E diele, 28.04.2024, 09:13 PM (GMT+1)

Kulturë

Shpërthimi i dytë i Alban Skënderajt

E merkure, 25.06.2008, 08:49 PM


Kantautori i njohur flet për klipin me titull "Afër dhe larg", tregun muzikor në vend, jetën në Shqipëri, atë të natës dhe paratë

Alban Skënderaj, djali me zërin melodioz dhe paraqitjen "trendy", që me këngët e tij bëri të ëndërrojnë me qindra vajza shqiptare, është gati të shpërthejë me albumin e dytë, i cili në fund të qershorit pritet të hidhet në treg. Një sprovë e vërtetë kjo për Albanin, pas suksesit të albumit të parë dhe melodive të bukura që rrodhën prej tij. "Larg dhe afër" është kënga dhe klipi i parë promovues i këtij albumi, i cili shpejt do të pasohet edhe nga këngë të tjera, për të cilat kantautori deklaron se përbëjnë një hap më profesional në karrierën e tij. Klipi i ri, opinionet e tij për muzikën, planet frymëzuese të së ardhmes.

Përgatitja e albumit i ka marrë shumë kohë kantautorit të ri, por mjaft të njohur shqiptar, Alban Skënderaj. Pas disa muajsh punë intensive, e shohim të rikthyer në Tiranë, me albumin e përfunduar, gati për promovimin e tij. Koha e qëndrimit, kryesisht në Gjermani, ka bërë të mundur që Albani të finalizojë albumin, në të cilën pretendon që njerëzit të mos gjejnë vetëm një ose dy këngë që të pëlqehen dhe të tjerat të kapërcehen sikur të mos ishin fare, sikurse ndodh shpesh me albumet, por të jetë i tëri një album i pëlqyer, ku çdo këngë të mbetet si melodi e bukur në buzë. Përveç albumit në Gjermani, duket se për Albanin ka zënë fill edhe një ndjenjë e bukur me këngëtaren Miriam Cani, por që këngëtari, përveç se pranon miqësinë me të, nuk pëlqen të bëjë komente për një lidhje, e cila, gjithsesi, ngelet enigmë.

Sapo keni hedhur në treg klipin me titull "Larg dhe afër"...

Shpresoj që të pëlqehet, sepse është punuar me dashuri; s‘është një këngë komerciale, por një këngë që e kam bërë për qejf, për të ardhur në një tjetër formë te publiku. Është një këngë rok, me temë sociale, kështu që s‘mund të jetë kurrsesi komerciale. Kështu e kam unë: i bëj gjërat kur e ndiej dhe njerëzit që e pëlqejnë muzikën do të mbeten të kënaqur edhe kësaj here. Natyrisht, sezoni i verës është i favorshëm për prodhimet muzikore, jo vetëm sepse në këtë periudhë konsumohet shumë muzikë, por edhe se vijnë emigrantët nga jashtë e albumet shiten.

Kur do të shohim një këngëtar shqiptar të parakalojë në tapetin e kuq të MTV Awards?

Çështja është se mund të kesh ose jo talent. Ndodh që e ke talentin dhe meriton të parakalosh në atë tapet, por kjo s‘mjafton. Jashtë është një treg i egër dhe fati luan rolin e vet. Ka shumë rregulla, të cilat janë të rrepta. Andej artistin e shohin gjithmonë në formën e euros dhe muzika është komerciale, po jo në atë formë që interpretohet në Shqipëri. Komerciale në muzikën botërore do të thotë të shitesh mirë, të mbledhësh shumë njerëz në stadium, apo sallë kur këndon dhe të shesësh disqe. Kurse këtu te ne, komercialiteti nënkupton muzikën banale. Për të qenë komercial nuk mjafton të jesh artist apo të kesh talent, por ka rëndësi menaxhimi. Punohet shumë në çdo drejtim dhe për çdo detaj nga i gjithë stafi. Kjo ka të bëjë në radhë të parë me imazhin tënd, cili do jesh dhe ç‘vend zë në treg. Zakonisht të favorizuar në këtë lloj tregu janë njerëzit origjinalë dhe origjinaliteti i tyre shet. Por, pavarësisht se duhet të ruash stilin tënd, ka të tjera gjëra që duhet t‘i modifikosh.

