E shtune, 27.04.2024, 02:43 PM (GMT+1)

Kulturë

Poezi nga Irena Gjançi

E marte, 26.01.2016, 08:44 PM


Irena Ilo Gjançi

Poetesha Irena Gjançi u lind në Korçë dhe viteve të fundit banon e krijon në Larisa të Greqisë. Poezia e vërtetë, fillimisht lind në shpirtin divin, pastaj zbret në mbretërinë e muzave duke i përvetësuar vetëm ata që kanë lindur për pavdekësi. (Gheorghe Coltun). Pavdekësia e mallit ëndërron bardhësinë e shenjtë të dëborës. Irena ka talent të lindur dhe imagjinatë të pasur. Buzëqeshin vargjet e saj duke u shkrirë në shtjellat e frymëzimit. Vargjet e saja reflektojnë zërin e zemrës, ngase u kushtohen  jetës, ëndrrave, yjeve, shpirtit, natyrës, dhe dashurisë. Shkëlqen me sintagmat “zog i harlisur”, “flatrat e përjetimit”, “hija e vdekjes”, “dhimbje mbi dhimbje”, “në vdekjen fatale ku qajnë retë”, “mëngjesi me ëndrra dashurie”, “nektari i ëmbël i gjinjve të njomë”, apo: “Ku ta dijë vjeshta që zhvishem dhe unë,/ Me mendime vjeshte që ma gulçojnë frymën” etj. (B. Y.)

 

DUA TË SHKRUAJ NJË LETËR.


Sonte nuk dua të flej,

nuk dua të shikoj ëndrra të tjera!

Dua të të kem në sy,

si atëherë!


Në agun e muzgut
do përcjell yllin e fundit

dhe do të shkruaj një letër dashurie.

 

Do ta filloj si dikurë me fjalët:
- I dashur

Dhe në fund: - E jotja përjetë!

 

Dhe s`di pse më dridhet dora pa shkrojtur

e shikimet derdhen si retë...

Gëlltitem e mbytem mes lotëve,

më tremb ideja e letrës.


Dua të të shkruaj një letër,

pa lindur dielli!

Kam frikë mos ikësh nga sytë!

 

(Larisa, 21/1/2016)

ME SIGURI DO JEM MARROSUR

 

Unë   jam!  
Një shpirt  i gjallë, i harruar nëpër vite.

Të kërkoj nëpër natë në rrugë të padukshme,

nëpër rrugë ku tmerohet vdekja

dhe nata ligështohet e bie përmbi kryqe.

Kërkoj një takim të fshehtë!

Aty,  brenda kishës së vogël,

tek kryqi ku qajnë dy ëngjëj,

tek  shenja me heshtë në dorë.

Të prita, e tretur edhe sonte,

e fshehur pas murit si hije.

Kam frikë të dal! - më the.

Kam frikë mos verbohem dhe  s`shihemi.

 

(Larisa, 9/1/2016)

NË HIRIN E CIGARES JAM UNË

 

Të gjeta sonte nëpër natë

të shpërfytyruar si asnjëherë tjetër,

në kafenenë e vjetër pije prapë

me sy, flakë të kuqe.

Me tymin e cigares murmurisje

me kokën e varur përmbi gjoks.

Cigarja ngjitur në buzë diqte

pikën e lotit s’e fshije dot.

E di!

Në  hirin e cigares jam unë.

Në gotën e verës, ti puth buzët e mia

i dehur emrin tim shijon nëpër gojë,

unë jam tek ty plaga dhe dhimbja!

 

(Larisa, 22/10/2015)

ATË NATË KUR SHKROVA DHIMBJET

 

Ishte një natë e rëndë ajo natë,

atë natë kur shkrova dhimbjet,

nata më bëri copë e thërime.

Fillova të shkruaj mbi kapakun e një libri.

Dhimbje mbi dhimbje mbanin fjalët e mia

lotët mbi libër u bënë përrua

i mbytën fjalët, brenda dhimbjes time.

Ndalova një çast pashë natën

mes natës mblodha copat e mia,

më këmbë u ngrita, u shkunda prapë

të besoja që isha, prap e gjitha.

 

(Larisa, 14/1/2016)

VJESHTA

 

S`di, pse më tërheq kjo vjeshtë e zymtë,

në erën e saj të ftohtë, të ftohtë e të brymtë!

Në vdekjen fatale ku qajnë retë,

kur mbyllet një cikël dhe çmëndet një tjetër.

Tallet vjeshta

kur mblidhem mes palltos dhe frymoj si llullë.

Ku ta dijë vjeshta që zhvishem dhe unë,

nga mendime vjeshte që më marrin frymën!

 

(Larisa, 18/10/2015)

NJË NATË VETËM

 

Një natë dua, vetëm

një natë me yje zgjuar!

Një natë dhe një kitarë

të këndojë me mua!

E di, do zgjohesh

si zog i harlisur,

duke u dridhur do heshtësh...

pastaj diçka do thuash.

Do rendësh

në mall i përvëluar,

do më kërkosh me sy

me zemër të gëzuar.

Dhe vetëtimë

do më biesh mbi krahë,

do harrohesh në puthje

si  në dashurinë e parë.

 

(Larisa, 17/2/2014)

 

E MBANTE BRENDA SYVE

 

Ajo e mbante brenda syve

e thërriste në heshtje dhe në gjumë!

Emrin e tij deshte ta dinte era, toka, yjet,

dielli dhe hëna kur mbi natë, hidhnin dritë.

E thërriste mëngjezeve kur binte vesa

kur lulet hapnin shpirtin e tyre,

zoqtë ëmbël ia merrnin këngës

e njerëzit derdheshin rrugëve!

Me emrin e tij i niste lutjet,

kur ngjit`te shkallët e Sjëna Marisë,

bashkë me ëndërimet ndiznin yjet!

E thërriste kur ëmëlsohej deti

dhe hëna mbi të zhvishej lakuriq,

kur ngjyra e artë tretej deri larg në horizont

dhe deti dërsinte në epshin e tij

e thërriste ta mbante brenda syve.

 

(Larisa, 19/1/2016)

 

STELA

 

Stela!

Vish fustanin ngjyra-ngjyra,

atë me dekolte dhe rrudha!

Qyteti  është zgjuar nga të dashuruarit!

Stela!

Leri flokët të lëshuara,

të  t`i përkëdhelë flladi!

Të ngatërojë në to, duart

të të puth me mallin e djalit

të na rrëmbejnë të fshehtat......

Natë gushti është sonte,

i shikon si digjen yjet?

(Larisa, 2/3/2013)

 

KRISHTLINDJET   E   PARA   TË   MARTESËS

 

Irena!

Nesër kemi për  6 ditë Shën Nikollën

stolise shtëpinë që sot për Krishtlindjet

kështu e stoliste gjithmonë nëna.

Sonte do ta presim dhjetorin mes dritash

zbrit nga biblioteka Elitin, Seferin, Livadhitin...

mos harro të mbushësh bucelat me verë!

Në dimër shtëpia është gjithmonë e  hapur,

presim e përcjellim njerëz, lexojmë deri vonë.

Për Krishtlindjet mblidhemi të gjithë bashkë

Kështu na mblodhi nëna gjithë jetën

asnjëherë s`u ndjemë të ndarë

rreth kësaj trapeze mbetëm gjithmonë të vegjël.

 

(Larisa, 30/11/2013)

MËNGJEZI ME ËNDRRA DASHURIE

Me ëndërrime dashurie

hapi sytë e pagjumë atë mëngjes pranvere.

Asgjë s`hodhi mbi niktikonë e tejdukshme

të fshihte bukuritë e gjoksit të njomë.

Zbriti shkallët si një flutur e sapo zgjuar

të kapë rezen e diellit nën lulet e mollës.

Një lule molle i ra mbi buzë,

e buza e nxehtë ndjeu freskinë.

Një pikë vese i la mbi buzë,

pastaj rrëshqiti në mes të gjinjve.

Hapi gishtat pjalmi i lules

sa ndjeu aromë gjiri.

Ledhatoi gjinjtë e njomë,

thithi nektarin e gjirit...

 

(Larisa, 18/1/2016)

 

KTHEMA TË DJESHMEN

 

Sonte dhe hëna është tjetër,

ka veshur ngjyrën e kuqe/artë.
Zhvishma hijen e vdekjes,

të  kap diellin me dorë,  të digjem

më jep krahë, t`a  përjetoj të djeshmen!

Si dikurë me mallin e dashurisë,

kur shpirti digjej, bëhej dallgë.

Eja në mesnatë, sillmë dritë

mbushma shpirtin...

kthema të djeshmen një çast,

të them:

- Jetova edhe një jetë!

Si hije nate zgjohem, tretem

s`di seç ëndërr do na bashkojë,

të na kthejë një natë të djeshmen...

 

(Larisa, 11/1/2016)


TEK FOLEJA E VJETËR

 

Sonte u kapëm për dore,

më fute në ëndërime rinie.

Ngrita kokën, të pashë në sy

pa folur më kuptove se ç`desha.

Më shpjer tek foleja e vjetër, mendoja unë,

tek plepi i madh

atje ku ngrenë folenë lejlekët!

S`di a janë kthyer prapë

mos e shpejto hapin,

flladi është i ëmbël,

e ndjen aromën e jargavanit?

Dikurë m`i mbushje krahët m`i bëje kurorë.

Shiko!

Shiko, tek plepi po puthen dy të rinj!

Dy të tjerë më poshtë,

të tjerë, e të tjerë aty!

E shikon?

Tek foleja jonë,

shikoi lejlekët, u kthyen prapë

tek foleja e vjetër!

Mos m`i fshi lotët,

as të tuat mos i mbaj fshehur

leri të derdhen përmbi buzë

të nxjer mallin e vjetër

mbështillmë në gjoksin tënd!

 

(Larisa, 5/5/2015) 



(Vota: 11 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora