E marte, 30.04.2024, 07:39 PM (GMT+1)

Kulturë

Në Koman, te të parët tanë prej "guri"

E shtune, 21.06.2008, 08:11 PM


Pas thuajse një shekull gjurmimesh arkeologjike nga ekspedita të huaja dhe vendase, është arritur të zbulohet para pak ditësh nga arkeologët shqiptarë në kalanë e Dalmacës në Koman, një vendbanim prej guri i Mesjetës së hershme, fakt ky që flet se kemi të bëjmë me një qytetërim tepër të zhvilluar për kohën dhe të panjohur deri më sot. Gërmimet arkeologjike në Koman vite më parë sollën zbulimin e varrezave dhe nëpërmjet studimit të tyre veshjeve dhe stolive që mbanin të vdekurit. Nga këto u arrit në përfundimin shkencor që kultura e Komanit është një kulturë e hershme arbërore, vazhduese e kulturës ilire, që do thotë se bartësit e saj, arbrit (shqiptarët e hershëm) janë pasardhës të ilirëve. Por ajo që është zbuluar ditët e fundit pranë varrezave të Mesjetës së hershme në Koman, është një risi për arkeologjinë dhe historinë e Mesjetës së hershme, jo vetëm për Shqipërinë, por për gjithë Ballkanin Perëndimor, jo vetëm se mblidhen fakte dhe objekte që flasin për një qytetërim të hershëm dhe tepër të zhvilluar për kohën, por hedhin dritë për shekujt e Mesjetës së hershme periudhë për të cilën arkeologjia dhe historia thuajse nuk kishte asnjë informacion për zhvillimin ekonomik dhe mënyrën e jetesës. Ky zbulim i hapi rrugë një rindërtimi kronolgjik arkeologjik dhe historik të Mesjetës së hershme, duke u bërë një pikë reference për mënyrën e zhvillimit të Ballkanit Perëndimor në shekujt VI-XIII pas Krishtit. Deri më sot, kjo periudhë pak e njohur e arkeologjisë, është bërë e njohur vetëm nga varret, por me zbulimin e bërë në vendbanimin prej guri në kalanë e Dalmacës në Koman, tashmë Mesjeta e hershme del në dritë me gjithë elementët e zhvillimit të një populli. Rrugëtimi drejt qytetërimit të Mesjetës së hershme, grupi i arkeologëve shqiptarë të udhëhequr nga arkeologia Etleva Nallbani, para tri javësh nisën një udhëtim për të gërmuar në atë se çfarë fsheh Kalaja e Dalmacës në Koman. Kjo ekspeditë e financuar nga Shkolla Franceze e Romës arriti që brenda një kohe të shkurtër të zbulojë shekuj me histori. Kalaja e Dalmacës ndodhet në majën e malit rrëzë Hidrocentralit të Komanit. Rruga deri atje që bëhet çdo ditë nga arkeologët, shkon të paktën 1 e 30 min dhe vetëm më këmbë mund të ecet. Një ditë udhtimi me këto arkeologë, kupton shumë mirë se për të qenë adapt në këtë profesion, duhet të jesh dhe përgatitur mirë fizikisht. Udhëtojmë në këmbë me arkeologët për të shkuar te pjesa e sapozbuluar e kulturës së Komanit. Terreni malor dhe pjerrësia e malit na e bën tepër të vështirë mbërritjen te Dalmaca. Here pas here duhet të ndalemi e të pushojmë, sepse mali fillon e bëhet jo vetëm i lodhshëm, por dhe i frikshëm.

I vetmi moment çlodhjeje është uji i ftohtë i burimeve që takon rrugës. Bashkë me grupin e arkeologëve është bashkuar dhe një banor i zonës, Toma, i cili qëndronte në fund të grupit. E dëgjuam shpesh duke thirrur emrin "Rita" e mësuam më pas se kështu quhej mushka e tij me të cilën transportonte çantat me veglat e punës së arkeologëve. Rrugës për në kala të rastis të takosh dhe udhëtarë, pasi pas faqes së malit ndodhet një lagje e braktisur që ka vetëm dy shtëpi. Madje kjo rrugë, na thonë se dikur ka qenë rruga këmbësore që lidhte Komanin me Pukën. Grupi i arkeologëve të mësuar me lartësitë, e kalon rrugën fare lehtë duke treguar batuta, por për ne që nuk jemi mësuar me këto udhëtime, rruga ishte e vështirë për t‘u përballuar. Pas më shumë se 1 ore, kemi mbërritur në zonën arkeologjike. Me sy të lirë shihen toponimet e mbetjeve të banesave të Mesjetës së hershme, të cilat janë nxjerrë nga arkeologët. Nga lartësia ku po bëhen gërmimet arkeologjike, rreth 600 m mbi nivelin e detit, pamja është madhështore. Të duket sikur gjithçka ndodhet poshtë këmbëve të tua. Që aty, kalaja e Dalmacës sheh krenare në një pamje ballore vargmalet njëri pas tjetrit, derisa shikimi të ndalet në majën e Taraboshit dhe Kalanë Rozafa, të cilat çuditërisht nuk është vështirë t‘i dallosh. Kjo mbase nga taktika që është përdorur që në Mesjetën e hershme, ku kalatë apo vendbanimet, të shihnin njëra-tjetrën dhe jepeshin sinjale kur kishte sulme duke ndezur zjarre që të shihej tymi si shenjë lajmëruese.

Zbulimi

Për një njeri që shkel për herë të parë në këtë vend, është shumë e vështirë të bësh lidhjen mes pamjes mahnitëse ku përpara ke Danjen, Shurdhanë dhe Rozafën dhe poshtë këmbëve, një qytetërim të Mesjetës së hershme, që megjithëse i sapozbuluar ka shumë për të rrëfyer. Arkeologia Etleva Nallbani, e cila është dhe Udhëheqësja e ekspeditës e pse jo dhe zbuluesja e gjithë këtij vendbanimi tregon për gazetën "Shqip" në detaje, mënyrën dhe rëndësinë historike e këtij zbulimi.

Sipas saj, gërmimet arkeologjike në Koman janë bërë fillimisht që në vitin 1898 nga Konsulli i Francës në Shkodër Degrand dhe kanë vazhduar dhe me ekspedita të arkeologëve shqiptarë më 1961 nga Hana Spahia e deri në ditët e sotme. Nga ato gërmime arkeologjike u gjetën varrezat e Mesjetës së hershme, ku në bazë të atyre u bë ndërtimi shkencor mjaft i rëndësishëm, i njohur si kultura e Komanit që bënte lidhjen e shqiptarëve si pasardhës të arbërve dhe ilirëve. Ndërsa ekspedita jonë nuk kishte qëllim kësaj here të gjurmonte te varrezat, pasi ato tashmë njiheshin, por te faqja e malit përballë varrezave. Ishte një faqe mali e mbuluar me shkurre e pemë, por pasi kemi hequr me kujdes shkurret dhe pemët, filloi gërmimi arkeologjik me tepër kujdes. Mbetëm të habitur kur në sytë tanë filluan të dallonin pak nga pak toponime të banesave prej guri. Pas tri javësh në gjurmë të jetës së Mesjetës së hershme, u arrit në konkluzionin kërkimor-shkencor që në këtë vend, në kalanë e Dalmacës, në një pjerrësi prej 40 gradësh dhe një sipërfaqe prej 2500 m2 janë të vendosura në formë tarracash rreth 35 banesa prej guri të tipit të varur. Gërmimi ka arritur të nxjerrë në sipërfaqe rreth 8 tarraca, të cilat shërbenin dhe si rrugë për të zbritur nga mali ku sipër tyre janë ndërtuar banesat që si çati kishin rrasa prej guri. Një tjetër zbulim mjaft me vlerë në këtë zonë është dhe fakti që nëse deri tani në këtë zonë kemi zbuluar 300 varreza, këto ditë kemi konstatuar në zonën rreth e rrotull një mijë varreza. Ky zbulim e klasifikon Komanin si qendrën kryesore të Mesjetës shqiptare. Qendra e referencës së Ballkanit është Komani, i cili mësohet në të gjitha shkollat e rajonit të Ballkanit. Është mësuar i pjesshëm, por tani do jetë i plotë, nën emrin: kulturë e Komanit. Për arkeologjinë dhe historinë e Shqipërisë, ky zbulim flet shumë dhe hedh dritë mbi një periudhë për të cilën nuk kishte asnjë të dhënë. Po marrim për shembull mënyrën e jetesës dhe të zhvillimit ekonomik. Përpunimi i metalit pse jo dhe eksportimi nga banorët e kësaj zone para periudhës veneciane, flet shumë për një qytetërim dhe zhvillim të tipit "metropol" në këtë vend, gjatë periudhës së Mesjetës së hershme. Vendbanimi mitik i Komanit i përbërë nga popullsi ilire dhe popullsi e ardhur sllave e bullgare, ka qenë një nga metropolet e Ballkanit Perëndimor. Nga ana tjetër, prezenca e toponimeve të katër kishave në kalanë e Dalmacës në Koman, si ajo e Shën Gjergjit, Zonja e Mirë, Shën Mëhillit dhe e Shën Nikollit, tregon jo vetëm për shtrirjen e madhe të këtij qytetërimi të hershëm, por dhe zhvillimin kulturor e kishtar të kësaj zone që njihej si krahina e Pultit të Sipërm. Për nga rëndësia fetare kishtare, ende sot juridiksioni kishtar i kishës katolike në Shkodër ka emërtesën Dioqeza Shkodër-Pult. Zona e Pultit të sipërm që korrespondon me kalanë e Dalamcës në bazë të fakteve, toponimeve të mbledhura, ka qenë një ndër qendrat më të mëdha të krishterimit në rajon.

Historiku i gërmimeve mbi Dalmacë

Më 6 janar të vitit 1898, konsulli francez në Shkodër, Degrand, dha njoftimin i pari në një ekspoze të lexuar në Akademinë e Mbishkrimeve në Paris për zbulimin e bërë në Koman; për varrezat misterioze në Shqipërinë e Veriut. Ai ishte i pari që ndërmori udhëtimin drejt këtyre varrezave i shtyrë dhe nga banorët vendas, të cilët rrëfenin për një mal si "mali i varreve"; për një kështjellë me emrin "Kalaja e Dalmacës" e për një pemë me gjethe të arta, e cila në rrënjët e saj ruante një thesar. Por Degrandi nuk gjeti asgjë veç varreve. Pasi hapi disa prej tyre, mblodhi rreth 130 objekte arkeologjike, të cilat më pas i dërgoi në muzeun Sen Zhermen në Paris. Pas Degrandit, është radha e

prehistorianit gjerman, Treger, i cili në vitin 1900 hapi 10 varre dhe i mori për studime, duke i çuar në Berlin. Më pas, ekspedita në kalanë e Dalmacës vazhdohet më 1924 nga arkeologu italian, Ugolini, i cili dhe ai hapi disa varre dhe mori materiale për studim. Me një ritëm më të ulët më pas është vazhduar studimi i varrezave në kalanë e Dalmacës nga studiues të huaj, si italiani Mustilin, gjermani Werner etj. Nga periudha 1930 deri më 1961-in, varrezat e kalasë së Dalmacës janë gjurmuar nga arkeologë shqiptarë. Vlen të përmendet puna e bërë nga gërmimet e Komanit dhe formulimin e tezës së Komanit si kulturë më vete, e studiueses dhe arkeologes Hana Spahiu. Megjithëse janë hedhur shumë teza dhe mendime në lidhje me prejardhjen e këtij populli që dikur rronte në kala, ajo që është provuar në mënyrë shkencore nga arkeologët tanë, është se njerëzit që jetonin në kulturën e Komanit, rrënjët e thella të tyre arrijnë deri tek ilirët e hershëm. Fakti i një vendbanimi prej guri i përdorimit të metalit, ndërtimi i shumë kishave dhe varrimet e të vdekurve që bëheshin me rroba e me stoli, të gjitha këto në një Mesjetë të hershme, flasin qartë për zhvillimin ekonomik tejet të lulëzuar për kohën e të parëve tanë. Arkeologët zbuluan këto ditë se përpara 15 shekujsh të parët tanë kishin shtëpi prej guri, jetonin në gjendje të mirë ekonomike, punonin dhe eksportonin hekurin, e mbase jetonin më mirë sesa disa familje sot.

E vendosur në një lartësi 600 m mbi nivelin e detit Kalaja e Dalmacës, poshtë këmbëve të së cilës vazhdon rrugëtimin Drini i gjatë, është pika nga ku shihet Shurdhaja, Danja dhe Rozafa nga njëra anë dhe alpet nga ana tjetër; jo më me krenarinë e varrezave të zbuluara vite më parë, por me krenarinë e një qytetërimi të hershëm, model për t‘u pasur zili, të zbuluar vetëm pak ditë më parë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora