Kulturë
Daut Gumeni - poeti që mbushi qelitë e burgjeve me këngët e lirisë…
E hene, 23.06.2008, 07:00 PM
Zemra Shqiptare Ekskluzive
Daut Gumeni
Nga Ylli Hoxhaj
U lind më 11.03.1943 në Gusmar, Tepelenë në një familje me tradita atdhetare. Në vitet 1957-1961 mbaroi me rezultate të shkëlqyera shkollën pedagogjike ” Pandeli Sotiri” në Gjirokastër. Që në shkollë i shfaqi idetë e tij kundër ideologjisë komuniste. Në këto vite filloi të shkruajë poezi e të konfrontohej me skematizmin e letersise së realizmit socialist. Nuk iu dha e drejta e studimit për letërsi, veç në kursin një vjeçar për matematikë-fizikë (1963-64), në Institutin ”Aleksander Xhuvani”-Tiranë. Në vitiet 1961-1967 punoi si mësues i matematikë-fizikës në rrethin e Tepelenës. Ishte 24 vjeç, kur, në vitin 1967, arrestohet për agjitacion e propagandë kundër Partisë e Pushtetit Popullor dhe për 23 vjet e gjysëm, vuajti dënimin e rreptë të të burgosurit politik, deri në vitin 1990. Një nga kryeakuzat ishte se kishte shkruar poezi reaksionare: antikomuniste e antisocialiste.
Në vitet 1991- 1993 do ta gjejmë mërgimtar në Itali. Kur kthehet, në vitin 1993, për të ndihmuar proceset demokratike të kohës, boton gazetën ” Populli-Po”, duke qënë edhe Drejtori i saj. Në vitet 1994-1995 drejton Shtëpinë Botuese ” Naim Frasheri ” Tiranë… Në vitet 1997-2000 kryen detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Presisdencës së Republikës së Shqipërisë, por nuk qëndron gjatë dhe jep dorëheqjen vullnetarisht. Ngarkohet me detyrën e Ambasadorit të R. SH. në Slloveni në vitet 2000-2003. Në vitin 2004 emërohet Konsull i Përgjithshëm i R. SH në Janinë. E heqin nga kjo detyrë pa ia komunikuar arësyen. Kthehet në Tiranë dhe që nga ky vit nuk iu ofrua ndonjë punë.
Daut Gumeni nuk ka reshtur së shkruari poezi, prozë, shkrime publicistike, ese letrare e sociologjike, shkrime historike e politike, kujtime të jetës e të viteve të burgut, përkthime nga frengjishtja, italishtja e sidomos nga anglishtja. Edhe pse pjesa më e madhe dhe më e ndjeshme e krijimtarisë së tij lindi në qelitë e burgjeve, aty, prapa hekurave të kryqëzuara të të burgosurit politik, megjithatë, ajo shpreh e përfaqëson pjesën më cilësore, më njerëzore e më atdhetare të një krijimtarie të vërtetë bashkëkohore. Ai ka tejkaluar meskinitetin e sharjeve e të mallkimeve, të klithmave për urrejtje e hakmarrje,dhe, duke sjellë një realitet të dhimbshëm dhe të kobshëm, të përjetuar vetë në ato vite, na tregon si duhej ta kishim përballuar e si duhet ta kapërcejmë tani të keqen e madhe që i solli kombit Diktatura komuniste.
Ai vjen si një individualitet i veçantë e i kompletuar.Përfaqësimi i një pjese të vogël të krijimtarisë së tij në faqen: ”Zemra shqiptare”, është këmbëngulja e miqve të tij për ta bërë të njohur më tej këngëtarin e Lirisë.
Tërë rinia dhe po thuaj edhe jeta e tij i kaloi burgjeve të komunizmit.
Ai përfaqëson denjësisht ata djem kryengritës e shpirtzjarrtë, ata martirë që sfiduan me dinjitet, largpamësi e inteligjencë Diktaturën komuniste, genocitin barbar të saj, duke e mposhtur atë me shpirtin liridashës, me sakrificat e paçmim e me besimin e patundur te Dielli i Lirisë. Në një nga krijimet e tij në burgjet e komunizmit, ai shkruan: / Po plakem djalë i ri,/ s’ gëzoj që loz me vdekjen mbyllasyzi / por s’ dua as t’i lidh sytë me shami…/ ……. Kënga e tij është Liria:
” më shumë se Liria
Skllav s’ më ka njeri !”
-Botimet:
- ”Legjendë Lirie” 1993-vëllim me poezi
- ”Kënga e Zezakut të Bardhë” 1994-vellim me poezi
- ”Vallja e Etjes” 1996 – vellim me poezi
- ”Udha e Endrrës” 1998 – vëllim me poezi
- ”Mulliri i harruar”, tregime, 2007
-Përkthimet:
- ”Epoka e Ekstremeve” (“I Rrëmbyeri Shekulli i Njezete”)-
nga Erik HOBSBAUM
- ”Udha drejt Skllaverisë” – nga Fridrich HAYEK
- ”Mendime mbi Revolucionin Francez”2007,nga Edmund BURKE
- ”Mbrëmje në pyjet me bore” –2007, përmbledhje poetike –përkthime
nga poezia botërore
- ”Në kërkim të kuptimit të jetës”, V.FRANKL, 2007
- “Si veprohet në një projekt shkencor” J.BELL, 2008
Poezi:
( nga ’’Kënga e zezakut të bardhë“)
Sytë
Kur lejmë
I çapëlejmë t’ua derdhim krejt habinë
T’i mbushim dritë.
Kur themi “njohim veten“
Na shkon një pupël nate nënë ta
Një larëzë hije në mesditë.
Kur plakemi
I picërrojmë keq
I mbushim rrudha:
Kërkojmë kot në horizont çfarë ëndërruam,
na dhemb shpirti për gjithë ato që pamë,
apo na lodhi udha?!.......
Tiranë,15.05.1993
Natën e mirë
Kapitem , kotem në mendime
Vetëm në terr bodrumi,
Ç’ më bëni roje mor kujtime,
si nuk ju zuri gjumi?!
Ku janë miqtë e mi të fëminisë?
Ku jeni mor vëllezër vogëlushë?
Ju sjell në sy në terrin e qelisë
Malluar jam t’ju puth, t’ju marr në gushë.
O miqtë e mi të çapit fëminor
Malluar jam t’ju shoh, t’ju puth në buzë
Pas rrjete ndjej agimin pranveror
Dhe vargjet i rreshtoj mbi aktakuzë.
......
Pa eja, faqekuqi i tetos sime,
Një dorë misër merrna për trumcakë
Me dhëmbë hiq një gjemb nga këmba ime,
Të bredhim tok Dërrasës zbatharakë.
I trendafilti Meto m’ erdhi brenda,
Me sytë dritëembël xhevahirë,
Më ndrit në terr, më ndrit të ngrohet kënga
Në gjoksin tim, Meto, natën e mirë!
……
O mikja ime e fëminisë,
ta dije ku kam rënë!
Kaushi im kazan me pisë
Më bluan si me dhëmbë….
Nuk e harroj dot dhembsurinë
Plot çiltltërsi që pate,
Ndaj dhe këtu ma ndrit qelinë
Ma mbush lulelofate....
......
Kapitem, kotem në mendime
Vetëm në terr bodrumi...
Ç’ më bëni roje mor kujtime
Si nuk ju zuri gjumi?!...
Burgu i Tiranës-1970
Kuku-kuau!....
Përse këndon përmbi qeli,
E di moj kukuvajkë, e di:
Kur mbulon natën errësira
Vret ëndërra nata, vret dëshira...
.....
O zogu i territ, ç’ më ndjell ti?
Nga ku kam rënë s’ ka më zi
S’ vjen më trumcaku në dritare,
ma trembe ti , ma humbe fare.
E ç’ më këndon përmbi qeli?
S’i trembem vdekjes, jam i ri.
Mos u lodh kot natë për natë,
Nuk është e imja kjo mandatë…
Kur ndjen agimin errësira,
Zgjon endrra nata, zgjon dëshira,
Ndaj ” kuku-kuuau-kuau” shkoi
E vrau drita e verboi….
Burgu i Tiranës,1970
Me lebërit këndoj
Shokë malli më ka marrë
M’u dogj shpirti përcëllimë
Për një labçe zvarrë-zvarrë
Valështruar logorimë,
qysh shkon gurra zallit bardhë
me të ëmbëlën gurgullimë.....
Nuk vras veten me të qarë,
kënga ma rinon fuqinë,
nuk kam ç’ të vajtoj më parë
kusuret jetën ma nxinë.
Nuk kam lot më janë tharë,
dua këngën e rakinë!
............. * * *
Kur këndojnë fshatarët e mi,
kanë një „kuluf“ më tepër në këngë
kanë zemrën time që turret për n’ atë iso
me gazin e dhenve për në gurrë,
e ndjen marrrësi sapo nis zënë
i lot në grykë si zog atij që ia kthen
e njeh me vrrul hedhësi i thekur,
si ferishte të vetën e lan isua në shkumë…
kur e ndezin me zemër “ kulufët” e mi,
një gjuhë flake më shumë e kanë zërin tim në zjarr të këngës
se i kam mbledhur zërat e tyre për këngët e mia
siç mblodha logrimat e mëmës!....
Burgu i Burelit, 6.9.1985
Shtërgu i fundit
(Lazgush Poradecit)
Ah! Dora e plakur si s’t’u drodh
kur mori lirën magjiplote?
S’ e theve, dora si s’ t’u drodh?
Qysh ta duri zemra jote?
“ Me zjarr ju flas me zjarr“
Ç’ më pati balli yt krenar?
Bilbil i “ Këngës Pleqërishte”
Që hodhe valle tok me lule,
Violina e fjalës dhëmbshurishte
Mbi tela harkun qysh e ule ?
” Me zjarr , ju flas me zjarr”
Ç’ më pati balli yt krenar?
Ç’ ia the , ç’ia the krua më krua,
Kur i the popullit: të dua!
Se dolla nga këngët e tua,
Të tërin prapë më ke mua!...
“ Me zjarr ju
Ç’ më pati zëri që t’u var?!
Në Mal të Thatë me verinë,
Ia morët tok për dashurinë,
Me mollët tok e çelje gjinë
Tok me zambak e trëndelinë…
”me zjarr ju flas me zjarr”
Ç’ më pati zëri që t’u varr?!
………..
Liqeni i thellë-kthejlltërsie
Të mbushte me gëzim fëmije,
I more pika kaltërsie,
Ia shkunde perla poezie…
” me zjarr ju flas me zjarr”
Ç’ ma uli ballin mendimtar?
Ti lira jonë mjeshtërore
Ti mall i zjarrtë dashuronjës
Ti shpirtfatosi , ti?
Ti kryelarti-majëbore,
Ti zemërdeti uturonjës,
Ti shtërgu i fundit, Ti!...
Burrel, tetor 1974
Një këngë
Në shkallët vite sot ngjita edhe një
(një hap më afër heshtjes së përjetshme)
përpara:
ndjej të ftohtën erë të mosqenies,
pas krahësh:
ditët frymëzena,
ditët me këmbët gjak
ditët syrrëmbushura
ditët e mërdhihura
të urëta
ditët zemërrënda…
Nga vitet si qirinj
M’u shua sot dhe një…
Gëzova?
Më erdhi keq?...
Ç’ të them për jetën kur nuk e kam parë?
Po plakem djalë i ri,
S’ gëzoj që loz me vdekjen mbyllasysi
Kur njerëzimi qe fëmijë
thonë,
e para britmë e foshnjës pritej me vajtime…
Dhe këngë e valle ia linin për te varri,
( sa mundimzezë paska qenë jeta
Si mijëra vjet më pas dhe jeta ime!)
ndaj
Në m’u ndeztë dhe mbi varrin tim një këngë
Do më bëhen “ah”-et lule mali..
Burrel,11.3.1975
Në ëndërr
Më doli prap në ëndërr
Shtëpia përdhese mbi Dërrasë,
Me të dy ledhet-lehë
Si dy govata guri të mbushura me dhe,
(dheun gjithnjë të paktë).
Gjithë jetën e malluar për një lehë dheu të shëndoshë,
Gjithë jetën e malluar për djemtë,
E dhembsura gjer në flijim,
T’ erdha atje…
Avllinë e gjeta pllakandritur
Si të lëmuar nga pëllëmba jote,
Si të lëpirë nga gjuha e varfërisë.
Dhe më vjen turp që s’gjej në trastën time t’ udhës
As dy kut basmë, o mëmëzeza,
M’atë të zezën tënde të shamisë!
Të dridhen supet kur të përqafoj
(të shtenjtët sa të paktë)
Më dridhet zemra sa më zihet fryma
E më vjen rëndë që jam gjallë
E dot nuk të gëzoj!
Asnjëri, s’ flasim dot,
sikur të ishim të gurtë si Dërrasa.
Matem...mbytem...
trembem mos të dhembin supet eshtakë,
I gurtë zgjohem
Dhe jetë e endërr më bëhen njësh me atë pllakë.
Burrel, 15.3.1977
Lulekuqe-lulegjake
(Një lulekuqe që mbiu pa pyetur në zonën e ndaluar
të oborrit të burgut e shkuli policia popullore…)
Lulekuqe-lulegjake
(që kur nuk të kam pare!)
Qysh mbive ti në atë lehë me hije të lagësht të mbuluar?
Lulekuqet sikur përlqejnë më shumë gërmadhat
Dhe arat me grurë…
Qysh gjen lëng jete ti
në atë lehë për jetën të ndaluar?.....
Lulekuqe-lulegjake,
I kujt është ai gjak që të ndez faqet?
Po sytë e zinj të pikëlluar?
Motërzat e tua në grurë
E mbajnë kryet ulur si për nusërinë…
Ku e gjen forcën kërcelli yt i brishtë
Që nuk di të përkulet?
Kush ta jep , moj nusezë , krenarinë?
Në atë lehëzë të ndaluar
Kam këputur më të çelur
fletë e lule tërfili,
Kam këputur me gaz
Edhe një miturake blu si bebez vogëlushi,
Po ty vetëm të përshëndes
Me nderim e zemër të rënduar:
Dëgjoj një ligjërim të thellë nga ajo gojë e kuqe
Një ligjërim me gjak të shkruar…..
…..
Me atë mall që kam për fëmininë,
Dua të mbledh edhe lulekuqe
por…
këtë krenari të gjallë gjaku
që mbiu duke grisur hijen e murit,
që s’ pyeti vdekjen për të lulëzuar,
vetëm e përshëndes
dhe ligjërimi i saj pa fjalë
gjakut m’i jep vrrull për të kënduar!….
Sot në mëngjes nuk të përshëndeta dot
e gjakta lulekuqe!
(Ç’u bëre që të shkulën me rrënjë?!)
Qëndroj përpara vendit ku krenaroje ti
Si përpara një varri të hapur…
dhe ligjërojnë prapë syt e tu të zinj
fytyra jote e përflakur:
”…rrënjët që kam në zemëra
Nuk kanë fuqi të m’i shkulin rrënjëngrënët nga frika,
Ata që lehën e vdekjes
E kanë arë buke!”….
Burrel, 12. 08. 1981
Poezi të tjera:
Të falem dashuri
” U bëra prapë djalë i ri , sill verë!”…
Khajami
Seç kam një vrrull në gjak
që më kthen në të ri,
Të falem dashuri!
Dhe plagët më pushojnë
hukatur dhembshuri,
Të falem dashuri!
Dhe sytë më kthjellohen;
s’e paskam aq të zi,
Të falem dashuri!
Më lahet dhe mëria
dhe ndihem më i ri,
Të falem dashuri!
Dhe mendja merr guxim
Si të mos kish kufi,
Të falem dashauri!
Nuk jam më i penduar
që s’ vdiqa më i ri,
Të falem dashauri!
Se vonë e mora vesh,
që në thelb je liri,
të falem dashauri!
Guri i Naimit
Në shpat të Kokojkës
Guri i Naimit
me vështrim prej njeriu...
Endrrat e poetit djalosh
përkunden tani me shpirtin e tij
në rreketë e kulluara me ujë lajthie,
ëndrrat e poetit të ri
rrahin krahët nëpër gjethe
me një zog të vogël
për të gjetur një fyell
Në shpat të Kokojkës
Guri i Naimit të vështron i çuditur
në mes të dy bunkerëve(!)…
Guri i Naimit
gjithnjë aty
të vështron dhe mospërfillës
si një shqiptar kryengritës
midis dy jeniçerëve.
Frashër, maj 1998
*** *** ***
Muzgu e rrit rrëmbimin e Vjosës
Sikur s’i rrihet valës në tokën e mëmës(!)
Rrëshqasin me llapëtima peshqit e vegjël
tek lozin në valë
me grepin e hënës...
Ç’i gënjen rrëmbimi peshqit e vegjël
Në këtë muzg vjeshte
Si vala e jetës ëndrrat rinore
të zemrës!
Me kë qesh më shumë vala e ftohtë e lumit
këtë muzg,
me peshqit e vegjël
apo me grepin e hënës?...
nëntor , 1996
Këmbim vitesh
Ç’na kap kështu
në këmbim të viteve?
Gëzojmë që kemi shpëtuar
apo përpiqemi të djegim natën
me fishekzjarre?
Ç’na kap kështu
në këmbim të viteve
sa harrojmë të shpiem
dhe nga një lule në varre?...
nata e Vtit të Ri 2007, Tiranë
Gusmar
Gusmari -
malli për ata që më rritën
me dritën e luleshqerrave
kur pranvera më gjitet në male
me këngën e qyqes.
Gusmari –
malli për ata
që më mbrojtën me jetën e tyre
edhe nga zjarri i luftës
edhe nga shtrembërimi i kockës.
Gusmari –
malli im për bukurinë e përjetshme
të shpirtit njerëzor,
malli që më lan dhembjet e zemrës
me dhembshurinë e nënës,
malli që më heq barrën e viteve
me magjinë e ëndrrës…
Fshehur pas mollokëve
Gusmari –
ca shtëpi të vogla
të ringritura me gurë të djegur
rrethuar me ato arëza të harruara
dhe me udhët e shuara
për në stanet e shkreta…
Gusmari im –
djep i gurtë
mbështetur pas kodërzave të shtufta
nën malet me ballin në borë.
Gusmari im –
Shqipëria e vogël
me male të rënda
si brengat,
me plagë të thella
si honet…
me dije të pakët
si ujët në ara
me ëndrra të bukura
si yjet,
me shpresa të prera
si pyjet…
me cene të fshehura
si shpellat e sterrat,
me meshkuj pa kockë
si shtogjet,
me burra të rrallë
si togjet,
me varre të humbura
si librat…
me vajza të plakura pa ditë
nga nënshtrimi,
me nëna të mëdha
të lodhura logorime…
me fëmijë të përpishur nëpër botë
duke rendur pas ëndrrave
të trembura,
me dashuri të përqeshura
nga sy të palarë,
me këngë të rënduara
me të vrarë…
Gusmari im i humbur mes maleve,
kur të shoh tek të shuan ashtu
shkretëtira e gurtë,
dhembja më bën një kalama të trembur
malli më bën një plak të marrë.
Djepi im i gurtë
i humbur atje mes maleve të thata,
i mbajta me vete udhëve të botës
vragat që më lanë dikur gurët e tu
në këmbët e zbathura,
i mbajta me vete vragat që më lanë në zemër
vajet ngjethëse të mëmës
për t’i kthyer në këngë
dhe m’u bënë dritë në netët e gjata
dhe më ndihmuan të qëndroj më këmbë.
ALI PASHE JANINA
“Një vezir në Tepelenë
Gjarpëri që drodhi dhenë”
-populloure-
Dy varre Ali-tufani
dy varre Ali Veliu,
në njërin prehet luani
në tjetrin prehet njeriu.
Një jetë Ali Tepelena
një tjetër Ali Janina,
një endet nëpër legjenda
një digjet në vetëtima.
Me dy varre Ali-gjëma
dy varre Ali-stuhia,
në njërin s’i ndahet nëma
në tjetrin fle historia.
Një jetë këngët e gjalla
tjetra ndizet në beteja,
njëra humbet në përralla
tjetra në kohët e reja.
Me dy varre mërgimtari
s’prehet dot në Tepelenë,
dy varre Ali-shqiptari
“gjarpëri që drodhi dhenë”!...
Kokën ta priti Stambolli
se me të pritej tërmeti,
në një varr fle Ali-gjoli
në një gjëmon Ali-deti.
Dy puse me yje
Gëzimin e fluturimit
e kërkova një jetë –
e gjeta vetëm n’ ëndërr.
U përpoqa një jetë
të shpëtoj nga pafuqia
për të mbledhur lajthitë
e pjekura në lirinë e greminës –
dëgjova përqeshjen e erës së ftohtë
të humnerës.
Renda një jetë
pas dritës së bukur
që ka e qeshura e vogëlushit
kur i jep në duar lepurushin e egër
të kapur në arën me thekër –
ma mbulonte përherë si re
shamia e zezë e nënës.
Kur udha më humbte
në mugun e të panjohurës
si në pyje,
kur mbetesha më këmbë
sa për të mbledhur veten
e sa për të shplodhur vështrimin,
ma dogjën natën m’udhë
dy gurgullima të ëmbëla drite,
sytë e bukur që kam kërkuar një jetë –
dy puse me yje!...
Mbremje pranverore
Me mbrëmjen tok
era e luleve të para
mezi ngjitet e drojtur
gjer në Ligadhe.
Janina sonte sikur po qesh me dhembje
tek merr e jep me dritën
si një çupërlinë,
tek merr e jep me natën
si një zonjë e madhe…
Ja dhe Ishulli i vogël i Pashait
si përpiqet të mbulohet me natë
e të duket
herë një anije e mbytur qëkuri
herë një molusk i rrallë…
Këtë mbrëmje pranvere
Janina në krah të Dodonës
përndizet buzë liqenit -
herë një fjongo drite
herë një prush në valle…
Janinë, Prill 2004
Nganjëherë…
Nganjëherë
më ikin fjalët
dhe mbetem si lisi në dimër,
më rreh thëllimi
si lisin pa fletë.
Nganjëherë
më humbasin fjalët
si gjethet e lisit në dimër,
nxihem tok me degët
nga era e borës.
Nganjëherë
më harrohen fjalët,
më harrojnë dhe dhembjet e mia,
nuk e marr vesh dot
si më gjen pa fjalë
dhembja e botës…
Nganjëherë
përse më ikin fjalët
nuk e di as vetë.
Rënojat e Dodonës
Rrënojat e Dodonës
mbuluar me një heshtje hyjnore
në prehër të maleve.
Në rrënojat e Dodonës
paska mbetur gjallë
vetëm dhembja njerëzore
që lëshojnë gurët e varreve.
Heshtin si gurët
lisat e shenjtë
që flisnin dikur.
Gjuha e gjetheve
që parathoshte Fatin
ka humbur në qiell
me fluturimin e pëllumbave të vrarë…
Nga skena e shkretë e teatrit antik
avullon me vesën e natës
jehona e një vargu
kënduar dikur nga Kori i lashtë:
“njerëzimi është gatuar pak i mençur
e shumë i marrë”…
Rrënojat e Dodonës
si madhështia njerëzore-
një grumbull gurësh të djegur
përhumbur në amfiteatrin e madh
të maleve.
Rrënojave të Dodonës mijëravjeçare
u paska mbetur hyjnore
vetëm dhembja njerëzore
e varreve.
Janinë, Mars 2004
Pëshpërisin rrepet e Janinës…
Ku është rrapi i Bilbilejve,
mos e kanë prerë rrapin e trimave?
Nëpër degët e zhveshura
vërshëllen era e dimrit:
“Ulëret panja në Nenë”…
- Në cilin prej jush
i kanë varur të parët e mi?
Nëpër degët e rreshkura
mërmërit era e dimrit:
“Taren me Xhafer Gumenë”…
- Ç’është ajo degë rrapi
gjysmë e tharë,
e prerë si dorë e gjymtuar?
Ngjethet i gjithë rrapi e murrëtohet,
kërcasin degët nga era e dimrit:
“Leskodukajt në Bolenë”…
- Pse s’më thoni cili është rrapi i Bilbilejve,
mos e kane shkulur me rrënjë
rrapin e gjëmave?
Me erën e dimrit
pëshpërisin rrepet e Janinës,
si dikur lisat e shenjtë të Dodonës:
“Vanë,vanë Bilbilejtë…
“Vanë e në këngë u kthenë”…
Janinë, janar 2004
Mirëdita!
Mirëdita,
të mirët e mi!
Këtë ditë plot diell të ëmbël
ia paska dhënë Janarit
Prilli juaj
kur ngjitet pranvera në male!
Mirëdita,
të shtrenjtët e mi!
Vij gjithnjë tek ju
i ngarkuar me mall
dhe marr gjithnjë me vete
si bukë për udhë,
një vetull nga dielli i paqtë
i të Mirës
që tok me jetën
me falët.
Ditën e mirë,
të mirët e mi!
Gusmar- 09.01.20
Këta qiparisë të vetmuar
Këta qiparisë të vetmuar -
pena të gjelbërta
që shkruajnë në qiell
një lutje për paqe,
një lutje të heshtur
për të falur mëkatet tona
njerëzore.
Këta qiparisë të vetmuar
të ngritur lart mbi kodër -
penela të mbushur në të gjelbërt
që pikturojnë në qiellin kaltër
shpresën e përjetshme
për të jetësuar ëndrrat tonë të fshehta
që buisin në heshtje
me mbrëmjen verore.
Këta qiparisë të vetmuar
hidhen në qiell
të shkruajnë poezinë
që zien në rrënjët e tyre
në thellat e dheut.
Këta qeiparisë të vetmuar
zgjaten për në qiellin e mbrëmjes
për të krijuar pikturat
që fërrmojnë në rrënjët e tyre
në thellat e dheut.
Këta qiparisë të vetmuar…
U mbyt hëna!
Hëna sonte
ngutet të nbytet në det,
nuk i sheh dot të verbuar nga tymi
sytë e bukur të qiellit!
Hëna sonte
ngutet të bëjë dritë
për mërgimtarët tanë
të mbytur në det
udhës për prapa diellit!...
Hëna sonte
ngutet të mbytet në det,
mbi këtë shkëmb të kripur
lutem kot që ajo mbytje të ndalet!
Hëna sonte
turret të mbytet në det,
nuk i sheh dot njerëzit
të djegin malet!...
Hëna sonte
nuk qenka ai trupi i ftohtë qiellor
që merr dritën hua.
U mbyt hëna!
Hëna sonte paska marrë flakë,
se nuk e sheh dot më
këtë vend të bukur
të vuajë për ujë e për dritë,
të vuajë për punë e për udhë të paqta!
…………………………………………………
Hëna sonte
vërvitet në det
për t’u mbytur
jo për t’u larë!
U mbyt hëna !
Një lëmsh prushi
i këputur nga Malet e Vetëtimave!
Kjo hënë e pabërë
qenka një zemër e zjarrtë
që rrokulliset të mbytet
në det
se nuk e sheh dot më
këtë vend të bukur
një fshat me të marrë!...
Himarë, gusht 2007
Mërmërimë malli
(Më ka marrë malli shumë)
Popullore
E për ç’ nuk të mori malli
zemëro,
zemër mos rënko
si mali duro!
Rrih e qesh me dritë loti
fatin e bën vetë i zoti...
Për qiell,për erë mali
Zemëro,
Zemër mos rënko
Si mali duro!
Rrih e qesh me dritë loti
Fatin e bën vetë i zoti…
Të lahesh në këngë bari
Ku burojnë yjet nga zalli
Yjet mbi majat ku rrinë
Shpirtit të t’i lajnë synë
Zemëro,
Zemër mos rënko
si mali duro!
Rri e qesh me dritë loti
Fatin e bën vetë i zoti…
Burgu i Burrelit,4.6.1986
Mëngjes vjeshte në Gramoz
Malet e Gramozit
me brymën e mëngjesit
hidhen në diell
si palë fustanelle.
Ca re të bardha puplore
ikinqetë tutje për në jug-
kullosin nëpër qiell
jehona blegërimash
të tufave me dele...
Nëntor ,1996
Stinët e yllit
Kujt nuk i përflak
ëndrrat më të bukura të rinisë
ylli që qesh me lotë drite
në qiellin magjik
të natës së verës mbi male?
Kush nuk e hap gjinë
për yjet që pikojnë si fruta
nga qielli i tropikut
në netët e gjalla
kur zjarri i jetës
nuk trembet nga koha?
Në një natë vjeshte
me qiell të trazuar
kujt nuk i lot zemra
për yllin e vogël
që duket e zhduket nëpër re
si një sorkadh i trembur nga gjahtarët?
Në një mëngjes të ngrirë dimri
kujt nuk i ngjall dhembshuri
një yll i largët
i përgjumur
i varur në qiellin e zbërdhylët
si një lilë qelqi?
për atë dritë të paqtë
në të gjitha stinët e yllit?…
Mars,2004