E shtune, 27.04.2024, 12:59 PM (GMT+1)

Kulturë

Përparim Hysi: Ik e ik nëpër Zhapokikë

E enjte, 17.07.2014, 06:00 PM


Ik e ik nëpër Zhapokikë

Tregim nga Përparim Hysi

Ka qenë  aty prag viteve '80-të, kur më ra rruga për në Zhapokikë. As kisha dëgjuar më parë për të: për këtë fshat të madh të Tepelenës. Me sa më kujtohet, sipas hartës gjeologjike të naftës, ky fshat qe  ndarë në tri zona. Që i emërtonin naftëtarët kështu, them unë,  arsyeja qe e justifikueshme: qe fshat me përmasa të mëdha. Si i fshehur fshati në pyje pa fund e anë. Unë ardhur nga Myzeqeja që kisha parë vetëm pyllin e madh të Vajkanit, këtu e humba pusullën. Një pyll me krahë kilometrikë në gjatësi e në gjerësinë e tij. Pse ishte i tillë, ky pyll pa anë e fund, pa dhe kish ndodhur ai emërtimi zonal i naftëtarëve. Pra, për  ekipin e naftës kishte: Zhapokikë 1, 2,3. Unë me BC-në e drejtorit zbrita për të pushuar tek Zhapokika 2. Sa të mbaronte punë ekipi i drejtorisë,- mendova,- po  i hedh sytë pyllit. Po i hedh sytë qe si fjalëgoje se si mund t'i hidhje sytë vërtet në këtë pafundësi të gjelbër, që, në futeshe në të, zor se mund të shihje qiellin nga  ata drurë të lartë e të dëndur? Hoqa dorë nga hamëndësia ime dhe, tek do kthehesha tek vëndpushimi, mbrriti një vëndas. Më përshëndeti dhe, si gjithë vëndasit e atyre anëve, nuk mund që t'ia lejonte vetes pa m'u bërë më konfident.

-Nga të kemi?

-Nga Fieri.

-Patjetër që pret shokët e makinës.

-Aha, do presësh gjatë se ku dyshi e ku treshi (është fjala për zonat 2 dhe 3).

- Epo Zhapokikë është,- thashë unë.

- ZHapokikë, mor evlat nga kasabaja, por është e largët qeraja,- tha ai që, duke krijuar ato vargje, sikur  dhe ma zgjati edhe ca pritjen time.

Por xhaxhai kish qëlluar i muhabetit dhe u ul shesh në një hije. Siç duket, herë e parë që trapit këtyre anëve dhe, sa për atë se "hë se Zhapokikë është", ma ke pak kabim. Se  ky fshati ynë, or mik, është hane e  madhe dhe, që t'i dalësh  tej e mbanë, do një ditë të mirë në je ardhës si zotrote. E sa për pyllin... ohu-ha e kush ia gjeti fundin!

 

*     *     *

E pashë që po i hanin brirët për muhabet dhe vet po i ngeshëm, nxora paqetën (e kisha "Diamant" me kuti) dhe ia zgjata:

-Qofsh me nder,- më uroj, por këtë "myteberin" tim  nuk e ndërroj. Dhe shiko këtu nga xhaxhai:- Gruan,duhanin dhe kaun e brazdës mos i ndërro!

-Mirë gruan,- e mbështeta unë, po  ja dhe duhanin se të dhënka kollë, po kaun e brazdës nuk e kisha dëgjuar ndonjëherë.

-Epo sa të rroç aq dhe do të mësoç. Jo se qenke nga kasabaja dhe m'i dike të tëra. Ja ta thotë xhaxha Selami nga Zhapokika dhe ta mësoç: dy qe mbrenë kur plugon. Po njëri e çan brazdën. Ai jatri i mban "iso" si në këngë. E, ore,e! "iso!". Pa provo të mbreçë atë jatrin, ta bën brazdën dy hunj e një purtekë. Epo vëre vëth në vesh. Tymosëm të dy në një kohë dhe unë i habitur nga gjithë kjo pafundësi pyjesh, i them:- Ore, xha Selam, sa i  vjetër është ky pylli i Zhapokikës?

- Sa i vjetër? Sa bota, or kasaballi, të keqen xha Selami tyja! Epo sa bota, se kush i vuri metron apo i bëri historinë, por që nga koha e turkut kështu ka qenë.

Unë:- Që nga kohë e Ali Pasha Tepelenës!

- Mor Aliu i Tepelenës dhe ai jatri që erdhi pas tij. Se dhe ai Ali quhej. Epo nuk qe i dëgjuar sa ai, po koshadhet e turqëve i griu. I griu sa sulltani e shpalli jashtë tefterit. "Fermanli!"- thashë unë si për t'i ardhur në ndihmë.

-Hë, më të lumtë,se ma gjete! Gjezdiste ato kohë,- tregojnë,- dhe një këngë: " E kam shpallur fermanli/ia dua kokën në sini/.

- Po a e zunë dhe a ia vunë kokën në sini?

- Ja, këtu më qëndro. Po ne të ngeshëm jemi dhe,sa të vinë ata tëndit, do ta kemi sosur dhe atë historinë e këtij jatrit, nga Zhapokika.

 

*     *    *

Ky Aliu nga Zhapokika kish dalë kaçak.  Dalë kaçak se i vranë babanë dhe,pasi mori hakën, mbeti pyllit. Mbeti pyllit... epo me lënde lisi nuk rrrohej dhe që thuaj ti, or mik, iu sulej atyre karvaneve turke. Qe i ri, pa dirsur mustaqaja, dhe, si bëri nja dy "zullume" e zënë. Krah e kofshë në Janinë dhe që atje në burg: në Çana-Kala.  Nja 5 vjet të mira. Apsana si apsana. Keq! Pisk e pati në burg, por kot nuk thonë: çdo e keqe ka një të mirë pas. Atje, në burg, (epo djalë i zjguar) na mësoi dhe turqishten. Kur doli,- thoshin,- qe si turk safi. Erdhi në fshat,por kaçaku është  si ujku: mëndjen nga pylli. Sado që edhe u martua me një deliçupë nga Gllava, nga "zanati" nuk hoqi dorë. Tmerroheshin turqit kur afroheshon në rrethinat e Zhapokikës. Të bënte gjëmën, jo shaka. Të bënte gjëmën dhe ,o burra, në pyll. Gjendet gjëlpëra në kashtë? Epo vjen një ditë e kupa që mbushet plot, zbrazet. Kështu ndodhi dhe me Alinë tënë. Zgjati ca dhe, ndërsa sulltani e kish lëshuar atë fermanin për "kokën në sini", koshadhet siç vinin dhe iknin. I dërgonin haber sulltanit në Stamboll: "Ik e ik  nëpër Zhapokikë". Ja, kështu.

- Nuk e zunë?-  shpejtova unë.

- Aha, marrke përpjekur!- ma preu hovin ai. Unë  nuk të thashë që e sosa. Bobo, ç'paska hequr jotëmë me ty për 9 muaj! Po duro, mor  evlat!

-Më fal, xha Selam,se e prisha!- kërkova ndjesë.

- Ku e lamë?- bëri sikur harroi ai.

-Ik e ik nëpër Zhapokikë,- nxitova unë,se mos e ndërpriste këtu tregimin.

E,aty ta paçë fjalën, "ik e ik nëpër Zhapokikë", por ja u gjet dhe këtyre anëve një "sypërpjetë" që u çoi fjalë atyre që e ndiqnin. Një ta rrethuar, që thuaj ti, ashtu ardhur pa ardhur dreka, dhe i bërtasin:- Dorëzohu, o do të djegim të gjallë me gjithë tëtshoqe. Hë,- harrova të të them,- Esma e quanin të shoqen. Esma po hanko Esma me halle.  Esmaja u bë shafran. -Mos e humb toruan fare,- tha Aliu. Di unë se ç'u bëj këtyre qafirëve. -Do na marrësh në qafë,Ali!- lëshoi kujën e shoqja.

-Esma,- foli Aliu,- ata janë tre dhe, po t'u iki (se u iki kollaj), kam hallin tënd. Ndaj mos e prish terezinë dhe bëj si të të them unë. Sakaq , epo trimi e bën beli dhe kur bashkohet trimëria me zgjuarësinë, atëherë fundi po do jetë i bukur. Dhe që thuaj ,zotrote që nuk po thuaj gjë hiç, dha ballë para shtëpisë, i paarmatosur, dhe u foli turqisht atyre të koshadhes. Seç u tha,gjatë apo shkurt,epo kush  e di, po ata që e kanë sjellë nderi ndër ne, thonë:- Bujrum! Bujrum! Me demek, mirëse erdhët! Ke parë  sikur të qenë miq dhe mezi po i priste. Bilez, për t'u dhënë besë  drëgoi drejt tyre dhe Esmanë që, për të, i vinte zjarr gjithë Nahijes. Dhe ajo:- Bujrum! Bujrum! Ndoqën Esmanë dhe ay karakolll aty në ballkon, i paarmatosur. Pa kur erdhën tek dera e konakut, po më t'u flet turqisht sikur të kish lindur andej. U dha mirëseardhjen dhe m'i uli shesh atje tek oda e miqëve dhe Esmasë i tha:- Nga një pulë të pjekur për kokë! Muhabeti vu dhe u thotë noksani: do bëjmë rrrugë të  gjatë,pa të hamë nja dy kafshata bukë. Ua  shtroi mirë e mirë dhe rakia- ballë kazani e bëri punën e vet. Sakaq Aliu rrëmbeu nga muri llahutkën dhe ia filloi një kënge që aso kohe nuk kish turk që nuk e këndonte. Ky po zërin bilbil gjyzar, papo e këndonte dhe turqisht dhe "koshadhja" e harroi për ç'kish ardhur.

-Esma,- foli kaçaku,- shpëtuam. I "lidha" unë në vënd të më lidhnin ata. Sufra plot, mishi me përshesh dhe rakia që u shkoi në kokë, pale ajo kënga që i bëri çakërrqejf, i bëri turqit suferinë.

- Aferim kaçak!-foli ai, më i madhi tyre. Çok gjyzel! Dhe si erdhën dhe ikën. Po sulltani priste haber dhe ia kthyen:"Ik e ik nëpër Zhapokikë".

Tani po, e sosa. Kaq e dita, kaq e thashë, merre kasabali se ta lashë. Ty po të vjen tromobili, unë po tutje nga pylli. E falnderova dhe me që, "ma la", unë e solla për të mos humbur.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora