Kulturë
Arqile Gjata: Magjistarja e fjalës së bukur
E hene, 25.01.2016, 11:49 AM
MAGJISTARJA E FJALËS SË BUKUR
Nga Arqile V. Gjata
Në hapsirën e informacioneve letraro artistike, që duam t’i pasqyrojmë në kohën e sotme, na vjen bindshëm ideja që: Për përcaktimin e vlerave të një krijimi poetik duhet të mbeshtetemi në kritere të caktuara si; formën, dëndësinë stilistike, figuracionin, kuptiminë, kontekstin etj. Gjithsesi natyrshëm them: Është këndëvështrimi ai, që krijon apo përzgjedh objektin, që i paraprin formësimit të analizës, që dikush merr përsipër të bëjë për krijimtarinë poetike të një krijuesi.
Në mendimet që po paraqes kam parasysh, produktin konkret të një poeteje që, për mua(mendimi im vetjak) është një nga më të suksesshmet, në krahasim me disa, që vetmburren dhe reklamohen me shumicë! I pavdekshmi Dostojevski, krahas veprave madhore ka lënë dhe mjaft thënie-perlë: -Ja njera, “Bukurija do ta shpëtoj botën” dhe një nga këto bukuri është Poezia. Në këtë raport vlerash; Unë po kërkoj të hap një dritare që të hulumtoj me kërkesën e mesipërme lidhur me poezinë e zonjës L. Lazaj:
Studiuesi Thoma ka shkruar: “Shprehësi do të thotë që gjuha e përdorur të bëjë përshtypje, të ndikojë me efekt, të tërheqë vëmëndjen, të përçojë diçka me forcë.” Pikërisht, këtë shprehësi ndjejmë kur lexojmë vargje si këto që po citoj më posht nga krijimtaria poetike e poetes Lida Lazaj. “Qielli shkund dimër, yje kristale/ Qerpiku i pishës llamburit.” (nga poezia “Dimëroj me Miq”)“Ç`më shikon ashtu sikur një skifter’’, më tha ajo pikëz shiu/ më shihte në sy në sy e shihja. (Nga poezia “Lajme nga Pikëza e Shiut”
Mbi këtë të vërtetë mbeshtetet përpjekja ime në hulumtimet rreth krijimtarisë poetike të poetes Lida Lazaj. Së dyti do të perpiqem të jap një pasqyrim të përafërt të vlerave, veçorive dhe mesazheve që përciell poezia e saj tek lexuesi. Mendoj, se për poeten Lida Lazaj ke çfarë të shkruash e të flasësh. Prurjet e saj janë të admirueshme, shumë interesante, shpesh dhe mund t’i quajmë të magjishme, që meritojnë vlerësime të padiskutueshme.
Vargjet e poetes janë të zhdërvjellta, të ngjyrosura ndjeshëm me metafora iperbolike. Dua të mbroj mendimin se, në poezitë e poetes Lazaj, metafora është mjeti kryesor për krijimin e njësive frazeologjike, kjo sidomos tek vëllimi i saj i botuar më parë “Syri i së Dielës” (ku unë jam redaktor), por dhe në shumë poezi të shkruara pas botimit të këtij vëllimi. Në lëndën e poezive të Lidës gjejme shprehje frazeologjike të metaforizuara, ku metafora dhe abstragimi kuptimor marrin vlera me të mëdha, në krahasim me shumë krijues të tjerë! Për ta ilustruar këtë, do përqëndrohem tek një buqetë me vargje post vëllimit poetik “SYRI I SË DIELËS”.
“Unë, për të mos vdekur prej urisë
ha libra dhe ndez qirinjtë.
Heronjtë sot, vdesin prej bubullimisë.”
“Përkundruall
ecin një burrë dhe një grua.
Shkëndijuan vështrimet.
Pemët u përshkënditën si llampadarë.
Supet e burrit që mbanin mbi gjysmëshekulli jetë dhe hijeshi Apolloni
nisën të këndonin.
Shpina e gruas si Venerë nisi të qeshte.
Nuk u përshëndetën,
vetë heshtja foli.
Të dy dikur kishin kafshuar një mollë qershori.
Pakëz më tej marrokja e lagjes bëlbëliste
(thonë që dashuroi fort e u çmend)
e thithte cigaren me eks.”
Në poezinë “ Më duhet një ëndërr, më duhet një mit”, imazhi bashkëkohor poetik është reflektim i një emocioni, i një ndjesie të çastit, që vë në fuksionim shpirtin e poetes. Dhe për çudi, këto janë të ngjeshura e dinamike, me mendime të forta, ku fantazia mbështetet dhe frymëzohet në botën e pakohëshme.
“Më duhet të kuptoj,
përse nuk dëboj si insekt të hutuar xixëllonjën,
por e marr në pëllëmbë e puth në ball si kryezonjë
dhe zemra ime pa u menduar fare pas i shkon?”
Akademiku Gjovalin Shkurtaj na tregon qartë se “Titulli është kartëvizita e çdo teksti dhe e pjesës përbërse e tij, pra ndërtimi i tekstit nis qysh nga fillimi I tij”. Po i rendit ca si ndryshe disa tituj poezish të poetes: Syri i së Dielës/ Dimëroj me Miq Real/ Për ty Shoku i Shortit./ E Diela/ Vdiq/ Lajme prej Pikës së Shiut/ Në Emër të Shpirtit të Petales/ Letër Gurëve.
Vetë titulli i tyre të ngacmon së tepërmi sapo i lexon.
