Kulturë
Detajet e luksit të “Ditë kafenesh” të Kadaresë në Amerikë
E shtune, 28.06.2008, 02:36 PM
Nga Nju Jorku, Beqir SINA
Me përkthimin e ish drejtorit të Bibliotekës së Durrësit, Pirro Dollani, i cili tashmë punon pranë Institutit të Filmit në Universitetin e Nevadës dhe një teknologji supermoderne e luks të plotë, është veshur libri më i shtrenjtë i Ismail Kadaresë “Ditë Kafenesh”, i cili fillimisht ka kushtuar 780 dollarë, ndërsa sot kushton 650 dollarë. Për herë të parë jepen dhe detaje mbi librin që i përket kolanës më luksoze të këtij lloji në SHBA. Vizatimet, fotomontazhet dhe shkrimi me gërma gazete, është bërë nga kompania Zerkall-Nideggen, e cila, ka përdorur letrën prej druri, e tipit, “photo-polymer plates” nga Peter Koch, me asitencën e Jonathan Gerken. “Ditë Kafenesh” është një kompozim i katër tipave të quajtura në këtë teknologji “Renner’s Futura Bold”, ku secili nga të katër tipat në forma të veçanta e bën librin të pashthurrshëm, e kjo falë punës cilësore të Christopher Stinehour. Fotomontazhi nga Shqipëria, është bërë nga Peter Koch, i cili, ka bërë edhe ilustrimin e librit të Kadaresë. Bojrat e mbulesave (tabakëve) të librit i ka bërë John DeMerritt. Pjesët më dekorative në kompozimin e librit, janë të galvanizuara me bojë çeliku “steel clam-shell box” dhe janë bërë nga kompania “G. and L. Manufacturing”, e cila ka bërë edhe shtypjen e librit. Libri “Ditë Kafenesh” është padyshim një nga më të veçantët në këtë teknologji dhe renditet ndër librat e rrallë, pasi edhe nga vlera, ka një çmim të padëgjuar ndjonjëherë për novelën e një autori shqiptar, apo i huaj qoftë. Vetëm 125 kopje të librit janë hedhur në treg përmes kolanës luksoze amerikane. Instituti amerikan “Black Mountain”, thotë se ka zgjedhur librat më të shtrenjtë në botë dhe i ofron për shitje vetëm me porosi nëpërmjet komunikimit të faqes së internetit në adresën “Wessel and Lieberman Booksellers”. Ky institut ka zgjedhur 8 librat e botuar me një teknologji të veçantë. Ndonëse 130 dollarë amerikanë më pak se më parë, libri i Kadaresë vazhdon të jetë ndër librat më të shtrenjtë ku futen dhe tetë shkrimtarë të tjerë me veprat e tyre si: “Trying to Save Piggy Sneed”, John Irving (650 USD), “The Firebird's Nest”, Salman Rushdie (650 USD), “The Gatekeeper”, Joyce Carol Oates (600 USD), “Who’s Afraid of the Tasmanian Wolf?” Kenzaburo Oe ($600), “Samarkand and Other Markets I Have Known” Wole Soyinka (650 USD), “Spirit of the River”, Russell Banks (550 USD), “Five Poems by Toni Morrison”, Toni Morrison (650 USD). Por le të rikthehemi te luksi i librit të shkrimtarit të madh shqiptar. Lidhja e librit me dorë, shtypja e tij në letër të prodhuar veçanërisht për këtë libër dhe kopertina metalike, bëjnë që çmimi të jetë i lartë. Për më tepër, të gjitha kopjet e “Coffeehouse days” (Ditë kafenesh) mbajnë autografin e autorit. Novela e Kadaresë shoqërohet edhe me një esse të studiuesit të mirënjohur amerikan prof. Bob Shuman. Ky i fundit e quan Kadarenë si një desident të shquar të realizimit socialist. Në qendër të novelës së Ismail Kadaresë janë dy të rinj që kërkojnë një dorëshkrim të humbur të Andon Zako Cajupit. Përpjekjet e tyre për t’a gjetur dorëshkrimin mbështillen me mjegullën e dyshimeve dhe të mjedisit politik të kohës në fundin e viteve ‘50-të. Novela u ndalua të botohet në kohën kur u shkrua. Ajo u publikua vetem në gazetë në vitin 1962. Më vonë, novela u bë pjesë e romanit “Qyteti pa Reklama”. Kadare e ka shkruar “Ditë Kafenesh” në moshën 19-vjeçare, kur ishte student në Institutin e Letërsisë Botërore “Maksim Gorky” në Moskë. Kadare dhe nobelisti Salman Rushdie janë dy autorët më të rinj që i janë shtuar listës së edicioneve “Rainmaker.