara fytyrë
fijet e tingujve
fije flokësh spikatur
njëri-tjetrit
erë ëndjesh spërkatur
lartësisë së dehjes
ngjyrave të tingujve dhe penës
andaj grishja e jetës
majave të galdimit të fletës
miklime fëshfërima rreshkësh
bistak puthjesh violine
pikime pianoje
rrëqethje dridhjesh të sigluara
mbi një korube
ku lëpiheshin derdhjet
lozonjare të (F)loçkës
*
puthjet e prekjeve skofiare
fërguan kumbimet e buta të luleve
sigluar në laurë telash
duke u fryrë melodive
thellësisë së honit të shpirtit
tingujt kishin nxjerr
thesarin e fisnikëruar
diçka e mrekulluar
përmasë e flluskuar
nga dehja buruar
*
kaltërsia e pemës
ia thithte ngjyrën penës
*
po të vjelja
do të vyshkeshe në dorë
*
pse të mos vyshkesh
në tëndin ishull
në tënden orë
*
i gjakuar do të mbetet
prushi nën hi
i ri ndezjes tjetër