Do ishit gati të ndryshonit rrënjësisht për të ecur në këtë treg?

Jo, por do bëja kompromise me gjëra të vogla. Do bija dakord disi për rrymën, lukun, por nuk do bëja dot kurrë marrëveshje dhe lëshime për sa u përket teksteve. Ajo që më pëlqen shumë në mënyrën si punojnë jashtë, është se ta thonë menjëherë në sy nëse u duket diçka e bukur, apo aspak e bukur. Dhe nuk mjaftohen thjesht te gjykimet, por të japin gjithashtu këshilla dhe ide se si një krijim mund të bëhet më tërheqës. Për fat të mirë, unë jam natyrë e hapur dhe i mirëpres këto këshilla. Di të punoj dhe të besoj se artistikisht kam dhënë maksimumin tim. Ajo që mbetet, është çështje menaxhimi.

Fillimet tuaja në muzikë nuk kanë qenë kaq të suksesshme. Ju dorëzuat këngën "Vetëm ty" në festivalin e dhjetorit, por jua refuzuan. E përjetuat keq këtë zhgënjim atëherë?

Në dhjetor ma refuzuan këngën dhe po në dhjetor ma pranuan këngën te "Top Fest"-i, kështu që nuk pata kohë të zhgënjehesha. Pastaj nuk e konsideroja Shqipërinë si një vend që do më jepte kaq shumë, kam marrë më shumë nga ç‘prisja. Ideja ime ishte thjesht të argëtohesha pak, të sillja thjesht një këngë, pa pritur asgjë të madhe si shkëmbim. Kështu që gjithçka ishte një surprizë për mua.

Si ka qenë Albani këngëtar, kur ende nuk ishte ngjitur në një skenë të vërtetë?

Kam kaluar goxha kriza, që në momentin kur shikoja se gjërat nuk po ecnin në rrugët që kërkoja, apo mënyra se si po më ecte jeta nuk ishte ajo që ëndërroja. Ndodh të pyesësh veten: "Ej, a do ndodhë diçka më e mirë se sa kaq? A do arrij t‘i realizoj ëndrrat e mia?" Këto pikëpyetje kanë qenë pjesë e jetës sime dhe vazhdojnë të jenë, sepse pas çdo arritjeje, i vë synime të reja vetes dhe vazhdoj të shqetësohem sa do të realizohen ato. Por tani ndihem më i realizuar, kurse atëherë isha adoleshent, mosha perfekte për kriza.

I këndonit tekstet tuaja kur ishit vetëm në dhomë?

Sigurisht, këtë e kam bërë gjithmonë. Orët që kam kaluar me muzikën atëherë kanë qenë të pafundme, në krahasim me tani. Kam nostalgji për ato kohë, do doja t‘i rikthehesha, por kjo është diçka e pamundur.

E ëndërronit që atëherë këtë sukses?

Absolutisht që po. Ëndrrat zakonisht duken të pamundura, por kur i ke realizuar, çuditërisht harron se sa me forcë i ke dashur dikur, sepse gjithçka të duket më reale, më e kapshme. Pikërisht kur je duke bërë diçka, kujtohesh sa e largët të duket koha e ëndërrimeve. Më ndodh që, kur jam duke kënduar, në një fraksion sekonde i them vetes: "Ej Alban, e mban mend kur e dëshiroje këtë skenë? Dhe ja, tani je këtu!"

Dy çmime të para në "Top Fest" janë një motiv për të mos marrë pjesë më kurrë në këtë festival?

Kurrë mos thuaj kurrë! Unë jam shumë i hapur për sa i përket "Top Fest"-it. Ai është festivali që e dua më shumë. Më ka mbështetur atëherë kur debutova dhe më dha besim. Mendoj se ky festival ka një format perfekt për të zhvilluar muzikën në Shqipëri, kështu që ku i dihet, mund të rikthehem me kënaqësi në këtë eveniment. Më tepër si një gjest falënderimi!

