Kulturë
Ejup Ceraja: Ah, Ulqin-Ulqin!
E enjte, 26.06.2008, 05:52 PM
AH, ULQIN-ULQIN!
Ejup CERAJA
(Poetit Rifat Kukajt)
Ti vërtet të bukur
Gjithnjë e ke detin,
Andaj verë pas vere
Na e josheshe poetin.
Ai ishte mishëruar me ty
Si mbretërit në kurorë,
Për çdo vit të vizitonte
Në fillim në shtator.
Dhe ti e mbaje premtimin
Burrërisht vjet për vjet,
Na e ktheje poetin
Plot hare e shëndet.
Edhe kësaj vere, Ulqin
Kishte ardhur prapë te ti,
Sa për pushim të rehatshëm,
Aq për frymëzim e freski.
Pra, Ulqin, nuk vinte te ti
Për hir të peshkimit,
Po për t’i mbushur
Bateritë e frymëzimit.
Po kësaj vere, Ulqin
Hyji kmesën e mori,
Në fshehtësi të madhe
Jetën poetit ia korri.
Për këtë dhembje të madhe
Të gjithëve që na gjeti,
Nuk jeni fajtor – Ulqin
As ti dhe as deti.
Ai e kishte bërë me ty njësh
Zemrën e vet të tërën,
Në lamtumirën e fundit
Ta puthi prapë rërën.
Dhe, kur fëmijët – Ulqin
E prisnin t’u kthehej si idol,
E di që me zemër të thyer
Ua ktheve atë në arkivol.
Nuk ke ç’t’i bësh
Kështu e ka kjo jetë,
Ne mbetëm pa kolegun
E fëmijët pa poet.
Por, vetëm fizikisht
S’e kemi në prani,
Me te komunikojmë
Përmes artit të ti.