Kulturë
Besim Muhadri: Intervistë me Fatmir Fejzullahun
E diele, 24.01.2016, 11:55 AM
Intervistë me Fatmir Fejzullahun (Mjakun), ish ushtar i Batalionit “Atlantiku” (SHBA)
BESA E DHËNË NË PASHTRIK SE PA I ÇLIRUAR TË GJITHA TROJET E OKUPUARA NUK DO TË NDALEMI, PASKA QENË GËNJESHTËR
Nga Besim Muhadri, New York
Edhe pse pata shumë mundësi ta marr nënshtetësinë e Kosovës, nuk e bëra këtë vetëm e vetëm të mos ia kthej shpinën Shkupit tim që po shitet pëllëmbë për pëllëmbë, sepse fjalët në Pashtrik dhe besa e dhënë, se për pa i çliruar tëra trojet që kanë mbetur peng në dorë të shkjaut nuk do të ndalemi, paskan qenë gënjeshtër. Unë këtu akoma po e zhvilloj atë luftë, por kësaj here pa zë, sepse edhe vetë Batalioni im nuk ka treguar vullnet të më dëgjojë. Batalioni im nuk e di se tani unë, pos shkjaut, jam i rrezikuar edhe prej shqiptarëve, të cilët janë përpjekur t'ua marrin fëmijëve të mi edhe bukën e gojës, vetëm e vetëm se unë nuk po pajtohem se si ka mundësi të mposhten maqedonasit në vitin 2001 dhe nga ana tjetër të na sundojnë në mënyrë edhe më perfide se para atij viti, thoshte Fatmir Fejzullahu, ish ushtar i Batalionit “Atlantiku” dhe bashkëluftëtar i Zahir Pajaziti e Salih Çekut...
Në vitin 2011 pata filluar një projekt për të shkruar një libër për aktivitetin e Fondit “Vendlindja thërret” në SHBA, që ishte iniciativë e zotit Shefki Mexhuani, njërit nga themeluesit e këtij fondi, përkatësisht drejtor ekzekutiv i këtij Fondi, por që për shkaqe kohe dhe të tjera ende nuk është finalizuar ende. Në verën e atij viti (2011) pata bërë disa intervista me themelues dhe aktivistë të këtij fondi, por edhe me ushtarë të batalionit “Atllantiku” në mënyrë që të kompletoja librin, i cili është ende në proces të shkrimit. Në mesin e atyre që pata intervistuar në atë kohë, kishte edhe ushtarë të cilët sot jetojnë në Nju Jork dhe shtete të tjerë të SHBA-së, mirëpo edhe me ushtarë të këtij batalioni të cilët sot jetojnë qoftë në Kosovë, apo në vise të tjera ku jetojnë shqiptarët. Në mesin e atyrë që kisha intervistuar (kuptohet përmes postës elektronike) ishte edhe Fatmir Fejzullahu – Mjaku, një intevistë që në atë kohë më pat lënë përshtypje dhe e pata fiksuar si të tillë. Unë nuk e njihja Fatmirin, mirëpo për realizimin e disa intervistave e para autorizuar Adrian Grajçevcin, i njohur me nofkën “Gjyshi”, i cili jeton dhe vepron në Nju Jork, ndërsa gjatë kohës së luftës në Kosovë kishte qenë pjesë e Batalionit “Atlantiku” dhe pjesë e komandës së batalionit. Adrianit ia pata dhënë pyetësorin, të cilin e pat shpërndarë tek ushtarët e Batalionit.
Meqë ka kohë që nuk jam marrë me projektin për “Fondin Vendlindja thërret”, gjatë këtij muaj (janar 2016) ju ktheva për ta lexuar materialin e mbledhur dhe prapë u ndala tek intervista me ish ushtarin e Batalionit, Fatmir Fejzullahu – Mjaku. Dhe, duke menduar që të gjeja informacione më të thella në internet për këtë njeri, intervista me të cilin më kishte lënë për të kuptuar shumë gjëra, hasa në një lajm të dhimbshëm, që tregonte se ai kishte vdekur më 14 tetor 2015. Dhe ja çka shkruante, në mes tjerash, në këtë lajm të Klan Kosovës dhe të të gjitha portaleve shqip:
“Ish-bashkëluftëtari i komandantit legjendar Adem Jashari, ndërroi jetë pas një sëmundje të rëndë. Përkundër se Mjaku pak njihet, me dëshirën e tij kjo, ai ishte edhe në mesin e 52 personave të parë që i mbaruan stërvitjet ushtarake në Shqipëri, bashkë me Adem Jasharin.
Më pas Mjaku ka shërbyer edhe në njësitin shqiptaro-amerikan Atlantiku, në Koshare.
Ushtarak, roker dhe njeri i shkencës, pas përfundimit të luftës Mjaku, jo si shumë të tjerë, nuk u bë pjesë e strukturave politike, por vazhdoi punën e tij si njeri i dijes, duke kontribuar në profesionin e tij – profesor.
Për babin e dy fëmijëve, nuk u organizua kurrfarë ceremonie nga institucionet e Kosovës, për t’iu falënderuar për kontributin e madh dhënë për çlirimin e Kosovës”.
Pas leximit të këtij lajmi u preka shumë. Më erdhi shumë keq që nuk kisha arritur ta kontaktoja edhe pas kësaj interviste. Prandaj, për të përkujtuar punën dhe veprën e këtij luftëtari dhe intelektuali, po e botoj në tërësi intervistën të cilën e pata siguruar në verën e vitit 2011.
Në pyetjet e mia se kush ishte Fatmiri, cili ishte aktiviteti i tij dhe të tjera, ai më përgjigjej fillimisht kështu, sa për të dhënë një portret të shkurtër për veten:
Gazetarët e CBS News ma dhanë një kamerë profesionale gazetare
të cilën ia dhash Florim Lajçit
Kush është Fatmir Fejzullahu, a mund të na jepni një letërnjoftim të shkurtër?
“Quhem Fatmir Shukri
Fejzulla (Mjaku). Kam lindur më 27.08.1954
në Shkup.
ndërsa në SHBA kam shkuar më 1997. Kam jetuar në Manhattan, New York, ndërsa pas përfundimit
të luftës kam vendosur të qëndroj në vendlindjen time në Shkup dhe t’i
përkushtohem profesionit tim të mësuesit. Jetoj në Shkup (më shkruante atëherë
Fatmir Fejzullahu- Mjaku, tash i ndjerë).
Dhe pasoni pyetjet në vazhdim:
Kur jeni aktivizuar në Batalionin "Atlantiku" ?
Fatmir Fejzullahu-Mjaku: Më 1999.
Kur shkuat në Shqipëri më Batalionin?
Fatmir Fejzullahu-Mjaku: Më duket aty
nga fillimi i Prillit (kam harruar saktësisht se kur).
Keni një fotografi të ushtarit?
Fatmir Fejzullahu-Mjaku: Vetëm po të kenë shokët e batalionit, se unë nuk kam pasur
aparat apo kamera.
A ju kujtohen momentet e para të zbritjes në tokën shqiptare me rastin
e shkuarjes me Batalionin “Atlantiku” nga SHBa dhe cilat ishin përjetimet tuaja
(përshkruani me pak fjalë ato përjetime?
Fatmir Fejzullahu-Mjaku: Po, që nga aeroporti Rinas e deri në fund
të qëndrimit në malin Pashtrik. Prej Rinasit ikëm për në Durrës, ku tek
restoranti "Drenica", aktivistët e logjistikës së UÇK-së na e shtruan
një drekë. Menjëherë vluan gazetarët nga mbarë bota, ndër to edhe më
prestigjiozet amerikane, angleze, franceze, spanjolle, turke dhe shumë të
tjerë, të cilët nëpërmjet të pyetjeve të tyre, e regjistruan entuziazmin dhe
vendosmërinë e fuqishme të vullnetarëve të Amerikës, për t'u dalë zot trojeve
të tyre etnike. Meqë unë isha atë kohë zëvendëskomandant i admiralit, z.
Skënder Doçi, veteran i Marinës shqiptare, me mbi 40 vjet shërbim, m'u afruan
gazetarët e CBS News dhe ma dhanë një kamerë profesionale gazetare e m'u lutën
që unë me vullnetarët të mbajmë një ditar vizual dhe sapo të kishim regjistruar
ndonjë material përmbajtës në kohën kur do të futeshim në betejë ballë për
ballë, t’ua dërgonim këto regjistrime nëpërmjet të ushtarëve, të cilët do ta
kishin për detyrë me orar të na sjellin pajisje dhe ushqim. Unë e pranova
kamaren dhe e autorizova Florim Lajçin të xhirojë, se e pashë që kjo punë i
shkon për dore. Mirëpo, nga shkaku i mosnjohjes të së kaluarës time dhe nga
injoranca primitive e disave nga logjistika e batalionit, të bartur me ide se
unë mbase do të kisha qenë ndonjë spiun serbi, a ku e di unë çka, shprehën një
pakënaqësi dhe nxitën midis shumë vullnetarëve dyshime dhe urrejtje ndaj
meje. Këta nuk e dinin se unë kisha dosje të pasur atdhedashurie. Ata pse e njihnin njëri-tjetrin mendonin se vetëm ata po
flijohen për Kosovë, e për mua nuk e dinin se sa zhavorr atdhedashurie ua kam
shtruar deri sa ata të rriten, të bëhen synet, të piqen dhe t'i marrin pushkët
dhe të luftojnë krah për krah me mua. Megjithatë në fund të luftës u
joshën pikërisht edhe me dëshmitë e shumta nga ajo kamerë. Të tjerat ua rrëfejnë vullnetarët tjerë.
Nëse ju kujtohet, na tregoni se në cilat vende keni stërvitur dhe kush ishte
udhëheqës i stërvitjeve (ushtrimeve ushtarake)?
Nga zëvendëskomandanti i admiralit Doçi, ushtar i
thjeshtë i Batalionit
Fatmir Fejzullahu-Mjaku: Siç e përmenda më lartë, duke qenë zëvendës i z. Doçi, prej
Durrësit ikëm në Kavajë të Durrësit, ku në plazhin pas hotelit në të cilin
qëndronim, nën komandën time dhe mbikëqyrjen e z. Doçi, i mësonim rregullat e
rreshtit dhe mbajtja dhe mirëmbajtja e armatimit, në këtë rast KA 47, që për
vullnetarët e Amerikës, të cilët ishin lindur atje, apo kishin shkuar
krejtësisht të vegjël, pa e kryer shërbimin ushtarak në ish Jugosllavi, nuk
kishin njohuri për të. Në Kavajë nuk kishim shumë nga kallashnikovët, por
vetëm disa sa për demonstruar gjatë stërvitjeve. Aty pak para përfundimit
të qëndrimit në Kavajë i dëgjova nja tre katër vullnetarë, të cilët po
shprehnin pakënaqësi që ishin nën komandën time, sepse paskam qenë, siç e
dëgjova mirë njërin, i Makadonisë (pra jo i Maqedonisë). Me ta dëgjuar këtë iu
drejtove z. Doçi dhe u tërhoqa prej komandimit, shkova thjeshtë ushtar në fund
të njërës skuadër. Që nga kjo ditë fillova të kënaqem me bashkëluftëtarët
e mi si me vëllezër dhe me dëshirë të madhe për të hyrë në Kosovë. Prej Kavajës
ikëm për në Burrel. Pas komandimit tim u ndërruan gati të gjithë me
radhë pas meje duke marrë detyra komandimi dhe të gjithë e shijuan përvojën
time. Më në fund i caktuan disa komandantë kryesisht me prejardhje
drenicase e gjakovare, të cilët vetëm figuronin ashtu, se asnjë gjë nuk mësuan
vullnetarët nga ta, posikur më në fund erdhën ushtarakët profesionalë nga
Akademia e Bashkuar e Tiranës. Me këta patëm stërvitje intensive deri në ditën
që u nisëm në malin Pashtrik. Megjithëse për një kohë tepër të shkurtë,
vullnetarët mësuan shumë nga këta oficerë shqiptarë. Dëshpërimi më i madh
këtu qe kur e morëm vesh se "Atlantiku" na qenka vetëm një batalion
sa për t'i vënë pakëz kozmetikë kësaj lufte për çlirim dhe liri. U bë bujë e
madhe dhe gati u vetorganizuam për të hyrë në Kosovë. Mirëpo presioni ynë
dha rezultat. Prej këtu e tutje ua
rrëfejnë të tjerët.
Kur shkuat ne Pashtrik, cila ishte data dhe në cilat aksione morët pjesë?
Fatmir Fejzullahu-Mjaku: Nuk më kujtohet data dhe aksioni kryesor ishte
depërtimi kah territori i Kosovës, e cila gjë shkonte shumë më ngadalë seçe
kisha përfytyruar unë, nga shkaku se forcat serbe shtinin pandërprerë në
drejtim tonin me tërë potencialin e armëve të artilerisë, të të gjitha
kalibrave që kishin, e kjo e kryente efektin e vet. Nga ana tjetër kishte shumë
lokacione të mbjella me të gjitha llojet e minave dhe soditja e snajperistëve
serb. Thënë troç, ishim në pozitë të jemi më tepër pre për t'u asgjësuar, sesa
për ta asgjësuar dikë. Nga vdekja dhe lëndimet kanë shpëtuar vetëm ata
luftëtarë që kanë pasur sadopak përvojë ushtarake (përfshirë këtu edhe disa
prej tyre që më rreshtuan si i Makadonisë, të cilët as gishtin e vogël të
këmbës nuk e futën në Pashtrik), sepse siç kalkulonim atëherë, në Pashtrik
duhej të kenë luftuar mbi 2000 luftëtarë, pos "Atlantikut" edhe shumë
nga diaspora e Evropës e gjetiu.
A mund të na përshkruani atmosferën e ushtarëve në Pashtrik apo aty ku keni
qenë ju?
Fatmir Fejzullahu-Mjaku: Me që kam pak përvojë rreth këtyre përjetimeve
edhe prej më parë, kam qenë i përgatitur për shumë lloj dukurish, mirëpo më të
shpeshtat në të cilat kam hasur edhe më parë janë këto dy dukuri, njëra e
dashur, ndërsa tjetra e hidhur. Unë do t' i përmend këto të dyja:
E para është kënga e krenarisë në mal të betejës, kur pushojnë të shtënat dhe ulemi në një rreth të strehuar dhe ua marrim këngëve të krenarisë kombëtare, kur edhe gjithmonë qëllon aty ndonjë me çifteli a tjetër instrument. Në rastin tonë e patëm fatin që e kishim Besim Muriqin, i cili i me këngën dhe me tingujt e çiftelisë e zbulonte tej mase entuziazmin dhe kënaqësinë e vullnetarëve, të cilëve u ishte dhënë mundësia ta kenë nderin pët të shkrepur një plumb për Kosovën.
E dyta është ajo që ta rrëqeth trupin. Midis atyre që rrokin
armët, disa i rrokin pse i ka rrokur edhe kushëriri. Mirëpo në mesin e
luftëtarëve tjerë që kanë rrokur armët fill vetë, këta hiqen si kapadainj dhe
flasin e sillen në mënyrë të pahijshme, madje brutale. Pos faktit që
ishim të armatosur të gjithë bukur mirë dhe kishim ardhur të shtimë drejt
armikut, e jo mes veti, ata kushërinjtë harrojnë se ky me që ka ardhur këtu për
t'i lënë mundësisht edhe kockat, nuk e llogaritnin se s'u frikohet fare, kështu
që vinte rasti ndonjëherë të ndërhyjmë që të mos ndodhë më e keqja, e që
njëkohësisht ishte edhe më e turpshmja.
Kënaqësi të veçantë dhe nder të madh kam pasur që luftova krah për krah
me vullnetarët nga Malësia e Madhe. Ata për mua qenë një retrospektivë e
gjallë për tërë atë që e kam lexuar vite më parë për trimërinë e tyre.
A ju kujtohet ndonjë ushtar që nuk ka qenë ushtar i batalionit ATLANTIKU dhe
që ju e keni takuar aty, nëse po, na tregoni emrin apo emrat e atyre?
Fatmir Fejzullahu-Mjaku: Po si jo, ishin çuna dhe vasha të rinj e të reja, të bukur
e të bukura , të edukuar e të edukuara, inteligjentë e inteligjente, të
sjellshëm e të sjellshmme, patriotë e patriote, trima e trimëresha dhe të
vendosure të vendosura, si Memli Muhaxheri, Arsim Bruçaj, Fehmi Vokshi,
Panariti (mbiemri s'po më kujtohet) dhe dy vajza që nuk po ua mbaj men as emrin
e as mbiemrin.
Si kanë qenë raportet në mes ushtarëve?
Pashtrik e kam kuptuar se si do t'i vendosin raportet shqiptarët midis veti në Kosovë
Fatmir Fejzullahu-Mjaku: Unë i kam pasur raporte të mira gati me të gjithë, me
përjashtim të një ndjenjeje për disa, të cilët sikur më merrnin me neveri.
Arsyen e dija. Që në Pashtrik e kam kuptuar se si do t'i vendosin raportet
shqiptarët midis veti në Kosovë, por edhe si popull në përgjithësi. Këtu
qëndron problemi edhe me mua. Meqë unë isha një ndër ata që isha stërvitur më
vitin 1991 në Malin Dajt të Tiranës së bashku me, tani të ndjerët, Zahir
Pajazitin, Sali Çekun, Ahmet Hoxhën, etj., për ambientin patriotik të kushteve
të reja politike, pas Rambujesë, nuk më shikonin si një luftëtar që ka ardhur
për ta dhënë kontributin e tij për çlirimin e tokës së stërgjyshërve të tij (të
gjithë e dinin se edhe nga babai e edhe nga nëna jam me prejardhje prej
Kaçanikut), por sikur më shikonin si LDK, që s'kishte kurrfarë lidhje, sepse
siç e përmenda më lart, qysh në Dajt të vitit 1991, që ishte një organizim
kryekëput nga LDK e Kosovës dhe PPD-së së Maqedonisë, i pash ata patriotë
shqiptarë që herët planifikonin (akoma pa e nisur luftën për çlirim të Kosovës)
t'i hartojnë planet e veta për ta materializuar mundin e vet, kuptohet
nëpërmjet mekanizmave të logjistikës. Pra e mbaj mend se edhe ata të
91-shit nuk më donin fort e fort, se unë e flas të vërtetën më herët se duhet,
kështu së paku më thonë disa njohës të mirë të situatave si puna jonë.
Kur e fitova të njëjtën ndjenjë edhe më 99-ën, për mua tashmë epilogu
ishte i njohur dhe çdo gjë që ka ndodhur në Kosovë dhe më vonë edhe në
Maqedoni, nuk më ka befasuar më fare. Bile
kam qeshur kur e kam kuptuar përfundimisht para dy-tre vjetëve, se për
stërvitjet në Dajt të Tiranës kishin pasur njohuri të gjithë funksionarët më të
lartë të Republikës së Maqedonisë, si Kryetari i Republikës, Kryeministri,
Kryetari i Kuvendit, Ministri i Brendshëm, Ministri i Mbrojtjes dhe praktikisht
të gjithë deputetët maqedonas. Përndryshe raportet midis ushtarëve tjerë kanë
qenë relativisht të mira, pos atje në Burel dhe për këtë ju tregojnë të tjerët.
Gjatë zhvillimit të luftimeve çka keni përjetuar, cilat ishin përjetimet
tuaja? Cili ishte momenti më i vështirë?
Fatmir Fejzullahu-Mjaku: Për mua rasti më i prekshëm dhe që e kam përjetuar vështirë
është ai kur u plagos Haxhi Dervisholli, të cilin e kam pasur 9-10 metra
larg nga çerdhja ime e zjarrit. Mirëpo e mbaj mend edhe një natë të ftohtë në
maje të Pashtrikut, kur një luftëtar nga Hasi i Prizrenit i kishte hetuar
serbët, të cilët kishin planifikuar të na befasojnë me një sulm nate. Mirëpo ky
ishte një luftëtar me përvojë. Më duket se e quanin Nexhmedin (është fjala për
Nexmedin Berishën nga Rogova e Hasit, plotësimi im. B. M). Serbët e
kishin vërejtur dhe e kishin plagosur në gju. Ky arriti t'u ikte dhe
erdhi tek vendi ku ishim ne të Atlantikut. Disa u përkujdesën për të, ndërsa ne
të tjerët i morëm pozicionet. Serbët nuk u shfaqën kurrë. Megjithatë, ajo
natë qe jashtëzakonisht e ftohtë.
Pas përfundimit të luftës, kur hytë në Kosovë?
Fatmir Fejzullahu-Mjaku: Unë në Kosovë u ktheva menjëherë pas aty afër dy javëve, kur edhe e nisa kontratën me KFOR-in si përkthyes i ushtrisë amerikane.
Si përjetuat në Kosovë? Si u ndiet?
Fatmir Fejzullahu-Mjaku: Nuk mundem t'i gjej fjalët për ta përshkruar
atë kënaqësi. Në Kosovë më s'kishte serb për mejdani, refugjatët po
ktheheshin me gëzim, rrugët ishin plot e përplot me rini të buzëqeshur, bile
edhe ushtria amerikane kënaqeshin, megjithëse akordonin orë policore dhe se
probleme paraqiteshin gjithandej. Rrafsh një lumturi e përsosur.
Edhe unë personalisht kam pasur kënaqësi të papërshkrueshme, sidomos kur shkoja
në Kaçanik tek më të afërmit e mi.
Shkupit tim po i vjen erë dështimi
kombëtar
Kur jeni kthyer në Amerikë dhe cilat ishin vështirësitë e kthimit
tuaj?
Fatmir Fejzullahu-Mjaku: Unë më asnjëherë nuk jam kthyer në Amerikë.
Tani jetoj dhe punoj në Shkup. Jam mësimdhënës i gjuhës shqipe dhe gjuhës
maqedonishte në një shkollë tetëvjeçare.
Cila është sot pozita e luftëtarëve të
Batalionit "Atlantiku" në SHBA dhe sa është vlerësuar
kontributi i tyre, qoftë në Amerikë ku jetojnë, qoftë në Kosovë, për të cilin
ju dhatë kontributin Tuaj?
Fatmir Fejzullahu-Mjaku: Nuk kam njohuri, pos nëpërmjet të kontakteve të
rralla me disa bashkëluftëtarë, prej të cilëve e kam kuptuar se janë bukur të
përçarë, për të cilën gjë edhe më vjen shumë keq. Pse do ta besoja këtë, pos të
mos bindesha edhe vet, kur në disa raste kanë ardhur disa veta në emër të
Shoqatës "Atlantiku" dhe kanë vrapuar të takohen me tani të ndjerin, Presidentin
Ibrahim Rugova, me Hashim Thaçin, me Jakup Krasniqin, Fatmir Limajn, etj. Dhe
nuk gjetën kohë të pinë një kafe me ata që i kishin ndarë çastet më të
vështira, por edhe çastet më të lavdishme atyre ditëve në Pashtrik. Në
pranverën e 2009-shit, me rastin e 10-vjetorit të marshimit të batalionit
"Atlantiku" në Pashtrik, qe organizuar një gjiro e gjatë nëpër
Shqipëri e Kosovë. Unë nuk isha i ftuar me pretekst se gjoja nuk kanë
pasur mundësi të vënë kontakt me mua, mirëpo unë e kam pasur të qartë arsyen.
Këtë e kuptova nga mediumet. U mendova gjatë t'i takoj apo jo dhe më në
fund vendosa dhe i takova në Kosovë, vetëm për hir të kujtimeve dhe distancës
kohore, se kushedi në do të jem gjallë për 20 vjetorin a jo.
A keni për të shtuar ndonjë koment, nëse po, atëherë na thuaj?
Fatmir Fejzullahu-Mjaku: Kam dëshirë ta njoftoj Batalionin
"Atlantiku" se unë Fatmir Mjaku, edhe pse pata shumë mundësi ta marr
nënshtetësinë e Kosovës, nuk e bëra këtë vetëm e vetëm të mos ia kthej shpinën
Shkupit tim që po shitet pëllëmbë për pëllëmbë, sepse fjalët në Pashtrik dhe
besa e dhënë, se për pa i çliruar tëra trojet që kanë mbetur peng në dorë të
shkjaut nuk do të ndalemi, paskan qenë gënjeshtër. Unë këtu akoma po e
zhvilloj atë luftë, por kësaj here pa zë, sepse edhe vetë Batalioni im nuk ka
treguar vullnet të më dëgjojë. Batalioni im nuk e di se tani unë, pos shkjaut,
jam i rrezikuar edhe prej shqiptarëve, të cilët janë përpjekur t'ua marrin
fëmijëve të mi edhe bukën e gojës, vetëm e vetëm se unë nuk po pajtohem se si
ka mundësi të mposhten maqedonasit në vitin 2001 dhe nga ana tjetër të na
sundojnë në mënyrë edhe më perfide se para atij viti.
Qytetarët më duan dhe më respektojnë, ndërsa subjektet politike shqiptare më
kanë hedhur në errësirë. Shpresoj se Batalioni im apo dikush nga
kosovarët nuk kanë gisht në këtë, sepse Shkupit tim po i vjen erë dështimi
kombëtar.
Të falemnderit ty Adrian dhe falemnderit edhe autorit, Besim Muhadrit që ka marrë këtë inisiativë. Ju përshëndes me respekt!