Mendoni se ky festival e meriton prapashtesën "i muzikës moderne shqiptare"?

Them se po, në çdo aspekt. Për sa u përket këngëve, skenografisë dhe formulës. Është modern në çdo detaj.

Ju i shkruani vetë tekstet e këngëve. Çfarë ju frymëzon më tepër për të shkruar?

Vetë jeta! S‘ka nevojë që të shkoj më larg se realiteti, sepse nuk jam një Nostradamus që të fantazoj motivet, kur jeta e përditshme na i ofron me bollëk. Ndihem kaq pranë njerëzve, përditshmërisë. Ndihem kaq normal dhe aspak "më i aftë", apo njeri ndryshe, më i rrallë se të tjerët. Nga jeta që bëj marr detaje dhe i përpunoj në funksion të muzikës. Asgjë më shumë! Kam qejf ta përdor strukturën e poezisë për të thënë gjëra shumë të pranishme, të prekshme, por në një mënyrë të paprekshme. S‘jam fort direkt në tekstet e mia, jam më poetik dhe filozofik, paçka se ato që them janë më se të zakonshme. Thjesht s‘më pëlqen të jem shumë banal, apo i varfër në shprehje.

Të bësh poezi, aspak të thjeshta këto, por gjithsesi të këndueshme, është goxha arritje!

Balanca është thjesht çështje njohurie. Mjafton të dish të ruash masën, sikurse dhe ti që e ke kuptuar thelbin e teksteve të mira të këngëve. Në kësi rastesh duhet shumë punë, sepse poezitë s‘janë aq fantazi sa ç‘duken. Jo! Ky s‘është thjesht krijim po një proces i mirëfilltë pune, teknikë. Artistët, sidomos ata si puna ime, kanë nevojë që të mos i kenë të gjitha në vijë, të jenë shumë, shumë mirë që të bëjnë gjëra të bukura. Duhet të kenë disa probleme, po jo shumë të mëdha. (Qesh) Thjesht një artist duhet të jetë vazhdimisht i ngacmuar, i pakënaqur që të ketë çfarë të thotë.

Përvoja ka treguar se kush bëhet menjëherë i famshëm, po aq shpejt del nga qarkullimi. Ju si keni qëndruar në treg?

Duke pasur gjithmonë besim te vetja! Mund të kisha qenë edhe unë një nga ata njerëzit që merren me muzikë që tre vjeç, duke mësuar ndonjë vegël muzikore. Por unë s‘i kam pasur këto mundësi. Ishin vitet ‘90, demokracia, Italia dhe emigracioni. Kështu që u desh kohë që të dilja në sipërfaqe si artist, që të më jepej mundësi të tregoja veten. Mendoj se ka artistë shumë më të mëdhenj se unë që kanë dalë nga hiçi dhe janë bërë legjenda në muzikë. Këtu në Shqipëri shpesh fëmijët e artistëve e kanë pasur më të thjeshtë në këtë drejtim, por tani po hyn dhe te ne ai fenomeni botëror, sipas të cilit gjithkush mund të bëhesh dikush, nëse i jepet mundësia dhe ka brumë. Ka njerëz që deri 40 vjeç kanë larë pjata në restorante e krejt papritur janë bërë yje kinemaje.

Ju pëlqen jeta e natës, pub-et me muzikë live?

Po të jetë fjala për të dëgjuar një kolegun tim, në një vend të qetë ku ka pak lëvizje dhe zhurmë, po. Po për sa i përket jetës së zhurmshme të natës, ka kohë që jam distancuar prej saj. Puna ime është e tillë, që jam vazhdimisht në mes të zhurmës dhe atë pak kohë të lirë që kam, dua ta shfrytëzoj për t‘u qetësuar.

Ku ndryshon kjo jetë nga ajo e Perëndimit?

Asgjë, madje këtu ka teprime. Standardi i jetesës bie ndesh me gjithë këtë luks. Klube të mira ka, por ka pak klientelë që mund t‘i mbushin ato. Më bën përshtypje se njerëz të famshëm, të mëdhenj jashtë shtetit dëfrehen në lokale që këtu i gjen rëndom. Lokale si këto të Tiranës, i gjen pa frikë dhe në Manhatan, Nju Jork.

Jeni maskilist? Një pyetje e drejtë për një mashkull shqiptar…

Absolutisht, madje këtë gjë e vuaj. E vuaj deri dhe te miqtë e mi! Ne shqiptarët kemi tendencën që, kur thuhet ndonjë gjë pro femrës lindin reagime tip "shqyerje sysh" (qesh), kur në fakt bota e ka treguar se meshkujt dhe femrat qëndrojnë në të njëjtin nivel dhe s‘duhet të ketë dallime. Ne si komb duhet të punojmë shumë në këtë aspekt, që nga institucionet deri tek individët.

Ka ndikuar qëndrimi jashtë Shqipërisë për të krijuar këto pikëpamje?

Kështu jam edukuar, e kam spontan këtë qëndrim. Grimca të karakterit të një shqiptari gjen dhe tek unë. E kemi parë gjithmonë femrën si të nënshtruar, por prindërit më kanë dhënë shembullin më të mirë të barazisë mes gjinive. Një arsye më tepër për t‘u shqetësuar nga patriarkalizmi, është edhe fakti që jetojmë në vitin 2008.

Cila është muzika që preferoni?

S‘kam më artistë të preferuar, sepse tani është koha për të vlerësuar punët dhe jo individin. Kështu që kam këngë të preferuara. Kohët e fundit po dëgjoj shumë "Coldplay", japin një show të mrekullueshëm live. Janë zotërinj në mënyrën si japin spektakël. Në disa raste, edhe Xhastin Timbërlejk më tërheq.

Shpenzoni shumë para dhe për çfarë?

Shpenzoj dhe ndonjëherë më shumë se sa ç‘duhet, më shumë se sa do mundesha në të vërtetë. Harxhoj nga pakujdesia dhe sepse bëj një jetë tërë kohës në lëvizje dhe s‘kam një jetë të përditshme, monotone dhe standarde. Shumica e parave më ikin me bileta avioni, fatura hotelesh e gjëra të këtij tipi. Udhëtimet të lodhin ndonjëherë, sidomos në rastin tim kur janë të detyruara. Një udhëtim mund të jetë i këndshëm, kur zgjedh vetë që ta bësh, për qejf, por jo kur ty të flihet gjumë dhe duhet të jesh në aeroport, sepse ke një koncert diku. Kur nisem për diku, përpiqem të marr më të mirën e atij vendi, sepse kjo të rrit dhe të pasuron si njeri.

Cila është këshilla më e mirë që keni marrë nga prindërit?

Më kanë thënë: "Bëj këngë, se ato mbeten. Merru me këtë punë më tepër se me çdo gjë tjetër!‘

Jeni edhe vetë emigrant. Ju bezdis mënyra si trajtohen emigrantët shqiptarë?

E keqja është se kur një emigrant bën diçka të keqe, ia hedhin në sy, kurse 1000 të mira të tij injorohen. Ky është problemi!

Çfarë bëni kur nuk këndoni?

Kur këndoj lodhem shumë mendërisht dhe fiziku rri pasiv, kështu që në kohën e lirë kam qejf të vë pak fizikun në lëvizje. Pak vrap dhe pak not, janë dy sporte që i ushtroj sa herë më jepet mundësia.

Cili është citimi i preferuar?

Më është fiksuar që i vogël një shprehje që thotë: "Jeta është shumë e shkurtër, që ta kalosh duke urryer". Kjo është një frazë që më intereson!

E keni menduar veten si pjesë të kinematografisë?

Unë e kam provuar veten në një "musical", por kjo s‘ishte një përvojë tamam kinematografike.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora