Kulturë
Marie Logoreci, ikona e pavdekshme e artit
E shtune, 28.06.2008, 02:27 PM
![]() |
Marie Logoreci |
Flet Pjerin Logoreci, i biri i Marie Logorecit
“Si çdo fëmijë, edhe unë jam krenar për nënën time”
- Si ndihet një djalë kur për nënën e tij flitet me superlativa si artiste, si femër por edhe si nënë?
- Patjetër që ndihem shumë mirë dhe nuk kam fjalë që t‘i përshkruaj këto emocione të çastit. Ndjehem i gëzuar, krenar dhe më vjen vërtet mirë kur shikoj gjithë këta njerëz, personalitete të ndryshme, miq dhe të afërm, që nderojnë sot nënën time dhe vlerat e saj. Ndihem i nderuar për realizimin e një organizimi të tillë.
- Cili është një rol i nënës suaj që ju është fiksuar në kujtesë?
- Rolet janë të shumtë, por do të përmend atë tek drama “Përmbytja e madhe”, pasi isha edhe në një moshë që mund të kuptoja dhe ndieja njëkohësisht. Unë kam qenë edhe pjesë e xhirimeve të ndryshme në filmat e saj dhe duke qenë prezent, mbaj mend shumë gjëra jo vetëm në filma por edhe në teatër. Kështu kujtoj time më dke përgatitur rolet e saj në shtëpi. Konkretisht më vjen ndër mend një rol që ka luajtur me Ndrek Lucën, një tjetër me Roza Anagnostin, por edhe shumë të tjerë.
- Ndonjë pasion i veçantë i nënës suaj përveç artit?
- Po ajo kishte shumë qejf lulet dhe gjithmonë më vjen ndër mend kujtimi i saj, duke u kujdesur për to në kopështin e shtëpsë sonë.
- Përveç të tjerash këtu po shohim edhe disa vizatime të nënës suaj. Një pasion tjetër ky?
- Po është e vërtetë. Vizatimi gjithashtu ka qenë një pasion. Unë kam rreth 20 të tilla që i ruaj në shtëpi.
- Ju jetoni në SHBA. Me se merreni atje?
Për një kohë të gjatë nga viti 1994 e në vazhdim unë kam punuar si botues në Shtëpinë Botuese “Logoreci”, por në Shtetet e Bashkuara të Amerikës jam marrë gjithashtu edhe me probleme të emigracionit shqipatar aty.
- Po në lidhje me albumin fotografik që do të realizohet për nënë tuaj, ku një pjesë e fotove janë prezent edhe këtu ç‘mund të na thoni? Në çfarë faze të përgatitjes jeni dhe foto të kujt periudhe do të përfshihen aty?
- Pjesë të këtij albumi patjetër që do të jenë foto nga më të ndryshmet të realizuara gjatë karrierës artistike. I veçantë është fakti se ato do të shoqërohen me shënime të shtypit të kohës kur janë realizuar. Mund të them se ky album do të dalë i plotë me rasitn e 90-vjetorit të lindjes së saj, pra, pas dy vjetësh.
- Ndërkohë si e shihni Marie Logorecin si aktore në skenë dhe jo si nënë?
- Edhe një herë dua të përsëris që jam shumë i kënaqur për punën që është bërë në lidhje me organizimin e këtij aktivitieti, pra, si e ndoqët është bërë një montazh fotografish me vlera dhe mezazhe të ndryshme, edhe pse koha që kishim në dispozicion nuk ishte shumë e gjatë. Megjithatë ndihem i lumtur dhe krenar kur dëgjoj të flitet nga kaq shumë njerëz, për vlerat dhe kontributin që ajo i solli artit shqiptar si artiste.
- Duke qenë se ju jetoni në Amerikë, kush kujdeset dhe ku ruhen këto objekte, foto dhe kujtime të nënës suaj?
- Të gjitha ruhen në shtëpinë në Tiranë që njihet me emrin vila “Logoreci”. Aty nuk jeton njeri, megjithatë janë njerëz të afërt që kujdesen për mirëmbajtjen e gjithçkaje.
Flet Agim Zajmi “Piktor i popullit”, skenograf
“Maria kishte lindur aktore”
- Ju keni punuar për një kohë të gjatë me Marie Logorecin. Keni ideuar dhe realizuar një sërë kostumesh në role të ndryshme për të. Ç‘mund të na tregoni ndonjë gjë të veçantë?
- Po është e vërtetë që kam punuar shumë kohë me një artiste të madhe siç është Marie Logoreci. Për mua, ashtu si për të gjithë shqiptarët ajo është aktorja më e madhe në të gjithë trevën. Maria i kishte të gjitha cilësitë për të qenë një artiste gjigande dhe është një person që shumë rrallë i vjen skenës. Ajo karakterizohej nga një zë i magjishëm, pra këndonte bukur, kishte një temperament të jashtëzakonshëm por mbi të gjitha një portret që erdhi duke u zbukuruar. Nëse njerëzit, me kalimin e viteve humbasin cilësitë apo forcat, me të ndodhi ndryshe, me kalimin e moshës ajo u bë edhe më e bukur në kompletimin si artiste dhe në shpirtin e saj. Me bindje dua të them se ajo kishte lindur aktore.
- Çfarë mbanit parasysh kur punonit kostumet për të?
- Që në fillim dua të theksoj se isha shumë i kujdeshëm kur ishte fjala për dramat shqipe, pra për rolet e artistes në to. Gjithashtu dua të them se Maria ishte një njohëse shumë e mirë e kostumografisë shqiptare. Gjatë punës tonë të përbashkët ne komunikonim, bisedonim për të arritur më të mirën, pse jo duke bërë edhe ndryshime. Ajo ishte shumë kurioze dhe në të njëjtën kohë, e bindur në seriozitetin e saj.
- Po sot si ndiheni në një aktivitet të tillë?
- Më bëhet vërtet qejfi që bëhen organizime të tilla për figura të tilla të artit shqiptar. Nëse doni që të dëgjoni një tingëllim të bukur të gjuhës veriore, po e quaj, atëherë dëgjoni Marie Logorecin. Ky organizim është një mesazh i mirë për një vazhdimësi të realizimit të aktiviteteve të këtij lloji, pasi Shqipëria është një vend me një kulturë të veçantë dhe plot personalitete që na nderojnë edhe jashtë kufijve. Int. O. Proko
Jeta
Marie Logoreci bën pjesë në atë plejadë të shquar aktorësh që ka merita të mëdha në krijimin e fizionomisë e të traditës së teatrit tonë kombëtar.
Marie Logoreci u lind në Shkodër në 23 shtator 1920 në një familje me tradita patriotike dhe përparimtare. Në Fëmijërinë e saj ka debutuar me grupet amatore të shkollës femërore. Mbaroi shkollën fillore në Shkodër dhe tre të mesme. Që në moshë të re ajo u dallua për zërin e saj të bukur prej sopranoje dhe e nisi karrierën e saj si këngëtare pranë Radio Tiranës në 1946. Në 1947 debuton për herë të parë në rolin e Elvirës tek “Tartufi” duke nisur jetën e saj aktoriale pranë Teatrit Popullor, ku shumë shpejt spikati talenti i saj. Që nga ky rol ajo nuk u kthye më në Radio, por vazhdoi me sukses rrugën e bukur të teatrit.
Më pas interpreton në rolin e Xherit në “Çështjen ruse”, Maria tek “Platon Kreçiot”, etj.
Për mese tre dakada në Teatër, Marie Logoreci krijoi rreth 40 role kryesore në Teatrin Kombëtar, por me mbi 80 role në skenë dhe në ekran. Përveç figurave të paharruara nga dramaturgjia kombëtare, si Loken nga “Toka jonë”, Marën nga “Përkolgjinajt” dhe po Marën nga “Cuca e maleve”, Kontesha Xampa “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, ajo u dallua edhe për interpretimin e shumë roleve të dramaturgjisë botërore, si të veprave të Shekspirit, Shilertit, Molierit, Çehovit, etj.
Spektatori ynë ruan në kujtesë role të paarritshme të saj si Maria Kreçiot nga “Platon Kreçoit”, Gruan e Llukiçit nga “Revizori”, Ledi Milford nga “Intrigë dhe dashuri”, Gertrudën nga “Hamleti”, Zabelinën nga “Orët e Kremlinit”, etj.
E pra ishte kjo aktore e madhe që e bëri të ligjërojë aq bukur shqip Bernardën e Lorkës, Kararën e Brehtit, apo Gertrudën shekspiriane.
Portreti shprehës, tiparet e qarta që shprehnin individualitet, e folura e qartë dhe e kujdesshme, plastika e saj, e palodhur në punë e në qëmtimin e hollë të jetës artistike, me një zë të ngrohtë e plot muzikalitet, energjike, ekspresive, dinamike, me të gjitha karakteristikat e një aktoreje të shquar.
Ajo ishte një aktore poliedrike. Maria ishte një aktore e madhe, me një individualitet të veçantë.
Aktorja që dha një ndihmesë të çmuar edhe në kinematografi. Që në filmin e parë artistik “Fëmijët e saj” me regji të H. Hakanit, ajo realizoi një rol të bukur atë të nënës e që u pasua edhe në filma të tjerë. Por kulmi i saj mbetet Lokja në filmin “Toka jonë”. Një Loke, e dhimbsur, me atë vështrimin e saj mallëngjyes, lojën e bukur e që mbetet pa dyshim një ndër kryerolet e kinematografisë sonë. Maria ishte ajo që e ngriti nënën shqiptare në piedestal të pashembullt artistik.
Edhe pse doli në pension në vitin 1976, ajo e vazhdoi karrierën e saj artistike edhe më vonë në disa role në teatër e në filmin artistik. Është dekoruar disa herë me medalje dhe ka marrë disa çmime në festivalet e teatrove. Është nderuar me titullin e lartë “Artiste e Popullit”. U nda nga jeta më 19 qershor 1988, por për të ngelur e paharruar në zemrat e atyre që kanë pasur fatin e mirë ta shohin në role, e që do të ngelet e tillë edhe për brezat që do vijnë, pasi vetë arti të cilit ajo ju përkushtua me talentin e saj është i pavdekshëm. Nderim për këtë figurë vigane të skenës shqiptare.