E hene, 29.04.2024, 09:06 AM (GMT+1)

Kulturë

Në shtëpinë e Maries

E shtune, 28.06.2008, 01:31 AM


Aty është Gertruda, Ledi Milford, e ashpra Bernarda Alba, por edhe e dhembshura Loke. Ledhatare, dramatike, naive... Maria ndihet mirë tek të gjitha. Pas 20 vjetësh largësi, miq e kolegë patën një takim me Marie Logorecin, një prej akoreve të para shqiptare. Takimi i kuruar nga i biri, Pjerini, i largohet kornizave të zakonshme.

Alma Mile

Njëzet vjet që nuk jeton më, por Marie Logorecin e kujtojnë ndryshe nga shumë të tjerë. Me veshjet e saj skenike, montazhet filmike dhe fotot

Aty është Gertruda, Ledi Milford, e ashpra Bernarda Alba, por edhe e dhembshura Loke. Ledhatare, dramatike, naive... Maria ndihet mirë tek të gjitha. Pas 20 vjetësh largësi, miq e kolegë patën një takim me Marie Logorecin, një prej akoreve të para shqiptare. Takimi i kuruar nga i biri, Pjerini, i largohet kornizave të zakonshme.

Në hollin e Teatrit Kombëtar të pret një skenë e improvizuar. Janë copëza skenografish nga pjesët teatrore që ajo ka luajtur, janë kostumet që ka veshur.

Në një kënd, si të ishte në trupin e një njeriu, qëndron i “ulur” fustani ngjyrë rozë, bashkë me kapelën me dantella, që dikur e kishte veshur Gertruda tek Hamleti. Aty është edhe mandolina e saj e një shportë frutash. Ca më tutje qëndron në këmbë xhubleta e zezë dhe shamia e bardhë e Lokes, njërit prej roleve më të spikatura të Marie Logorecit, edhe e Gjelës tek “Përmbytja e madhe”.

Në këndin e fotografive Maria përshkon rrugën e jetës që fëmijë, e veshur në të bardha, me një kurorë në kokë, në vitin 1930, fotografi me prindët, pastaj me të shoqin, Kolën, dhedhjetëra foto të realizuara në ambientet e teatrit, apo gjatë roleve. Asnjëra nuk i ngjan tjetrës. Ajo është mbretëresha, fisnikja, gruaja fjalëshumë dhe malësorja kokëulur.

Siç e do zakoni në këto raste, u shfaq një montazh me fotografi dhe pjesë nga dramat dhe filmat ku ka interpretuar aktorja. Bashkë me zhurmën e kohës vjen edhe zëri i saj, që nuk ka të dytë. Kumbues, i sigurt. Janë imazhe të nxjerra nga Arkivi Qendror i Filmit. E më pas fjalët më të mira nga kolegët. E ndërsa e gjithë kjo ndodh, i biri, Pjerini, qëndron diku në radhët e fundit. Ka ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të organizuar këtë takim dhe ndihet disi më i lehtësuar që gjithçka po shkon mirë.

Teksa sheh foto pas fotoje i kujtohet fëminia. Pas vdekjes së të atit, ai e shoqëronte edhe gjatë xhirimeve të filmave, në prova apo premiera. Ka jetuar çdo emocion të saj. Një prej pjesëve që i ka mbetur në mendje është drama “Përmbytja e madhe” (1977). “Isha në një moshë që kuptoja dhe ndieja emocionin që përcillte“, - thotë Pjerini. Kujton përgatitjet në shtëpi, kur përfshihej nga roli, apo bisedat me kolegët në oborrin e shtëpisë së bukur pranë Radio Televizionit Shqiptar. “Nuk mjaftoheshin me provat që bënin në teatër, por vazhdonin edhe në shtëpi. Kujtoj kur punonte me Ndrek Lucën, me të cilin ka pasur një pjesë të mirë të roleve, apo Roza Anagnostin e Prokop Mimën. Me Prokopin fliste shumë edhe për lulet e shartimet, pasi të dy ishin të apasionuar pas luleve, madje punonin edhe në kopësht.“

Imazhet e fëmijërisë i përforcohen edhe nga kujtimet që ajo i ka lënë. Në shtëpinë, ku tashmë nuk jeton më askush, ka një galeri të pasur fotosh, prej fëminisë deri në vitet e fundit të jetës, të cilat dëshiron t’i përmbledhë në një album, të shoqëruar me shkrimet e kohës për role të caktuara. Ka fletë të tëra me pjesët e roleve, anash së cilave ka edhe shënimet përkatëse. Jo thjesht ato që e ndihmonin për të realizuar më mirë një figurë, edhe gjendjen e saj emocionale në momentin e përgatitjeve.

Me fanatizëm ruan ditarin e saj që i përket periudhës së rinisë. “Aty ka shkruar përshtypjet e saj për Shkodrën, për Tiranën, kur e ka parë për herë të parë, dhe disa shënime, kur ka takuar për herë të parë të shoqin“, - tregon Pjerini.

Këtyre shënimeve i shtohen përshtypjet nga vizitat e saj jashtë vendit, si në Bullgari, Jugosllavi, etj.

Nga rinia e hershme e saj ruhen rreth 20 vizatime. I përkasin moshës 10-15 vjeçare, kur Maria shfaqi të dhëna në fushën e vizatimit që mbeti thjesht një pasion i hershëm, ashtu si edhe muzika, pjesëmarrja në korin e shtetit, apo këngët e kënduara live në mikrofonin e Radio Tiranës. Pjerin Logoreci, i cili tashmë në Florida përpiqet për të drejtat e emigrantëve në SHBA, shpreson të realizojë një dokumentar për nënën (jo thjesht një montazh filmik). Qëllimi është ta përfundojë për 90-vjetorin e lindjes së aktores, që do të jetë pas dy vjetësh.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora