Kulturë
Ilir Muharremi: Pas vdekjes së Zotit...
E merkure, 27.01.2016, 08:35 PM
Pas vdekjes së Zotit njeriu shpall zotërimin dhe unitetin
Nga Ilir Muharremi
Të gjitha fetë flasin për vetveten si më të mirën prej tjera feve dhe për këtë arsye unë nuk mund t’i përkasë asnjë feje, pasi që aty s’mund të gjej madhështinë dhe lirinë e shpirtit. “Rruga e Kishave është e thjeshtë për t’u gjetur, dyert janë të hapura, vetëm se mungon propaganda”, thotë Hermann Hesse. Aty ka vend edhe për kriminelin që të nisë nga e para. Fuqia e nënshtrimit aty klithë për barazinë, prandaj ka vend për kriminelin e penduar në kërkim të një të ardhme paqësore lumturie. Këtë hapësirë ofrojnë të gjitha fetë, sepse në thelb përfaqësojnë Zotin e mirë dhe propagandën për të rritur numrin e të penduarve. Feja e di se dija e popujve është e njëjtë andaj lufton unitetin. Brenda këtij uniteti mbanë jo tolerancë për fe tjera dhe nuk e pranon se të gjitha fetë janë motër njëra me tjetrën. Nga ky mos respekt secila në vetvete ulërinë për të vërtetën e madhërishme ose rrugën e drejtë e cila duhet të ndiqet, natyrisht për paqe. Çdo fe posedon adhurimin për ndjenjën e përulësisë. Por, rruga drejt mendimit për Zotin të kthen pas jo ashtu siç thekson Hesse “Të shpie përpara”. Ai këtu propozon njeriun të ecën verbërisht nën errësirën e fatit të kufizuar dhe prapë me panjohuri dhe fakte qofshin materiale ose në ide. Mendimi për Zotin është i vjetruar, por më i vjetruar qe paganizmi dhe më i moderuar është anashkalimi për mendimin se “Zoti ka vdekur”, në pamundësi të vrasjes sepse s’ka ekzistuar asnjëherë. Nëse njeriu vazhdon të jetoj pa besimin në Zot, atëherë në vete zhduk idenë për përjetësinë.
Hesse me plotë të drejtë thekson për mitet e Biblës që janë të pa vlera sikurse çdo mit i librit tjetër fetarë. Në çfarë konteksti? “Janë të pavlera deri kur nuk u japim vetë një interpretim për ne dhe kohën tonë”, shkruan Hesse. Ato propagandojnë pa përmirësime ose avancime, shtyjnë kohën e së shkuarës (për atë kohë qe bujë çdo fjalë), kurse me avancimin e botës, veprat fetare janë të prapambetura. Sipas këtij filozofi, rëndësia e këtyre librave është atëherë kur ne u japim interpretim. Prapë vdes në momentalen, ndonëse qëllimi i veprës synon jetëgjatësinë e këtë e arrin me absoluten.
Pse Nietzsche-ja e vret Zotin? Këtë e bënte në mënyrë strategjike dhe i thoshte po asaj që është. Imagjinonte lirinë e njeriut pa Zot, ditën e re me diell, dhe kjo ditë qe në mesditë, aty ku është e nevojshme ndalja e rrotës së kohës. Të pohohet vetëm mendimi për çastin në të cilën ndjehet njeriu. Mirëpo, ajo që është evoluon dhe Nietzsche-ja i thotë po evoluimit. Ai shprehë vullnetin për pushtetin që synonte totalitetin, ky vullnet qe i fuqisë individuale. Pa e sunduar botën, ky filozof e kuptonte se ishte asgjë. Pas tij, e dinte që mendimtarët e rinj nisen nga fakti historik i vdekjes së Zotit, porse pasojat ende qenë të njëjta. “Ti thuhet po gjithçkasë supozon se i thuhet po vrasjes”, shkruan Kamy, mirëpo vdekja posedon dy mënyra: Nëse njeriu thotë po për gjithçka, ai i thotë po edhe Zotit, pranon nga imagjinata nënshtrimin. E kundërta nëse edhe Zoti dëshiron po-në për gjithçka, ai miraton robërimin, nënshtrimin dhe dhembjen e të tjerëve. Ligji i shenjtë na del shumë qesharak, nëse bëhet fjalë për miratim të tij dhe Nietezsche-ja si revoltues metafizik e vret Zotin me plotë të drejtë. Revolta metafizike qe protestë kundër gënjeshtrës që i bëhej njeriut dhe ekzistencës së tij. Sipas Kamysë, Nietzsche-ja me po-në dhe harrimin e jo-së origjinale, e rimohon vetë revoltën, ndonëse në të njëjtën kohë edhe moralin, i cili nuk e pranon botën ashtu si është. “Nietzsche-ja e kërkonte me tërë dëshirën e tij një Cezar romak me shpirt të Krishtit”, thotë Kamy, nga e cila nënkuptohet po-ja edhe robit edhe zotëruesit, në të njëjtën kohë. Por, prapë nga kjo po, shenjtërimi është në anën e zotëruesit.
Aspak nuk mund ta quaj vetveten si një i revoltuar metafizik, sepse i revoltuari metafizik preokupohet me asgjësimin e të Zotit, por edhe Zotit në tërësi jo si qenie , por si zotërues. Kurse unë e kthej mendimin dhe idenë në folenë e saj të vërtetë, aty te paralindja dhe lindja me të cilin vjen ideja pa Zotin dhe njofton idenë për Zotin nga historia. Atëherë, nuk duhet vrarë Zoti, por duhet kthyer vetvetes njeriu. Ata që shpikën Zotin, e bënë si referencë “të një vlere”, jo të përbashkët, sepse përbrenda njeriut ekziston vetvetja si Zotërues e jo Zoti jashtë tij, andaj njeriu është i pakuptueshëm për njeriun. Këtë e dinin shpikësit e Zotit. Unë ngrihem para një bote të shkatërruar për ta shpërndarë unitetin, parimin e drejtësisë që gjendet të secili prej jush, dhe duhet kundërvënë padrejtësisë. Nëse zhduket ideja për Zotin, do të shkatërrohet mesjeta e cila vriste në emër të Zotit, dhe do të zhduket ISI-SI që ripërsërit mesjetën. Mjaftë më dogmave fetare! Parasegjithash njeriu përdorë si lehtësim për dominim “humanitetin” fetar për të arritur vrasjen dhe pushtetin. Përdorej Zoti për pushtetin, por unë aspak nuk kam qëllim të afirmoj pushtetin tim dhe nuk gjendemi në të njëjtën histori si unë (revoltues mohues kundër Zotit), dhe Zoti shpikës nga njeriu. E them se në çastin e rebelimit, nuk e kam për qëllim shkatërrimin e idesë për Zotin, por vetëm argumentin e lindjes së njeriut pa mendimin për Zotin. Më shumë duhet besuar instinktit të një foshnje e cila nga çasti na çast harron, njëjtë si kafsha, sesa një të rrituri i cili propagandon pa fakte për një të pavërtetë. Nuk filloj të kërkojë drejtësi dhe të përfundoj deri në mbretëri, unë do të mbetem vetëm nën kufijtë e drejtësisë pa shpallë mbretërinë. Ajo i bie ta kthej mendimin kur isha fëmijë dhe ta vazhdoj të shtyjë jetën pa Zot drejt unit tim dhe në fund vdekjes (diçka e natyrshme që vije pa Zotin.)
Kur të përmbyset lufta e Zotit, njeriu do të pranojë se ka drejtësi, këtë fat i cili gjithnjë qe i heshtur te njeriu, tash e shpronëson hyjnoren. Pas kësaj do të fillojë një përpjekje ndoshta edhe e pa shpresë për të themeluar perandorinë e njerëzve (pa dallim race dhe feje), me synim të unitetit dhe shpërngulje të frikës nga ekzistenca. Rreziku është se çdo njëri do të kërkojë me ngulmë të afirmojë mbretërinë e tij. Na del se njeriu gjithnjë është Zot dhe s’ka nevojë për Zotin jashtë tij. Të gjithë Zotëruesit do të grushtohen njëri me tjetrin (ndoshta do të jetë edhe e kundërta do të gjejnë dialog mirësjellje, të mbretërojë paqja), më i fuqishmi prapë do të mbijetojë dhe ky fitimtar prapë do të jetë i vetmuar (gjithnjë është fjala në botën pa Zot.) Dhe ja më në fund mbretëron Zotëruesi pa Zot, ky është njeriu (fëmijë i pa prishur.) Ky njeri kthehet kah të varfrit, të përvuajturit, të burgosurit, ai përzihet me ta. Këtë kthim dhe përzierje ai e bënë jo për të rritur forcën e kolektivit, por për të shprehë më shumë individualitetin e tij dhe secilit. Njeriu pa Zot është egoist, vetvetja dhe unik.
Po vjen koha sipas Nietzsche-es e shkelmimit të edukimit artificial fetar, e asgjësimit të “Kafshëve të kopesë”, në rastin e mendimit se kolektivët jo gjithnjë janë të këqij si forcë për rrëzim, revoltë dhe revolucion, ata janë në shërbim të mirë nëse planifikojnë unitetin nga thellësia njerëzore (bëhet fjalë për thellësinë e pa ndikuar nga e jashtmja.) Po afrohet detyra dhe pyetja më e madhe për njeriun: Si duhet kuptuar vetvetja dhe udhëhequr Toka në tërësi? Aspak me një popull ose me një racë, apo tentimi i një race ose populli ta administrojë. Jam me atë që propozon Nietzsche-ja se moralet ligjvënëse janë mjeti kryesor me të cilin mund të trajtësohet ajo çfarë i pëlqen vullnetit krijues. Ky filozof në radhë të parë shpallë krijimin e thellë si mjet ushtrimi dhe ligjvënie, pastaj moralin e koordinon në ardhmërinë njerëzore. Por, a mund të dështojë detyra për qeverisje të tokës? Lufta në tokë bëhet mbas parimeve filozofike dhe si rezultat i brendshëm është gjithnjë pushteti, këtë e përgatiste Nietzsche. Arritja e pushtetit qe te çdo krijesë, porse te njeriu ekziston morali “frenimi”, ky moral ishte pengesë për njerëzit e mëdhenj, veçanërisht për Nietzschen. Në botë vritet në emër të moralit, vetë Nietzsche-ja qe vrasës, jo në emër të moralit, por të propozimit të një vërtete e cila është ekzistente vetëm me vrasje. Fjala është për Zotin, i cili tashmë nuk jeton. Për cilin moral flet ky filozof? Moral prej kafshe kopeje, ky është përshkruar nga vetë Nietzsche, ai ndjehej i veçuar nga kopeje dhe thellonte egoizmin e sëmurë dhe kështu vdiset për vetveten, gjë që kërkohet përbrenda. Asgjë më shumë se kërkesë nga vetja nuk bëri ai. Morali siç e quan ai i blertë shërbejë vetëm për të kullotur në botë, pastaj njerëzit kërkuan sigurinë , krejt kjo bëhej për lehtësim të jetës dhe në fund njeriu kërkon çdo gjë të shkoj mirë. Tani flitet për drejtat e barabarta, mëshirën dhe vuajtjen. Morali tenton vuajtjen ta eliminojë, ky qe mjeti më i mirë i Nietzsches për të dëgjuar gjëra më qartë brenda vetes. Ai modernizëm i asaj kohe jetonte në një modernizëm të keq. Duhet të besohet se njeriu si antik si ai modernistë apo postmodernistë, ndonëse edhe ateistë për të cilin kemi folur shumë tani është rritur në kushtet e kundërta dhe kjo rritje e tij qe më e fortë se rritja e njeriut në hipnozën fetare, ose opiumit të kolektivit të saj.