Pasi lexon poezinë “MOSHOHEM” të poetes Lida Lazaj, bindesh se, vargjet e saja janë eliptike për faktin se ajo është e prirur për të hyrë në thelb të mendimit. Poetja është në kërkim të vazhdueshëm me gjuhë e formë eliptike për të shpërthyer me ndjenjën e saja. Poetja transmeton tek lexuesi ndjesi, preceptime tingëllimash të një njeriut përpara të çuditshmeve me frymëmarrjen e saj poetike.
“ Tek njeri vesh oshëtin deti
ketrat e pyllit thyejnë lajthi tek tjetri.
Ditë pas dite i afrohem tokës
e lehtë jam, sa gjumin e bëj në petalen e lulemollës.
“Gjysma ime e papërsosur
as me imagjinatën më të çmendur
se imagjinoj jetën pa ty.”
“...dhe shinat e trenit vegojnë në ëndrra
si shpata që zgjidh nyjen e lotëve në fyt.”
- Mendimi estetik në poezinë e Lida Lazaj, ruan vertikalitetin(si vlerë estetike) në të gjithë hapsirën e thurrur të poezisë, si një tërsi vlerash, ku fjalësia e saj është e qëmtuar me shumë kujdes. Vertikaliteti, guximi, çiltërsia e mendimit poetik janë disa karakteristika që u jep autorëve frymëzim dhe përfytyrim si konsolidim të vetëdijes estetike. Vertikaliteti në poezi nënkupton pikëshikimin nga larg… Ajo e ndërton mendimin, rrëfimin me ndjeshmëri, inteligjencë dhe elegancë estetike. Poetja ka aftësi natyrale si kultivuese e fantazisë për të pikturuar tablot e saja poetike.
“Kur e gjith bota fle e ëndërrron
një mendim rebel të më dëbojë gjumin
e kokën time ta nxjerrë në peron
ku treni i kohës duhet të ndalë
për të marrë pasagjerë të rinj.”
“Jam bijë e bekuar reje,
miliarda si unë vijnë pas meje,
pastroni kokën nga idetë shterpa
pusetat nga gjethet,
zemrat nga pleshtat
pastronani rrugën
nga ç`ju mbetur nga orgjitë
mos t`ju përmbytim shtëpitë”
- Imazhet e poezisë së L.Lazajt kanë aromë femre, janë thellësisht të sinqerta dhe të mbarsura me surealitet të dallueshëm, i formuar nga shndrimet e sendlndërtimeve figurative të shumta, si tipare veçuese të stilit të saj të krijuar si një mëvetësi individuale. “Moshohem, njëtrajtësohem/ kurmi im: shkrep mali/ ku vetëtimat shkarkohen.” Po t’i bësh një studim teksti, vëzhgim a hulumtim kijimtarisë poetike të poetes Lida Lazaj, do kuptosh se ajo ka një ligjërim të veçantë ku dhe mjetet e gjuhës bëhen element estetike.
“Me asgjë tjetër,
që të çorienton fluturimin e lirë,
si p.sh njoftimet e observatorëve për ngrohjen globale.
dhe lëshojë të shkojë, ku të shkojë
bëje një çmenduri të vogël .
Sot është mëkat
të mos mëkatosh pak.”
Si model po I drejtohem poezisë “TRISHTI”. Aty ka aq shumë ngjyrime, aq sa ndihesh se je në kopshtin e magjistares së fjalës së bukur. Tërësisht, pandehmat e saja janë kompozime për indentifikimin e vlerave estetike që nxiren në pah nga autorja.
“...Të joshen,
të çmenden
të marrëzohen të gjitha gjethet
të bëhen zogj e të cicërojnë njësoj si ti.
Kështu të bindem
të zverdhen
të bien si gjethet
të gjitha pandehmat dhe dyshimet
që të mendojnë zog qeparisash
e cicërimën tënde; vajtim.
Këndo trishtil
I gjelbrthi zog i pyllit tim.”
Para se ta mbyll këtë hulumtim modest dua të cek dhe një veçori tjetër, që ndihet në vargëzimin e kësaj krijuese: Ajo e ndërton mendimin, rrëfimin me ndjeshmëri dhe inteligjencë të veçantë. Poetja ka si passion aftësinë kultivuese të fantazisë për të pikturuar tablote e saj poetike me fjalor shumë të pasur, ku filozofija e saj sa hermetike, aq dhe intime ka enigmën për të pasqyruar dhe një shëmbëlltyrë negative të realitetit të jetës të shumë njerzëve të shtresave të shoqërisë. Poezia “Heronjtë e Gjethes së Spinaqit” e shpreh të vërtetën e hidhur si një “vepër arti” me shumë kulture poetike. Ja “Heronjtë e Gjethes së Spinaqit”:
Nën hijen e lashtë të qerpikut
dehur prej mushtit të buzës; vepër arti formatuar me silikon
mirazhe anijesh të mbytura u shfaqen në horizont.
Në kërkim të thesareve të humbura
eksplorojnë thellësitë,
dalin në breg në trajtën e spinaqit kaluar në avull
rikrijojnë strukturën
e thellë e më thellë
si etërit dhe bijtë.
Dhe djepat përkundin
të tjerë heronj.
Në vend të përfundimit
-Poetja është në kërkim të misterit brënda thjeshtësisë dhe e qëmton me shumë merak, si askush fjalën e bukur.
-Në poezinë e saj ka peshë të rëndë shumëkuptimia e fjalës që të entusiazmon, të bën të jetosh në fantazi të çuditshme.
-Poetja dallohet për një fjalor shumë të pasur, vargu i saj është elegant dhe ngjyrimet i merr nga gurra popullore.
-L.Lazaj nuk huazon kopje uniforme në vargëzimet e saj poetike, përkundrazi, ndihet novatorizmi i shfaqur si një ligjërim femëror, veçanërisht në përdorimin e leksikut të saj të zgjedhur, të pasur, pa rënë në ripërsëritje!