E shtune, 27.04.2024, 07:20 PM (GMT+1)

Kulturë

Bedri Xhema: Hamdi Gashi luftëtar me pendë e pushkë

E enjte, 28.01.2016, 08:33 PM


Hamdi Gashi luftëtar me pendë e pushkë

Nga Bedri XHEMA,  profesor i historisë

Ali Gashi dhe  shpërngulja e familjes së tij në Vushtrri - Hamdi Gashi ishte i biri i Hisen Gashit dhe nip i Mulla  Aliut, nga fshati Dubofc i Drenicës, të fisit Gashi. Mulla Aliu, rreth vitit 1867, shpërngulet prej fshatit dhe vendoset në Vushtrri. Aty blen  shtëpi nga pasuria e shitur e fshatit . Ai në Vushtrri shpërngulet me dy djemtë e tij: Abdylazizin dhe Beqirin dhe nipat : Ramadanin, Sabriun dhe Muhametin. Ejupi, e kishte vetëm një djalë, Ruzhdiun, të cilët shpërngulën në Turqi  ( Stamboll ), që pas vdekjes së Ejupit, Ruzhdiu shpërngulet prej Stambollit në Izmir. Ejupi dhe Ruzhdiu , nuk lanë djem pas vedi gjë që familja e tij u shua.

Mulla Ali Gashi, siç e quanin gjytetasit, kishte përgatitje të lartë shkollore, të kryer në Stamboll, dhe at në drejtimin teologjik dhe ekonomik. Një kohë kreu detyren e një lloji ministri për financa, në Vilajetin e Kosovës. Nga kjo familje, dolën intelektual teologjik dhe politik. Mulla Alia dhe pasardhësit e tij, ishin familje e njohur patriotike, të cilët kishin marrdhënie dhe bashkëpunim të vazhdueshëm me Zejnullah Begun, e më vonë me Hasan Prishtinën, Ahmet Bekteshin e Mitrovicës dhe me familje tjera të njohura të Kosovës e më gjerë. Kishte standard të lartë jetësor, nga të ardhurat dhe nga tregëtia, më të cilën merrej djali i tij Beqiri. Ndërkaq, Abdylazizi, nuk merrej me tregëti e as me punë ekonomike, vetëm me çeshtjen kombëtare dhe bënte një jetë të zotëriut, në kuptimin e fjalës.

Aktiviteti i Rexhep dhe Shyqyri Gashit - Hisen Gashi apo Tunuzliu siç e quante qyteti, ishte djalë i Ali Dubocit, fshat ky që në arkivat osmane përmendet nga viti 1530. Ai kishte tre djem: Hamdiun me gruan e pare, kurse me të dytën kishte dy të tjerët dhe një vajzë. Ata ishin Rexhepi, dhe Shyqyriu, kurse vajza quhej Fatime. Rexhepi dhe Shyqyriu gjatë Luftës së Parë Botërore, ishin të mobilizuar në ushtrinë turke, njeri më heret e tjetri më vonë, të cilet atje i zuri lufta me 1916. Ata gjendeshin në Frontin turk kundër rusëve në Dardanele. Gjatë kësaj lufte Regjepi plagoset rëndë ndërsa Shyqyriu sëmuret nga tifoja. Që të dytë i vendosin në Spitalin Ushtarak të Stambollit. Qarqet ushtarake informojnë familjen e tij për fatin e Rexhepit të plagosur dhe Shyqyriut të sëmurë. Pas lajmit për fatin e djemve nëna e tyre shkon në Stamboll për t’i vizituar. Por meqë ishin rëndë të plagosur, përkatësisht Shyqyriu shumë i smurë, akoma pa arritur nëna në Stamboll, Shyqyriu vdes, ndërkaq Rexhepin e gjen të gjallë, por derisa ishte ajo aty vdes edhe ai.

 

Kontributi kulturor dhe patriotik i nipërve Hamdi Gashit - Hamdi Gashi, përveq dy vëllezërve që i vdiqën kishte edhe motrën Fatime , e martuar për Ismajl Vuçiternen i cili më vonë muar mbiemrin Venhari ( me origjinë nga Krasaliqi ). Ismajl Venhari ishte pjesëmarrës në Kryengritjen e Ilindenit me 1903 , në përbërje të forcave luftarake të Dibrës. Ai kishte qenë të një mik i tij, kur shpërthen kryengritja dhe, pa vonuar iu bashkue forcave kombëtare të Dibrës, bashkë me mikun e tij dibranas. Ismajl Venhari kishte tre djem: Mustafën, Shyqyriun dhe Jusufin si dhe dy motra: Myrvetën dhe Hylkijen. Myrvetja, ishte e martuar në Vushtrri, kurse Hylkija për Ahmet Qirezin, nga fshati Qirez i Drenicës, i cili ishte shpërngulur nga Drenica në Prishtinë. Të tre djemtë e Ismajl Venharit, para Luftës së Dytë Botërore, mësuan shkrim lexim shqip nga librat e sjellura nga Shqipëria , të cilat iu dërgonte daja ( Hamdi Gashi ). Kështu Mustafa Venhari , pas shkatërrimit të Mbretërisë Jugosllave, në vitin 1941, e hapi shkollën në Sveqël të Llapit, e mandej punoi edhe në Podujevë. Tre vllëzërit u arsimuan, që të gjithë arsimtar të matematikës, përkatësisht Jusufi profesor i matematikës, i cili punoi në Gjimnazin e Prishtinës, kurse Mustafa dhe Shyqëriu në Vushtrri e vende të tjera. Mustafë Venhari ishte mësuesi më i përsekutauar i kohës. Emrin e tijë e mban një shkollë në Vushtrri.

 

Veprimtarija jetësore dhe patriotike e Hamdi Gashit - Hamdi Gashi shkollën fillore e kreu në Vushtrri, në gjuhën turke dhe shkollën ushtarake , e kreu në Stamboll në vitin 1912.

Me fillimin e Luftës së Parë Ballkanike, Hamdi Gashi mbaron shkollën e mesme ushtarake. Në kohën kur shqipëtarët organizohën në luftë  për çlirim nga pushtuesi turk , të udhëhequr nga Hasan Prishtina, Ismajl Qemajli, Isa Boletini, e të tjerë Hamdi Gashi kthehet në Kosovë, me qëllim që të inkuadrohet në luftë, nën udhëheqjen e Hasan Prishtinës. Por ajo nuk ndodhi, për arsye së Hasan Prishtina, gjendej në izolim nga qarqet serbe, në Beograd. Hamdi Gashi angazhohët në përbërje të kryengritësve të Drenicës dhe të Vushtrrisë, të cilët me 1912 nën udhëheqjen e Xhemajl  Beut dhe të Isa Boletinit, luftojnë në Llap.

Meqë, tokat shqipëtare pushtohën nga ushtritë e shtetëve të aleancës Ballkanike, fati i Shqipërisë do të mbetet në duart e Fuqive të mëdha Evropiane, për të cilën Konferenca e Ambasadorëve në Londër me 1913, vendos që Kosova të mbetet e ndarë nga Shqipëria, një pjesë e së cilës do të mbetet nën sundimin e Sërbisë, e tjetra nën Malin e Zi. Përkatësisht Kosova e pushtuar nga Kosova dhe Mali i Zi, ra në një robëri të re, duke e ndërruar pushtuesin , prej atij turk, në atë sllav. Hamdi Gashi pas kthyerjes nga Kryengritja e Llapit me 1912, jeton në Vushtrri dhe në Drenicë., më shum në ilegalitet. Qarqet serbe e kërkojnë, për arsye se, ky ishte, kuadër ushtarak dhe rridhte nga një familje patriotike që kishte punuar për çështjen kombëtare, të cilin synonin ta likuidonin, sikur shumë prijës tjerë nga Drenica dhe nga Kosova.

Me shpërthimin e Luftës së Parë Botërore me 1914, dhe sulmin e Austro-Hungarisë ndaj Serbisë, qarqet e pushtetit serb e rrethojnë shtëpinë e Hamdi Gashit, për ta arrestuar. Por fal shkathtësisë dhe gjeturisë së gruas së tij, Myrvelasë dhe motres Fatime, i shpëtoi vdekjes, duke e fshehur dhe bërë tebdil, e qesin jashtë rrethimit të shtëpisë. Ai për një qast hynë në xhami të qytetit, në qendër të Vushtrrisë, derisa të kaloj turma e gjandarmeris. Në këtë situatë të rrezikshme, motra e tij, e informon Miftar Galicën , fqinj i tyre dhe i tregojnë për rrezikun që i kanosej Hamdiut. Ai, duke e bërë tebdil Hamdiun me veshje tjetër, dhe duke i pri i pari, e qet jashtë rrethimit pa u diktuar. Që të dy, shkojnë në Drenicë. Aty do të qendrojë një muaj, në Galicë dhe në Duboc të të afermit e fshatit të tij , të babajit dhe gjyshit ( të Gashët ).

Hamdi Gashi duke pa së situata gjithnjë e më shumë po keqësohej, nën përcjelljen e Miftar Galicës, kalon në Shqipëri. Pas disa muajsh, familja e Ahmet Bekteshit të Mitrovicës ia përcjellin edhe gruan dhe e dërgojnë tek ai në Shqipëri. Në ketë menyrë Hamdiu më të shoqën , në vitin 1914, vendosën në Fier aty ku kishte shumë shqipëtar nga Kosova dhe qendrojnë deri në Luftën e Dytë Botërore.

Gjatë Luftës së Parë Botërore , në Shqipëri depërtuan ushtritë pushtuese të katër shteteve të Aleancës Ballkanike dhe të Francës. Nga këto depërtime të shtetëve të huaja pushtuese, për shqipëtarët në Kosovë dhe Shqipëri, do të krijohën ditë të veshtira, duke i përfshirë lufta, e vrasje, kriza ekonomike e uri e madhe, duke gjetur vdekjen mijëra njerëz, në një anë dhe nga ana tjetër duke u vrarë dhe masakruar nga pushtuesi i huaj. Edhe Hamdi Gashi kaloj ashtu qysh pat mundësi të gjendet. Ai mbante fqinjësi të mire me të gjithë shqipëtarët, me të cilët banonte. Por të vajtur të panderprerë pat me bashkëvendasit e Drenicës: Zija, Et’hem ( Hetem ) dhe Ehat Prekazin, kusherinjë me familjen e Ahmet  Delisë së Prekazit. Ai shkonte shpesh edhe në familjen e Azem Bivolakut nga Vushtrria, kaçak i mëparshëm i Çetës së Azem Bejtës. Azem Bivolaku, më vonë , Hamdi Gashit do t’ia falë një vajzë, për adoptim.

Studimet dhe detyra e ushtarakut - Hamdi Gashi ishte tip i zgjuar, me intelekt të zhvilluar dhe patriot i madh, i cili fatin e çlirimit kombëtar, nuk mund ta mendojë pa krijimin e kuadrove të afta profesionale, ashtu sikur i kishin shtetet evropiane, nëpërmes të cilëve do ta njeh, e përkrah Evropa dhe bota. Prandaj, ai vendosi të studijoj. Në vitin 1921, shkon në Torino të Italisë dhe regjistron akademinë ushtarake, drejtimin policor. Studimet ushtarake i kreu me me 1926 , kthehet në atdhe kadet i diplomuar  me përgatitje të lartë  ushtarake. Pas ardhjes në Shqipëri, emërohet oficer për organizim dhe udhëheqje policore, në Fier. Për aftësitë (shkathtësitë) që i tregon Hamdi Gashi, shpejt e përparojnë në grada, dhe në vitin 1937, arrin gradën e majorit. Në vitin 1933, ishte emëruar udhëheqës i lartë i gjandarmerisë, për qarkun e Fierit. Qëndron në krye të kësaj detyre, deri në prill të vitit 1939, kur Italia fashiste e pushton Shqipërinë. Hamdi Gashi duke mos u pajtue me pushtuesin fashist, u demobilizue nga jeta ushtarake dhe kalon në veprimtari civile administrative. Në vitin 1939 emërohet nënprefekt i Fierit, i cili në krye të kësaj detyre qëndron deri në vitin 1941. Atherë kur Mbretërinë Jugosllave dhe Kosovën e pushtuan shtetet fashiste, Hamdi Gashi vjen në Kosovë, bashkë me Komitetin e Kosovës dhe merr pjesë në përbërjen e tijë, dhe e shpallin bashkimin e Kosovës me Shqipëri. Por, meqenëse Mitrovica, Vushtrria dhe Jeni Pazari dhe një pjesë e Drenicës , mbetën nën Serbi, ai do të punoj të jap kontributin e tij, në mënyrë të vazhdueshme në Vushtrri dhe Drenicë, duke kryer detyrën e nënprefektit si në njerin ashtu edhe në vendin tjetër. Hamdi Gashin Drenica dhe Vushtrria e presin me padurim , ngase ishte kuadër professional dhe kishte detyrë me rëndësi për interesin kombëtar shqipëtar, në qeverinë shqipëtare dhe ishte i afërt dhe i dashur për të gjithë njerëzit.  Gjatë tërë kohës sa ishte në punë zhvilloi aktivitet politik, i cili ishte shumë i nevojshëm, për Kosovën pak të arsimuar në at kohë.

Jeta në Shqipëri dhe marrja e vajzës së adoptuar - Hamdi Gashi, në vitin 1914, shkon në Shqipër ku vendoset në një shtëpi me qira, por pas disa vitesh, blen edhe shtëpi. Si shumë shqipëtarë tjerë të Kosovës, u punësue në punë administrative, derisa shkoi në studime në Itali. Pas kryerjes së studimëve përseri vendoset në Fier. Hamdi Gashi nuk kishte fëmijë me bashkëshortën Myrvelanë, për çka ishin të brengosur, sepse jetën pa fëmijë e konsideronte të pakuptimtë dhe shpesh thoshte së jeta pa fëmijë është pa shije dhe pa dritë. Prandaj ky ishte një preokupim i tij.

Në ndërkohë, Azem Bivelaku nga Vushtrria , që jetonte në Fier e që njihej me Hamdi Gashin, i vdes e shoqja duke ia lënë tre fëmijë bonjak, dy djem  (Mehmetin dhe Sheremetin )

Dhe një vajzë, Hyrijën që gjatë lindjes i vdes nëna. Hamdi Gashi shkon për ta ngushllue Azem Bivelakun, për vdekjen e të shoqës . Në bisedë e sipër Azem Bivelaku shpreh brengosje për vajzën e vogël Hyrijen, për arsye së grue tjetër nuk kishte të kujdesej për te. Hamdi Gashi i Drejtohet Azem Bivelakut së “ ç’medon të bëjë me të ? Azemi  i përgjigjet se “ po që së mundëm , do ta strehoj diku, ku të jetë kujdesi i mire ndaj sajë. Hamdi Gashi i thotë:” së do të bisedojmë me shoqën dhe ndoshta ne e marrim “Hamdi Gashi bijnë n’ujdi me të shoqën që të marrin vajzën e vogël Hyrijën. Të nesërmen Hamdi Gashi së bashku me Myrvelanë, shkojnë të Azem Bivelaku, për ta kërkuar vajzën e tij, që ta bëjnë fëmijë të tyre të adoptuar. Ketë kërkesë , Azem Bivelaku e pret me mirëseardhje , sepse e dinte se, vajza do të rritet e do të jetoj në kushte të mira, nën kujdesin e një familje të arsimuar dhe të edukuar. Hamdi Gashi kërkon Vajzën , por me kusht që, deri në vdekje, vertetë të bëhet vajzë e tyre, dhe vajza këta t’i konsideroj prindër. Hamdiu, kërkon nga Azemi, që djemtë e tij Mehmeti dhe Sheremeti, të shkojnë të Hamdi Gashi, por në cilësi të dajës dhe të mos i tregojnë Hyrijës së janë vllëzër të sajë. Të gjitha këto i pranon Azem Bivelaku dhe u tregon edhe djemve . Hamdiu me të shoqën e marrin Hyrijen dhe kujdesën shumë për jetën dhe shendetin e sajë. Hyrija rritej me shendet të mirë, me të cilën knaqej babai Hamdiu dhe nëna Myrvelaja. Vëllëzërit e posaqërisht Mehmeti, fillon të shkoj të Hamdiu, në mënyrë që ta vizitoj motrën Hyrijën. Me gjasë, Hyrija mëson nga fëmijet e lagjës, së ajo Mehmetin nuk e ka dajë por vëlla, gjë që ajo, shpesh u thoshte prindërve së “ dajën Mehmet , po e konsideroj si vëlla”. Bashkëshortet brengosën për ketë punë, që ishte në dijeni Hyrija, së këta nuk i kishte prindër të vërtetë të saj. Ndonëse ajo ishte e edukuar dhe e kulturuar, asnjëherë nuk u ftohë nga ta dhe gjithnjë i donte dhe i respektonte pamasë. Hamdi Gashi brengoset shumë dhe shkon të Azem Bivelaku e i lutët: “ Mehmeti mos të vijë aq shpesh të Hyrija, sepse do të ftohet prej nesh dhe do të lind mosharmoni në shtëpinë tonë. Azem Bivelaku e pret mire dhe e garanton Hamdiun , së nuk do t’iu bëjë asnjë pabesi që të ftohet Hyrija prej tyre. Mehmet Bivelaku, djali i madh i Azemit, posa e kryen shkollën për kuadër arsimi në Itali, kthehet në Kosovë. Azemi, ndër të tjera i sygjeron Mehmetit që mos të shkoj shpesh të Hyrija e ta ftohë nga prindërit e adoptuar, Gashi. Mehmeti, megjithatë i përgjigjet së do të shkoj dhe do t’i tregoj hapët, së e kam motër, por edhe do ta bind, së ajo që ka bërë babai i saj për të, ka qenë në interes të sajë jetësor, sëpse pa nënë, në kushte tona, do të vuante shumë. Mehmeti i tregon rastin dhe e bind Hyrijën, që “ prindërit “ Gashi, t’i respektoj për si prindër të vërtetë. Famlja Gashi dhe Bivelaku, u ofruan dhe u bënë unike, sikur të ishin një familje, ndonëse Hyrija e dinte rrjedhën e ngjarjes . Ajo më nuk thoshte së jam motër me dy vllëzër, me të cilët mbante shkuarje dhe vajtje.

Pas likuidimit të Mehmetit nga ana e OZNË-s (Organ i  Sigurimit Shtetëror Serb ) në vitin 1944, e të dënimit të babait Hamdi Gashit me pushkatim , Hyrija mbeti shumë e dëshpëruar në jetë. Pas kësaj, në marrëveshtje me burrin shpërngulën në Turqi, në mënyrë që, bijtë e tyre , të mos jetojnë nën pushtuesin serb. Këta kështu vepruan dhe dolën në Turqi, duke u vendosur në Stamboll, në vitin 1957. Ajo më vonë lindi tre fëmijë, dy djem e një vajzë. Njërin nga djemtë e pagëzoi me emrin e Hamdiut. Së fundi, Hyrija vdes dhe varroset në Stamboll, kurse fëmijët e sajë jetojnë në Stamboll bashkë me shumë shqipëtar tjerë të Kosovës. Ndërkaq Azem Bivelaku dënohet me pushkatim nga Gjyqi serbo-sllav, dënim që iu zbrit me 20 vite burgim që e vuante në Nish nga iku dhe kaloi në Shqipëri në vitin 1949, ku atje  ia  dënojnë të birin Sheremetin me 7 vite burg, të cilin e kishte marr në nderkohë nga Kosova. Azemi vdes në vitin 1971. Edhe Sheremeti vdes pas vujtjes së dënimit. I biri Fitimi tani jeton në Fier.

Hamdi Gashi nënprefekt - Hamdi Gashi në maj të vitit 1941, kthehet nga Shqipëria. Ai emrohet nënprefekt në nënprfekturën e Vushtrrisë,  ku do të kryej këtë detyrë deri në vitin 1943, kur në vend të tij emrohet Asllan Boletini. Nderkohë, Hamdi Gashi emrohet nënprefekt në nënprefekturën e Drenicës (Skenderaj), i cili ketë detyrë, e kryen deri atëherë kur, pushtetin e marrin qarqet komuniste. Hamdiu ishte punëtor i  përpikët administrativ dhe organizator i mirë i punëve përkatëse, nga aspekti ekonomiko-shoqëror dhe politiko – kombëtar. Ai ishte patriot i denjë për kauzën kombëtare dhe njohës i mirë i propogandës serbe komuniste, në tërësi, sepse kishte përvojë të hidhur nga këto qarqe.

Gjatë qëndrimit në Skenderaj, banonte në Laushë, të bajraktarët. Atyre dhe të tjerëve, sa here që kishte kontakt me njerëz, u shpjegonte ngjarje të ndryshme nga jeta dhe politika e shumë partive politike, si dhe për aktualitetin e kohës. Kishte lexuar literaturë të huaj dhe shqipëtare. Kjo do të sjellë përqarje në mes kombit tone dhe shumë kombëve të tjera, me arsyetim të një lufte klasore, për çlirimin e klasës punëtore e të popujve të robëruar. Kjo zhvillohej dhe udhëhiqej nga një diktaturë proletare, e cila e mashtruar nga bolshevizmi sllav si “ internacionaliste “ . Ketë teori dhe praktikë e njihte mire Hamdiu dhe thoshte së “ Levizja komuniste , për shqipëtarë, nuk sjellë asgjë të mire, vetëm përçarje kombëtare, për t’i forcuar bazat e sllavizmit ortodoks në Ballkan, Evropë dhe në Botë. Hamdi Gashi në ndeja dhe tubime të shumta në Drenicë, masës së popullit, iu ipte shpjegime, sygjerime për shumë çeshtje, të cilat kishin të bënin me çështjen tonë kombëtare dhe me rrethanat e kohës, gjatë Luftës së Dytë Botëror. Ai, e thonte së “dëmin  më të madh kombit po i sjellin komunistët, të cilët me sygjerimet bolshevike serbe e ruse, po e likuidojnë intelegjencën e lartë kombëtare, në mënyrë  që pastaj, këta me masën pak të arsimuar apo gjysëm të arsimuar të manipulojnë si të done duke mos e kuptuar djallëzinë e tyre.

Hamdi Gashi, deri sa  ishte nënprefekt në Skenderaj,  nëpunës  e kishte një vëlla të Abdullah Shabanit, nga Mitrovica. Me të një ditë polemizon. Në të vertetë, ai një ditë i shkon Hamdiut në zyre, me gjasë, për të provokuar, në mënyrë që , më vonë të argumentoj për padi në gjyq, siç ndodhi gjatë gjykimit të tij. Ai Hamdiun pa e pyetur fare, ia lavdëron ideologjinë  komuniste serbe, shqipëtare dhe ruse. Hamdi Gashi, i sygjeron që të shkoj në vendin e punës, sepse askush nuk e pyeste, por ai përseri vazhdon në at mënyrë.

 

Pasi në Shqiperi e Jugosllavi instalohet regjimi komunist, fillojnë përndjekjet e atdhetarëve shqipëtar e në mesin e tyre edhe të Hamdi Gashit.

Gjykimi ushtarak u mbajt me 18 maj 1945, në sallën e hotelit “Jadran” të Mitrovicës, pa iu dorëzuar të pandehurve kurrfarë aktakuze.Trupi gjykues në përbërje: Marko Petroviq, major nga Bllaca, kryetar, Milosh Xhudoviq, komandanti i rajonit, gjykatës, Hasan Çerkezi, kapiten, dhe porotnikët: Mustafë Xhabiri dhe Muharrem Alia nga Mitrovica, zunë vendet e tyre pa mbajtur asnjë shënim. Prokurori, i cili përfaqsonte aktakuzën, ishte major Vlada Popoviq, nga Gjilani, djali i Tomë Popoviqit, udhëheqës i qetave çetnike. Përgatitja e këtij gjykimi ishte bërë në mënyrë të përsosur. Për të qenë sa më spektakular, më herët ishin shpërndarë fletënjoftimet nëpër çdo skaj të qytetit. Në qendër të qytetit masën e njoftonte një njeri duke i rënë doboshit, një lloj tupani të vogël, të cilit i binte me dy shkopinj. Kështu, posa u dëgjua doboshi, qytetarët u grumbulluan për të dëgjuar lajmin. Posa u mblodh një masë e madhe e njerëzve, ai që e rrahte doboshin, dha këtë lajm: “Më 18 maj 1945, gjykohen këta kriminel… (duke i lexuar emrat e tyre). Në fund kishte shtuar: “Kush din gjë për krimet e tyre, le të vijë në sallën e gjyqit për të dëshmuar!”

Në këtë aktshykim gjykohesh 12 veta: Osman Salidi nga Mitrovia, Tefik Bekteshi nga Mitrovica, Ethem Ferati nga Mitrovica, Hamdi Gashi nga Skënderaj, Xhevdet Bajrami nga Mitrovica, Abdyl Zhubi nga Mitrovica, Ramadan Rexha nga Mitrovica, Bahri Abdurrahmani nga Pazari I Ri, Nebih Hoda nga Vushtrria, Musa Çollaku nga Mitrovica, Shaban Mustafa nga Mitrovica, Todor Cvetkoviqi, mjek i punëtorëve të Trepçës.

Gjykimi fillon në orën 8 paradite, atëherë kur të pandehurit i sjellin nga bodrumi në sallë të hotelit, e cila ishte përplot me qytetarë, përveq tyre shihej nga dritaret e sallës një masë e madhe e qytetarëve që kishin mbetur jashtë sallës ngase nuk i kishte zënë të gjithë. Posa hynë në sallë të akuzuarit, filluan brohoritjet e të pranishmëve “Smrt kolac-konopac”!” (Vdekje! Në hu, në litar!). Kjo zgjati derisa hynë anëtarët e trupit gjykues. Posa hynë, kryetari i trupit gjykues ngrit dorën, duke bërtitur “Qetësi!Gjykimi fillon!” Atëherë masa u qetësua dhe kryetari e hapi “seancën gjyqësore”, duke ia dhënë fjalën prokurorit ushtarak, Vlado Popoviqit, i cili filloi të lexojë aktakuzën kundër personave të pandehur , mes tyre

Hamdi Gashi, i ardhur nga Shqipëria, është fajtor ngase si nënprefekt I nënprefekturës së Vushtrrisë, ka ushtruar presion ndaj kolonistëve serbë në këtë rajon.

Hamdi Gashit iu drejtua kryetari i trupit gjykues, duke i thënë: “Aktakuzën e dëgjove, çka ke për të thënë për veprën penale që të ngarkon? Ti ke ardhur nga Shqipërsia dhe, ta përsëris edhe njëherë, si nënprefekt I Nënprefekturës së Vushtrrisë ke bërë presion që të shpërngulen kolonistët serb nga ky rajon!” Masa çohet përnjëherë në këmbë duke thirru me një zë: “Vdekje! Në hu, në litar!” Dhe pasi qetësohet masa, dihet, me intervenimin e kryetarit të trupit gjykues, mbyllet kjo çështje pa përgjigje.

“Trupi gjykues, pasi e shqyrtoi aktakuzën dhe përgjigjet e të akuzuarve, mori këtë vendim:

-Osman Salidi, dënohet me vdekje,

-Tefik Bekteshi, dënohet me vdekje,

-Etem Ferati, dënohet me vdekje,

-Todor Cvetkoviqi, dënohet me vdekje,

-Hamdi Gashi, dënohet me burg të përjetshëm,

-Abdyl Zhubi, dënohet me 20 vjet burg,

-Xhevdet Bajrami, dënohet me 15 vjet burg,

-Ramadan Rexha, dënohet me 15 vjet burg,

-Musa Çollaku, dënohet me 15 vjet burg,

-Bahri Abdurrahmani, dënohet me 10 vjet burg,

-Nebih Hoda, dënohet me 10 vjet burg dhe

- Shaban Mustafa, lirohet.  

Kështu, në orën 15 përfundoi gjykimi. Njerëzit e tubuar, gati kryesishtë serbë, e kishin kryer detyrën mirë, dihet, sipas porosisë së UDB-ës. Ata kishin thirrur që të akuzuarve t’u shqiptohet masa kapitale “Vdekje!” Bile jo çfardo vdekje; Vdekje në litar!  Vdekje në hu!...Tamam ashtu si konstaton Ago Agaj: “Kurrë nuk kam mundur të kuptoj këtë zakon të shëmtimit të armiqve të vrarë nga ana e serbëve. Feja krishtere nuk e lejon dhe besoj se do të jetë trashëgim i kohëve pagane sjellë prej stepeve të Azisë!...” Dhe trupi gjykues, dhe shteti do të arsyetohet para opinionit të gjerë: “Populli ua shqiptoi këtë masë! Ishte vullnet i tij!...”

Derisa njerëzit e tubuar dilnin nga salla të kënaqur se e kishin kryer detyrën “me nder”, të dënuarit i kthyen e i përplasën në dhomat e burgut të bodrumit të hotelit “Jadran”. Ata që ishin dënuar me vdekje, i vendosën në një dhomë të posaçme, ndërsa ata që ishin dënuar me dënim kohor, i futen në një dhomë tjetër.

Me 22 qershor 1945 në orën 15, kryetari i trupit gjykues, Mirko Peroviqi, shkon me një gardian afër dritarës, ku ishin të vendosur të dënuarit kohorë. Gardiani hap derën e dhomës, ndërsa Mirko Peroviqi me një copë letër në dorë vazhdoi të lexojë: “Sipas vendimit të Gjyqit Suprem të Jugosllavisë, dënimi kohorë për Hamdi Gashin, Xhevdet Bajramin dhe Musa Çollakun shndërrohet në dënim me vdekje. Ata duhet menjëherë të dalin prej këtu dhe të futën në dhomën e të dënuarve me vdekje.

Ekyekutimi i dënimit me vdekje do të bëhet nesër në orën 10 paradite!

Të nesërmen, më 23 qershor 1945, në orët e mëngjesit, arrijnë dy gardianë, të cilët hapin derën e dhomës ku ishin të mbyllur shtatë të dënuarit me vdekje. Ata ishin përgatitur shpirtërisht për të sfiduar vendimin e xhakatarëve, për të përballuar dënimin me vdekje, ekyekutimin. I nxorën me radhë nga dhoma dhe, të lidhur dy nga dy për dore, i ulën në një ulëse të gjatë prej dërrasash të ashtuquajtur “rale”. Të gjithë mbanin në kokë plisa të bardhë, pos mjekut, i cili kishte vënë një kaçketë. Përballë hotelit në një ndërtes, ishte e vendosur një njësit ushtarak partizanësh nga rajoni i Rahovecit. Disa partizanë të këtij njësiti filluan t’i fyejnë të dënuarit me vdekje, duke iu thënë: “Ju jeni kriminelë, gjakpirës! Ju ka ardhur fundi!” Pas pak çastesh mbërrin edhe Rasim Çerkezi, i cili atëbot ishte operativist i sigurimit të UDB-së në Mitrovicë. Iu afrohet të dënuarve dhe duke u zgërdhirë, thotë: “A e keni menduar se një ditë do të jepni llogari për atë që e keni bërë? A keni menduar se një ditë do të përgjigjeni para gjyqit të popullit?” Sakaq i afrohet Tefik Bekteshit pr t’ia hequr kapelën nga koka. Ndonëse me pranga në duar, Tefiku e godet me shqelm. Rasimi largohet i turpëruar, tepër i inatosur e i pezmatuar pse nuk arriti t’ia heq plisin nga koka. Pas disa minutash vjen një oficer me emrin Vahid Ramadani nga Rahoveci (me të Ramadan Rexha ka qenë medresant në Medresenë e Madhe të Shkupit), i cili nga prapa ua rrëmben kapelat një nga një, duke i futur nën sqetull dhe largohet. Pas gjysmë ore e sjellin një kamion, pa mbulesë (ceradë), të cilët i ngarkojnë lidhur dy nga dy dhe i nisin për në cakun e fundit në vendin e ekzekutimit. Posa niset kamioni dhe gjatë gjithë rrugës, ata brohorisnin: “Rroftë Shqipëria! Edhe pse ne po vdesim, Shqipëria do të rrojë!” Policë e ushtarakë që e përcillnin kamionin me motoçikleta, përpiqeshin që me zhurmën e motorëve të mbysnin zërat e thirrjet e atdhetarëve. Posa kaluan urën e Sitnicës, i ndalën në një breg afër varrezave të serbëve. Aty kishin vendosur shtatë shtylla. I lidhën me radhë në to dhe i ekzekutuan. Më pas I hodhën në gropën e përgatitur prapa shtyllave.

Gjate natës filloj te bjerë shi i madh. Femijet kishin vërejtur se pjesë të kufomave kishin mbetur te zbuluara dhe se kufomat po i ngrënin qentë. Nje plak tërë natën u përpoq t'i mbulojë kufomat.

Nje rrugë në Vushtrri është emruar me emrin e Hamdi Gashit.

Organet përgjegjese komunale në Vushtrri do duhej emërtuar ndonjë ent shkollor apo policor e ushtarak me emrin e e Hamdi Gashit i cili ishte nga kjo komunë.

Kufomat kane qenë të varrosura afër Varreve te shkieve, në hyrje te Mitrovices nga ana e Vushtrrisë.

Është e çuditshme sesi deri në ditet e sotme nuk është bërë përpjekje për zbulimin e këtyre varreve të këtyre atdhetarëve të njohur.

Literatura,

1. Dr Islam Dobra, Lufta e Drenicës 1941 deri 1945, Prishtine, 1995.

2. Prof.Dr. Islam Dobra,Prof.Dr.Kajtaz Rrecaj, Bajraku i Llaushës, Prishtinë 2010.

3. Ramadan Rexha, Kujtimet e mia,  Prishtine 2004.

4. Dr. Jusuf Osmani, Vendbanimet e Kosovës, Vushtrria, Prishtinë 2005.

5. Dr Mehmet Rukiqi, Krijues dhe bartës të tregimeve popullore në Drenicë, Prishtinë 1998.

6. Ferit Dibrani, Me penë e pushkë për atdhe, Prishtinë 2015.

6. Bedri Xhema, Dubofci, Monografi në dorëshkrim.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora