| E marte, 26.01.2016, 07:44 PM |
Irena Ilo Gjançi
Poetesha Irena Gjançi u lind në Korçë dhe viteve të fundit banon e krijon në Larisa të Greqisë. Poezia e vërtetë, fillimisht lind në shpirtin divin, pastaj zbret në mbretërinë e muzave duke i përvetësuar vetëm ata që kanë lindur për pavdekësi. (Gheorghe Coltun). Pavdekësia e mallit ëndërron bardhësinë e shenjtë të dëborës. Irena ka talent të lindur dhe imagjinatë të pasur. Buzëqeshin vargjet e saj duke u shkrirë në shtjellat e frymëzimit. Vargjet e saja reflektojnë zërin e zemrës, ngase u kushtohen jetës, ëndrrave, yjeve, shpirtit, natyrës, dhe dashurisë. Shkëlqen me sintagmat “zog i harlisur”, “flatrat e përjetimit”, “hija e vdekjes”, “dhimbje mbi dhimbje”, “në vdekjen fatale ku qajnë retë”, “mëngjesi me ëndrra dashurie”, “nektari i ëmbël i gjinjve të njomë”, apo: “Ku ta dijë vjeshta që zhvishem dhe unë,/ Me mendime vjeshte që ma gulçojnë frymën” etj. (B. Y.)
DUA TË SHKRUAJ NJË LETËR.
Sonte nuk dua të flej,
nuk dua të shikoj ëndrra të tjera!
Dua të të kem në sy,
si atëherë!
Në agun e muzgut
do përcjell yllin e fundit
dhe do të shkruaj një letër dashurie.
Do ta filloj
si dikurë me fjalët:
- I dashur
Dhe në fund: - E jotja përjetë!
Dhe s`di pse më dridhet dora pa shkrojtur
e shikimet derdhen si retë...
Gëlltitem e mbytem mes lotëve,
më tremb ideja e letrës.
Dua të të shkruaj një letër,
pa lindur dielli!
Kam frikë mos ikësh nga sytë!
(Larisa, 21/1/2016)
ME SIGURI DO JEM MARROSUR
Unë
jam!
Një shpirt i gjallë, i harruar nëpër vite.
Të kërkoj nëpër natë në rrugë të padukshme,
nëpër rrugë ku tmerohet vdekja
dhe nata ligështohet e bie përmbi kryqe.
Kërkoj një takim të fshehtë!
Aty, brenda kishës së vogël,
tek kryqi ku qajnë dy ëngjëj,
tek shenja me heshtë në dorë.
Të prita, e tretur edhe sonte,
e fshehur pas murit si hije.
Kam frikë të dal! - më the.
Kam frikë mos verbohem dhe s`shihemi.
(Larisa,
9/1/2016)
NË HIRIN E CIGARES JAM UNË
Të gjeta sonte nëpër natë
të shpërfytyruar si asnjëherë tjetër,
në kafenenë e vjetër pije prapë
me sy, flakë të kuqe.
Me tymin e cigares murmurisje
me kokën e varur përmbi gjoks.
Cigarja ngjitur në buzë diqte
pikën e lotit s’e fshije dot.
E di!
Në hirin e cigares jam unë.
Në gotën e verës, ti puth buzët e mia
i dehur emrin tim shijon nëpër gojë,
unë jam tek ty plaga dhe dhimbja!
(Larisa,
22/10/2015)
ATË NATË KUR SHKROVA DHIMBJET
Ishte një natë e rëndë ajo natë,
atë natë kur shkrova dhimbjet,
nata më bëri copë e thërime.
Fillova të shkruaj mbi kapakun e një libri.
Dhimbje mbi dhimbje mbanin fjalët e mia
lotët mbi libër u bënë përrua
i mbytën fjalët, brenda dhimbjes time.
Ndalova një çast pashë natën
mes natës mblodha copat e mia,
më këmbë u ngrita, u shkunda prapë
të besoja që isha, prap e gjitha.
(Larisa, 14/1/2016)
VJESHTA
S`di, pse më tërheq kjo vjeshtë e zymtë,
në erën e saj të ftohtë, të ftohtë e të brymtë!
Në vdekjen fatale ku qajnë retë,
kur mbyllet një cikël dhe çmëndet një tjetër.
Tallet vjeshta
kur mblidhem mes palltos dhe frymoj si llullë.
Ku ta dijë vjeshta që zhvishem dhe unë,
nga mendime vjeshte që më marrin frymën!
(Larisa,
18/10/2015)
NJË NATË VETËM
Një natë dua, vetëm
një natë me yje zgjuar!
Një natë dhe një kitarë
të këndojë me mua!
E di, do zgjohesh
si zog i harlisur,
duke u dridhur do heshtësh...
pastaj diçka do thuash.
Do rendësh
në mall i përvëluar,
do më kërkosh me sy
me zemër të gëzuar.
Dhe vetëtimë
do më biesh mbi krahë,
do harrohesh në puthje
si në dashurinë e parë.
(Larisa, 17/2/2014)
E MBANTE BRENDA SYVE
Ajo e mbante brenda syve
e thërriste në heshtje dhe në gjumë!
Emrin e tij deshte ta dinte era, toka, yjet,
dielli dhe hëna kur mbi natë, hidhnin dritë.
E thërriste mëngjezeve kur binte vesa
kur lulet hapnin shpirtin e tyre,
zoqtë ëmbël ia merrnin këngës
e njerëzit derdheshin rrugëve!
Me emrin e tij i niste lutjet,
kur ngjit`te shkallët e Sjëna Marisë,
bashkë me ëndërimet ndiznin yjet!
E thërriste kur ëmëlsohej deti
dhe hëna mbi të zhvishej lakuriq,
kur ngjyra e artë tretej deri larg në horizont
dhe deti dërsinte në epshin e tij
e thërriste ta mbante brenda syve.
(Larisa, 19/1/2016)
STELA
Stela!
Vish fustanin ngjyra-ngjyra,
atë me dekolte dhe rrudha!
Qyteti është zgjuar nga të dashuruarit!
Stela!
Leri flokët të lëshuara,
të t`i përkëdhelë flladi!
Të ngatërojë në to, duart
të të puth me mallin e djalit
të na rrëmbejnë të fshehtat......
Natë gushti është sonte,
i shikon
si digjen yjet?
(Larisa, 2/3/2013)
KRISHTLINDJET E PARA TË MARTESËS
Irena!
Nesër kemi për 6 ditë Shën Nikollën
stolise shtëpinë që sot për Krishtlindjet
kështu e stoliste gjithmonë nëna.
Sonte do ta presim dhjetorin mes dritash
zbrit nga biblioteka Elitin, Seferin, Livadhitin...
mos harro të mbushësh bucelat me verë!
Në dimër shtëpia është gjithmonë e hapur,
presim e përcjellim njerëz, lexojmë deri vonë.
Për Krishtlindjet mblidhemi të gjithë bashkë
Kështu na mblodhi nëna gjithë jetën
asnjëherë s`u ndjemë të ndarë
rreth kësaj trapeze mbetëm gjithmonë të vegjël.
(Larisa,
30/11/2013)
MËNGJEZI ME ËNDRRA DASHURIE
Me ëndërrime dashurie
hapi sytë e pagjumë atë mëngjes pranvere.
Asgjë s`hodhi mbi niktikonë e tejdukshme
të fshihte bukuritë e gjoksit të njomë.
Zbriti shkallët si një flutur e sapo zgjuar
të kapë rezen e diellit nën lulet e mollës.
Një lule molle i ra mbi buzë,
e buza e nxehtë ndjeu freskinë.
Një pikë vese i la mbi buzë,
pastaj rrëshqiti në mes të gjinjve.
Hapi gishtat pjalmi i lules
sa ndjeu aromë gjiri.
Ledhatoi gjinjtë e njomë,
thithi nektarin e gjirit...
(Larisa, 18/1/2016)
KTHEMA TË DJESHMEN
Sonte dhe hëna është tjetër,
ka veshur ngjyrën e kuqe/artë.
Zhvishma hijen e vdekjes,
të kap diellin me dorë, të digjem
më jep krahë, t`a përjetoj të djeshmen!
Si dikurë me mallin e dashurisë,
kur shpirti digjej, bëhej dallgë.
Eja në mesnatë, sillmë dritë
mbushma shpirtin...
kthema të djeshmen një çast,
të them:
- Jetova edhe një jetë!
Si hije nate zgjohem, tretem
s`di seç ëndërr do na bashkojë,
të na kthejë një natë të djeshmen...
(Larisa, 11/1/2016)
TEK FOLEJA E VJETËR
Sonte u kapëm për dore,
më fute në ëndërime rinie.
Ngrita kokën, të pashë në sy
pa folur më kuptove se ç`desha.
Më shpjer tek foleja e vjetër, mendoja unë,
tek plepi i madh
atje ku ngrenë folenë lejlekët!
S`di a janë kthyer prapë
mos e shpejto hapin,
flladi është i ëmbël,
e ndjen aromën e jargavanit?
Dikurë m`i mbushje krahët m`i bëje kurorë.
Shiko!
Shiko, tek plepi po puthen dy të rinj!
Dy të tjerë më poshtë,
të tjerë, e të tjerë aty!
E shikon?
Tek foleja jonë,
shikoi lejlekët, u kthyen prapë
tek foleja e vjetër!
Mos m`i fshi lotët,
as të tuat mos i mbaj fshehur
leri të derdhen përmbi buzë
të nxjer mallin e vjetër
mbështillmë në gjoksin tënd!
(Larisa, 5/5/2015)